Return to BahaiPrayers.net
Facebook
Në Emër të Tij, të Lavdëruarit, Më të Lartit, Më Fisnikut!
I lavdëruar je Ti, O Zot Perëndia im! O Ti Që je Perëndia im, dhe Mjeshtri im, dhe Zoti im, dhe Mbështetja ime, dhe Shpresa ime, dhe Streha ime, dhe Drita ime. Kërkoj prej Teje që, për Emrin Tënd të Fshehur e të Ruajtur, që askush nuk e di veçse Ti Vetë, të mbrosh prurësin e kësaj Tabele nga çdo fatkeqësi e nga çdo e keqe, dhe nga çdo burrë e grua e djallëzuar; nga e liga e Keqbërësve dhe nga intrigat e jobesimtarëve. Ruaje atë, veç kësaj, O Perëndia im, nga çdo dert e shqetësim, O Ti Që mban në dorën Tënde mbretërinë e të gjitha gjërave. Ti, me të vërtetë, je i pushtetshëm mbi të gjitha gjërat. Ti bën si do Vetë dhe urdhëron ashtu si Të pëlqen.
O Ti Mbret i Mbretërve! O Ti Zot dashamirës! O Ti Burim i bujarisë së lashtë, i hirit, i zemërgjerësisë e i blatimit! O Ti Shërues i sëmundjeve! O Ti Plotësues i nevojave! O Ti Dritë e Dritës! O Ti Revelues i çdo Manifestimi! O Ti Zemërdhembshuri! O Ti i Mëshirshmi! Ki mëshirë për prurësin e kësaj Tabele, me mëshirën Tënde më të madhe dhe me hirin Tënd të pashtershëm, O Ti i Hirshmi, Bujari. Ruaje atë, veç kësaj, me mbrojtjen Tënde, nga çdo gjë që zemra dhe mendja e tij e gjen të neveritshme. Ndër ata që janë të veshur me pushtet, Ti, me të vërtetë, je më i pushtetshmi. Lavdia e Perëndisë qoftë mbi Ty, O ti diell që po lind! Dëshmo për atë që Perëndia ka dëshmuar Vetë, se nuk ka Perëndi tjetër veç Tij, Fuqiplotit, Më të Shumëdashurit.
- Bahá'u'lláh