Return to BahaiPrayers.net
Facebook
I lavdëruar je Ti, O Zoti im i dhembshur! Unë të lutem për vrumbullitjen e Oqeanit të të folurit Tënd të shenjtë, dhe për shenjat e shumta të Sovranitetit Tënd suprem, dhe për dëshmitë imponuese të Hyjnisë Sate, dhe për misteret e fshehura që qëndrojnë të mbuluara prej dijeve të Tua, më dhuro favorin që të të shërbej Ty e të zgjedhurve të Tu, dhe më bëj të aftë të të ofroj si duhet Huqúq-un Tënd, siç ke porositur Ti në Librin Tënd.
Unë jam ai, O Zoti im, që e ka vendosur dashurinë e vet në mbretërinë Tënde të lavdisë dhe është kapur fort pas cepit të zemërgjerësisë Sate. O Ti, që je Zoti i të gjitha qenieve dhe Sundimtari i mbretërisë së emrave, Unë të lutem të mos m'i mohosh gjërat që zotëron, as të mos më pengosh në atë që Ti ke urdhëruar për të zgjedhurit e Tu.
Unë të përgjërohem, O Zot i të gjithë emrave e krijues i qiejve, të më ndihmosh të jem i qëndrueshëm në Kauzën Tënde, përmes hirit Tënd forcues, në mënyrë që kotësitë e botës të mos më veçojnë si me një perde, as të mos më pengojnë rrëmujat e dhunshme të keqbërësve, të cilët janë ngritur në ditët e Tua për t'i çuar njerëzit në rrugë të shtrembër. Caktoje, pra, për mua, O Dëshira e zemrës sime, të mirën e kësaj bote dhe të botës që do të vijë. Me të vërtetë, Ti e ke në dorë të bësh atë që dëshiron. Nuk ka Perëndi tjetër veç Teje, Gjithmonëfalësit, Bujariplotit.
- Bahá'u'lláh