Return to BahaiPrayers.net
Facebook
Lëvduar qofsh Ti, O Zot, Perëndia im! Bëj mirësisht që kjo foshnjë të mëkohet nga gjiri i mëshirës Sate të dhembshur dhe nga kujdesi Yt dashamirës, të ushqehet me frytet e pemëve të Tua qiellore. Mos lejo që ajo të lihet nën kujdesin e ndokujt tjetër veç Teje, sepse Ti Vetë, nëpërmjet forcës së vullnetit e të pushtetit Tënd sovran, e krijove dhe e thirre atë në jetë. Nuk ka tjetër Perëndi veç Teje, Fuqiplotit, të Gjithëdijshmit.
I lëvduar je Ti, O Më i Shumëdashuri im, përhap mbi të shijet e ëmbla të bujarisë Sate të përkryer dhe aromën e dhuratave të Tua të shenjta. Bëje, pra, atë të aftë të kërkojë strehë nën hijen e Emrit Tënd më të lartësuar, O Ti që mban në dorën Tënde mbretërinë e emrave e të atributeve. Me të vërtetë, Ti je në gjendje të bësh atë që dëshiron dhe je vërtet i Fuqishmi, i Lartësuari, Gjithmonëfalësi, i Hirshmi, Bujari, i Mëshirshmi.
- Bahá'u'lláh