Return to BahaiPrayers.net
Facebook
Ai është Perëndia
O Zot, Perëndia im! O Ti Ndihmuesi i të dobtëve, Mbështetësi i të varfërve dhe Shpëtuesi i të pashpresëve që e kanë kthyer fytyrën ndaj Teje.
Me përunjësinë më të madhe, shtrij me lutje duart drejt mbretërisë Sate të bukurisë dhe të drejtohem Ty me zjarr, duke thënë me gjuhën e shpirtit: O Perëndi, Perëndia im! Më ndihmo të të adhuroj Ty; forcoji shpatullat e mia që të të shërbej Ty; më ndihmo me mirësinë Tënde në shërbimin Tënd; më bëj të qëndroj i patundur në bindjen time ndaj Teje; derdhe me bollëk mbi mua bujarinë Tënde, hidhe vështrimin e syrit të dashamirësisë Sate nga unë, dhe më zhyt në oqeanin e mëshirës Sate. Më mbështet në devotshmërinë time ndaj Besimit Tënd dhe më jep më shumë bindje e siguri, që unë të shkëputem krejtësisht nga bota, ta kthej fytyrën me përkushtim të plotë ndaj fytyrës Sate, të forcohem me fuqinë bindëse të provave e të dëshmive dhe, i veshur me madhështi e pushtet, të mund të kaloj tej çdo ane të qiellit e të tokës. Me të vërtetë Ti je i Mëshirshmi, Lavdiploti, i Miri, Zemërdhembshuri.
O Zot! Këta janë ata që mbijetuan prej martirëve të Tu, prej atij reparti shpirtrash të bekuar. Ata kanë përballuar çdo vuajtje dhe kanë treguar durim para padrejtësisë së madhe. Ata kanë braktisur çdo rehati e begati, i janë nënshtruar me dëshirën e vet vuajtjeve e fatkeqësive të tmerrshme në rrugën e dashurisë për Ty, madje ende mbahen robër në kthetrat e armiqve të tyre, që vazhdimisht i torturojnë me vuajtje të padurueshme dhe i shtypin, sepse ata ecin të patundur në rrugën Tënde të drejtë. Askush nuk i ndihmon ata, askush nuk miqësohet me ta. Veç të poshtërve e të ligjve, askush nuk shoqërohet e nuk shkon me ta.
O Zot! Këta shpirtra kanë provuar agoni të hidhur në këtë jetë tokësore dhe, si shenjë të dashurisë së tyre për bukurinë e shndritshme të fytyrës Sate e në zellin për të arritur mbretërinë Tënde qiellore, kanë duruar çdo poshtërim të madh që njerëzit e tiranisë u kanë shkaktuar.
O Zot! Mbushi veshët e tyre me vargjet e ndihmës hyjnore e të një fitoreje të shpejtë, dhe shpëtoji ata nga shtypja e kësaj fuqie aq të tmerrshme. Mbaje dorën e të ligut dhe mos i lër këta shpirtra të shqyhen prej kthetrave e dhëmbëve të bishave të egra, sepse ata i ka pushtuar dashuria për Ty, besojnë në misteret e shenjtërisë Sate, qëndrojnë të përunjur në portën Tënde dhe kanë arritur në oborrin Tënd të lavdëruar.
O Zot! Forcoji mirësisht ata me një frymë të re; ndriçoji sytë e tyre, duke i bërë të aftë të sodisin provat e Tua mahnitëse në errësirën e natës; cakto për ta çdo gjë të mirë që është me bollëk në Mbretërinë Tënde të mistereve të përjetshme; bëji ata të shkëlqyer si yjet që ndriçojnë mbi të gjitha vendet, pemë të begata plot fruta e degëza që lëvizin nga flladet mëngjesore.
Në të vërtetë, Ti je Bujari, i Fuqishmi, Ai që ka në dorë gjithçka, i Padetyruari. Nuk ka Perëndi tjetër veç Teje, Perëndisë së dashurisë e të mëshirës së dhembshur, Lavdiplotit, Gjithmonëfalësit.
- `Abdu'l-Bahá