Return to BahaiPrayers.net
Facebook
Sa herë hyni në dhomën e konsultimit, thuajeni këtë lutje me zemrën që ju rreh nga dashuria për Perëndinë dhe me gjuhën të pastruar nga gjithçka veç kujtimit të Tij, që Fuqiploti t'ju ndihmojë me dashamirësi për të arritur fitoren më të lartë.
O Perëndi, Perëndia im! Ne jemi shërbëtorët e Tu që janë kthyer me përkushtim ndaj Fytyrës Sate të Shenjtë, që janë shkëputur nga gjithçka veç Teje në këtë Ditë të lavdishme. Ne jemi mbledhur në këtë Asamble Shpirtërore, të bashkuar në pikëpamjet e mendimet tona, me qëllimet tona të harmonizuara për të lartësuar Fjalën Tënde midis gjinisë njerëzore. O Zot, Perëndia Ynë! Bëna ne shenjat e Udhëheqjes Sate Hyjnore, Flamujt e Besimit Tënd të lavdëruar midis njerëzve, shërbëtorë të Besëlidhjes Sate të fuqishme. O Ti Zoti ynë Më i Lartë, bëna ne shfaqje të Unitetit Tënd Hyjnor në Mbretërinë Tënde Abhá, bëna yje vezullues që shkëlqejnë mbi të gjitha vendet. Zot! Ndihmona të bëhemi dete që ngrihen nga valët e Hirit Tënd mahnitës, rrëke që rrjedhin nga Lartësitë e Tua të gjithëlavdishme, fryte të mira në pemën e Kauzës Sate qiellore, pemë që tunden në flladet e Bujarisë Sate në Vreshtin Tënd qiellor. O Perëndi! Bëji shpirtrat tanë të varur prej Vargjeve të Unitetit Tënd Hyjnor, gëzoji zemrat tona me vërshimet e Hirit Tënd, që ne të bashkohemi si dallgët e një deti dhe të shkrihemi së bashku si rrezet e Dritës Sate të shkëlqyeshme; që mendimet tona, pikëpamjet tona, ndjenjat tona të bëhen si një realitet i vetëm, të manifestojnë frymën e bashkimit në mbarë botën. Ti je i Hirshmi, Bujari, Dhuruesi, Fuqiploti, i Mëshirshmi, Zemërdhembshuri.
- `Abdu'l-Bahá