NË EMËR TË ZOTIT TONË, TË LAVDËRUARIT, MË TË MADHIT
ASKUSH nuk do t'i arrijë brigjet e oqeanit të të kuptuarit të vërtetë, veç atij që shkëputet nga gjithçka që është në qiell e mbi tokë. Dëlirini shpirtrat tuaj, o ju popuj të botës, që të mund të arrini atë rang që Perëndia ka caktuar për ju dhe të hyni kështu në tempullin që, sipas porosive të Providencës, është ngritur në qiellin e Bajanit [Bayán].
Thelbi i këtyre fjalëve është ky: Ata që ecin në rrugën e besimit, ata që janë të etur për verën e sigurisë, duhet ta dëlirin veten nga çdo gjë që është tokësore - veshët e tyre nga fjalët e padobishme, mendjet e tyre nga imagjinatat e kota, zemrat e tyre nga dashuritë tokësore, sytë e tyre nga ajo që është e vdekshme. Ata duhet ta mbështesin besimin te Perëndia dhe, duke u mbajtur fort pas Atij, të ndjekin rrugën e Tij. Atëhere ata do të bëhen të denjë për lavditë vezulluese të diellit të dijes e të të kuptuarit hyjnor, dhe marrës të një mirësie të pafundme e të padukshme, sepse njeriu kurrë nuk mund të shpresojë të arrijë dijen e Lavdiplotit, kurrë nuk mund të pijë nga rrëkeja e dijes dhe e urtisë hyjnore, kurrë nuk mund të hyjë në banesën e pavdekësisë, as mund të pijnë nga kupa e afërsisë dhe e favorit hyjnor, veçse kur e derisa të mos i shohë më fjalët dhe veprat e njerëzve të vdekshëm si norma për të kuptuarin e vërtetë dhe për njohjen e Perëndisë e të Profetëve të Tij.
Shihni të kaluarën. Sa njerëz, të fuqishëm e të përvuajtur, kanë pritur me dëshirë të zjarrtë në të gjitha kohët ardhjen e Manifestimeve të Perëndisë në personat e bekuar të të Zgjedhurve të Tij. Sa shpesh kanë pritur ata ardhjen e Tij, sa dendur janë lutur që flladi i mëshirës hyjnore të frynte dhe Bukuria e premtuar të dilte nga prapa perdes që e fshihte e të shfaqej para gjithë botës. Dhe sa herë që portat e mirësisë janë hapur dhe retë e bujarisë hyjnore janë zbrazur mbi njerëzimin, dhe drita e të Padukshmit ka shkëlqyer mbi horizontin e fuqisë qiellore, ata të gjithë e kanë mohuar Atë dhe janë larguar nga fytyra e Tij - fytyra e Vetë Perëndisë. Referojuni, për ta verifikuar këtë të vërtetë, asaj që është shkruar në çdo Libër të shenjtë.
Peshojeni për një çast dhe reflektoni për atë që u bë shkaku i një mohimi të tillë nga ana e atyre që kanë kërkuar me aq zell e dëshirë. Sulmi i tyre ka qenë më i egër nga sa mund ta përshkruajë ndonjë gjuhë ose pendë. Nuk ka pasur asnjë Manifestim të vetëm të Shenjtërisë që të jetë shfaqur e të mos jetë goditur nga mohimet, refuzimet dhe kundërshvënia e egër e njerëzve rreth Tij. Ja ç'është reveluar për këtë: "O shërbëtorë të mjerë! S'ka ardhur Lajmëtar tek ata, që të mos e kenë tallur e përqeshur".2 Ai thotë gjithashtu: "Dhe çdo komb ka komplotuar në mënyrë keqdashëse kundër Lajmtëtarit të vet Hyjnor, duke u përpjekur ta shtjerë në dorë, dhe ka kundërshtuar me gjëra të kota për të hedhur poshtë të vërtetën".3
Po kështu, fjalët që kanë rrjedhur nga burimi i fuqisë dhe kanë zbritur prej qielllit të lavdisë janë të panumërta e tej të kuptuarit të rëndomtë të njeriut. Atyre që zotërojnë kuptim e intuitë të vërtetë, Súreja e Hudit sigurisht u mjafton. Peshojini për një çast ato fjalë të shenjta në zemrën tuaj dhe, me shkëputje të thellë, përpiquni të kapni kuptimin e tyre. Shqyrtoni sjelljen e mahnitshme të Profetëve dhe sillni ndërmend përgojimet e mohimet e bëra nga bijt e mohimit e të gënjeshtrës, se ndoshta e bëni zogun e zemrës njerëzore të fluturojë larg banesave të shkujdesjes e të dyshimit, drejt folesë së besimit e të sigurisë, të pijë ujërat e kulluara të urtisë së lashtë dhe të shijojë frytin e pemës së dijes hyjnore. E tillë është për ata që kanë zemër të dëlirë pjesa e bukës që ka zbritur nga mbretëritë e përjetësisë e të shenjtërisë.
Sikur të njiheshit me fyerjet e bëra kundër Profetëve të Perëndisë dhe t'i kuptonit shkaqet e vërteta të kundërshtimeve të ngritura nga shtypësit e tyre, ju me siguri do ta vlerësonit domethënien e pozitës së tyre. Për më tepër, sa më me kujdes t'i vëreni mohimet e atyre që u janë kundërvënë Manifestimeve të atributeve hyjnore, aq më i fortë do të jetë besimi juaj në Kauzën e Perëndisë. Prandaj në këtë Tabelë do të përmenden shkurt disa tregime që kanë të bëjnë me Profetët e Perëndisë, për të provuar të vërtetën që, në të gjitha epokat e shekujt, Manifestimet e fuqisë e të lavdisë u janë nënshtruar mizorive të tilla të urryera, saqë asnjë pendë nuk do të guxonte t'i përshkruajë. Kjo ndoshta do t'i lejojë disa të mos shqetësohen më nga zhurma e protestat e teologëve e të të marrëve të kohës së sotme dhe do të forcojë besimin e sigurinë e tyre.
Midis Profetëve ishte Noji. Për nëntëqind e pesëdhjetë vjet Ai i këshilloi me zell njerëzit e Tij dhe i ftoi ata në strehën e sigurisë e të paqes. Por askush nuk ia vuri veshin thirrjes së Tij. Çdo ditë, ata i shkaktuan personit të Tij të bekuar dhimbje e vuajtje të tilla, sa askush nuk besonte se Ai do të mund të mbijetonte. Sa shpesh e mohuan atë! Me ç'ligësi shfaqën dyshime kundër Tij! Ja ç'është reveluar për këtë: "Dhe sa herë që paria e popullit të Tij kalonin aty pranë, e tallnin Atë. Ai u thoshte atyre: 'Në qoftë se ju talleni me ne tani, ne do të tallemi me ju më pas, ashtu siç talleni ju me ne. Në fund do ta merrni vesh'".4 Shumë kohë më pas, Ai disa herë u premtoi shokëve të Tij fitoren dhe përcaktoi orën e saj. Por kur vinte ora, premtimi hyjnor nuk përmbushej. Kjo bëri që disa prej të paktëve pasues të Tij të largohen prej Tij, dhe për këtë dëshmojnë shkrimet e librave më të famshëm. Ju me siguri i keni lexuar; nëse jo, patjetër do t'i lexoni. Përfundimisht, siç thuhet në librat e në hadithet, me Të mbetën vetëm dyzet ose shtatëdhjetë e dy prej pasuesve të Tij. Më në fund, nga thellësia e qenies së Tij Ai thirri me zë të lartë: "Zot! Mos lër mbi tokë asnjë banor të vetëm nga jobesimtarët".5
Dhe tani, shikoni e reflektoni për një çast për mbrapshtinë e këtyre njerëzve. Cili mund të ketë qenë shkaku i një mohimi e largimi të tillë nga ana e tyre? Çfarë mund t'i ketë shtyrë ata të mos pranonin të zhvishnin rrobën e mohimit dhe ta stolisnin veten me rrobën e pranimit? Për më tepër, çfarë mund të ketë shkaktuar mosplotësimin e premtimit hyjnor, që i bëri kërkuesit të mohonin atë që ata e kishin pranuar? Mendoni thellë, që sekreti i gjërave të padukshme të zbulohet para jush, që ju të mund të thithni ëmbëlsinë e një arome shpirtërore të pavdekshme dhe të mund të njihni të vërtetën që, qysh prej kohësh që s'mbahen mend e deri në përjetësi, i Gjithëfuqishmi ka vënë e do të vazhdojë të verë në provë shërbëtorët e Tij, në mënyrë që drita të dallohet nga errësira, e vërteta nga gënjeshtra, e drejta nga e shtrembëra, rruga e drejtë nga e gabuara, lumturia nga fatkeqësia, trëndafilat nga gjembat. Siç e ka reveluar Ai: "A mendojnë njerëzit se do t'i lënë të thonë 'Ne besojmë' pa i vënë ata në provë?"6
Dhe pas Nojit mbi horizontin e krijimit shkëlqeu drita e fytyrës së Hud-it. Për afro shtatëqind vjet, sipas thënieve të njerëzve, Ai i këshilloi njerëzit ta kthejnë fytyrën e të afrohen pranë Ridvánit të pranisë hyjnore. Sa shira vuajtjesh ranë mbi Të, gjersa, më në fund, lutjet e Tij dhanë si fryt një rebelim gjithnjë e më të madh dhe përpjekjet e Tij këmbëngulëse patën si rezultat verbimin e qëllimtë të popullit të Tij. "Dhe mosbesimi i tyre do ta bëjë edhe më të madhe humbjen për jobesimtarët".7
Dhe pas Tij nga Ridváni i Përjetësisë, të Padukshmit, u shfaq personi i shenjtë i Salihut, i Cili përsëri i ftoi njerëzit në lumin e jetës së amshuar. Për më se njëqind vjet Ai i këshilloi ata t'u përmbahen porosive të Perëndisë dhe t'i shmangen asaj që është e ndaluar. Por këshillat e Tij nuk dhanë fryt dhe lutjet e tij qenë të kota. Disa herë Ai u tërhoq dhe jetoi i vetmuar. Dhe të gjitha këto ndodhën, megjithëse ajo Bukuri e përjetshme i ftonte njerëzit jo diku tjetër, por në qytetin e Perëndisë. Ashtu siç është reveluar: "Dhe në fisin e Tamudit Ne dërguam vëllanë e tyre Salihun. 'O populli im,' thoshte Ai, 'adhurojeni Allahun, ju nuk keni tjetër Zot veç Tij...' Ata u përgjigjën: 'O Salih, deri tani shpresat tona i kishim mbështetur tek Ti; dhe tani kërkon të na ndalosh të adhurojmë atë që adhuronin etërit tanë? Me të vërtetë neve na duket i dyshimtë qëllimi i thirrjeve tuaja'".8 E gjithë kjo rezultoi e pafrytshme, derisa, më në fund, u dëgjua një thirrje e madhe dhe të gjithë ranë në rrënim të plotë.
Më pas, nga prapa perdes u shfaq bukuria e shëmbëlltyrës së Mikut të Perëndisë9 dhe u ngrit një tjetër flamur i udhërrëfimit hyjnor. Ai i ftoi njerëzit e tokës drejt dritës së virtytësisë. Sa më me pasion i këshillonte ata, aq më e egër bëhej cmira e mbprapshtia e njerëzve, me përjashtim të atyre që e shkëputën tërësisht veten nga gjithçka veç Perëndisë dhe mbi krahët e sigurisë u ngritën në pozitën që Perëndia e ka lartësuar tej të kuptuarit njerëzor. Dihet fare mirë se ç'hordhi armiqsh e rrethuan Atë, derisa, më në fund, zjarret e cmirës e të rebelimit u ndezën kundër Tij. Dhe pasi ndodhi ky zjarr, Ai, Llamba e Perëndisë midis njerëzve, siç është shkruar në të gjitha librat e kronikat, u dëbua nga qyteti i Tij.
Dhe kur dita e Tij përfundoi, i erdhi radha Moisiut. I armatosur me shkopin e sundimit qiellor, i stolisur me dorën e bardhë të dijes hyjnore, duke ardhur nga Parani i dashurisë së Perëndisë dhe duke tundur gjarprin e fuqisë e të madhështinë së përjetshme, Ai shkëlqeu nga Sinai i dritës mbi botë. Ai i thirri të gjithë popujt dhe fiset e tokës në mbretërinë e përjetësisë dhe i ftoi ata të shijojnë frytin e pemës së besës. Ju, sigurisht, jeni në dijeni për kundërvënien e egër të Faraonit e të njerëzve të tij, si dhe për gurët e fantazisë boshe, që duart e të pabesëve hodhën mbi atë Pemë të bekuar. Derisa më në fund Faraoni dhe njerëzit e tij u ngritën dhe bënë të gjitha përpjekjet për të shuar me ujërat e gënjeshtrës e të mohimit zjarrin e asaj Peme të shenjtë, duke harruar të vërtetën se s'ka ujë tokësor që të shuajë zjarrin e urtisë hyjnore, as erëra të vdekshme që të fikin llambën e sundimit të përjetshëm. Madje një ujë i tillë s'bën tjetër veçse shton djegien e flakës, dhe erëra të tilla s'bëjnë tjetër veçse sigurojnë ruajtjen e llambës, po ta shihnit me syrin e gjykimit dhe të ecnit në rrugën e vullnetit e të pëlqimit të shenjtë të Perëndisë. Sa bukur e tha një besimtar nga farefisi i Faraonit, historinë e të cilit e tregon Lavdiploti në Librin e Tij që i reveloi të shumëdashurit të Vet: "Dhe një njeri i familjes së Faraonit, që ishte besimtar dhe e fshihte besimin e tij tha: 'A do ta vrasësh ti një njeri vetëm sepse thotë: Zoti im është Allahu, kur Ai ju ka sjellë tashmë shenja nga Zoti juaj? Në qoftë se është gënjeshtar, gënjeshtra e tij do të bjerë mbi të, por në qoftë se është njeri i së vërtetës, një pjesë e asaj me të cilën ai kërcënon do të bjerë mbi ty. Në të vërtetë, Allahu nuk udhëheq atë që është mëkatar e gënjeshtar'".10 Më në fund, kaq e madhe ishte padrejtësia e tyre, saqë vetë ky besimtar u dënua me një vdekje të turpshme. "Mallkimi i Allahut rëntë mbi të ligjtë".11
Dhe tani peshojini këto gjëra. Çfarë mund ta ketë shkaktuar një grindje e konflikt të tillë? Përse ardhja e çdo Manifestimi të vërtetë të Perëndisë është shoqëruar me përplasje e trazira të tilla, nga një tirani e rebelim i tillë? Dhe kjo ka ndodhur megjithëse të gjithë Profetët e Perëndisë, sa herë janë shfaqur para popujve të botës, gjithmonë kanë paralajmëruar ardhjen e një Profeti tjetër pas tyre dhe kanë përcaktuar disa shenja që do të lajmëronin ardhjen e Dispensacionit të mëvonshëm. Për këtë dëshmojnë shkrimet e të gjitha librave të shenjtë. Përse atëherë, megjithëse njerëzit kanë qëndruar në pritje në kërkimin e tyre për Manifestime të Shenjtërisë, e megjithë shenjat e përmendura në librat e shenjtë, akte të tilla dhune, shtypjeje e mizorie janë kryer në çdo epokë e cikël kundër të gjithë Profetëve e të zgjedhurve të Perëndisë? Ashtu siç e ka reveluar Ai: "Sa herë që një i Dërguar vjen e ju sjell atë që shpirtrat tuaj nuk e dëshirojnë, ju fryheni me krenari dhe disa i akuzoni si mashtrues ndërsa të tjerë i vrisni".12
Mendoni, cili mund të ketë qenë motivi i veprimeve të tilla? Çfarë mund ta ketë shkaktuar një qëndrim të tillë ndaj Reveluesve të bukurisë së Lavdiplotit? Cilido që të ketë qenë në të kaluarën shkaku i mohimit e i kundërvënies nga ana e atyre njerëzve, ai ka çuar tani në mbrapshtinë e njerëzve të kohës së sotme. Të thuash se dëshmia e Providencës ishte jo e plotë, se ky, pra, ka qenë shkaku i mohimit të njerëzve, s'është veçse një blasfemi e hapur. Sa larg është nga hiri i Bujariplotit, nga providenca e Tij plot dashuri dhe nga mëshira e Tij e dhembshur të zgjedhë një shpirt të vetëm midis të gjithë njerëzve për të udhëhequr krijesat e Tij dhe, nga njëra anë, të mos i japë Atij dëshminë e plotë hyjnore të Tij e, nga ana tjetër, t'i ngarkojë njerëzit e Vet me një shpagë të rreptë sepse i kanë kthyer shpinën të Zgjedhurit të Tij! Përkundrazi, bujaritë e shumta të Zotit të të gjitha qenieve kanë përfshirë, në çdo kohë, përmes Manifestimeve të Thelbit të Tij hyjnor, tokën e gjithçka gjendet në të. Për asnjë çast nuk është mohuar bujaria e Tij, dhe as kanë pushuar së rëni mbi njerëzimin reshjet e dashamirësisë së Tij. Për rrjedhojë, një sjellje e tillë s'mund t'i atribuohet veçse shpirtvogëlsisë së atyre që enden në luginat e arrogancës e të kryelartësisë, që kanë humbur në shkretëtirat e largësisë, që ecin në rrugët e fantazisë së vet boshe dhe shkojnë pas asaj që u diktojnë krerët e besimit të tyre. Meraku kryesor i tyre është thjesht të kundërvihen; dëshira e tyre e vetme është të injorojnë të vërtetën. Për çdo vëzhgues mendjemprehtë është evidente dhe e qartë që, sikur këta njerëz, në ditët e secilit prej Manifestimeve të Diellit të së Vërtetës, të kishin dëlirur sytë e tyre, veshët e tyre dhe zemrat e tyre nga çdo gjë që kishin parë, dëgjuar e ndjerë, ata nuk do të ishin privuar nga soditja e bukurisë së Perëndisë dhe as do të ishin mënjanuar nga banesat e lavdisë. Por duke e peshuar dëshminë e Perëndisë me masën e dijes së tyre, të nxjerrë nga mësimet e krerëve të besimit të tyre, dhe duke e gjetur atë në kundërshtim me kuptimin e vet të kufizuar, ata u ngritën për të kryer veprime të tilla të pahijshme.
Krerë të fesë, në çdo epokë, duke mbajtur fort në dorë frenat e pushtetit, i kanë penguar njerëzit e tyre të arrijnë brigjet e shpëtimit të përjetshëm. Disa nga lakmia për të qenë në krye, të tjerë nga padituria e moskuptimi, kanë qenë shkak privimi për njerëzit. Me pëlqimin dhe autoritetin e tij, çdo Profet i Perëndisë ka pirë nga kupa e sakrificës dhe ka marrë fluturimin drejt lartësive të lavdisë. Ç'mizori të patregueshme kanë kryer ndaj Monarkëve të vërtetë të botës, atyre Margaritarëve të virtytit hyjnor, ata që kishin fronet e pushtetit e të diturisë! Të kënaqur me një sundim të përkohshëm, ata i kanë mohuar vetes mbretërinë e përjetshme. Kështu, sytë e tyre nuk kanë soditur dritën e fytyrës së të Shumëdashurit, dhe as kanë dëgjuar veshët e tyre melodinë e ëmbël të Zogut të Dëshirës. Për këtë arsye, në të gjithë librat e shenjtë janë përmendur teologët e çdo epoke. Kështu thotë Ai: "O njerëz të Librit! Përse nuk besoni në shenjat e Allahut, të cilat ju vetë i keni parë?"13 Ai thotë gjithashtu: "O njerëz të Librit! Përse e vishni të vërtetën me mashtrimin? Përse e fshihni me paramendim të vërtetën?"14 Përsëri, Ai thotë: "Thuaj, O njerëz të Librit! Përse i largoni besimtarët nga rruga e Allahut?"15 Eshtë e qartë se me "njerëz të Librit" që i kanë larguar bashkëqytetarët e tyre nga rruga e drejtë e Perëndisë nuk nënkuptohen veçse teologët e asaj kohe, emrat dhe karakteri i të cilëve është reveluar në librat e shenjtë dhe për të cilët aludohet në vargjet e në hadithet e shkruara në to, nëse i shihni me syrin e Perëndisë.
Me vështrim të ngulitur e të pandryshuar, të lindur nga syri i pagabueshëm i Perëndisë, vëzhgojeni për një çast horizontin e dijes hyjnore dhe soditni ato fjalë përsosurie që ka reveluar i Përjetshmi, që t'ju zbulohen misteret e urtisë hyjnore, deri tani të fshehura nën perden e lavdisë e të ruajtura brenda shenjtores së dashamirësisë së Tij. Mohimet dhe protestat e krerëve të fesë i detyrohen kryesisht paditurisë e moskuptimit të tyre. Ata kurrë nuk i kanë kuptuar e as janë thelluar në fjalët e shprehura nga Reveluesit e bukurisë së Perëndisë së vërtetë Që është një i vetëm, të cilat jepnin shenjat që do të lajmëronin ardhjen e Manifestimit të ardhshëm. Prandaj ata ngritën flamurin e revoltës dhe nxitën ligësinë e trazirat. Është e qartë dhe e dukshme që kuptimi i vërtetë i fjalëve të Zogjve të Përjetësisë nuk u është reveluar veçse atyre që manifestojnë Qenien e Amshuar, dhe meloditë e Bilbilit të Shenjtërisë nuk mund të arrijnë veçse në veshin e banorëve të mbretërisë së përjetshme. Kopti16 i tiranisë kurrë nuk mund të pijë nga kupa që kanë prekur buzët e Septit të drejtësisë, dhe Faraoni i mosbesimit kurrë nuk mund të shpresojë të njohë dorën e Moisiut të së vërtetës. Siç thotë Ai: "Askush nuk e di kuptimin e këtyre fjalëve veç Allahut dhe atyre që kanë themele të shëndosha në dije".17 E megjithatë, ata e kanë kërkuar interpretimin e Librit prej atyre që janë të mbështjellë me vele dhe kanë refuzuar të kërkojnë ndriçim nga gurra e dijes.
E kur ditët e Moisiut mbaruan dhe drita e Jesuit, që shkëlqeu nga Agimi i Shpirtit, përfshiu botën, gjithë njerëzit e Izraelit u ngritën për të protestuar kundër tij. Ata ngritën zërin se Ai që Bibla kishte paralajmëruar se do të vinte, duhej të shpallte e të vinte në jetë ligjet e Moisiut, ndërsa i riu Nazaren, që pretendonte pozitën e Mesisë hyjnor18, anuloi ligjet e divorcit e të ditës së Sabathit - ligjet më të rëndësishme të Moisiut. Për më tepër, ku ishin shenjat e Manifestimit që do të vinte? Këta njerëz të Izraelit edhe sot e kësaj dite ende presin Manifestimin që ka paralajmëruar Bibla! Sa Manifestime të Shenjtërisë, sa Revelues të dritës së përjetshme kanë dalë që nga koha e Moisiut, e megjithatë Izraeli, i mbështjellë me perdet më të dendura të fantazisë djallëzore e të imagjinatës së rreme, është ende në pritje që idhulli i krijuar prej duarve të atij vetë të shfaqet me ato shenja që ai vetë kishte konceptuar! Kështu Perëndia i ka mbërthyer ata për mëkatet e tyre, ka shuar tek ata shpirtin e besimit dhe i ka torturuar me flakët e zjarrit më djegës. Dhe kjo për arsyen e vetme që Izraeli refuzoi të kuptonte domethënien e fjalëve të reveluara në Bibël lidhur me shenjat e Revelacionit të ardhshëm. Meqenëse Izraeli nuk e kuptoi kurrë domethënien e tyre të vërtetë, dhe në pamje të jashtme ngjarje të tilla nuk ndodhën kurrë, ai mbeti i privuar nga njohja e bukurisë së Jesuit dhe nga soditja e Fytyrës së Perëndisë. Dhe ata ende presin ardhjen e Tij! Që nga kohë që s'mbahen mend e deri në ditët e sotme, të gjitha fiset dhe popujt e tokës janë kapur pas mendimesh të tilla imagjinare e të padenja dhe kështu i kanë mohuar vetes ujërat e kulluara që rrjedhin nga krojet e pastërtisë e të shenjtërisë.
Duke zbuluar këto mistere, Ne në Tabelat Tona të mëparshme drejtuar një miku në gjuhën e melodishme Hixhaz, kemi cituar disa vargje që u janë reveluar Profetëve të lashtë. Dhe tani, duke iu përgjigjur kërkesës suaj, Ne përsëri do të citojmë, në këto faqe, të njëjtat vargje, të shprehura kësaj radhe me thekset e mahnitshme të Irakut, që të munduarit nga etja në pyjet e largëta të mund të arrijnë oqeanin e pranisë hyjnore dhe ata që vuajnë në shkretëtirat e ndarjes të udhëhiqen për në shtëpinë e ribashkimit të përjetshëm. Kështu mjegullat e gabimit mund të shpërndahen dhe drita shkëlqimplotë e udhërrëfimit hyjnor të agojë mbi horizontin e zemrave njerëzore. Te Perëndia e mbështesim Ne besimin Tonë dhe Atij i lutemi për ndihmë, që nga kjo pendë të rrjedhë ajo që do të gjallërojë shpirtrat e njerëzve, që ata të ngrihen të gjithë nga shtratet e shkujdesjes dhe të dëgjojnë shushurimën e gjetheve të parajsës nga pema që dora e fuqisë hyjnore ka mbjellur, me lejen e Perëndisë, në Ridvánin e Lavdiplotit.
Për ata që kanë dhuntinë e të kuptuarit është e qartë dhe evidente se, kur zjarri i dashurisë së Jesuit dogji perdet e kufizimeve të hebrenjve dhe autoriteti i Tij u bë i dukshëm e pjesërisht u pranua, Ai, Reveluesi i Bukurisë së paparë, duke iu drejtuar një ditë dishepujve të Vet, iu referua largimit së Tij nga kjo jetë dhe, duke ndezur në zemrat e tyre zjarrin e ndarjes, u tha: "Unë po shkoj, por do të vij përsëri tek ju". Dhe në një vend tjetër tha: "Unë po shkoj, por një tjetër do të vijë, i Cili do t'ju thotë ato që Unë nuk jua kam thënë dhe do të përmbushë të gjitha ato që kam thënë". Të dyja këto thënie kanë një kuptim të vetëm, po qe se thelloheni me intuitë hyjnore në Manifestimet e unitetit të Perëndisë.
Çdo vëzhgues i mprehtë do ta kuptojë se në Dispensacionin e Kuranit edhe Libri edhe Kauza e Jesuit u konfirmuan. Përsa u përket emrave, vetë Muhameti ka deklaruar: "Unë jam Jesui". Ai e njohu të vërtetën e shenjave, të profecive e të fjalëve të Jesuit dhe dëshmoi se të gjitha ato ishin nga Perëndia. Në këtë kuptim, as personi i Jesuit as Shkrimet e Tij nuk ndryshojnë nga ato të Muhametit e të Librit të Tij të shenjtë, sepse që të dy kanë mbrojtur Kauzën e Perëndisë, kanë kënduar lavdinë e Tij dhe kanë reveluar porositë e Tij. Kështu, Vetë Jesui deklaroi: "Unë po shkoj, por do të vij përsëri tek ju". Shikoni diellin. Nëse ai do të thoshte: "Unë jam dielli i djeshëm", ai do të thoshte të vërtetën. E nëse, duke mbajtur parasysh rrjedhën e kohës, do të pretendonte se është diell tjetër, përsëri do të thoshte të vërtetën. Po kështu, në qoftë se thuhet se të gjitha ditët janë e njëjta ditë, kjo është e drejtë dhe e vërtetë. E në qoftë se, duke pasur parasysh emrat e veçoritë e ndryshme të tyre, do të thuhej se ato ndryshojnë nga njëra-tjetra, edhe kjo do të ishte e vërtetë. Sepse, megjithëse janë të njëjta, njeriu përsëri sheh në secilën prej tyre diçka të posaçme, një atribut specifik, një karakter të veçantë. Koncepto në të njëjtën mënyrë dallimin, ndryshimin dhe karakteristikën e përbashkët të Manifestimeve të ndryshme të shenjtërisë, që të mund të kuptosh aluzionet e bëra nga Krijuesi i të gjithë emrave e atributeve për misteret e dallimit e të unitetit dhe që të mund të zbulosh përgjigjen për pyetjen përse ajo Bukuri e përjetshme në kohë të ndryshme e ka thirrur veten me emra e tituj të ndryshëm.
Më pas, miqtë dhe dishepujt e Jesuit e pyetën Atë në lidhje me shenjat që duhet të tregonin kthimin e manifestimit të Tij. Kur, pyetën ata, do të ndodhin këto shenja? Disa herë e pyetën ata këtë Bukuri të pashoqe dhe çdoherë që përgjigjej, Ai tregonte një shenjë të posaçme që do të lajmëronte ardhjen e Dispensacionit të premtuar. Për këtë dëshmojnë fjalët e të katër Ungjijve.
Ky i munduar do të citojë vetëm një prej këtyre rasteve, duke i dhënë kështu njerëzimit, për hir të Perëndisë, dhurata ende të fshehura brenda thesarit të Pemës së mbuluar e të shenjtë, që njerëzit e vdekshëm të mos mbeten të privuar nga pjesa e tyre e frytit të pavdekshëm dhe të marrin një pikë vese prej ujërave të jetës së amshuar, të cilat nga Bagdati, "Vendbanimi i Paqes", i dhurohen gjithë njerëzimit. Ne nuk kërkojmë as kompensim as shpërblim. "Ne i ushqejmë shpirtrat tuaj për hir të Allahut; ne nuk ju kërkojmë juve as shpërblim e as falenderime".19 Ky është ushqimi që i jep jetën e amshuau atij që ka zemër të dëlirë e shpirt të ndriçuar. Kjo është buka për të cilën është thënë: "Zot, na dërgo neve bukën Tënde nga qielli".20 Kjo bukë kurrë nuk do t'u mohohet atyre që e meritojnë, as do të mbarohet ndonjëherë. Ajo rritet përjetësisht në pemën e mirësisë dhe zbret në të gjitha stinët nga qiejt e drejtësisë e të dhembshurisë. Siç thotë Ai: "A nuk e sheh me çfarë e krahason Perëndia fjalën e mirë? Me një pemë të mirë, me rrënjë të shëndosha e me degë që arrijnë qiellin: që i jep frytet e veta në të gjitha stinët".21
Sa keq që njeriu t'ia mohojë vetes këtë dhuratë bujare, këtë shpërblim të pavdekshëm, këtë jetë të amshuar. Ai duhet ta vlerësojë këtë ushqim që vjen nga qielli, që falë favoreve të mahnitshme të Diellit të së Vërtetës, të vdekurit të rikthehen në jetë dhe shpirtrat e venitur të gjallërohen prej Shpirtit të pafund. Nxito, o vëllai im që, sa ka ende kohë, buzët tona të shijojnë pijen e pavdekshme, sepse flladi i jetës që fryn tani nga qyteti i të Shumëdashurit nuk mund të zgjatë, dhe lumi i rrjedhshëm i fjalës së shenjtë do të duhet të ndalet, dhe portat e Ridvánit nuk mund të mbeten të hapura përgjithmonë. Do të vijë me siguri dita kur Bilbili i Parajsës do të nisë fluturimin nga banesa tokësore për në folenë e tij qiellore. Atëherë nuk do të dëgjohet më melodia e tij, dhe bukuria e trëndafilit nuk do të shkëlqejë më. Përfito pra nga momenti, para se lavdia e pranverës hyjnore të kalojë, para se Zogu i Përjetësisë të pushojë së kënduari melodinë e tij, në mënyrë që qenies sate intime të mos i mohohet dëgjimi i thirrjes së tij. Kjo është këshilla ime për ty dhe për të shumëdashurit e Perëndisë. Kush dëshiron le ta dëgjojë; kush dëshiron le të largohet. Perëndia, me të vërtetë, është i pavarur prej tij dhe nga ajo që ai mund të shohë e dëshmojë.
Këto janë meloditë e kënduara prej Jesuit, Birit të Maries, me thekse fuqie madhështore në Ridvánin e Ungjillit, duke reveluar shenjat që duhet të lajmërojnë ardhjen e Manifestimit pas Tij. Në Ungjillin e parë, sipas Mateut, tregohet: Dhe kur ata e pyetën Jesuin në lidhje me shenjat e ardhjes së Tij, Ai u tha atyre: "Menjëherë pas shtypjes22 së atyre ditëve dielli do të errësohet, dhe hëna nuk do të japë dritën e saj, dhe yjet do të bien nga qielli, dhe fuqitë e tokës do të lëkunden: dhe atëherë do të shfaqet në qiell shenja e Birit të njeriut: dhe atëherë të gjitha fiset e tokës do të vajtojnë dhe do të shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi retë e qiellit me pushtet e me lavdi të madhe. Dhe ai do të dërgojë engjëjt e tij me tinguj të fortë borije".23 Përkthyer në gjuhën persiane,24 domethënia e këtyre fjalëve është kjo: kur të ndodhin shtypja dhe vuajtjet që duhet të bien mbi njerëzimin, atëhere dielli nuk do të shkëlqejë më, hëna nuk do të japë më dritë, yjet e qiellit do të bien mbi tokë, dhe shtyllat e tokës do të lëkunden. Në atë kohë, shenjat e Birit të njeriut do të duken në qiell, domethënë që, kur këto shenja të shfaqen, Bukuria dhe Thelbi i jetës që janë premtuar do të dalin nga mbretëria e padukshme në botën e dukshme. Dhe ai thotë: në atë kohë, të gjithë popujt dhe racat që banojnë mbi tokë do të vajtojnë e ankohen dhe do ta shohin atë Bukuri hyjnore të zbresë nga qielli, duke qëndruar mbi retë, me fuqi, madhështi e madhëri, duke dërguar engjëjt e Tij nën tinguj të fortë borije. Po kështu, në tre Ungjijtë e tjerë, sipas Lukës, Markut e Gjonit, thuhen të njëjtat gjëra. Duke qenë se u jemi referuar gjerësisht këtyre në Tabelat Tona të reveluara në gjuhën arabe, nuk i kemi përmendur ato në këto faqe dhe jemi kufizuar me një referencë të vetme.
Meqenëse teologët e krishterë nuk arritën të kapin kuptimin e këtyre fjalëve dhe nuk njohën objektin e qëllimin e tyre, por u iu përmbajtën interpretimit fjalë për fjalë të thënieve të Jesuit, ata u privuan nga mirësia e rrëmbyeshme e Revelacionit Muhamedan e nga vërshimi i bujarive të tij. Edhe të paditurve midis komunitetit të krishterë, që ndoqën shembullin e krerëve të besimit të tyre, po ashtu iu mohua soditja e bukurisë së Mbretit të lavdisë, duke qenë se shenjat që duhej të shoqëronin lindjen e diellit të Dispensacionit Muhamedan nuk u shfaqën realisht. Kështu, kanë kaluar epoka e janë rrokullisur shekuj dhe ai Shpirt aq i kulluar u tërhoq në vendet më të largëta të sovranitetit të tij të lashtë. Edhe një herë tjetër Shpirti i përjetshëm i ka fryrë borisë mistike dhe i ka bërë të vdekurit të ngrihen nga varret e tyre të shkujdesjes e të gabimit për në mbretërinë e udhërrëfimit e të mirësisë. E megjithatë, ai komunitet në pritje vazhdon të thërrasë: Kur do të ndodhin këto gjëra? Kur do të manifestohet i Premtuari, objekti i pritjes sonë, që ne të ngrihemi për triumfin e Kauzës së Tij, që ne të flijojmë thelbin tonë për hir të Tij, që ne të ofrojmë jetët tona në shtegun e Tij? Po kështu, të tilla imagjinata të rrema kanë bërë që komunitete të tjera të humbin rrugën për në Kautarin [Kawthar] e mëshirës së pakufishme të Providencës dhe të merren me mendimet e veta të pathemelta.
Veç këtij pasazhi, ka edhe një varg tjetër në Ungjill, në të cilin Ai thotë: "Qielli dhe toka do të kalojnë: por fjalët e Mia nuk do të kalojnë".25 Ja përse pasuesit e Jesuit thonin se ligji i Ungjillit kurrë nuk do të anulohet dhe se kurdo që të manifestohet Bukuria e premtuar e të paraqiten të gjitha shenjat, Ai duhet të ripohojë e ratifikojë ligjin e shpallur në Ungjill, kështu që në botë të mos mbetet asnjë besim tjetër veç besimit të Tij. Kjo është bindja themelore e tyre. Dhe bindja e tyre është e tillë që, sikur një person të manifestohet me të gjitha shenjat e premtuara dhe të shpallë diçka të kundërt me germën e ligjit të Ungjillit, ata me siguri do ta mohonin atë, do të refuzonin t'i nënshtroheshin ligjit të tij, do ta deklaronin atë të pabesë dhe do ta qeshnin e do ta tallnin. Kjo u provua nga ato që ndodhën kur u shfaq dielli i Revelacionit Muhamedan. Në qoftë se ata do të kishin kërkuar me përulësi nga Manifestimet e Perëndisë të çdo Dispensacioni domethënien e vërtetë të këtyre fjalëve të reveluara në librat e shenjtë - fjalë, keqkuptimi i të cilave i bëri njerëzit të privohen nga njohja e Sadratu'l-Muntahá, Qëllimit përfundimtar - ata me siguri do të ishin udhëhequr drejt dritës së Diellit të së Vërtetës dhe do të kishin zbuluar misteret e dijes e të urtisë hyjnore.
Ky shërbëtor do të ndajë tani me ty një pikë uji nga thellësitë e oqeanit të paanë të të vërtetave që ruhen në këto fjalë të shenjta, që ndoshta zemrat e mprehta t'i kuptojnë të gjitha aluzionet e nënkuptimet e këtyre thënieve të Manifestimeve të Shenjtërisë, në mënyrë që madhështia e parezistueshme e Fjalës së Perëndisë të mos i pengojë ata të arrijnë oqeanin e emrave e të atributeve të Tij, as të mos i pengojë të njohin Llambën e Perëndisë, e cila është froni i revelimit të Thelbit të Tij të lavdëruar.
Sa për fjalët - "Menjëherë pas shhtypjes së atyre ditëve" - ato i referohen kohës kur njerëzit do të bëhen të shtypur e të brengosur, kohës kur gjurmët e fundit të Diellit të së Vërtetës dhe fryti i Pemës së dijes e të urtisë do të jenë zhdukur midis njerëzve, kur frenat e njerëzimit do të kenë rënë në duart e të marrëve e të injorantëve, kur portat e unitetit e të kuptimit hyjnor - qëllimi thelbësor e më i lartë i krijimit - do të jenë mbyllur, kur dija e saktë do t'i ketë lënë vendin fantazisë së kotë dhe korrupsioni do të ketë uzurpuar vendin e virtytësisë. Një gjendje e tillë si kjo vërehet në ditët e sotme, kur frenat e çdo komuniteti kanë rënë në duart e drejtuesve të marrë, të cilët udhëheqin sipas trilleve e dëshirave të veta. Në gjuhën e tyre, përmendja e Perëndisë është bërë një fjalë boshe; në gjirin e tyre Fjala e Tij e shenjtë është një germë e vdekur. Sundimi i dëshirave të tyre është i tillë, saqë llamba e ndërgjegjes dhe e arsyes është fikur në zemrat e tyre, e kjo megjithëse gishtat e fuqisë hyjnore ua kishin hapur portat e dijes së Perëndisë dhe drita e dijes hyjnore dhe e hirit qiellor ka ndriçuar e frymëzuar thelbin e të gjitha gjërave të krijuara, në mënyrë të tillë që në çdo gjë është hapur një portë e dijes, dhe brenda çdo atomi janë dukur gjurmë të diellit. E pra, megjithë këto revelime të shumta të dijes hyjnore që kanë përfshirë botën, ata ende pandehin më kot se porta e dijes është e mbyllur dhe se reshjet e mëshirës kanë pushuar. Duke u kapur pas një fantazie të kotë, ata janë larguar shumë nga Urvatul Vutka ['Urvatu'l-Vuthqá] e dijes hyjnore. Zemrat e tyre nuk duken të prirura nga dija dhe nga porta që çon tek ajo, dhe as mendojnë ata për manifestimet e saj, sepse në fantazinë e tyre të kotë kanë gjetur portën që çon te pasuritë tokësore, ndërsa në manifestimin e Reveluesit të dijes ata nuk gjejnë asgjë veç thirrjes për vetëflijim. Prandaj ata, natyrisht, mbahen fort pas së parës dhe i largohen kësaj të fundit. Edhe pse në zemrat e tyre e njohin që Ligji i Perëndisë është një i vetëm, megjithatë ata nga çdo drejtim nxjerrin një urdhër të ri dhe në çdo çast shpallin një dekret të ri. Nuk gjenden dy veta që të bien dakord për të njëjtin ligj, sepse ata nuk kërkojnë Perëndinë, por dëshirat e veta, dhe nuk shkelin në rrugë tjetër veç rrugës së gabimit. Në udhëheqjen ata kanë parë objektin përfundimtar të përpjekjeve të tyre dhe i konsiderojnë kryelartësinë e krenarinë si arritjet më të larta të dëshirës së zemrave të tyre. Ata i kanë vënë dredhitë e tyre të ulta mbi ligjin hyjnor, nuk kanë pranuar t'i nënshtrohen vullnetit të Perëndisë, janë marrë me llogari egoiste dhe kanë ecur në rrugën e hipokrizisë. Me tërë forcën e fuqinë e tyre ata përpiqen të sigurojnë veten në punët e tyre meskine, duke u ruajtur se mos edhe diskretitimi më i vogël minon autoritetin e tyre ose njollos shkëlqimin e madhështisë së tyre. Sikur syri të freskohej e ndriçohej me ujin e dijes së Perëndisë, ai me siguri do të zbulonte se një numër egërsirash të pangopura janë mbledhur për të bërë pre kufomën e shpirtrave të njerëzve.
Çfarë "shtypje" është më e madhe se kjo që u përshkrua? Çfarë "shtypje" është më e rëndë sesa një shpirt që kërkon të vërtetën dhe që dëshiron të arrijë dijen e Perëndisë, por nuk di ku të shkojë për ta gjetur e kujt t'ia kërkojë? Sepse mendimet janë bërë shumë të ndryshme dhe rrugët për të arritur te Perëndia janë shumëfishuar. Kjo "shtypje" ëshë tipari thelbësor i çdo Revelacioni. Po të mos ndodhte kjo, Dielli i së Vërtetës nuk do të manifestohej. Sepse ardhja e agimit të udhërrëfimit hyjnor duhet të vijë pas errësirës së natës së gabimit. Për këtë arsye, në të gjitha kronikat e hadithet bëhet referencë për këto gjëra, domethënë që padrejtësia do të mbulojë sipërfaqen e tokës dhe errësira do të rrethojë njerëzimin. Duke qenë se hadithet e përmendura janë të mirënjohura dhe se qëllimi i këtij shërbëtori është t'i bjerë shkurt, Ai nuk do ta citojë tekstin e këtyre haditheve.
Sikur kjo "shtypje" (e cila fjalë për fjalë do të thotë trysni) të interpretohej në kuptimin që toka do të tkurret, ose sikur fantazia e kotë e njerëzve të konceptonte idenë se të tilla fatkeqësi do t'i binin njerëzimit, është e qartë dhe e sigurt që ngjarje të tilla kurrë nuk do të ndodhin. Me siguri do të protestojnë se ky parakusht i revelacionit hyjnor nuk është manifestuar. Ky ka qenë dhe mbetet kundërshtimi i tyre. Përkundrazi, me "shtypje" nënkuptohet paaftësia për të fituar dije shpirtërore dhe për të kuptuar Fjalën e Perëndisë. Me këtë nënkuptohet që, kur Ylli i Ditës i së Vërtetës të ketë perënduar dhe pasqyrat që reflektojnë dritën e Tij të jenë zhdukur, njerëzimi do të vuajë "shtypje" e vështirësi, pa ditur ku të drejtohet për të gjetur udhërrëfim. Kështu të mësojmë të interpretosh hadithet dhe të revelojmë misteret e urtisë hyjnore, që të mund të kuptosh ndoshta domethënien e tyre dhe të jesh ndër ata që kanë pirë nga kupa e dijes dhe e kuptimit hyjnor.
Dhe tani, në lidhje me fjalët e Tij - "dielli do të errësohet, dhe hëna nuk do të japë dritë, dhe yjet do të bien nga qielli". Me termat "diell" dhe "hënë" që përmenden në shkrimet e Profetëve të Perëndisë, nënkuptohen jo vetëm dielli dhe hëna e universit të dukshëm. Jo, madje janë të shumta kuptimet që ata kanë pasur parasysh me këto terma. Në çdo rast ata u kanë dhënë atyre një domethënie të veçantë. Kështu, me "diell" disa herë nënkuptohen ata Diej të së Vërtetës Që ngrihen nga agimi i lavdisë së lashtë, duke mbushur botën me një vërshim bujar të hirit hyjnor. Këta Diej të së Vërtetës janë Manifestimet universale të Perëndisë në botët e atributeve e të emrave të Tij. Ashtu si dielli i dukshëm, siç është vendosur nga Perëndia, i Vërteti, i Adhuruari, ndihmon në zhvillimin e të gjitha gjërave tokësore, siç janë pemët, frutat dhe ngjyrat e tyre, mineralet e tokës dhe gjithçka që mund të shihet në botën e krijimit, po kështu Yjet e ndritshëm hyjnorë, me kujdesin dashamirës dhe ndikimin e tyre edukativ, bëjnë që pemët e unitetit hyjnor, frytet e njëshmërisë së Tij, gjethet e shkëputjes, lulet e dijes e të sigurisë dhe mërsinat e urtisë e të thënieve të shenjta të ekzistojnë e të manifestohen. Kështu ndodh që me daljen e këtyre Yjeve të ndritshëm të Perëndisë bota përtërihet, ujërat e jetës së amshuar rrjedhin, dallgët e dashamirësisë ngrihen, retë e mirësisë mblidhen dhe flladi i bujarisë fryn mbi të gjitha gjërat e krijuara. Ngrohtësia që këto Yje të ndritshëm të Perëndisë krijojnë dhe zjarret e pashuara që ato ndezin, bëjnë që drita e dashurisë së Perëndisë të digjet me forcë në zemrën e njerëzimit. Përmes mirësisë së bollshme të këtyre Simboleve të Shkëputjes, shpirti i jetës së amshuar futet në trupat e të vdekurve. Me siguri, dielli i dukshëm është vetëm një shenjë e shkëlqimit të atij Ylli të ditës të së Vërtetës, të atij Dielli, i Cili kurrë nuk mund të ketë shoq, përqasje ose rival. Përmes Tij të gjitha gjërat jetojnë, lëvizin e ekzistojnë. Përmes hirit të Tij ato manifestohen dhe tek Ai ato kthehen të gjitha. Prej Tij kanë buruar të gjitha gjërat dhe në thesaret e ligjit të Tij të gjitha ato janë kthyer.
Që këta Yje të ndritshëm hyjnorë nganjëherë duken të kufizuar për destinacione e atribute të posaçme, siç e keni parë dhe po e shihni tani, kjo ndodh vetëm për shkak të kuptimit të papërsosur e të kufizuar të disa mendjeve. Përkundrazi, ato kurdoherë kanë qenë dhe do të vazhdojnë të jenë përjetësisht të lartësuar mbi çdo emër lavdërimi e të shenjtëruar tej çdo atributi përshkrues. Kuintesenca e çdo emri nuk mund të shpresojë të hyjë në oborrin e tyre të shenjtërisë, dhe më i larti e më i kulluari i të gjitha atributeve kurrë nuk do të mund t'i afrohet mbretërisë së tyre të lavdisë. Të lartësuar pamasë janë Profetët e Perëndisë mbi arsyetimin e njerëzve, të cilët kurrë nuk mund t'i njohin ata, veçse nga Qeniet e tyre. Qoftë larg lavdisë së Tij që të zgjedhurit e Tij të madhërohen nga të tjerë veç vetë vetes së tyre. Të lartësuar janë ata mbi lëvdatën e njerëzve; të lavdëruar janë mbi çdo kuptim njerëzor!
Termi "diejt" shpesh herë është përdorur në shkrimet e "Shpirtrave të papërlyer" për Profetët e Perëndisë, këto Emblema të shndritshme të Shkëputjes. Midis këtyre shkrimeve janë këto fjalë të shkruara në "Lutjen e Nudbihut":26 "Ku kanë vajtur Diejt e shkëlqyeshëm? Ku janë zhdukur ato Hëna të ndritshme dhe ato Yje vezullues?" Bëhet, pra, e qartë se termat "diell", "hënë" dhe "yje" nënkuptojnë para së gjithash Profetët e Perëndisë, shenjtorët dhe shokët e tyre, ato Yje të ndritshëm, drita e dijes së të Cilëve ka ndriçuar botët e së dukshmes e të së padukshmes.
Në një kuptim tjetër, me këto fjalë nënkuptohen teologët e Dispensacionit të mëparshëm që jetojnë në kohën e Revelacionit të ri dhe që mbajnë në duart e tyre frenat e fesë. Në qoftë se ndriçohen nga drita e Revelacionit të fundit, këta teologë janë të pranueshëm për Perëndinë dhe do të shkëlqejnë me dritë të përjetshme. Përndryshe, ata do të konsiderohen të errësuar, edhe pse në dukje të jashtme janë prijës njerëzish, sepse besimi e mosbesimi, udhërrëfimi e gabimi, lumturia e mjerimi, drita dhe errësira, të gjitha varen nga miratimi i Atij Që është Ylli i ditës i së Vërtetës. Cilido ndër teologët e çdo epoke, që në Ditën e Llogarisë merr dëshminë e besimit nga Gurra e dijes së vërtetë, bëhet me të vërtetë marrësi i dijes, i favorit hyjnor dhe i dritës së të kuptuarit të vërtetë. Përndryshe, damkoset si fajtor për marrëzi, mohim, blasfemi e shtypje.
Eshtë e qartë dhe e dukshme për çdo vëshgues të mprehtë që, ashtu si drita e yllit venitet para ndriçimit shkëlqyes të diellit, edhe llamba e dijes tokësore, e urtisë dhe e të kuptuarit shndërrohet në hiç kur krahasohet me lavditë e shndritshme të Diellit të së Vërtetës, të Yllit të ditës të ndriçimit hyjnor.
Që termi "diell" është përdorur për krerët e fesë, kjo ka ndodhur për shkak të pozitës së tyre të lartë, të famës e të popullaritetit të tyre. Të tillë janë teologët e njohur universalisht të çdo epoke, të cilët flasin me autoritet dhe fama e të cilëve është vendosur mbi themele të shëndosha. Në qoftë se i ngjajnë Diellit të së Vërtetës, ata me siguri do të numërohen ndër më të lartësuarit e të gjitha yjeve; përndryshe ata duhen konsideruar si vatra të zjarrit të skëterrës. Ashtu siç thotë Ai: "Me të vërtetë, dielli dhe hëna janë dënuar të dy me vuajtjet e zjarrit të skëterrës".27 Ju, padyshim, e dini mirë interpretimin e termave "diell" dhe "hënë" që përmenden në këtë varg; prandaj nuk është nevoja t'i referohemi atij. Dhe kushdo që i përket elementit të këtij "dielli" e të kësaj "hëne", domethënë që ndjek shembullin e këtyre krerëve duke e kthyer fytyrën drejt gënjeshtrës dhe duke u larguar nga e vërteta, ai padyshim ka ardhur nga errësira e ferrit dhe atje do të kthehet.
Dhe tani, O kërkues, është detyra jonë të mbahemi fort pas Urvatul Vutka, që ndoshta të mund të lemë prapa natën e errët të gabimit dhe të përqafojmë dritën e agimit të udhërrëfimit hyjnor. Vallë nuk do t'i shmangemi ne fytyrës së mohimit dhe të kërkojmë hijen e strehës së sigurisë? Vallë nuk do ta çlirojmë ne veten prej tmerrit të errësirës djallëzore dhe të nxitojmë drejt dritës së Bukurisë qiellore që po lind? Kështu Ne ju japim frytet e Pemës së dijes hyjnore, që ju të jetoni përjetësisht të lumtur e të gëzuar në Ridvánin e urtisë hyjnore.
Në një kuptim tjetër, me termat "diell", "hënë" dhe "yje" nënkptohen ligje e mësime që janë vendosur e shpallur në çdo Dispensacion, të tilla si ligjet e lutjes e të agjërimit. Këto, sipas ligjit të Kuranit, kur bukuria e Profetit Muhamet kaloi tej perdes, janë konsideruar si ligjet më thelbësore e të detyruara të dispensacionit të Tij. Për këtë dëshmojnë tekstet e haditheve e të kronikave, të cilat nuk është nevoja t'i përmendim, duke qenë se janë gjerësisht të njohura. Madje në çdo Dispensacion ligji që ka të bëjë me lutjen është theksuar e përforcuar në mënyrë universale. Për këtë dëshmojnë hadithet e shkruara, që u atribuohen dritave të rrezatuara nga Ylli i ditës i së Vërtetës, thelbi i Profetit Muhamet.
Hadithet vërtetojnë faktin që në të gjitha Dispensacionet ligji i lutjes ka përbërë një element themelor të Revelacionit të të gjithë Profetëve të Perëndisë - një ligj, forma dhe mënyra e të cilit është përshtatur sipas kërkesave të ndryshme të çdo epoke. Duke qenë se çdo Revelacion i mëvonshën i ka anuluar përdorimet, zakonet e mësimet që kanë qenë krijuar në mënyrë të qartë, të posaçme e të vendosur nga Dispensacioni i mëparshëm, këto janë shprehur simbolikisht me termat 'diell' e 'hënë'. "Për t'ju provuar ju, se cili prej jush shquhet në vepra".28
Për më tepër, në hadithet termat "diell" dhe "hënë" janë përdorur për lutjen dhe agjërimin, ashtu siç thuhet: "Agjërimi është ndriçim, lutja është dritë" Një ditë, një teolog i mirënjohur erdhi të Na vizitonte. Ndërsa bisedonim me të, ai iu referua hadithit të cituar më lart. Ai tha: "Derisa agjërimi shkakton rritjen e temperaturës së trupit, atë e kanë krahasuar me dritën e diellit; dhe meqenëse lutja e mbrëmjes e freskon njeriun, atë e kanë krahasuar me ndriçimin e hënës". Atëhere Ne kuptuam se ky njeri i mjerë nuk kishte përfituar as edhe një pikë të vetme të oqeanit të të kuptuarit të vërtetë dhe ndodhej larg Drizës së përflakur të urtisë hyjnore. Atëhere Ne me mirësjellje i bëmë vërejtjen: "Interpretimi që zotëria juaj i dha këtij hadithi është ai që ndeshet midis njerëzve. A nuk mund të interpretohet ai pakëz ndryshe?" Ai Na pyeti: "E si mund të ishte?" Ne iu përgjigjëm: "Muhameti, Vula e Profetëve dhe më i shquari i të zgjedhurve të Perëndisë, e ka krahsuar Dispensacionin e Kuranit me qiellin, për arsye të lartësisë së tij, të ndikimit shumë të madh të tij, të madhështisë së tij dhe të faktit që ai përfshin të gjitha fetë. Ashtu si diellli dhe hëna përbëjnë trupat ndriçues më të shkëlqyer e më të shquar në qiell, po kështu në qiellin e fesë së Perëndisë janë krijuar dy rruzuj të ndritshëm - agjërimi dhe lutja. 'Islami është qielli; agjërimi është dielli i tij, lutja hëna e tij'".
Ky është qëllimi që qëndron në themelin e fjalëve simbolike të Manifestimeve të Perëndisë. Për rrjedhojë, përdorimi i termave "diell" dhe "hënë" për gjërat e përmendura më sipër është provuar e justifikuar nga teksti i vargjeve të shenjta dhe nga hadithet e shkruara. Pra, është e qartë dhe e dukshme se me fjalët "dielli do të errësohet, dhe hëna nuk do të japë dritën e saj, dhe yjet do të bien nga qielli" nënkuptohet zvetënimi i teologëve dhe anulimi i ligjeve të vendosura në mënyrë të patundur me Revelacion hyjnor, dhe të gjitha këto të parathëna në një gjuhë simbolike nga Manifestimii Perëndisë. Askush veç të drejtëve nuk do ta shijojë këtë kupë, askush veç të devotshmëve nuk mund të ketë pjesë në të. "Të drejtët do të pinë nga një kupë e përzierë në gurrën e kamfurit".29
Është e padiskutueshme që në çdo shfaqje të mëvonshme "dielli" dhe "hëna" e mësimeve, e ligjeve, e porosive dhe e gjërave që ishin vendosur në Dispensacionin e mëparshëm dhe që kanë mbrojtur njerëzit e asaj kohe, errësohen, domethënë ezaurohen dhe pushojnë së ushtruari ndikimin e tyre. Mendoni tani, sikur njerëzit e Ungjillit të kishin njohur domethënien e termave simbolikë "diell" e "hënë" dhe sikur ata, ndryshe nga kokëfortët e të mbrapshtit, të kishin kërkuar ndriçim prej Atij Që është Reveluesi i dijes hyjnore, me siguri do ta kishin kuptuar qëllimin e këtyre termave dhe nuk do të ishin të brengosur e të shtypur nga errësira e dëshirave të tyre egoiste. Por, duke mos arritur të fitonin dijen e vërtetë nga vetë Burimi i saj, ata kanë humbur në valën e rrezikshme të gabimit e të mosbesimit. Ata ende nuk janë zgjuar për të të parë se të gjitha shenjat e parathëna janë shfaqur, se Dielli i premtuar është ngritur mbi horizontin e Revelacionit hyjnor dhe se "dielli" e "hëna" e mësimeve, e ligjeve dhe e dijes së një Dispensacioni të mëparshëm janë errësuar e kanë perënduar.
Dhe tani, me vështrim të përqëndruar e me krahë të fortë, hyni në rrugën e sigurisë e të së vërtetës. "Thuaj: Është Allahu; dhe pastaj lëri ata të merren me kotësitë e tyre".30 Kështu, ti do të numërohesh ndër ata persona, për të cilët Ai thotë: "Ata që thonë 'Zoti ynë është Allahu' dhe ecin të patundur në rrugën e Tij, mbi ta, me të vërtetë, do të zbresin engjëjt".31 Atëherë do t'i shohësh të gjitha këto mistere me vetë sytë e tu.
O vëllai im! Merr rrugën e shpirtit, që shpejt, sa të hapësh e të mbyllësh sytë, të mund të përshkosh shkretëtirat e largësisë e të humbjes, të arrish Ridvánin e ribashkimit të përjetshëm dhe me një frymë të bashkohesh me Shpirtrat qiellorë. Sepse me këmbë njerëzore kurrë nuk mund të shpresosh t'i kapërcesh këto distanca të pamatura, as të arrish qëllimin tënd. Paqja qoftë mbi atë që drita e së vërtetës e udhëheq te gjithë e vërteta dhe që, në emër të Perëndisë, qëndron në shtegun e Kauzës së Tij, në brigjet e të kuptuarit të vërtetë.
Ky është kuptimi i vargut të shenjtë: "Por jo! Betohem për Zotin e Lindjeve e të Perëndimeve",32 sepse "Diejt" që kemi përmendur më parë kanë secili vendin e vet të posaçëm të lindjes e të perëndimit të tyre. Dhe duke qenë se komentuesit e Kuranit nuk e kanë kapur dot domethënien simbolike të këtyre "Diejve", ata janë ndodhur në vështirësi për të interpretuar vargun e mësipërm. Disa prej tyre thonin që, duke qenë se dielli ngrihet çdo ditë nga një pikë e ndryshme, edhe termat "lindje" e "perëndime" janë përmendur në shumës. Të tjerë kanë shkruar se ky varg ka parasysh të katër stinët e vitit, duke qenë se pikat e agimit e të perëndimit të diellit ndryshojnë me ndryshimin e stinëve. Kjo është thellësia e kuptimit të tyre! Megjithatë, ata ngulin këmbë duke akuzuar për gabim e marrëzi këta Margaritarë të dijes, këto Simbole të paqortueshme e të kulluara të urtisë.
Po kështu, përpiqu që nga këto deklarata të qarta, të fuqishme, vendimtare e të padyshimta të kuptosh domethënien e "hapjes së qiellit" - të njërës prej shenjave që duhet të lajmërojë ardhjen e Orës së fundit, të Ditës së Ringjalljes. Siç ka thënë Ai: "Kur të çahet qielli".33 Me "qiell" nënkuptohet qielli i Revelacionit hyjnor, që ngrihet me çdo Manifestim dhe çahet më dysh me ardhjen e tjetrit. Me "çarje më dysh" nënkuptohet që Dispensacioni i mëparshëm është zëvendësuar e anuluar. Betohem për Perëndi se ky qiell i çarë më dysh është, për ata që kuptojnë, një akt më i fuqishëm sesa hapja e qiejve! Peshojeni për një çast. Një Revelacion hyjnor që për vite ka qëndruar i patundur; nën hijen e të cilit janë rritur e ushqyer të gjithë ata që e kanë përqafuar; me dritën e ligjit të të cilit janë disiplinuar breza të tërë njerëzish; përsosurinë e fjalës së të cilit njerëzit e kanë dëgjuar nga etërit e tyre; kështu që syri njerëzor nuk ka parë gjë tjetër veç ndikimit depërtues të hirit të tij, dhe veshi i vdekshëm nuk ka dëgjuar gjë tjetër veç madhështisë kumbuese të urdhërit të tij - ç'akt është më i fuqishëm sesa ai që, me fuqi të Perëndisë, një Revelacion i tillë të "çahet më dysh" dhe të anulohet me shfaqjen e një shpirti të vetëm? Reflekto, a nuk është ky një akt më i fuqishëm se ai që këta njerëz të mjerë e të marrë kanë imagjinuar se do të thotë "hapja e qiellit"?
Për më tepër, ki parasysh vështirësitë dhe hidhërimet e jetës së atyre Reveluesve të Bukurisë hyjnore. Reflekto, sa të vetmuar e të pandihmë përballuan ata botën dhe të gjithë njerëzit e saj, dhe shpallën Ligjin e Perëndisë! Sado të egra kanë qenë përndjekjet të cilave u janë nënshtruar këta Shpirtra të shenjtë, të çmuar e të dhembshur, ata përsëri mbetën, edhe në fuqinë e plotë të tyre, të duruar e, me gjithë epërsinë e tyre, vuajtën e pësuan.
Po kështu, përpiqu të kuptosh domethënien e "ndryshimit të tokës". Dije se mbi çdo zemër që të kenë rënë reshjet bujare të mëshirës nga "qielli" i Revelacionit hyjnor, toka e atyre zemrave me të vërtetë është shndërruar në tokë të dijes e të urtisë hyjnore. Ç'dafina të unitetit ka prodhuar toka e zemrave të tyre? Ç'lule të dijes e të urtisë së vërtetë kanë dhënë gjokset e tyre të ndriçuara! Sikur toka e zemrave të tyre të kishte mbetur e pandryshuar, si do të mundnin shpirtra të tillë, të cilëve nuk u është mësuar asnjë germë, që nuk kanë parë mësues e nuk kanë ndjekur asnjë shkollë, të shqiptonin fjalë të tilla e të shfaqnin dije të tilla që askush nuk mund t'i kuptojë? Duket se ata janë artuar nga argjili i dijes së pafundme dhe janë mbruajtur me ujin e urtisë hyjnore. Prandaj është thënë: "Dija është një dritë që Perëndia hedh në zemrën e cilitdo që Ai dëshiron". Kjo lloj dije ka qenë gjithmonë e lavdëruar, dhe jo dija e kufizuar që ka dalë nga mendje të mbuluara e të errësuara. Këtë dije të kufizuar ata e huajnë fshehurazi nga njëri-tjetri dhe mburren më kot për këtë!
Sikur zemrat e njerëzve të pastroheshin nga këto kufizime e mendime të errëta njerëzore që u janë imponuar! Ndoshta do të mund të ndriçoheshin nga drita e diellit të dijes së vërtetë dhe të kuptonin misteret e urtisë hyjnore. Mendo tani, sikur toka djerr e shterpë e këtyre zemrave të mbetej e pandryshuar, si do të mund të bëheshin ndonjëherë ata Bartësit e revelacionit të mistereve të Perëndisë dhe Reveluesit e Thelbit hyjnor? Ai ka thënë: "Ditën që toka do të shndërrohet në një tokë tjetër".34
Flladi i bujarisë së Mbretit të krijimit bëri që të ndryshonte edhe toka fizike, po t'i peshonit në zemrat tuaja misteret e Revelacionit hyjnor.
Dhe tani, kupto domethënien e këtij vargu: "Gjithë toka në Ditën e Ringjalljes do të jetë në pëllëmbën e Tij, dhe në dorën e Tij të djathtë do të palosen bashkë qiejt. Lëvduar qoftë Ai! Dhe u lartësoftë Ai mbi ata që i bëhen shokë!"35 Dhe tani ji i drejtë në gjykim. Në qoftë se ky varg do të kishte atë kuptim që mendojnë njerëzit se ka, çfarë përfitimi, mund të pyetet, do t'i sillte ai njeriut? Për më tepër, është e qartë dhe evidente se asnjë dorë e dukshme për syrin njerëzor nuk do të mund të kryente vepra të tilla, të cilat mund t'i atribuoheshin vetëm Thelbit të lartësuar të Perëndisë së vërtetë Që është një i vetëm. Madje, të pranosh një gjë të tillë është thjesht blasfemi dhe shtrembërim i plotë i së vërtetës. Dhe sikur të supozohej se me këtë varg nënkuptohen Manifestimet e Perëndisë, Që në Ditën e Gjykimit do të thërriteshin për të kryer vepra të tilla, edhe kjo duket larg së vërtetës dhe sigurisht nuk duket të sillte ndonjë përfitim. Përkundrazi, me termin "tokë" nënkuptohet toka e të kuptuarit dhe e dijes, dhe me "qiej" qiejt e Revelacionit hyjnor. Reflekto sesi me njërën dorë Ai, me shtrëngimin e Tij të fuqishëm, e ka shndërruar tokën e dijes e të të kuptuarit, më parë të shpalosur, në një grusht dhé, ndërsa nga ana tjetër ka shpalosur një tokë të re e tepër të lartësuar në zemrat e njerëzve, duke bërë kështu që nga kraharori i ndriçuar i njeriut të çelin lulet më të freskëta e më të bukura dhe të mbijnë pemët më të fuqishme e më të larta.
Po kështu, reflekto sesi qiejt e lartësuar të Dispensacioneve të së kaluarës do të palosen bashkë në dorën e djathtë të fuqisë, sesi qiejt e Revelacionit hyjnor janë ngritur me urdhër të Perëndisë dhe janë stolisur nga dielli, hëna dhe yjet e porosive të tij të mahnitshme. Të tilla janë misteret e Fjalës të Perëndisë, të cilat janë shpalosur e manifestuar, që ti të mund të kuptosh dritën e mëngjesit të udhërrëfimit hyjnor, të shuash, me forcën e besimit e të heqjes dorë, llambën e fantazisë boshe, të imagjinatave të pathemelta, të ngurrimit e të dyshimit, dhe të ndezësh, në kthinën më të brendëshme të zemrës tënde, dritën e porsalindur të dijes e të sigurisë hyjnore.
Dije me të vërtetë se qëllimi që qëndron në themel të gjithë këtyre termave simbolikë e nënkuptimeve të errëta, të cilat vijnë nga Reveluesit e Kauzës së shenjtë të Perëndisë, ka qenë të verë në provë e në sprovë popujt e botës, në mënyrë që toka e zemrave të kulluara e të ndriçuara të shquhej nga toka e vdekshme e shterpë. Që prej kohësh që s'mbahen mend, kjo ka qenë metoda e Perëndisë midis krijesave të Tij, dhe për këtë dëshmojnë shkrimet e librave të shenjtë.
Dhe po kështu, reflekto për vargun e reveluar lidhur me "Kiblën".36 Kur Muhameti, Dielli i Profetërisë, u largua nga agimi i Bat'hás [Bathá]37 për në Jatribë [Yathrib],38 Ai, kur falej, vazhdonte ta kthente fytyrën drejt Jerusalemit, qytetit të shenjtë, deri në kohën që çifutët filluan të thonin kundër Tij fjalë të pahijshme - fjalë të cilat, po të përmendeshin, nuk do t'u kishin hije këtyre faqeve dhe do ta mërzitnin lexuesin. Muhameti u indinjua shumë nga këto fjalë. Ndërsa, i rrëmbyer në meditime e në ekstazë, po shikonte nga qielli, Ai dëgjoi Zërin e butë të Gavrilit që thoshte: "Ne të shohim Ty nga lart që e kthen fytyrën nga qielli; por Ne do të bëjmë që Ti të kthehesh drejt një Kiblaje që do të të pëlqejë Ty".39 Pas disa ditësh, kur Profeti bashkë me shokët e tij po bënte lutjen e mesditës dhe kishte kryer dy prej Rikateve40 të caktuara, Zëri i Gavrilit u dëgjua përsëri: "Ktheje fytyrën drejt Xhamisë së shenjtë".41,42 Në mes të po asaj lutjeje, Muhameti papritur e largoi shikimin nga Jerusalemi dhe e ktheu fytyrën drejt Qabesë [Ka'bih]. Atëherë, një shtangie e thellë i pushtoi papritur shokët e Profetit. Besimi i tyre u trondit rëndë. Kaq i madh ishte shqetësimi që patën, sa shumë prej tyre e ndërprenë lutjen dhe mohuan besimin e vet. Në të vërtetë, Perëndia e bëri këtë pështjellim vetëm për të vënë në provë shërbëtorët e Tij. Përndryshe, Ai, Mbreti ideal, fare lehtë mund ta kishte lënë të pandryshuar Kiblanë dhe mund të kishte bërë që Jerusalemi të mbetej Pika e Adhurimit në Dispensacionin e Tij, pa ia hequr atij qyteti të shenjtë shquarsinë e pranuar që i qe dhënë.
Që nga koha e shfaqjes së Moisiut, asnjëri prej shumë Profetëve të dërguar si Lajmëtarë të Fjalës së Perëndisë, si Davidi, Jesui e të tjerë midis Manifestimeve më të lartësuara që janë shfaqur gjatë periudhës ndërmjetëse midis Revelacioneve të Moisiut dhe të Muhametit, kurrë nuk e ndryshuan ligjin e Kiblasë. Këta Lajmëtarë të Zotit të krijimit, të gjithë pa përjashtim, i kanë porositur popujt e tyre të ktheheshin në të njëjtin drejtim. Në sytë e Perëndisë, të Mbretit ideal, të gjitha vendet e tokës janë të njëllojta, me përjashtim të atij vendi, të cilin, në ditët e Manifestimeve të Tij, Ai e caktoi për një qëllim të veçantë. Siç e ka reveluar Ai: "Lindja dhe Perëndimi janë të Allahut: prandaj në çdo drejtim që të ktheheni, atje është fytyra e Allahut".43 Në qoftë se të gjitha këto janë të vërteta, përse duhej të ndryshohej Kiblaja, duke shkaktuar kështu një çoroditje të tillë midis njerëzve, duke bërë që shokët e Profetit të lëkundeshin dhe duke mbjellur një pështjellim të madh në gjirin e tyre? E pra, gjëra të tilla që shkaktojnë topitje në zemrat e të gjithë njerëzve ndodhin që çdo shpirt të vihet në provë me gurin e provës të Perëndisë, që e vërteta të njihet dhe të dallohet prej së rremes. Kështu ka reveluar Ai pas përçarjes midis njerëzve të Tij: "Ne e caktuam atë që Ti do të dëshiroje të ishte Kibla, vetëm për të dalluar atë që shkonte pas Apostullit nga ai që largohej prej tij".44 "Gomerë të frikësuar që ia mbathin nga një luan".45
Po t'i peshonit, qoftë edhe për një çast, këto thënie në zemrën tuaj, me siguri do t'i gjenit të hapura para jush dyert e të kuptuarit, dhe do të shihnit të gjitha dijet e misteret të zbulohen para syve tuaj. Gjëra të tilla ndodhin vetëm që shpirtrat e njerëzve të mund të zhvillohen e të çlirohen nga kafazi-burg i vetvetes e i dëshirës. Përndryshe, Ai mbret ideal ka qenë në përjetësi i pavarur në Thelbin e Tij nga të kuptuarit e të gjitha qenieve dhe do të vazhdojë përgjithmonë të jetë, në Qenien e Tij, i lartësuar mbi adhurimin e çdo shpirti. Një fllad i vetëm i begatisë së Tij mjafton për ta stolisur gjithë njerëzimin me rrobën e pasurisë; dhe një pikë nga oqeani i hirit të Tij bujar është e mjaftueshme për t'u dhënë të gjitha qenieve lavdinë e jetës së amshuar. Por përderisa Qëllimi hyjnor ka diktuar që e vërteta duhet të dallohet nga e rrema, dhe dielli nga hija, Ai ka dërguar në çdo stinë mbi njerëzimin reshjet e provave nga mbretëria e Tij e lavdisë.
Sikur njerëzit të meditonin për jetën e Profetëve të lashtë, ata do të arrinin me lehtësi të njihnin e të kuptonin mënyrën e veprimit të këtyre Profetëve, saqë do të pushonin së qëni të turbulluar nga vepra e fjalë të tilla, që janë në kundërshtim me dëshirat e tyre tokësore, dhe do të digjnin kështu çdo perde ndërmjetëse me zjarrin e Drizës të dijes hyjnore, dhe të rrinin përjetë të sigurt mbi fronin e paqes e të sigurisë. Shihni, për shembull, Moisiun, të birin e Imranit, njërin prej Profetëve të shquar dhe Autor i një Libri të reveluar në mënyrë hyjnore. Ndërsa kalonte një ditë nëpër treg, në rininë e Tij, para se të shpallej misioni i Tij, Ai pa dy njerëz që po ziheshin. Njëri prej tyre kërkoi ndihmën e Moisiut kundër kundërshtarit të vet. Moisiu ndërhyri dhe e vrau atë. Për këtë dëshmon teksti i Librit të shenjtë. Po të citonim hollësitë, do të zgjateshin e do të ndërpritej filli i argumentimit. Lajmi për këtë ndodhí u përhap nëpër qytet dhe, siç thuhet në Librin, Moisiut i hyri frika. Dhe kur paralajmërimi: "O Musa [Moisi]! Me të vërtetë, kryetarët po bisedojnë të të vrasin Ty"46 arriti në veshët e Tij, Ai u largua nga qyteti dhe qëndroi në Madian në shërbim të Shoebit. Kur po kthehej, Moisiu hyri në luginën e shenjtë, që ndodhet në shkretëtirën e Sinait, dhe soditi atje pamjen e Mbretit të lavdisë nga "Druri që nuk i përket as Lindjes as Perëndimit".47 Atje Ai dëgjoi Zërin tronditës të Shpirtit që fliste prej Zjarrit të përflakur dhe e urdhëronte Atë të përhapte mbi shpirtrat faraonikë dritën e udhërrëfimit hyjnor, në mënyrë që, duke i çliruar prej hijeve të luginës së egoizmit e të dëshirës, t'i bënte ata të aftë të arrinin në livadhet e kënaqësisë qiellore dhe, duke i çliruar nga pështjellimi i largësisë me Salsabíl-in e heqjes dorë, t'i bënte ata të hynin në qytetin paqësor të pranisë hyjnore. Kur Moisiu shkoi te Faraoni dhe i dorëzoi atij, siç e kishte urdhëruar Perëndia, Mesazhin hyjnor, Faraoni e fyejti duke thënë: "A nuk je ti ai që kreve vrasje e u bëre i pabesë?" Kështu Zoti i madhështisë tregon se Faraoni i tha Moisiut: "Ç'është kjo vepër që ke bërë ti! Ti je mosmirënjohës". Moisiu u përgjegj: 'Unë e bëra atë me të vërtetë dhe isha ndër ata që gabojnë. Dhe Unë ika prej teje, kur ta kisha frikën, por Zoti Im më dha urtí dhe më ka bërë Mua njërin prej Apostujve të Tij'".48
Dhe tani peshoje në zemrën tënde pështjellimin që shkakton Perëndia. Reflekto për sprovat e çuditshme e të shumta me të cilat Ai i vë në provë shërbëtorët e Tij. Shih sesi Ai zgjodhi papritur midis shërbëtorëve të Tij, duke i besuar misionin e lartë të udhërrëfimit hyjnor, Atë Që njihej si fajtor për vrasje, Që e kishte pranuar Vetë egërsinë e Tij dhe Që për gati tridhjetë vjet, para syve të botës, ishte rritur në shtëpinë e Faraonit dhe ishte ushqyer në tavolinën e tij. A nuk ishte Perëndia, Mbreti i gjithëfuqishëm, në gjendje t'ia ndalte dorën Moisiut që të mos bënte vrasje, në mënyrë që Atij të mos i ngarkohej vrasja e një njeriu, duke shkaktuar tronditje e neveri midis njerëzve?
Po kështu reflekto për gjendjen e për kushtet e Marisë. Kaq i thellë ishte hutimi i asaj krijese aq të bukur, kaq i rëndë rasti i saj, sa që i erdhi keq që kishte lindur. Për këtë dëshmon teksti i vargut të shenjtë në të cilin përmendet që, pasi Maria lindi Jesuin, ajo u ankua për gjendjen e saj të mjerë dhe thirri: "Ah të kisha vdekur më parë dhe të isha harruar, të isha harruar qëmoti!"49 Betohem për Perëndi! Një ankim i tillë dërrmon zemrën dhe bën që të dridhet shpirti. Një dëshpërim i tillë i shpirtit, një humbje e tillë e shpresës nuk mund të shkaktohej, veçse nga qortimet e armikut dhe nga yçklat e të pabesëve e të njerëzve të mbrapshtë. Mendoni, çfarë përgjigje mund t'u jepte Maria njerëzve përreth saj? Si mund të pretendonte ajo se një Foshnjë, ati i të Cilit ishte i panjohur, qe zënë prej Shpirtit të Shenjtë? Pastaj Maria, ajo Fytyrë e papërlyer dhe e pavdekshme, e mori Fëmijën e saj dhe u kthye në shtëpi. Sapo shikimi i njerëzve ra mbi të, ata ngritën zërin duke thënë: "O motër e Harunit [Aaronit]! Yt atë nuk ishte njeri i lig, as ishte e pandershme nëna jote".50
Dhe tani meditoni për këtë ankth kaq të madh, për këtë provë të rëndë. Pa marrë parasysh të gjitha këto, Perëndia i dha këtij thelbi të Shpirtit, Që u njoh midis njerëzve si i pa-átë, lavdinë e Profetërisë dhe e bëri Atë dëshmitar për të gjithë ata që janë në qiell e mbi tokë.
Shiko sa të kundërta janë rrugët e Manifestimeve të Perëndisë, të përcaktuara nga Mbreti i krijimit, me rrugët e me dëshirat e njerëzve! Kur të arrish të kapësh thelbin e këtyre mistereve hyjnore, ti do të kuptosh synimin e Perëndisë, të Magjepsësit hyjnor, të të Shumëdashurit! Ti do t'i shohësh fjalët dhe veprat e Atij sovrani të gjithëfuqishëm si një realitet të vetëm; kështu që çdo gjë që do të shohësh në veprat e Tij, po atë do të gjesh në veprat e Tij, dhe çdo gjë që do të lexosh në thëniet e Tij do ta shohësh në veprat e Tij. Prandaj nga ana e jashtme vepra e fjalë të tilla janë zjarri i hakmarrjes ndaj të ligjve, ndërsa nga brenda janë ujërat e mëshirës për të drejtët. Sikur syri i zemrës të hapej, ai me siguri do të shihte se fjalët e reveluara nga qielli i vullnetit të Perëndisë janë të njëjta me veprat që kanë dalë prej Mbretërisë së pushtetit hyjnor.
Dhe tani kujdes, o vëlla! Sikur gjëra të tilla të shfaqeshin në këtë Dispensacion dhe ngjarje të tilla të ndodhnin në kohën e sotme, ç'do të bënin njerëzit? Betohem për Atë Që është Edukatori i vërtetë i njerëzimit dhe Reveluesi i Fjalës së Perëndisë se njerëzit menjëherë e pa fjalë do ta shpallnin Atë të pabesë dhe do ta dënonin me vdekje. Sa larg janë ata që të dëgjojnë zërin që deklaron: Shih! një Jesu u shfaq prej frymës së Shpirtit të Shenjtë dhe një Moisi është thirrur për një detyrë të përcaktuar hyjnisht! Sikur mijëra zëra të ngriheshin, asnjë vesh nuk do të dëgjonte, në qoftë se Ne do të thonim se një Fëmije të pa-átë i është besuar misioni i Profetërisë, ose se një vrasës ka sjellë nga zjarri i Drizës së përflakur mesazhin "Me të vërtetë, me të vërtetë, Unë jam Perëndia!"
Sikur syri i drejtësisë të hapej, ai menjëherë do të shihte, në dritën e asaj që përmendëm, se Ai Që është Shkaku dhe Qëllimi përfundimtar i të gjitha këtyre gjërave është shfaqur në këtë ditë. Edhe pse ngjarje të ngjashme me ato nuk kanë ndodhur në këtë Dispensacion, njerëzit përsëri kapen pas të tilla imagjinatave të kota që pëlqehen nga të poshtërit. Ç'akuza të rënda janë ngritur kundër Tij! Ç'përndjekje të egra i janë bërë Atij - akuza e përndjekje që njerëzit kurrë nuk i kanë parë e dëgjuar ndonjëherë!
Zot i madh! Kur rrëkeja e fjalës arriti këtë pikë, Ne vështruam, dhe ja, shijet e ëmbla të Perëndisë po përhapeshin nga agimi i Revelacionit dhe flladi mëngjesor po frynte prej Sabës së Përjetësisë. Lajmi i mirë i Tij gëzonte përsëri zemrën dhe i jepte ngazëllim të pamatshëm shpirtit. Ai përtërinte të gjitha gjërat dhe sillte dhurata të panumërta e të paçmuara nga Miku i panjohshëm. Rroba e lëvdatës njerëzore kurrë nuk mund të shpresojë t'i shkojë shtatit të Tij fisnik, dhe manteli i fjalës kurrë nuk mund t'i përshtatet figurës së Tij të ndritshme. Pa fjalë Ai shpalos misteret e brendshme dhe pa folur revelon sekretet e thënieve hyjnore. Ai i mëson të vajtojnë e të rënkojnë bilbilat që cicërojnë mbi degën e largimit e të humbjes, u mëson atyre artin e rrugëve të dashurisë dhe u tregon sekretin e përkushtimit të zemrës. Luleve të Ridvánit të ribashkimit qiellor Ai u revelon ledhatimet e dashnorit të zjarrtë dhe u zbulon magjepsjen e së bukurës. Anemoneve të kopshtit të lavdisë u jep misteret e së vërtetës dhe gjokseve të atyre që dashurojnë u beson simbolet e hollësive më të fshehta. Në këtë orë, kaq i bollshëm është vërshimi i hirit të Tij saqë vetë Shpirti i shenjtë e ka zili! Ai i ka dhuruar një pike dallgët e detit dhe një grimce shkëlqimin e diellit. Kaq të mëdha janë vërshimet e bujarisë së Tij saqë brumbulli më i ndyrë ka kërkuar parfumin e myshkut dhe lakuriqi i natës dritën e diellit. Ai ka ngjallur të vdekurit me frymën e jetës dhe ka bërë që ata të dalin prej varreve të trupave të tyre të vdekshëm. Ai e ka vendosur të paditurin mbi stolin e dijes dhe e ka ngritur shtypësin në fronin e drejtësisë.
Universi është i mbarsur me këto bujari të shumëllojta dhe pret orën kur efektet e dhuratave të Tij të padukshme do të shfaqen në këtë botë, kur ata që vuajnë e vdesin nga etja do të arrijnë Kautarin gjallërues të të Shumëdashurit të tyre, dhe endacaku i humbur në shkretëtirat e vetmisë e të hiçit do të hyjë në shatoren e jetës e do të bashkohet sërish me atë që është dëshira e zemrës së tij. Në tokën e cilës zemër do të mbijnë këto fara? Nga kopshti i cilit shpirt do të çelin lulet e realiteteve të padukshme? Me të vërtetë ju them, kaq e madhe është flaka e Drizës së dashurisë, që digjet në Sinain e zemrës, saqë ujërat e fjalës së shenjtë nuk munden kurrë ta shuajnë zjarrin e saj. Oqeanet kurrë nuk mund ta qetësojnë etjen djegëse të këtij Leviathani dhe ky Feniks i zjarrit të pashuar nuk mund të banojë asgjëkund veçse në shkëlqimin e fytyrës së të Shumëdashurit. Prandaj, o vëlla! ushqeje me zjarrin e urtisë llambën e shpirtit në kthinën më të thellë të zemrës sate dhe mbroje atë me globin e të kuptuarit, që fryma e të pabesit të mos e shuajë dot flakën e saj e as të mos ia dobësojë ndriçimin. Kështu i kemi ndriçuar Ne qiejt e fjalës me shkëlqimet e diellit të urtisë e të të kuptuarit hyjnor, që zemra jote të gjejë qetësi, që ti të jesh ndër ata që, mbi flatrat e sigurisë, janë ngjitur në qiellin e dashurisë së Zotit të tyre, Mëshirëplotit.
Dhe tani lidhur me fjalët e Tij: "Atëherë do të shfaqet në qiell shenja e Birit të njeriut". Me këto fjalë nënkuptohet që kur dielli i mësimeve qiellore të eklipsohet, kur yjet e ligjeve të përcaktuara në mënyrë hyjnore të bien dhe hëna e dijes së vërtetë - edukatores së njerëzimit - të errësohet; kur flamurët e udhërrëfimit e të lumturisë të rrëzohen dhe agimi i së vërtetës e i drejtësisë të zhytet në errësirën e natës, atëherë do të shfaqet në qiell shenja e Birit të njeriut . Me "qiell" nënkuptohet qielli i dukshëm, duke qenë se kur të afrohet koha që Ylli i Ditës i qiellit të drejtësisë të duket, dhe kur Arka e udhërrëfimit hyjnor të lundrojë në detin e lavdisë, në qiell do të shfaqet një yll që do të lajmërojë njerëzit për ardhjen e asaj drite më të madhe. Po kështu edhe në qiellin e padukshëm, do të shfaqet një yll, që për popujt e tokës do të veprojë si lajmëtar i zbardhjes së atij Agimi të vërtetë e sublim. Këto shenja të dyfishta, në qiellin e dukshëm e të padukshëm, kanë shpallur Revelacionin e të gjithë profetëve të Perëndisë, siç besohet zakonisht.
Ndër Profetët ishte Abrahami, Miku i Perëndisë. Para se Ai të shfaqej, Nimrodi pa një ëndërr. Menjëherë ai thirri parashikuesit e fatit, të cilët e informuan se në qiell do të dilte një yll. Po kështu, doli një lajmëtar që njoftoi në gjithë vendin ardhjen e Abrahamit.
Pas Tij erdhi Moisiu, Ai Që bisedoi me Perëndinë. Parashikuesit e fatit të kohës së Tij e paralajmëruan Faraonin me këto fjalë: "Një yll ka dalë në qiell, dhe ja! ai paralajmëron ngjizjen e një Fëmije Që mban në dorën e Tij fatin tënd dhe fatin e popullit tënd". Po kështu, u shfaq një i ditur, i cili në errësirën e natës i solli lajmin e gëzuar popullit të Izraelit, duke u dhënë ngushëllim shpirtrave e siguri zemrave të njerëzve. Për këtë dëshmojnë shkrimet e librave të shenjta. Po të përmendeshin hollësitë, kjo letër do të bëhej libër. Për më tepër, nuk është dëshira Jonë të tregojmë historitë e ditëve të shkuara. Perëndia Na është dëshmitar se edhe ato që po përmendim tani bëhen vetëm për hir të dashurisë Sonë të dhembshur për ty, që të varfërit e tokës të mund arrijnë ndoshta brigjet e detit të pasurisë, që të paditurit të çohen drejt oqeanit të dijes hyjnore dhe ata që janë të etur për të kuptuar të shijojnë Salsabíl-in e urtisë hyjnore. Përndryshe, ky shërbëtor e sheh shqyrtimin e shkrimeve të tilla si një gabim të rëndë e një shkelje për të ardhur keq.
Po kështu, kur u afrua ora e Revelacionit të Jesuit, disa Magë që e dinin se Ylli i Jesuit ishte shfaqur në qiell, e kërkuan dhe e ndoqën atë derisa arritën në qytetin që ishte selia e Mbretërisë së Herodit. Në ato ditë shtrirja e sovranitetit të tij përfshinte mbarë atë vend.
Këta Magë thanë: "Ku është Ai që lindi Mbret i hebrenjve? Sepse pamë yllin e Tij në lindje dhe kemi ardhur Ta adhurojmë!"51 Pasi kërkuan, zbuluan se në Betlehem, në tokën e Judesë, kishte lindur Fëmija. Kjo ishte shenja që u shfaq në qiellin e dukshëm. Sa për shenjën në qiellin e padukshëm - qiellin e dijes e të kuptimit hyjnor - ishte Jahjai, i biri i Zaharisë, që i dha njerëzimit lajmin e gëzuar të manifestimit të Jesuit. Siç e ka reveluar Ai: "Allahu të njofton për Jahjanë, që do të dëshmojë për Fjalën e Allahut, do të jetë njeri i madh e i virtytshëm".52 Me termin "Fjala" nënkuptohet Jesui, ardhjen e të cilit parashikoi Jahjai. Veç kësaj, në shkrimet qiellore është shkruar: "Gjon Pagëzori predikonte në shkretëtirën e Judesë, duke thënë: Pendohuni: sepse Mbretëria e qiellit po afron".53 Me Gjonin nënkuptohet Jahjai.
Po kështu, para se Bukuria e Muhametit të zbulohej, u shfaqën shenjat e qiellit të dukshëm. Sa për shenjat e qiellit të padukshëm, dolën katër veta që njëri pas tjetrit u njoftuan njerëzve lajmin e gëzuar se do të shfaqej kjo Dritë hyjnore. Ruzbihu [Rúz-bih], që më pas u quajt Selman [Salmán], pati nderin të jetë në shërbim të tyre. Kur njërit prej tyre i afrohej fundi, ai e dërgonte Ruzbihun te tjetri, derisa i katërti, duke e ndier se e kishte vdekjen afër, iu drejtua Ruzbihut duke thënë: "O Ruzbih! Pasi ta kesh marrë e varrosur trupin tim, shko në Hixhaz, sepse atje do të ngrihet Ylli i Ditës i Muhametit. Lum ti që do të soditësh Fytyrën e Tij!"
Dhe tani lidhur me këtë Kauzë të mrekullueshme e sublime. Dije me të vërtetë se shumë astronomë kanë njoftuar shfaqjen e yllit të Tij në qiellin e dukshëm. Po kështu janë shfaqur mbi tokë Ahmeti [Ahmad] dhe Qazimi [Kázim],54 këto dy drita binjake të shkëlqyera - e shenjtëroftë Perëndia vendprehjen e tyre!
Nga të gjitha ato që kemi shtjelluar është e qartë dhe e dukshme se para revelimit të secilës prej Pasqyrave që reflektojnë Thelbin hyjnor, shenjat që lajmërojnë ardhjen e tyre duhet të shfaqen si në qiellin e dukshëm dhe në atë të padukshëm, ku është selia e diellit të dijes, e hënës së urtisë dhe e yjeve të të kuptuarit e të fjalës. Shenja e qiellit të padukshëm duhet të shfaqet në personin e atij njeriu të përsosur që para çdo manifestimi del, edukon e përgatit shpirtrat e njerëzve për ardhjen e Llambës hyjnore, të Dritës së unitetit të Perëndisë midis njerëzve.
Dhe tani në lidhje me fjalët e Tij: "Dhe atëherë të gjitha fiset e tokës do të vajtojnë dhe do të shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi retë e qiellit me pushtet e me lavdi të madhe". Këto fjalë kanë kuptimin që në ato ditë njerëzit do të qajnë për humbjen Diellit të bukurisë hyjnore, të Hënës së dijes, të Yjeve të urtisë hyjnore. Atëherë ata do të shohin fytyrën e të Premtuarit, Bukurinë e adhuruar, duke zbritur nga qielli mbi retë. Kjo do të thotë se Bukuria hyjnore do të manifestohet nga qielli i vullnetit të Perëndisë dhe do të shfaqet në formën e një tempulli njerëzor. Termi "qiell" tregon lartësi e lavdërim, meqenëse është selia e revelacionit të këtyre Manifestimeve të Shenjtërisë, të këtyre Agimeve të lavdisë së lashtë. Këto Qenie të lashta, edhe pse të lindura nga mitra e nënës së vet, në të vërtetë kanë zbritur nga qiejt e vullnetit të Perëndisë. Edhe pse banojnë mbi këtë tokë, banesat e tyre të vërteta janë strehët e lavdisë në mbretëritë e epërme. Ndërsa ecin midis të vdekshmëve, ata fluturojnë në qiellin e pranisë hyjnore. Pa këmbë ata shkelin shtegun e shpirtit dhe pa krahë ngrihen në lartësitë e lëvduara të unitetit hyjnor. Me çdo frymëmarrje ata kalojnë pafundësinë e hapësirës dhe në çdo moment përshkojnë mbretëritë e së dukshmes e të së padukshmes. Mbi fronet e tyre është shkruar: "Asgjë nuk e ndalon dot Atë të merret me çdo gjë tjetër"; dhe në stolet e tyre lexohet: "Me të vërtetë, rrugët e Tij ndryshojnë çdo ditë".55 Ata janë dërguar nga fuqia e pakapërcyeshme e të Lashtit të Kohëve dhe janë rritur me vullnetin e lartë të Perëndisë, Mbretit më të fuqishëm. Ky është kuptimi i fjalëve: "duke ardhur mbi retë e qiellit".
Në gjuhën e Yjeve hyjnorë termi "qiell" është përdorur për shumë gjëra të ndryshme; të tilla si "qielli i Urdhrit", "qielli i Vullnetit", "qielli i Synimit hyjnor", "qielli i Dijes hyjnore", "qielli i Sigurisë", "qiellli i Fjalës", qielli i Revelacionit", "qielli i Fshehjes" e kështu me radhë. Çdo herë Ai i ka dhënë termit "qiell" një kuptim të posaçëm, domethënia e të cilit u është reveluar vetëm atyre që janë në brendësi të mistereve hyjnore dhe që pinë nga kupa e jetës së pavdekshme. Për shembull, Ai thotë: "Në qiell është ushqimi juaj, si dhe ajo që ju është premtuar",56 ndërsa është toka që e jep një ushqim të tillë. Po kështu, është thënë: "Emrat vijnë nga qielli", ndërsa ato dalin prej gojës së njerëzve. Po ta pastroje pasqyrën e zemrës sate prej pluhurit të ligësisë, ti do ta kuptoje domethënien e termave simbolikë të reveluar nga Fjala gjithëpërfshirëse e Perëndisë, që është manifestuar në çdo Dispensacion, dhe do të zbuloje misteret e dijes hyjnore. Por, pa djegur me flakën e shkëputjes së plotë ato perde të dijes së kotë, që janë të zakonta midis njerëzve, ti nuk do të mund të soditësh agimin e ndritshëm të dijes së vërtetë.
Mëso me të vërtetë se dija është dy llojësh: Hyjnore dhe Djallëzore. Njëra del prej gurrës së frymëzimit hyjnor; tjetra nuk është veçse një pasqyrim i mendimeve të pathemelta e të errëta. Burimi i së parës është Vetë Perëndia; forca shtytëse e së dytës është përshpëritja e dëshirës egoiste. Njëra udhëhiqet nga parimi: "Druajuni Allahut; Allahu do t'ju mësojë";57 tjetra nuk është veçse konfirmim i së vërtetës që "Dija është perdja më e dëmshme midis njeriut dhe Krijuesit të tij". E para sjell frutin e durimit, të dëshirës së zjarrtë, të të kuptuarit të vërtetë e të dashurisë; ndërsa e dyta nuk jep veçse arrogancë, mburrje e mendjemadhësi. Nga thëniet e atyre Mjeshtrave të fjalës së shenjtë, Që kanë shtjelluar domethënien e dijes së vërtetë, kurrsesi nuk bie erë e këtyre mësimeve të zymta që kanë errësuar botën. Pema e mësimeve të tilla nuk mund të japë tjetër rezultat veç paligjësisë e rebelimit dhe nuk prodhon tjetër fryt veç urrejtjes e zilisë. Fryti i saj është helm vdekjeprurës; hija e saj zjarr përvëlues. Sa bukur është thënë: "Kapu pas rrobës së Dëshirës së zemrës sate dhe flak tutje çdo turp; ndahu nga të diturit e botës, sado i madh qoftë emri i tyre".
Prandaj zemra duhet të dëliret nga thëniet e kota të njerëzve dhe të çlirohet nga çdo dashuri tokësore, që ajo të mundë të zbulojë domethënien e fshehtë të frymëzimit hyjnor dhe të bëhet arka e mistereve të dijes hyjnore. Kështu, është thënë: "Ai që shkel Shtegun borë të bardhë dhe shkon në gjurmët e Shtyllës Kërmëz, kurrë nuk do të arrijë në banesën e vet, veç në qoftë se duart e tij janë zbrasur prej gjërave tokësore që duan njerëzit". Kjo është kërkesa e parë për këdo që shkel në këtë shteg. Thellohu në këtë, që me sy të paveshur të mund të shohësh të vërtetën e këtyre fjalëve.
Por u larguam nga qëllimi i argumentit Tonë, megjithëse çdo gjë që thuhet shërben vetëm për ta përforcuar atë. Për Perëndi! Sado e madhe është dëshira Jonë për të qenë i përmbledhur, përsëri e ndiejmë se nuk mund ta përmbajmë pendën Tonë. Me gjithë ato që përmendëm, sa të panumërt janë margaritarët që mbeten të pahapur në guackën e zemrës Sonë! Sa hyrí të domethënies së brendshme mbeten ende në kthinat e urtisë hyjnore! Askush nuk u është qasur ende atyre; - hyrí "të cilat asnjë njeri ose xhind nuk i ka prekur më parë".58 Me gjithë ato që u thanë, duket sikur asnjë germë e synimit Tonë nuk është shqiptuar, asnjë shenjë e vetme që ka të bëjë me subjektin Tonë nuk është zbuluar. Kur do të gjendet një kërkues besnik që, i veshur me rrobën e pelegrinazhit, të arrijë Qabenë e dëshirës së zemrës dhe, pa veshë e pa gjuhë, të zbulojmë misteret e thënieve hyjnore?
Me këto pohime të ndritshme, bindëse e të shkëlqyera, domethënia e "qiellit" në vargun e lartpërmendur është bërë kështu e qartë dhe e dukshme. Dhe tani lidhur me fjalët e Tij, se Biri i njeriut "do të vijë mbi retë e qiellit". Me termin "re" nënkuptohen ato gjëra që janë kundër rrugëve e dëshirave të njerëzve. Pikërisht ashtu siç e ka reveluar Ai në vargun e cituar më lart: "Sa herë që një i Dërguar vjen e ju sjell atë që shpirtrat tuaj nuk e dëshirojnë, ju fryheni me krenari dhe disa i akuzoni si mashtrues ndërsa të tjerë i vrisni".59 Këto "re", në njërin kuptim, duan të thonë anulim i ligjeve, abrogim i Dispensacioneve të mëparshme, ndryshim i riteve e i zakoneve të përhapura midis njerëzve, lartësim i besimtarit analfabet mbi kundërshtarët e ditur të Besimit. Në një kuptim tjetër, ato tregojnë shfaqjen e asaj Bukurie të pavdekshme në figurën e njeriut të vdekshëm, me kufizime të tilla njerëzore si të ngrënët e të pirët, varfëria e pasuria, lavdia e poshtërimi, gjumi e zgjimi dhe gjëra të tjera si këto, që ngjallin dyshim në mendjet e njerëzve e i bëjnë ata të largohen. Të gjitha këto perde janë quajtur në mënyrë simbolike "re".
Këto janë "retë" që çajnë qiejt e dijes e të të kuptuarit të të gjithë atyre që banojnë mbi tokë. Siç e ka reveluar edhe Ai: "Atë ditë qielli do të çahet nga retë".61 Ashtu si retë i pengojnë sytë e njerëzve të shohin diellin, këto gjëra pengojnë shpirtrat e njerëzve të njohin dritën e Yllit hyjnor. Për këtë dëshmon ajo që ka dalë nga goja e mosbesimtarëve, siç është reveluar në Librin e shenjtë: "Dhe ata kanë thënë: 'Çfarë lloj i dërguari është ky? Ai ha ushqim dhe ecën rrugëve. Po nuk u dërgua këtu poshtë një engjëll që të marrë pjesë në paralajmërimet e Tij, ne nuk do të besojmë'".62 Profetë të tjerë po kështu u janë nënshtruar varfërisë e hidhërimeve, urisë dhe sëmundjeve e peripecive të kësaj bote. Meqenëse këta Persona të shenjtë u ishin nënshtruar nevojave e mungesave të tilla, njerëzit, për rrjedhojë, kishin humbur në shkretëtirat e shqetësimeve e të dyshimeve dhe ishin prekur nga hutimi e mëdyshjet. E si mund të ishte një person i tillë, habiteshin ata, i dërguar nga Perëndia, si mund të afirmonte ai epërsinë e vet mbi të gjithë popujt e fiset e tokës, dhe të rivendikonte për Veten e tij se ishte qëllimi i çdo krijimi, - pikërisht siç ka thënë Ai: "Po të mos ishte për Ty, nuk do të krijoja gjithçka që është në qiell e mbi tokë", - e megjithatë t'u nënshtrohej gjërave të tilla kaq të rëndomta? Ti, padyshim, duhet të kesh dijeni për të gjitha mynxyrat, varfërinë, të këqiat e poshtërimet që kanë pësuar çdo Profet i Perëndisë e shokët e Tij. Ti duhet të kesh dëgjuar sesi kokat e pasuesve të tyre janë dërguar si dhurata në qytete të ndryshme, se sa egërsisht janë penguar ata të bënin atë që u ishte urdhëruar. Secili prej tyre u bë pre në duart e armiqve të Kauzës së Tij dhe i është dashur të vuante çdo gjë që ata kishin vendosur.
Shihet qartë se ndryshimet e kryera në çdo Dispensacion përbëjnë retë e errëta që ndërfuten midis syrit të kuptimit njerëzor dhe Yllit hyjnor që shkëlqen nga agimi i Thelbit hyjnor. Shih sesi njerëzit për breza të tërë kanë imituar verbërisht etërit e vet dhe janë ushtruar sipas rregullash e mënyrash të vendosura nga diktatet e Besimit të tyre. Prandaj sikur këta njerëz të zbulonin papritur se një Njeri, i Cili ka jetuar midis tyre, i Cili, në përputhje me çdo kufizim njerëzor, ka qenë i barabartë me ta, është ngritur për të hequr të gjitha parimet tradicionale të imponuara nga Besimi i tyre - parime që i kishin disiplinuar ata për shekuj dhe çdo kundërshtar ose mohues të të cilave ishin mësuar ta shikonin si të pabesë, të shthurur e të lig, - ata me siguri do të errësoheshin e pengoheshin për të njohur të vërtetën e Tij. Gjëra të tilla janë si "re" që veshin sytë e atyre, qenia e brendëshme e të cilëve nuk e ka shijuar Salsabíl-in e shkëputjes, as ka pirë nga Kautari i dijes së Perëndisë. Njerëz të tillë, kur njihen me këto rrethana, bëhen aq të verbër saqë pa më të voglin ngurrim e shpallin Manifestimin e Perëndisë si të pabesë dhe e dënojnë me vdekje. Ti duhet të kesh dëgjuar për gjëra të tilla që kanë ndodhur në të gjitha epokat, e tani i sheh edhe në këto ditë.
Prandaj na takon të bëjmë përpjekjet më të mëdha që, me ndihmën e padukshme të Perëndisë, këto perde të errëta, këto re të sprovave të dërguara nga Qielli të mos na pengojnë të soditim bukurinë e Shëmbëlltyrës së Tij të shndritshme dhe ta njohim Atë vetëm përmes Vetes së Tij. Dhe sikur të kërkonim një dëshmi të së vërtetës së Tij, do të na duhej të kënaqeshim me një e vetëm me një, që përmes saj të mund të arrinim tek Ai Që është Burimi parësor i mirësisë së pafund dhe në praninë e të Cilit gjithë bollëku tokësor bëhet një hiç; e kështu të mos dredhojmë më çdo ditë para Tij dhe të mos kapemi pas fantazive tona të kota.
Zot i Mëshirshëm! Me gjithë paralajmërimin që, me një gjuhë të mahnitshme simbolike e me aluzione të holla, është shprehur në ditët e shkuara, me qëllim që të zgjoheshin popujt e botës dhe të mos lejohej që ata të privoheshin nga pjesa e tyre e oqeanit të valëzuar të mirësisë së Perëndisë, por gjëra të tilla, siç është dëshmuar tashmë, kanë ndodhur! Referencë për këto është bërë edhe në Kuran, siç e vërteton ky varg: "Ç'mund të presin vallë, veç që Allahu të zbresë tek ata i mbështjellë me re?"63 Disa nga teologët, që i përmbahen rigorozisht germës së Fjalës së Perëndisë, kanë arritur ta shohin këtë varg si një prej shenjave të asaj ringjalljeje të pritur që ka pjellë fantazia e tyre e kotë. Dhe kjo megjithëse referenca të tilla janë bërë në shumicën e Librave qiellorë dhe janë regjistruar në të gjitha pasazhet e lidhura me shenjat e Manifestimit që pritet të vijë.
Po kështu, Ai thotë: "Ditën kur qielli do të nxjerrë një tym të prekshëm që do të mbështjellë njerëzmin: kjo do të jetë një ndëshkim i mundimshëm".64 Lavdiploti ka dekretuar pikërisht këto gjëra, që janë në kundërshtim me dëshirat e të ligjve, që të jenë guri i provës dhe norma me të cilat Ai provon shërbëtorët e Tij, që i drejti të dallohet nga i ligu dhe besniku nga i pabesi. Termi simbolik "tymi" nënkupton mosmarrëveshjet e mëdha, heqjen dhe shembjen e normave të njohura dhe shkatërrimin e plotë të mbështetësve të tyre mendjengushtë. A ka tym më të dendur e më mbytës se ky që ka mbështjellë tani të gjithë popujt e botës, i cili është bërë një torturë për ta dhe nga i cili ata nuk po çlirohen dot sado që përpiqen? Kaq i furishëm është ky zjarr i egos që digjet brenda tyre, sa në çdo moment ata duken të mbërthyer prej torturash të reja. Sa më shumë u thuhet atyre se kjo Kauzë e mahnitshme e Perëndisë, ky Revelacion i më të Lartit është manifestuar para gjithë njerëzimit dhe po bëhet çdo ditë më i madh e më i fuqishëm, aq më tepër ndizet zjarri në zemrat e tyre. Sa më shumë shohin forcën e pamposhtur, heqjen dorë sublime nga vetja, qëndrueshmërinë e patundur të shokëve të shenjtë të Perëndisë, të cilët me ndihmën e Perëndisë po bëhen çdo ditë më fisnikë e më të lavdishëm, aq më i thellë bëhet shqetësimi që shkreton shpirtrat e tyre. Në këto ditë, lëvduar qoftë Perëndia, fuqia e Fjalës së Tij ka fituar një ndikim të tillë mbi njerëzit, saqë ata nuk guxojnë të thonë asnjë fjalë. Sikur ata të takonin një prej shokëve të Perëndisë i cili, po të mundej, do të flijonte lirisht e me gëzim dhjetë mijë jetë për të Shumëdashurin e tij, frika e tyre do të ishte aq e madhe saqë ata menjëherë do të shpallnin besimin e tyre tek Ai, ndërsa fshehurazi do ta shanin e mallkonin emrin e Tij! Siç e ka reveluar Ai: "Dhe kur ju takojnë, ata thonë 'Besojmë'; por kur janë vetëm, kafshojnë thonjtë nga mllefi. Thuaj: 'Vdisni në mllefin tuaj!'. Allahu me të vërtetë di çdo skutë të gjokseve tuaja".65
Së shpejti sytë e tu do të shohin flamurët e pushtetit hyjnor të shpalosen mbi të gjitha krahinat dhe shenjat e fuqisë e të sovranitetit të Tij triumfues të manifestohen në çdo vend. Meqenëse shumica e teologëve nuk kanë arritur të depërtojnë në kuptimin e këtyre vargjeve dhe nuk e kanë kapur dot domethënien e Ditës së Ringjalljes, ata për rrjedhojë i kanë interpretuar këto vargje marrëzisht sipas konceptimit të tyre të gabuar e të pathemeltë. Perëndia i vërtetë, Që është një i vetëm, Më është dëshmitar! Vetëm pak arsye kërkohet që ata të kuptojnë nga gjuha simbolike e atyre dy vargjeve gjithçka që Ne kemi synuar të shtjellojmë, dhe të arrijnë kështu, falë mirësisë së Mëshirëplotit, agimin e shndritshëm të sigurisë. Të tilla janë motivet e melodisë qiellore, të cilat Zogu i pavdekshëm i Qiellit, duke cicëruar mbi Sadrih-un e Bahá-it, përhap mbi ty, në mënyrë që, dashtë Perëndia, ti të mund të shkelësh në shtegun e dijes e të urtisë hyjnore.
E tani lidhur me fjalët e Tij: "Dhe Ai do të dërgojë engjëjt e Tij..." Me "engjëj" kuptohen ata që, të përforcuar nga fuqia e shpirtit, kanë djegur me zjarrin e dashurisë për Perëndinë të gjitha tiparet e kufizimet njerëzore dhe janë veshur me atributet e Qenieve më të lartësuara e të Kerubinit. Ai njeri i shenjtë, Sadiku [Sádiq],66 në panegjirikun e tij për Kerubinin, thotë: "Ja, prapa Fronit qëndron një aradhe e shokëve tanë shiitë". Të ndryshme e të shumta janë interpretimet e fjalëve "prapa Fronit". Në një kuptim, ato tregojnë se nuk ekziston asnjë shiit i vërtetë. Ashtu siç e ka thënë ai në një pasazh tjetër: "Një besimtar i vërtetë i ngjan gurit filozofik". Pastaj, duke iu drejtuar dëgjuesit të tij, thotë: "A e ke parë ndonjëherë gurin filozofik?" Reflekto sesi kjo gjuhë simbolike, më elokuente se çdo ligjëratë sado e drejtpërdrejtë qoftë, dëshmon për mosekzistencën e besimtarit të vërtetë. E tillë është dëshmia e Sadikut. Dhe tani mendoni sesa të padrejtë e të shumtë janë ata që, megjithëse vetë nuk kanë nuhatur dot aromën e besimit, dënojnë si të pabesë ata, me fjalën e të cilëve vetë besimi është njohur e vendosur.
Dhe tani, derisa këto qenie të shenjta janë spastruar nga çdo kufizim njerëzor, janë veshur me atributet e qenieve shpirtërore dhe janë stolisur me tiparet fisnike të të bekuarve, për këtë janë cilësuar si "engjëj". Ky është kuptimi i këtyre vargjeve, çdo fjalë e të cilave është shpjeguar me ndihmën e teksteve më të qarta, të argumentave më bindës e të provave më të sigurta.
Meqenëse pasuesit e Jesuit nuk e kanë kuptuar kurrë domethënien e fshehur të këtyre fjalëve, dhe duke qenë se shenjat që ata dhe udhëheqësit e Besimit të tyre kanë pritur nuk u shfaqën, ata edhe sot e kësaj dite kanë refuzuar të njohin të vërtetën e atyre Manifestimeve të Shenjtërisë që janë bërë të dukshme që nga koha e Jesuit. Kështu e kanë privuar veten nga vërshimet e hirit të shenjtë të Perëndisë dhe nga mrekullitë e të fjalës së Tij hyjnore. E tillë është gjendja e tyre e ulët në këtë Ditë të Ringjalljes! Ata nuk kanë mundur as të kuptojnë që, sikur shenjat e Manifestimit të Perëndisë në çdo epokë të shfaqeshin në mbretërinë e dukshme, në përputhje me tekstin e haditheve të vendosura, askush nuk do të mund t'i mohonte e t'u shmangej, dhe as do të mund të dalloheshin të bekuarit nga të poshtrit dhe mëkatarët nga ata që i druhen Perëndisë. Gjyko me drejtësi: sikur profecitë e shënuara në Ungjill të përmbusheshin fjalë për fjalë; sikur Jesui, i Biri i Marisë, i shoqëruar nga engjëjt, të zbriste nga qielli i dukshëm mbi retë, kush do të guxonte të mos besonte, kush do të guxonte të refuzonte të vërtetën e të tregohej mospërfillës? Madje, një shtangie e tillë do të pushtonte menjëherë të gjithë banorët e tokës, saqë asnjë shpirt nuk do të kishte mundësi të thoshte ndonjë fjalë, aq më pak të refuzonte ose të pranonte të vërtetën. Pikërisht për shkak të keqkuptimit të këtyre të vërtetave, shumë teologë të krishterë iu kundërvunë Muhametit dhe protestuan me këto fjalë: "Në qoftë se Ti je me të vërtetë Profeti i premtuar, përse nuk të shoqërojnë ata engjëj që profetizojnë Librat tonë të shenjtë e që duhet të zbresin me Bukurinë e premtuar për ta ndihmuar Atë në Revelacionin e Tij dhe për të paralajmëruar njerëzit e Tij?" Pikërisht kështu i ka përmendur Lavdiploti deklaratat e tyre: "Përse nuk u dërgua asnjë engjëll tek ai, që të ishte si paralajmërues me Të?"67
Vërejtje e kundërshti të tilla janë përsëritur në çdo epokë e shekull. Njerëzit gjithmonë janë marrë me biseda të tilla të hamendshme, duke protestuar më kot: "Përse nuk u shfaq kjo ose ajo shenjë?" Të tilla fatkeqësi u kanë ndodhur atyre vetëm sepse u janë përmbajtur kritereve të teologëve të kohës në të cilën kanë jetuar dhe i kanë imituar ata verbërisht në pranimin ose mohimin e këtyre Thelbeve të Shkëputjes, të këtyre Qenieve të shenjta e hyjnore. Këta prijës, duke qenë të zhytur në dëshira egoiste dhe duke rendur pas gjërave kalimtare e të ulta, i kanë parë këta Yje hyjnorë si kundërshtarë të modeleve të dijes e të të kuptuarit të tyre dhe si oponentë të zakoneve e të gjykimeve të tyre. Meqë i kanë interpetuar në mënyrë mekanike Fjalën e Perëndisë dhe thëniet e hadithet e Germave të Unitetit, dhe i kanë shpjeguar ato sipas kuptimit të tyre të çalë, ata, për rrjedhojë, kanë privuar veten e gjithë njerëzit e tyre nga vërshimet bujare të hirit e të mëshirës së Perëndisë. E megjithatë i referohen këtij hadithi të mirënjohur: "Me të vërtetë Fjala Jonë është e errët, çuditërisht e errët". Në një rast tjetër është thënë: "Kauza Jonë është shumë e vështirë, tepër e ngatërruuar; askush nuk e përballon dot atë, veç një të preferuari të qiellit, ose një Profeti të frymëzuar, ose atij që Perëndia ia ka provuar besimin". Këta udhëheqës të feve e pranojnë se asnjë prej këtyre tri kushteve të posaçme nuk është i zbatueshëm për ta. Dy kushtet e para ata duket qartë që nuk i plotësojnë dot; sa për të tretin, është evidente se ata asnjëherë nuk kanë ditur të përballojnë provat e dërgura nga Perëndia dhe, kur Guri i provës hyjnore është shfaqur, ata e kanë treguar se s'ishin veçse llum.
Zot i Madh! Megjithëse e kanë pranuar vërtetësinë e këtij hadithi, këta fetarë që ende kanë dyshime e u kundërvihen pikave teologjike të errëta të besimit të tyre, ende pretendojnë të jenë përfaqësuesit e ligjit të Perëndisë në të gjitha stërhollimet e tij dhe interpretët e mistereve thelbësore të Fjalës së Tij të shenjtë. Ata thonë me bindje se hadithet që tregojnë ardhjen e Kaimit [Qá'ím] ende të pritur nuk janë përmbushur, ndërsa janë ata vetë që nuk kanë nuhatur aromën e domethënies së këtyre haditheve dhe nuk e shohin se të gjitha shenjat e parathëna janë shfaqur dhe se rruga e Kauzës së shenjtë të Perëndisë është reveluar, dhe aradhja e besnikëve, e shpejtë si vetëtima, edhe tani po e ndjek atë rrugë, ndërsa këta teologë të marrë rrinë në pritje që të shohin shenjat e parathëna. Thuaj, o të marrë! Pritni siç presin ende ata që kanë qenë para jush!
Sikur ata të pyeteshin lidhur me shenjat që duhej të lajmëronin revelimin dhe ngritjen e diellit të Dispensacionit Muhamedan, që i jemi referuar më lart, asnjëra prej të cilave nuk u plotësua në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës, dhe sikur atyre t'u thuhej: "Përse ju i hodhët poshtë rivendikimet e paraqitura nga të krishterët e nga popujt e besimeve të tjera dhe i konsideroni ata të pabesë", duke mos ditur ç'përgjigje të jepnin ata do të përgjigjeshin: "Këto Libra janë falsifikuar dhe nuk janë, e kurrë nuk kanë qenë, të Perëndisë". Reflekto: vetë fjalët e vargjeve dëshmojnë në mënyrë elokuente për të vërtetën që ato janë të Perëndisë. Një varg i ngjashëm është reveluar gjithashtu në Kuran, në qofshi ndër ata që kuptojnë. Me të vërtetë Unë them, gjatë gjithë kësaj periudhe ata nuk kanë arritur dot të kuptojnë se ç'do të thotë falsifikim i tekstit.
Po, në shkrimet e në thëniet e Pasqyrave që reflektojnë diellin e Dispensacionit Muhamedan përmendet "Ndryshimi i bërë nga qeniet e lartësuara" dhe "shtrembërimi i bërë nga përçmuesit". Pasazhe të tilla, sidoqoftë, u referohen vetëm rasteve të veçanta. Ndër to është historia e Ibn Syrjait [Ibn-i-Súríya]. Kur njerëzit e Kajbarit [Khaybar] e pyetën Qendrën e Revelacionit Muhamedan lidhur me dënimin për shkelje kurore midis një burri të martuar dhe një gruaje të martuar, Muhameti u përgjegj e tha: "Ligji i Perëndisë urdhëron vrasjen me gurë". Atëherë ata kundërshtuan duke thënë: "Asnjë ligj i tillë nuk është reveluar në Pentateuk". Muhameti u përgjigj e tha: "Cilin nga rabinët tuaj konsideroni si autoritet të njohur e që ka dije të sigurt për të vërtetën?" Ata ranë dakort për Ibn Syrjanë. Atëherë Muhameti e thirri atë dhe tha: "Të lutem shumë për atë Perëndi Që çau detin për ju, Që bëri të bjerë mana mbi ju dhe dërgoi renë për t'ju fshehur, Që ju shpëtoi nga Faraoni e njerëzit e tij dhe ju lartësoi mbi të gjitha qeniet njerëzore, të na thuash se ç'urdhëroi Moisiu lidhur me shkeljen e kurorës midis një burri të martuar dhe një gruaje të martuar". Ai u përgjigj: "O Muhamet! Ligji urdhëron vrasjen me gurë". Muhameti tha: "Përse, pra, ky ligj është anuluar dhe ka pushuar së vepruari midis hebrenjve?" Ai u përgjigj e tha: "Kur Nabukodonosori i vuri flakën Jerusalemit dhe vrau hebrenjtë, vetëm pak mbetën gjallë. Teologët e asaj kohe, duke parë numrin shumë të kufizuar të hebrenjve dhe numrin e madh të amalekitëve, u mblodhën në këshill dhe arritën në përfundimin që, po të zbatonin ligjin e Pentateukut, çdo njeri që kishte mbetur gjallë nga dora e Nabukodonosorit do të duhej të vritej sipas dënimit që jep Libri. Mbi bazën e konsideratave të tilla, ata e hoqën totalisht dënimin me vdekje". Ndërkohë Gavrili i frymëzoi zemrës së ndriçuar të Muhametit këto fjalë: "Ata shtrembërojnë tekstin e fjalës së Zotit".68
Ky është një nga shembujt të cilit u janë referuar. Në të vërtetë, me "shtrembërim" të tekstit nuk nënkuptohet ajo që kanë imagjinuar këta shpirtra të marrë e mjeranë, si disa që thonë se teologët çifutë e të krishterë kanë fshirë nga Libri vargjet që lartësojnë e madhërojnë shëmbëlltyrën e Muhametit dhe në vend të tyre kanë futur vargje për të kundërtën. Këto fjalë janë krejtësisht të pathemelta e të rreme! Si mundet një njeri që beson në një libër dhe e konsideron si të frymëzuar nga Perëndia, ta gjymtojë atë? Për më tepër, Pentateuku ishte përhapur në sipërfaqen e gjithë tokës dhe nuk ishte i kufizuar në Mekë e në Medinë, që të mund të shtrembërohej e falsifikohej fshehurazi teksti i tij. Përkundrazi, me falsifikim të tekstit nënkuptohet ajo që po bëjnë sot të gjithë teologët myslimanë, domethënë interpretimi i Librit të shenjtë të Perëndisë sipas imagjinatave të tyre të pathemelta e dëshirave të tyre të fryra. Dhe duke qenë se hebrenjtë në kohën e Muhametit i interpretuan vargjet e Pentateukut që i referohen Manifestimit të Tij sipas fantazisë së tyre dhe refuzuan të pranonin fjalën e Tij të shenjtë, kundër tyre u bë akuza e "shtrembërimit" të tekstit. Po kështu, është e qartë se sot pasuesit e Kuranit kanë shtrembëruar tekstin e Librit të shenjtë të Perëndisë lidhur me shenjat e Manifestimit të pritur dhe e kanë interpretuar atë sipas prirjeve e dëshirave të tyre.
Në një shembull tjetër, Ai thotë: "Ndër ta ka disa që e dëgjojnë Fjalën e Allahut dhe, pasi e kanë kuptuar atë, e shtrembërojnë, duke e ditur që e kanë bërë këtë gjë".69 Ky varg gjithashtu tregon që kuptimi i Fjalës së Perëndisë është shtrembëruar, por jo që janë fshirë fjalët. Për këtë të vërtetë dëshmojnë ata që kanë mendje të shëndoshë.
Përsëri në një rast tjetër, ai thotë: "Mjerë ata që me duart e veta e kopjojnë Librin në mënyrë të shtrembëruar e pastaj thonë: 'Kjo është nga Perëndia', që të mund ta shesin atë për një çmim të ulët".70 Ky varg është reveluar në lidhje me teologët e me krerët e Besimit Çifut. Këta teologë, për të kënaqur të pasurit, për të fituar nderime tokësore e për t'i dhënë rrugë cmirës e herezisë së tyre, shkruan një numër traktatesh, duke hedhur poshtë rivendikimet e Muhametit, duke i mbështetur argumentimet e tyre me prova që do të ishte pa vend t'i përmendnim, dhe pretenduan se këto argumente rridhnin nga teksti i Pentateukut.
E njëjta gjë mund të vërehet sot. Shikoni sa shumë akuza kanë shkruar teologët e marrë të kohës sonë kundër kësaj Kauze kaq të mahnitshme! Sa të kota janë imagjinatat e tyre se këto shpifje janë në përputhje me vargjet e Librit të shenjtë të Perëndisë e në pajtim me fjalët e njerëzve që kuptojnë!
Qëllimi Ynë duke iu referuar këtyre gjërave është t'ju paralajmërojmë që po të thonë ata se vargjet ku përmenden shenjat të cilave u referohet Ungjilli janë shtrembëruar, po t'i mohojnë ato e të kapen pas vargjesh e hadithesh të tjera, ju ta dini se fjalët e tyre janë krejt të rrema e thjesht shpifje. Po, "falsifikim" të tekstit, në kuptimin që sqaruam, me të vërtetë ka pasur në raste të veçanta. Ne përmendëm disa prej tyre, që për çdo vëzhgues që kupton të jetë e qartë se disa Njerëzve të shenjtë të pashkollë u është dhënë zotërimi i dijes njerëzore, në mënyrë që kundërshtari keqdashës të mos vazhdojë të thotë se një varg i caktuar tregon "falsifikim" të tekstit e të mos insinuojë që Ne i kemi përmendur këto gjëra për mungesë dijesh. Për më tepër, shumica e vargjeve që tregojnë "falsifikim" të tekstit janë reveluar lidhur me hebrenjtë, siç do ta vinit re po të eksploronit ishujt e Revelacionit të Kuranit.
Kemi dëgjuar gjithashtu një numër të marrësh të tokës të thonë se teksti i vërtetë i Ungjillit qiellor nuk ekziston midis të krishterëve, por është ngjitur në qiell. Ç'gabim i rëndë! Kanë harruar se një pohim i tillë përbën padrejtësinë e tiraninë më të rëndë ndaj një Providence të dhembshur e mirëdashëse! Si do të mundej Perëndia, kur Ylli i Ditës i Bukurisë së Jesuit ishte zhdukur nga sytë e popullit të Tij dhe ishte ngjitur në qiellin e katërt, të bënte që të zhdukej edhe Libri i Tij i shenjtë, dëshmia e Tij më e madhe midis krijesave të Tij? Çfarë do t'u lihej atyre njerëzve që t'i përmbaheshin qysh nga perëndimi i yllit të ditës të Jesuit e deri në lindjen e diellit të Dispensacionit Muhamedan? Çfarë ligji do të ishte mbështetja e udhëheqja e tyre? Si mund të bëheshin njerëz të tillë viktima të zemërimit hakmarrës të Perëndisë, Hakmarrësit të gjithëfuqishëm? Si mund të vuanin ata gjëmën e ndëshkimit të Mbretit qiellor? Mbi të gjitha, si mund të reshte vërshimi i hirit të Bujaríplotit? Si mund të ndalej oqeani i mëshirës së Tij të dhembshur? Kërkojmë strehë te Perëndia nga ato që krijesat e Tij kanë fantazuar për Të! I lartësuar është Ai mbi kuptimin e tyre!
I dashur mik! Tani që drita e Agimit të përjetshëm të Perëndisë po zbardh; që rrezatimi i fjalëve të tij të shenjta: "Allahu është drita e qiejve dhe e tokës"71 po hedh ndriçim mbi gjithë njerëzimin; që padhunueshmëria e faltores së Tij është shpallur nga fjalët e Tij të shenjta: "Allahu ka dashur ta bëjë të përkryer dritën e Tij";72 dhe që Dora e gjithëfuqisë, që bart dëshminë e Tij: "Ai mban në dorën e Tij mbretërinë e të gjitha gjërave", u është shtrirë të gjithë popujve e racave të tokës; - është detyra jonë t'i përvishemi përpjekjes më të madhe, në mënyrë që, me hir e me bujari të Perëndisë, të hyjmë ndoshta në Qytetin qiellor: "Me të vërtetë, ne jemi të Perëndisë" dhe të jetojmë në banesën e lartësuar: "Dhe tek Ai kthehemi". Është detyra jote që, me leje të Perëndisë, të spastrosh syrin e zemrës sate nga gjërat e kësaj bote, që të kuptosh pafundësinë e dijes hyjnore dhe të shohësh të Vërtetën aq qartë sa të mos kesh nevojë për prova që të demonstrojnë realitetin e Tij, as për shenja që të provojnë dëshminë e Tij.
O kërkues dashamirës! Sikur të fluturoje në mbretërinë e shenjtë të shpirtit, ti do të njihje Perëndinë të dukshëm e të lartësuar mbi të gjitha gjërat, saqë sytë e tu nuk do të soditnin gjë tjetër veç Tij. "Perëndia ishte vetëm; nuk kishte asgjë tjetër veç Tij". Kaq e lartë është kjo pozitë, saqë asnjë dëshmi nuk mund të dëshmojë për të, asnjë provë nuk mund t'i japë hakun vërtetësisë së saj. Sikur të eksploroje zotërimin e shenjtë të së vërtetës, do të zbuloje se të gjitha gjërat njihen vetëm përmes dritës së njohjes së Tij, se Ai gjithmonë ka qenë njohur, dhe do të vazhdojë përjetësisht të njihet, nëpërmjet vetes së Tij. Dhe sikur ti të banosh në tokën e dëshmisë, kënaqu me atë që Ai Vetë ka reveluar: "A nuk u mjafton atyre që Ne Ta kemi dërguar Ty Librin?"73 Kjo është dëshmia që Ai Vetë ka vendosur; më të madhe provë se kjo nuk ka, as do të ketë kurrë: "Kjo provë është Fjala e Tij; vetë Vetja e Tij është dëshmia e së vërtetës së Tij".
Dhe tani u lutemi njerëzve të Bajanit, gjithë të diturve, të urtëve, teologëve dhe dëshmitarëve që ndodhen midis tyre të mos harrojnë dëshirat e porositë e reveluara në Librin e tyre. Le ta mbajnë të mbërthyer vazhdimisht shikimin mbi gjërat thelbësore të Kauzës së Tij, në mënyrë që kur Ai Që është Kuintesenca e së vërtetës, Realiteti i brendshëm i të gjitha gjërave, Burimi i çdo drite, të shfaqet, ata të mos kapen pas disa pasazheve të Librit dhe t'i punojnë Atij atë që u punua në Dispensacionin e Kuranit. Sepse, me të vërtetë, Ai, Mbreti i forcës hyjnore, është i fuqishëm të shuajë me një germë të fjalëve të Tij të mahnitshme, frymën e jetës në tërë Bajanin e në pasuesit e tij, dhe me një germë t'u japë atyre jetë të re e të amshuar, dhe të bëjë që ata të ngrihen e të dalin nga varret e dëshirave të tyre të kota e egoiste. Kini mendjen e hapni sytë; dhe mos harroni se çdo gjë mbrrin përsosurinë në besimin tek Ai, në arritjen e ditës së Tij dhe në kuptimin e pranisë së Tij hyjnore. "Devocioni nuk qëndron në të kthyerit e fytyrrës drejt lindjes ose perëndimit, por është i devotshëm ai që beson në Allahun e në Ditën e Fundit".74 Dëgjoni, o njerëz të Bajanit, të vërtetën për të cilën ju kemi tërhequr vëmendjen, që ndoshta të kërkoni strehë nën hijen e lëshuar mbi gjithë njerëzimin në Ditën e Perëndisë.
Me të vërtetë, Ai Që është Ylli i Ditës i së Vërtetës dhe Reveluesi i Qenies Supreme, ruan për të gjitha kohët sovranitet të padiskutueshëm mbi gjithçka ndodhet në qiell e mbi tokë, edhe pse nuk gjendet mbi tokë asnjeri që t'i bindet Atij. Ai, me të vërtetë, është i pavarur nga çdo zotërim tokësor, edhe sikur të mos zotërojë asgjë. Kështu Ne të zbulojmë ty misteret e Kauzës së Perëndisë dhe të dhurojmë margaritarët e urtisë hyjnore, që të mund të fluturosh ndoshta mbi krahët e heqjes dorë në lartësi që janë të mbuluara nga sytë e njerëzve.
Kuptimi i fshehtë dhe qëllimi thelbësor i këtyre fjalëve është t'u revelojë e t'u tregojë njerëzve me zemër të dëlirë e me shpirt të pastër se ata Që janë Yjet e së vërtetës dhe Pasqyrat që reflektojnë dritën e Unitetit hyjnor, në çfarëdo epokë e në çdo cikël që të jenë dërguar në këtë botë nga banesat e tyre të padukshme të lavdisë së lashtë, për të edukuar shpirtrat e njerëzve dhe për të veshur me mirësi të gjitha gjërat e krijuara, janë kurdoherë të veshur me fuqi të papërmbajtshme e me sovranitet të pamposhtur. Sepse këta Margaritarë të fshehur, këto Thesare të mbuluara e të padukshme tregojnë e rivendikojnë në vetvete realitetin e këtyre fjalëve të shenjta: "Me të vërtetë Perëndia bën çdo gjë që dëshiron dhe urdhëron çdo gjë që i pëlqen".
Për çdo zemër të ndieshme e të ndriçuar është e qartë se Perëndia, Thelbi i panjohshëm, Qenia Hyjnore, është pafundësisht i lartësuar tej çdo atributi njerëzor, si ekzistenca trupore, ngjitja e zbritja, shkuarja përpara e zmbrapsja. Është larg lavdisë së Tij ajo që gjuha njerëzore mund të shprehë për Ta lartësuar ose ajo që zemra njerëzore mund të kuptojë nga misteri i Tij i padepërtueshëm. Ai është, dhe gjithmonë ka qenë, i veshur me përjetësinë e lashtë të Thelbit të Tij dhe do të mbetet, në realitetin e Vet, përjetësisht i fshehur nga shikimi i njerëzve. "Asnjë shikim s'e kap dot Atë, por Ai kap çdo shikim; Ai është Mendjemprehti, Gjithëshikuesi".75 Asnjë marrëdhënie kontakti të drejtpërdrejtë kurrsesi nuk mund ta lidhë Atë me krijesat e Tij. Ai qëndron i lartësuar tej e mbi çdo ndarje e bashkim, mbi çdo afërsi e largësi. Asnjë shenjë nuk mund të tregojë praninë ose mungesën e Tij, meqenëse me një fjalë të urdhrit të Tij, të gjithë ata që janë në qiell e mbi tokë kanë ardhur në jetë, dhe me dëshirë të Tij, që është vetë Vullneti Parësor, të gjithë kanë dalë nga hiçi i plotë e kanë hyrë në mbretërinë e qenieve, në botën e dukshme.
Zot i Mëshirshëm! Si mund të përfytyrohej se ekziston ndonjë marrëdhënie ose se është e mundur ndonjë lidhje midis Fjalës së Tij dhe atyre që janë krijuar prej saj? Vargu: "Allahu do që ju të keni mendjen nga Vetë Ai"76 dëshmon në mënyrë të padyshimtë për realitetin e argumentit Tonë dhe fjalët "Perëndia ishte vetëm; nuk kishte asgjë tjetër veç Tij" janë një dëshmi e sigurt e kësaj të vërtete. Të gjithë Profetët e Perëndisë dhe të Zgjedhurit e tyre, të gjithë teologët, të diturit dhe të urtët e çdo gjenerate e pohojnë njëzëri se nuk janë në gjendje të arrijnë të kuptojnë atë Kuintesencë të çdo të vërtete dhe e pranojnë pamundësinë e tyre për të kapur Atë Që është Realiteti më intim i të gjitha gjërave.
Dhe duke qenë se dera e dijes e të Lashtit të Kohëve është, pra, e mbyllur para të gjitha qenieve, Burimi i hirit të pafund, sipas thënies së Tij: "Hiri i Tij ka kapërcyer të gjitha gjërat; hiri Im i ka përfshirë ato të gjitha", ka bërë që nga mbretëria e shpirtit, në formën fisnike të tempullit njerëzor, të shfaqen ata Margaritarë të ndritshëm të Shenjtërisë dhe t'u manifestohen të gjithë njerëzve, që ata t'i japin botës misteret e Qenies së pandryshueshme dhe të tregojnë nuansat e holla të Thelbit të Tij të pavdekshëm. Këto Pasqyra të pastra, këto Agime të lavdisë së lashtë janë, të gjithë pa përjashtim, Eksponentë mbi tokë të Atij Që është Ylli Qëndror i universit, Thelbi dhe Qëllimi i fundit i Tij. Prej Tij vijnë dija dhe pushteti i tyre; prej Tij rrjedh sovraniteti i tyre. Bukuria e pamjes së tyre s'është veçse pasqyrim i shëmbëlltyrës së Tij dhe revelacioni i tyre shenjë e lavdisë së Tij të pavdekshme. Ata janë Thesaret e dijes hyjnore, Bartësit e urtisë qiellore. Nëpërmjet tyre vjen një hir që nuk ka fund dhe nga ata revelohet drita që kurrë nuk mund të shuhet. Siç ka thënë Ai: "Nuk ka asnjë dallim midis Teje e atyre; veçse ata janë shërbëtorët e Tu dhe janë krijuar prej Teje". Kjo është domethënia e hadithit: "Unë jam Ai, Ai Vetë, dhe Ai është Unë, unë vetë".
Hadithet dhe thëniet që kanë lidhje drejtpërsëdrejti me temën Tonë janë të ndryshme e të shumta; nuk i kemi cituar ato, për të mos u zgjatur. Madje, çdo gjë që ndodhet në qiejt e mbi tokë është një provë e drejtpërdrejtë e revelimit brenda saj të atributeve e të emrave të Perëndisë, sepse brenda çdo atomi janë shenjat që dëshmojnë në mënyrë elokuente për revelimin e Dritës më të madhe. Më duket se pa forcën e atij revelacioni, asnjë qenie kurrë nuk do të mund të ekzistonte. Sa të shkëlqyeshme janë dritat e dijes që ndritin në një atom, dhe sa të gjera oqeanet e urtisë që valëzojnë brenda një pike! Kjo është e vërtetë në shkallën më të lartë për njeriun, i cili, ndër të gjitha gjërat e krijuara, është veshur me rrobën e dhuntive të tilla dhe është veçuar për lavdinë e një shquarsie të tillë. Sepse tek ai revelohen si mundësi të gjitha atributet dhe emrat e Perëndisë, në një shkallë që asnjë qenie tjetër e krijuar nuk i ka kapërcyer apo tejkaluar. Të gjithë këta emra e atribute janë të zbatueshëm tek ai. Ashtu siç ka thënë Ai: "Njeriu është misteri Im dhe Unë jam misteri i tij". Të shumta janë vargjet e reveluara vazhdimisht në të gjitha Librat qiellorë e në Shkrimet e shenjta, që trajtojnë këtë çështje kaq të hollë e sublime. Siç e ka reveluar Ai: "Ne me siguri do t'u tregojmë atyre shenjat Tona në botë e midis vetë atyre".77 Dhe Ai shton: "Gjithashtu brenda vetes suaj: a nuk do t'i shihni, pra, shenjat e Zotit?"78 Dhe përsëri Ai revelon: "Dhe mos jini si ata që harrojnë Allahun, të cilët Ai për këtë shkak i ka bërë të harrojnë veten e tyre".79 Lidhur me këtë, Ai Që është Mbreti i përjetshëm - u bëfshin fli për Të shpirtrat e të gjithëve atyre që banojnë brenda Shenjtores mistike - ka thënë: "Ka njohur Perëndinë Ai që ka njohur vetveten".
Betohem për Perëndi, o mik i çmuar e i nderuar! Po t'i peshoje këto fjalë në zemrën tënde, me siguri do t'i shihje dyert e urtisë hyjnore e të dijes së pafund të hapura gjerësisht para teje.
Nga ajo që u tha del qartë se të gjitha gjërat në realitetin e tyre të brendshëm dëshmojnë për revelimin e emrave e të atributeve të Perëndisë në to. Secila, sipas aftësisë së vet, tregon e shpreh dijen e Perëndisë. Kaq i fuqishëm e universal është ky revelacion, saqë ka përfshirë të gjitha gjërat e dukshme e të padukshme. Kështu, Ai ka reveluar: "A ka kush tjetër veç Teje një fuqi revelimi që Ti nuk e zotëron, që të mund të Të manifestonte Ty? I verbër është syri që nuk të sheh Ty". Po kështu, Mbreti i përjetshëm ka thënë: "Nuk kam parë asgjë, vetëm kam parë Perëndinë brenda saj, Perëndinë para saj, ose Perëndinë pas saj". Gjithashtu në hadithin e Kumajlit [Kumayl] është shkruar: "Shiko, një dritë ka shkëlqyer nga Agimi i përjetësisë, dhe ja! valët e saj kanë pushtuar realitetin e brendshëm të të gjithë njerëzve". Njeriu, më e përsosura e më fisnikja e të gjitha gjërave të krijuara, ua kalon të gjithave me intesitetin e këtij revelacioni dhe me shprehjen më të plotë të lavdisë së tij. Dhe nga të gjithë njerëzit, më të përsosurit, më të shquarit e më të shkëlqyerit janë Manifestimet e Diellit të së Vërtetës. Madje, të gjithë të tjerët veç këtyre Manifestimeve jetojnë falë veprimit të Vullnetit të tyre dhe lëvizin e ekzistojnë përmes vërshimit të mirësisë së tyre. "Po të mos ishte për Ty, nuk do t'i kisha krijuar qiejt". Madje, në praninë e tyre të shenjtë gjithçka zhduket në një hiç të plotë dhe bëhet diçka e harruar. Asnjë gjuhë njerëzore kurrë nuk mund të këndojë si duhet lavdet e tyre, dhe asnjë fjalë njerëzore të shpalosë misterin e tyre. Këto Altare të shenjtërisë, këto Pasqyra parësore që reflektojnë dritën e lavdisë së pashuar, s'janë veçse shprehje të Atij Që është i Padukshmi i të Padukshmëve. Përmes revelimit të këtyre margaritarëve të virtytit hyjnor janë manifestuar të gjithë emrat e atributet e Perëndisë, si dija e pushteti, sovraniteti e sundimi, mëshira e urtia, lavdia, bujaria e mirësia.
Këto atribute të Perëndisë nuk janë, dhe kurrë nuk kanë qenë, dhuruar në mënyrë të posaçme për disa Profetë dhe t'u jenë mohuar të tjerëve. Jo, të gjithë Profetët e Perëndisë, të preferuarit e Tij, Lajmëtarët e Tij të shenjtë e të zgjedhur janë, pa përjashtim, bartësit e emrave të Tij dhe mishërimet e atributeve të Tij. Ata ndryshojnë vetëm nga intensiteti i revelimit të tyre dhe nga fuqia e krahasuar e dritës së tyre. Ashtu siç e ka reveluar Ai: "Ne kemi bërë që disa nga të Dërguarit t'ua kalojnë të tjerëve".80 Prandaj është provuar qartë e në mënyrë evidente se brenda faltoreve të këtyre Profetëve e të Zgjedhurve të Perëndisë është pasqyruar drita e emrave të Tij të pafund dhe e atributeve të Tij të larta, edhe pse drita e disa prej këtyre atributeve mund të revelohet ose të mos revelohet hapur në sytë e njerëzve nga këta Tempuj të ndritshëm. Fakti që ndonjë atribut i Perëndisë nuk është shfaqur në pamje të jashtme prej këtyre Thelbeve të Shkëputjes, nuk do të thotë aspak se ata, që janë Agimet e atributeve të Perëndisë dhe Thesaret e emrave të shenjtë të Tij, nuk i kanë pasur ato në të vërtetë. Pra, këta Shpirtra të ndriçuar, këto Fytyra të hijshme, janë pajisur pa përjashtim me të gjitha atributet e Perëndisë, si sovraniteti, sundimi e të tjera si këto, edhe pse në pamje të jashtme janë të zhveshur nga çdo madhështi tokësore. Kjo është e qartë dhe e dukshme për çdo sy të mprehtë dhe nuk kërkon as prova as dëshmi.
Po, duke qenë se popujt e botës nuk kanë kërkuar pranë Burimeve të ndritshme e të kristalta të dijes hyjnore domethënien e brendshme të fjalëve të shenjta të Perëndisë, ata kanë vuajtur të rraskapitur e të etur në luginën e fantazive të kota e të zvetënimit. Ata janë larguar nga ujërat e freskëta që shuajnë etjen dhe janë mbledhur rreth kripës që djeg hidhur. Lidhur me ta, Pëllumbi i Përjetësisë ka thënë: "Edhe po të shohin shtegun e drejtësisë, ata nuk do ta zgjedhin atë si shteg të tyre; por po të shohin shtegun e gabimit, atë do të zgjedhin si shteg të tyre. Kjo për arsye se i kanë trajtuar shenjat Tona si gënjeshtra dhe nuk i kanë përfillur ato".81
Për këtë dëshmon ajo që ka ndodhur në këtë Dispensacion të mahnitshëm e të lartësuar. Mijëra e mijëra vargje të shenjta kanë zbritur nga qielli i fuqisë e i hirit, por askush nuk ua ka vënë veshin dhe as kanë reshtur së kapuri pas atyre fjalëve të njerëzve, asnjë gërmë të të cilave ata që i kanë thënë këto fjalë nuk kuptojnë. Për këtë arsye njerëzit kanë dyshuar për të vërteta të pakundërshtueshme si këto, duke i mohuar kështu vetes Ridvánin e dijes hyjnore dhe livadhet e përjetshme të urtisë qiellore.
Dhe tani, që ta përmbledhim argumentin Tonë lidhur me këtë çështje: përse sovraniteti i Kaimit, i afirmuar në tekstin e haditheve të shkruara dhe i transmetuar prej yjeve ndriçues të Dispensacionit të Muhametit, nuk u manifestua aspak? Madje ka ndodhur e kundërta. A nuk janë përndjekur prej njerëzve dishepujt dhe miqtë e Tij? A nuk janë ata ende viktima të kundërvënies së egër të armiqve të tyre? A nuk po bëjnë ata sot një jetë të vdekshmish të poshtëruar e të pafuqishëm? Po, sovraniteti i atribuar Kaimit, për të cilin bëhet fjalë në shkrimet, është një realitet, vërtetësinë e të cilit askush nuk mund ta vërë në dyshim. Por ky nuk është sovraniteti që kanë imagjinuar në mënyrë të rreme mendjet e njerëzve. Për më tepër, Profetët e lashtë, të gjithë pa përjashtim, sa herë u kanë shpallur njerëzve të kohës së vet ardhjen e Revelacionit të mëtejshëm, i janë referuar gjithmonë e në mënyrë të posaçme atij sovraniteti me të cilin duhet të jetë i veshur Manifestimi i premtuar. Këtë e provojnë tekstet e shkrimeve të shenjta të së kaluarës. Ky sovranitet nuk i është atribuar ekskluzivisht dhe vetëm Kaimit. Madje atributi i sovranitetit dhe të gjithë emrat e atributet e tjera të Perëndisë u janë dhënë e do t'u jepen gjithmonë të gjitha Manifemeve të Perëndisë, para dhe pas Tij, sepse, siç është shpjeguar, këto Manifestime janë Mishërimet e atributeve të Perëndisë, të Padukshmit, dhe Reveluesit e mistereve hyjnore.
Veç kësaj, me sovranitet nënkuptohet fuqia që gjithçka përfshin e përshkon, e cila ushtrohej në mënyrë të qenësishme prej Kaimit, pavarësisht nëse Ai i shfaqet botës i veshur me madhërinë e sundimit tokësor ose jo. Kjo varet vetëm nga vullneti e dëshira e Vetë Kaimit. Ti do ta pranosh pa vështirësi se termat sovranitet, begati, jetë, vdekje, gjykim e ringjallje, për të cilat flitet në shkrimet e shenjta të së kaluarës, nuk janë ato që ka menduar e imgjinuar së koti kjo gjeneratë. Jo, me sovranitet kuptohet sovraniteti që në çdo Dispensacion qëndron brenda dhe ushtrohet prej personit të Manifestimit, Yllit të Ditës të së Vërtetës. Ky sovranitet është ndikimi i fuqishëm shpirtëror që Ai ushtron në shkallën më të plotë mbi gjithçka ndodhet në qiell e mbi tokë dhe që në kohën e duhur e revelon veten në botë, në përpjestim të drejtë me aftësinë e ndjeshmërinë e saj shpirtërore, ashtu si sovraniteti i Muhametit, Lajmëtarit të Perëndisë, është sot i qartë e i dukshëm midis njerëzve. Ju e dini mirë ç'i ndodhi Besimit të Tij në ditët e hershme të dispensacionit të Tij. Ç'vuajtje të tmerrshme i solli atij Thelbi shpirtëror, asaj Qenieje aq të pastër e të shenjtë, dora e të pabesit, e të zvetënuarit, e teologëve të asaj kohe dhe e bashkëpunëtorëve të tyre! Sa shumë gjemba e ferra hodhën ata në shtegun e Tij! Është e qartë se ajo gjeneratë e fëlliqur, me imagjinatën e saj të pabesë e djallëzore, e konsideronte çdo goditje kundër kësaj Qenieje të pavdekshme si një mjet për të arritur një lumturi të qëndrueshme; sepse teologët e njohur të asaj kohe, si Abdulla Ubaji ['Abdulláh-i-Ubayy], Abu Emiri [Abú-'Amir], oshënari, Kab ibn Ashrafi [Ka'b-Ibn-i-Ashraf] dhe Nadir Ibn Harithi [Nadr-Ibn-i-Hárith], të gjithë e trajtuan Atë si mashtrues dhe e shpallën të çmendur e gënjeshtar. Ata ngritën kundër Tij akuza të tilla të rënda, saqë po t'i përmendja Perëndia do ta ndalte bojën të rrjedhë, pendën Tonë të lëvizë, ose fletën t'i mbajë ato. Këto shpifje keqdashëse i nxitën njerëzit të ngrihen e ta mundojnë Atë. Dhe sa të mëdha janë ato mundime, në qoftë se teologët e asaj kohe janë nxitësit kryesorë, në qoftë se ata e denoncojnë Atë te pasuesit e tyre, e dëbojnë nga rrethi i tyre dhe e shpallin keqbërës! A nuk i ka ndodhur e njëjta gjë këtij Shërbëtori, siç e kanë parë të gjithë?
Është për këtë arsye që Muhameti thirri: "Asnjë Profet i Perëndisë nuk ka vuajtur atë që kam vuajtur unë". Dhe në Kuran janë regjistruar të gjitha shpifjet e qortimet e thëna kundër Atij, si dhe fatkeqësitë që pësoi Ai. Referojuni atyre, që të mund të informoheni për atë që i ka ndodhur Revelacionit të Tij. Kaq e rëndë ishte gjendja e Tij, saqë për njëfarë kohe të gjithë i ndërprenë lidhjet me Të e me shokët e Tij. Kushdo që shoqërohej me Të binte viktimë e egërsisë së pamëshirshme të armiqve të Tij.
Do të citojmë lidhur me këtë vetëm një varg nga ai Libër. Po ta shohësh me sy të mprehtë, të gjitha ditët e jetës që të kanë mbetur ti do të qash e vajtosh për vuajtjet e Muhametit, të këtij Lajmëtari të munduar e të shtypur të Perëndisë. Ky varg është reveluar në një kohë që Muhameti vuante i raskapitur e i brengosur nën peshën e kundërvënies së njerëzve dhe të torturimit të pandërprerë nga ana e tyre. Gjatë kësaj agonie, nga Sadratu'l Muntahá u dëgjua zëri i Gavrilit që thoshte: "Por në qoftë se kundërvënia e tyre Të rëndon - nëse mundesh, kërko një të çarë të tokës ose një shkallë për t'u ngjitur në qiell".82 Kuptimi i kësaj thënieje është se për rastin e Tij nuk kishte zgjidhje, se ata nuk do të hiqnin dorë nga torturimi i Tij, veçse po të fshihej Ai në thellësi të tokës ose të fluturonte në qiell.
Mendo, ç'ndryshim të madh ka sot! Shiko, sa shumë Sovranë bien në gjunjë para emrit të Tij! Sa shumë kombe e mbretëri kanë kërkuar strehë në hijen e Tij, kanë shprehur besnikërinë ndaj Besimit të Tij dhe janë krenarë për këtë! Që nga katedrat zbresin sot fjalë lavdërimi, të cilat me përulësi të thellë lartësojnë emrin e Tij të bekuar; dhe nga majat e minareve dëgjohet thirrja që fton turmat e njerëzve të Tij që Ta adhurojnë. Madje edhe ata mbretër të tokës që kanë refuzuar të përqafojnë Besimin e Tij dhe të heqin rrobën e mosbesimit, e pranojnë dhe e njohin, megjithatë, madhështinë dhe madhërinë e parezistueshme të Atij Ylli të Ditës të dashamirësisë. I tillë është Sovraniteti i Tij tokësor, dëshmitë e të cilit mund t'i shohësh në çdo anë. Ky sovranitet duhet të revelohet e të afirmohet ose gjatë jetës së çdo Manifestimi të Perëndisë, ose pas ngjitjes së Tij në banesën e Tij të vërtetë në mbretërinë e epërme. Ajo që sheh ti sot, s'është veçse një konfirmim i kësaj të vërtete. Por ai ndikim shpirtëror që nënkuptohet parësisht, ndodhet brenda Tyre dhe sillet rreth Tyre nga përjetësia deri në përjetësi. Ai nuk mund të ndahet prej Tyre për asnjë çast. Sundimi i tij ka përfshirë çdo gjë që ndodhet në qiell e mbi tokë.
Kjo që vijon është një provë e sovranitetit të ushtruar nga Muhameti, Ylli i Ditës i së Vërtetës. A nuk e ke dëgjuar ti sesi me një varg të vetëm Ai ka ndarë dritën nga errësira, të drejtin nga i ligu dhe besimtarin nga i pabesi? Të gjitha shenjat e aluzionet lidhur me Ditën e Gjyqit, për të cilat ke dëgjuar, si ngjallja e të vdekurve, Dita e Llogarisë, Gjyqi i Fundit e të tjera, janë manifestuar përmes revelimit të atij vargu. Këto fjalë të reveluara ishin një bekim për të drejtët, të cilët kur i dëgjuan thirrën: "O Perëndi Zoti ynë, kemi dëgjuar dhe jemi bindur". Ato ishin një mallkim për njerëzit e padrejtësisë, që kur i dëgjuan ato pohuan: "Kemi dëgjuar dhe jemi rebeluar". Këto fjalë, të mprehta si shpata e Perëndisë, kanë ndarë besnikët nga të pabesët dhe atin nga biri. Ti me siguri e ke parë sesi ata që kanë shpallur besimin e tyre tek Ai dhe ata që e kanë mohuar Atë, kanë luftuar kundër njëri-tjetrit dhe janë përpjekur të rrëmbejnë pasuritë e njëri-tjetrit. Sa etër janë larguar nga bijtë e tyre; sa të dashuruar i janë shmangur të shumëdashurit të vet! Kaq e pamëshirshme dhe e mprehtë ishte kjo shpatë e mahnitshme e Perëndisë, sa çante më dysh çdo lidhje! Nga ana tjetër, mendo fuqinë bashkuese të fjalës së Tij. Vëre sesi ata, midis të cilëve Satani i egoizmit për vite kishte mbjellë farën e ligësisë e të urrejtjes, u shkrinë e u përzien përmes besnikërisë së tyre ndaj këtij Revelacioni të mahnitshëm e të përkryer, sa dukej sikur kishin dalë nga i njëjti bark. E tillë është forca lidhëse e fjalës së Perëndisë, e cila bashkon zemrat e atyre që kanë hequr dorë nga gjithçka veç Tij, që kanë besuar në shenjat e Tij dhe kanë pirë nga Dora e lavdisë Kautarin e hirit të shenjtë të Perëndisë. Për më tepër, sa popuj të besimeve të ndryshme, me bindje antagoniste e me temperamente të kundërta, kanë veshur rrobën e re të Unitetit hyjnor dhe kanë pirë nga kupa e veçantisë së Tij, falë aromës gjallëruese të pranverës hyjnore, që fryn nga Ridváni i Perëndisë!
Kjo është domethënia e fjalëve të mirënjohura: "Ujku dhe qengji do të ushqehen së bashku".83 Shikoni injorancën dhe marrëzinë e atyre që, ashtu si kombet e lashta, ende presin t'i shohin këto kafshë të ushqehen së bashku në të njëjtën kullotë! E tillë është gjendja e ulët e tyre. Duket se buzët e tyre kurrë nuk e kanë prekur kupën e të kuptuarit, dhe as kanë shkelur këmbët e tyre shtegun e drejtësisë. Veç kësaj, ç'përfitim do të kishte bota po të ndodhte një gjë e tillë? Sa mirë e ka thënë Ai lidhur me ta: "Kanë zemra me të cilat nuk kuptojnë, dhe kanë sy me të cilët nuk shohin!"84
Mendo sesi vetëm me këtë varg që ka zbritur nga qielli i Vullnetit të Perëndisë, bota dhe gjithçka ndodhet në të janë thirrur për t'i dhënë llogari Atij. Kushdo që e ka njohur të vërtetën e Tij dhe është kthyer drejt Tij, veprat e tij të mira ua kanë kaluar punëve të këqia të tij, dhe të gjitha mëkatet u janë shlyer e u janë falur. Që këtej del e vërteta e këtyre fjalëve lidhur me Të: "Ai është i shpejtë në llogari" Kështu Perëndia e ktheu padrejtësinë në drejtësi, po t'i eksploronit mbretëritë e dijes hyjnore dhe të thelloheshit në misteret e urtisë së Tij. Po kështu, cilido që ka pirë nga kupa e dashurisë, ka marrë pjesën e tij të oqeanit të hirit të përjetshëm e të reshjeve të mëshirës së përhershme, dhe ka hyrë në jetën e besimit - jetën qiellore e të amshuar. Por ai që është larguar nga ajo kupë është dënuar me vdekje të përjetshme. Me termat "jetë" e "vdekje" që përdoren në shkrimet nënkuptohet jeta e besimit dhe vdekja e mosbesimit. Njerëzit në përgjithësi, duke mos e kapur domethënien e këtyre fjalëve, e kundërshtuan dhe e përbuzën personin e Manifestimit, e privuan veten nga drita e udhëheqjes së Tij hyjnore dhe refuzuan të ndiqnin shembullin e asaj Bukurie të pavdekshme.
Kur drita e Revelacionit Kuranik u ndez në kthinën e zemrës së shenjtë të Muhametit, ai u shpalli njerëzive vendimin e Ditës së Fundit, vendimin e ringjalljes, të gjykimit, të jetës e të vdekjes. Atëherë u ngritën flamurët e revoltës dhe u hapën dyert e talljes. Ja sesi e tregon Ai, Shpirti i Perëndisë, se ç'thonin të pabesët: "Dhe po t'u thuash atyre 'Pas vdekjes ju me siguri do të ngriheni përsëri', të pabesët me siguri do të thërrasin, 'Kjo s'është veçse magji e hapur'".85 Ai gjithashtu thotë: "Nëse je habitur ndonjëherë, e habitshme sigurisht është thënia e tyre, 'Çfarë! Kur të bëhemi pluhur, do të rikrijohemi përsëri?'"86 Kështu, në një pasazh tjetër, Ai thërret me mllef: "Mos vallë Ne jemi konsumuar me krijimin e parë? Megjithatë ata kanë dyshime për një krijim të ri!"87
Duke qenë se komentuesit e Kuranit dhe ata që e ndjekin atë germë për germë e kanë keqkuptuar domethënien e brendshme të fjalëve të Perëndisë dhe nuk kanë arritur të kuptojnë qëllimin thelbësor të tyre, ata u përpoqën të provojnë se, sipas rregullave të gramatikës, sa herë që termi "idhá" (që do të thotë "nëse" ose "kur") vihet para kohës së shkuar ai i referohet kurdoherë së ardhmes. Më pas, ata u gjendën në vështirësi të madhe kur u përpoqën të shpjegojnë ato vargje të Librit, në të cilat ky term në fakt nuk përdorej. Siç e ka reveluar Ai: "Dhe buçiti boria, - ja! Kjo është Dita e paralajmëruar! Dhe çdo shpirt thirret për të dhënë llogari, - e bashkë me të një që e shtyn nga prapa dhe një dëshmitar".88 Për të shpjeguar këtë varg e vargje të tjera si ky, ata në disa raste kanë thënë se termi "idhá" nënkuptohet. Në raste të tjera kanë pretenduar më kot që, duke qenë se Dita e Gjyqit është e pashmangshme, asaj i janë referuar si një ngjarjeje jo të së ardhmes, por të së shkuarës. Ç'sofizëm i kotë! Ç'verbëri për të ardhur keq! Ata refuzojnë të njohin buçimën e borisë, që ndihet aq qartë në këtë tekst përmes revelacionit të Muhametit. Ata i mohojnë vetes Frymën ripërtëritëse të Perëndisë që hukat në të, dhe marrëzisht presin të dëgjojnë buçitjen e borisë së Serafinit të Perëndisë, i cili është vetëm njëri prej shërbëtorëve të Tij! A nuk janë predestinuar nga fjala e vetë Muhametit vetë Serafini, engjëlli i Ditës së Gjyqit, e të tjerët si ai? Thuaj: Çfarë? Mos vallë doni të shkëmbeni atë që është për të mirën tuaj me atë që është e keqe? Mjerane është ajo që keni marrë si këmbim në mënyrë të gabuar! Sigurisht ju jeni njerëz të ligj në humbje të rëndë.
Jo, me "bori" nënkuptohet buçima e borisë e Revelacionit të Muhametit, që tingëlloi në zemrën e universit, dhe me "ringjallje" nënkuptohet vetë dalja e Tij për të shpallur Kauzën e Perëndisë. Ai u kërkoi atyre që ishin në rrugë të gabuar e të çoroditurve të ngriheshin e të nxitonin të dilnin nga varret e trupave të tyre, i veshi ata me rrobën e bukur të besimit dhe i gjallëroi me frymën e një jete të re e të mrekullueshme. Kështu, kur Muhameti, kjo Bukuri hyjnore, vendosi të zbulonte një prej mistereve të fshehura në termat simbolikë "ringjallje", "gjykim", "parajsë" e "ferr", Gavrili, Zëri i Frymëzimit, u dëgjua të thoshte: "Së shpejti ata do të tundin kokat nga Ti e do të thonë, 'Kur do të jetë kjo?' Thuaj: 'Mundet tani shpejt'".89 Nënkuptimet e këtij vargu të vetëm do t'u mjaftonin popujve të botës, po ta peshonin në zemrat e tyre.
Zot i Mëshirshëm! Sa janë larguar ata njerëz nga rruga e Perëndisë! Edhe pse Dita e Ringjalljes kishte nisur me Revelacionin e Muhametit, edhe pse drita dhe shenjat e Tij kishin përfshirë tokën e gjithçka ndodhet në të, megjithatë ata njerëz e tallën Atë, u dhanë pas atyre idhujve që teologët e asaj kohe kishin konceptuar me fantazinë e tyre të kotë e boshe, duke e privuar veten nga drita e hiri qiellor dhe nga reshjet e mëshirës hyjnore. Po, brumbulli i përçmuar kurrë nuk mund të thithë aromën e shenjtërisë, dhe lakuriqi i errësirës kurrë nuk mund të durojë shkëlqimin e diellit.
Gjëra të tilla kanë ndodhur në ditët e çdo Manifestimi të Perëndisë. Siç ka thënë edhe Jesui: "Ju duhet të lindeni përsëri".90 Ai ka thënë gjithashtu: "Kush nuk ka lindur prej ujit e prej Shpirtit nuk mund të hyjë në Mbretërinë e Perëndisë. Ç'lind prej mishit është mish; e ç'lind prej Shpirtit është shpirt".91 Domethënia e këtyre fjalëve është se në çdo dispensacion kushdo që ka lindur prej Shpirtit e është gjallëruar prej frymës së Manifestimit të Shenjtërisë, është me të vërtetë ndër ata që kanë arritur "jetën" e "ringjalljen" dhe kanë hyrë në "parajsën" e dashurisë së Perëndisë. Dhe kushdo që s'është nga ata, ai është i dënuar me "vdekje" e "privim", me "zjarrin" e mosbesimit e me "zemërimin" e Perëndisë. Në të gjitha shkrimet, librat dhe kronikat, dënimi me vdekje, me zjarr, me verbëri, me marrëzi e shurdhësi, është shpallur kundër atyre, buzët e të cilëve nuk kanë shijuar kupën e eterit të dijes së vërtetë dhe zemrat e të cilëve janë privuar nga hiri i Shpirtit të Shenjtë në kohën e vet. Siç është thënë më parë: "Ata kanë zemra, me të cilat nuk kuptojnë".92
Në një pasazh tjetër në Ungjill është shkruar: "Dhe ndodhi që në një ditë i ati i njërit prej dishepujve të Jesuit vdiq. Ky dishepull, duke i treguar Jesuit për vdekjen e të atit, i kërkoi leje të shkonte për ta varrosur. Dhe, Jesui, ky Thelb i Shkëputjes, u përgjigj duke thënë: "Lëri të vdekurit të varrosin të vdekurit e tyre".93
Po kështu, dy banorë të Kúfih-ut shkuan tek Aliu, Princi i Besnikëve. Njëri kishte një shtëpi dhe donte ta shiste; tjetri do të ishte blerësi. Ata kishin rënë dakord që kjo shitje të përfundohej dhe të shkruhej kontrata me dijeninë e Aliut. Ai, përfaqësuesi i ligjit të Perëndisë, duke iu drejtuar shkruesit, tha: "Shkruaj: 'Një i vdekur bleu nga një i vdekur tjetër një shtëpi. Kjo shtëpi kufizohet nga katër sinore. Njëri shtrihet drejt gropës së varrit, tjetri drejt kubesë së tij, i treti drejt Siratit, i katërti ose drejt Parajsës ose drejt ferrit'". Reflekto, sikur këta dy shpirtra të ishin zgjuar nga thirrja e borisë së Aliut, sikur ata të ishin ngritur nga varri i gabimit prej forcës së dashurisë së tij, vendimi për vdekje me siguri nuk do të ishte shpallur kundër tyre.
Në çdo epokë e shekull, qëllimi i Profetëve të Perëndisë dhe i të zgjedhurve të tyre s'ka qenë veçse të afirmojnë rëndësinë shpirtërore të fjalëve "jetë", "ringjallje" dhe "gjykim". Sikur dikush ta peshonte qoftë edhe vetëm për një hop në zemrën e tij këtë thënie të Aliut , ai me siguri do t'i zbulonte të gjitha misteret e fshehura në termat "varr", "gropë varri", "Sirát", "parajsë" e "ferr". Por ah! Sa e çuditshme e për të ardhur keq! Shiko sesi të gjithë njerëzit janë burgosur brenda varrit të unit dhe janë mbuluar në thellësitë më të mëdha të dëshirave tokësore! Sikur të arrije të pije një pikë të vetme të ujërave të kristalta të dijes hyjnore, ti do ta kuptoje menjëherë se jeta e vërtetë nuk është jeta e mishit, por jeta e shpirtit. Sepse jeta e mishit është e përbashkët për njerëzit dhe kafshët, kurse jetën e shpirtit e zotërojnë vetëm zemërkulluarit që kanë pirë nga oqeani i besimit dhe kanë provuar frytin e sigurisë. Kjo jetë nuk njeh vdekje dhe këtë ekzistencë e kurorëzon pavdekësia. Ashtu siç është thënë: "Ai që është besimtar i vërtetë jeton si në këtë botë edhe në botën pas saj". Nëse me "jetë" nënkuptohet kjo jetë tokësore, është e qartë se vdekja duhet ta mposhtë atë.
Po kështu, të gjitha shkrimet dëshmojnë për këtë të vërtetë sublime dhe për këtë fjalë kaq të lartësuar. Për më tepër, ky varg i Kuranit i reveluar lidhur me Hamzih-un, "Princin e Martirëve"94, dhe Abu Xhal-in [Abú-Jahl], është një provë e ndritur e dëshmi e sigurt e vërtetësisë së thënies Sonë: "Vallë i vdekuri, të cilin Ne e kemi ngjallur dhe i kemi dhënë një dritë, që të ecë në mes njerëzve, është si ai që endet në errësirë, prej nga nuk del dot?"95 Ky varg zbriti nga qielli i Vullnetit Parësor në kohën kur Hamzih-u ishte veshur tashmë me mantelin e shenjtë të besimit dhe Abu Xhal-i ishte bërë i papërmbajtur në armiqësinë e në mosbesimin e tij. Nga Prejardhja e gjithëfuqisë dhe Burimi i shenjtërisë së përjetshme erdhi gjykimi që i dha jetë të amshuar Hamzih-ut dhe dënoi Abu Xhal-in me mallkim të përjetshëm. Ky qe sinjali që bëri të ndizen me flakët më të nxehta zjarret e mosbesimit në zemrat e të pabesëve dhe i shtyu ata të mohojnë haptazi të vërtetën e Tij. Ata thirrën me zë të lartë: "Kur vdiq Hamzih-u? Kur u ngrit Ai? Në ç'orë i qënka dhënë jeta atij?" Duke qenë se ata nuk e kuptuan domethënien e këtyre shprehjeve fisnike, as nuk kërkuan të ndriçohen nga shpjeguesit e njohur të Besimit, të cilët mund t'i kishin spërkatur me pikëza të Kautarit të dijes hyjnore, më mes njerëzve u ndezën zjarret e përçarjes.
Ti e sheh sot sesi, me gjithë shkëlqimin rrëzëllyes të Diellit të dijes hyjnore, të gjithë njerëzit, të fuqishëm a të përvuajtur qofshin, u janë përmbajtur mënyrave të veprimit të manifestimeve të neveritshme të Princit të Errësirës. Ata vazhdimisht u drejtohen atyre për t'i ndihmuar të shpleksin vështirësitë e besimit të tyre dhe, për shkak të mungesës së dijes, japin përgjigje të tilla që nuk i sjellin asnjë dëm famës e pasurisë së tyre. Është e qartë që këta njerëz, të përbuzur e mjeranë si brumbujt, nuk e kanë shijuar flladin erëmirë të përjetësisë dhe kurrë nuk kanë hyrë në Ridvánin e kënaqësisë qiellore. Si, atëhere, mund t'u japin ata të tjerëve aromën e përjetshme të shenjtërisë? Të tilla janë veprimet e tyre dhe të tilla do të mbeten ato përgjithmonë. Vetëm ata që e kanë kthyer fytyrën drejt Tij dhe kanë hedhur poshtë manifestimet e Satanit do të arrijnë të njohin Fjalën e Perëndisë. Kështu e ka riafirmuar Perëndia ligjin e ditës së Manifestimit të Tij, dhe e ka skalitur atë me pendën e fuqisë mbi Tabelën mistike të fshehur nën perden e lavdisë qiellore. Po t'u vije veshin këtyre fjalëve, po t'a peshoje kuptimin e jashtëm e të brendshëm të tyre në zemrën tënde, ti do të kapje domethënien e të gjitha problemeve të errëta të cilat, në kohën e sotme, janë bërë barriera të pakapërcyeshme ndërmjet njerëzve dhe njohjes së Ditës së Gjyqit. Atëhere nuk do të kesh më pikëpyetje që të të krijojnë mëdyshje. Dhe duam të shpresojmë që, dashtë Perëndia, ti nuk do të kthehesh duarbosh e ende i etur nga brigjet e oqeanit të mëshirës hyjnore, as do të vish i privuar nga Altari i pavdekshëm i dëshirës së zemrës sate. Të shohim tani se çfarë do të sjellin kërkimi dhe përpjekjet e tua.
Që ta përmbledhim: Qëllimi Ynë në parashtrimin e këtyre të vërtetave ka qënë të provojmë sovranitetin e Atij Që është Mbreti i mbretërve. Gjyko drejt: A është superior ky sovranitet, që me anë të shqiptimit të një Fjale ka manifestuar një ndikim kaq depërtues, një autoritet të tillë e një madhështi kaq të fuqishme, apo është sundimi tokësor i mbretërve të tokës, të cilët, me gjithë kujdesin e tyre për nënshtetasit e vet dhe me gjithë ndihmën për të varfërit, kanë siguruar vetëm një besnikëri të jashtme e kalimtare, ndërsa në zemrat e njerëzve nuk frymëzojnë as dashuri as respekt? Ky sovranitet a nuk ka nënshtruar, gjallëruar e përtëritur përmes fuqisë së një fjale të vetme mbarë botën? Çfarë! A mund të krahasohet pluhuri i papërfillshëm me Atë Që është Zoti i Zotave?96 Cila gjuhë guxon të shprehë dallimin e paanë që ekziston midis tyre? Madje, çdo krahasim bie sapo arrihet tek altari i lavdëruar i sovranitetit të Tij. Sikur njerëzit të reflektonin, ata me siguri do ta shihnin se edhe shërbëtori i pragut të Tij sundon mbi të gjitha gjërat e krijuara! Kjo është vërtetuar tashmë dhe në të ardhmen do të dalë sheshit.
Kjo është vetëm njëra prej domethënieve të sovranitetit shpirtëror, që kemi parashtruar në përputhje me kapacitetin dhe të kuptuarit e njerëzve. Sepse Ai, Shtytësi i të gjitha qenieve, ajo Shëmbëlltyrë e lavdishme, është burimi i fuqive të tilla, që as ky i Munduar s'i revelon dot dhe as këta njerëz pa vlerë nuk mund t'i kuptojnë. Pamasë i lartësuar është Ai mbi çdo lavdërim njerëzor të sovranitetit të Tij; i mbuluar me lavdi është Ai tej asaj që i atribuojnë Atij!
Dhe tani, peshoje këtë në zemrën tënde: Sikur me sovranitet të kuptohej sovraniteti tokësor e sundimi i kësaj bote dhe kjo të nënkuptonte nënshtrim e besnikëri të jashtme të të gjithë popujve e racave të tokës - gjë për të cilën të dashurit e Tij të lavdëroheshin e të liheshin të jetojnë në paqe dhe armiqtë e Tij të poshtëroheshin e të vuanin - një formë e tillë nuk do të ishte sovraniteti i vërtetë i Vetë Perëndisë, Burimit të çdo sundimi, për madhështinë e fuqinë e të cilit dëshmojnë të gjitha gjërat. Sepse, a nuk e sheh që shumica e njerëzimit është nën diktatin e armiqve të Tij? A nuk janë larguar ata nga shtegu i pëlqimit të Tij? A nuk kanë bërë ata gjëra që Ai i ka ndaluar dhe kanë lënë pa bërë, madje kanë mohuar e kundërshtuar, ato që Ai ka porositur? A nuk kanë qenë gjithmonë miqtë e Tij viktima të tiranisë së armiqve të Tij? Të gjitha këto gjëra janë më të qarta edhe se ndriçimi i diellit të mesditës.
Dije, pra, o kërkues që pyet, se sovraniteti tokësor nuk ka vlerë, as do të ketë ndonjëherë, në sytë e Perëndisë e të të zgjedhurve të Tij. Për më tepër, në qoftë se autoriteti e dominimi interpretohen si supremaci tokësore e pushtet i përkohshëm, ti do ta kesh të pamundur t'i shpjegosh këto vargje: "Dhe me të vërtetë Ushtritë Tona do të fitojnë".97 "Ata janë të gatshëm ta shuajnë dritën e Allahut me gojën e tyre: por Allahu dëshiron ta përsosë dritën e Tij, edhe pse të pabesët e urrejnë atë".98 "Ai sundon mbi të gjitha gjërat". Me shprehje të tilla, pjesa më e madhe e Kuranit dëshmon për këtë të vërtetë.
Sikur mendimi i pabazuar i këtyre shpirtrave të marrë e të përçmuar të ishte i vërtetë, ata nuk do të kishin rrugë tjetër veçse t'i hidhnin poshtë të gjitha këto shkrime të shenjta e aluzione qiellore. Sepse nuk mund të gjendet mbi tokë luftëtar më i përsosur e më pranë Perëndisë sesa Hyseni, i biri i Aliut, kaq i pashoq e i pakrahasueshëm ishte ai. "Nuk gjendej asnjë në botë që të ishte i barabartë ose të krahasohej me të". Megjithatë, duhet të kesh dëgjuar se ç'i ndodhi atij. "Mallkimi i Allahut rëntë mbi të ligjtë!"99
Po të interpretohej fjalë për fjalë vargu "Dhe me të vërtetë Ushtritë Tona do të fitojnë", është e qartë se ai kurrsesi nuk do të mund të përdorej për të zgjedhurit e Perëndisë dhe ushtritë e Tij, meqë Hyseni, heroizmi i të cilit ishte i qartë si drita e diellit, i shtypur e i mundur, piu më në fund kupën e martirizimit në Qerbela, në tokën e Taffit. Po kështu edhe vargu i shenjtë "Ata janë të gatshëm ta shuajnë dritën e Perëndisë me gojën e tyre: por Perëndia dëshiron ta përsosë dritën e Tij, edhe pse të pabesët e urrejnë atë". Po të interpretohej fjalë për fjalë, ai nuk do t'i përgjigjej së vërtetës. Sepse në çdo epokë drita e Perëndisë, në pamje të jashtme, është shuar nga popujt e tokës, dhe Llambat e Perëndisë janë fikur prej tyre. Si mund të shpjegohet, pra, ndikimi i sovranitetit të këtyre Llambave? Çfarë do të thotë fuqia e vullnetit të Perëndisë që "ta përsosë dritën e Tij"? Siç është provuar tashmë, kaq e madhe ka qenë armiqësia e të pabesëve, saqë asnjëri prej këtyre Yjeve hyjnorë kurrë nuk gjeti strehë ose nuk shijoi kupën e qetësisë. Ata janë shtypur kaq rëndë, sa edhe njeriu më i fundit ka mundur t'u shkaktojë këtyre thelbeve të qenies çfarë ka dashur. Këto vuajtje janë parë e janë matur nga njerëzit. Si, pra, njerëz të tillë mund të jenë të aftë të kuptojnë e të shtjellojnë këto fjalë të Perëndisë, këto vargje lavdie të përjetshme?
Por qëllimi i këtyre vargjeve nuk është ai që kanë imagjinuar ata. Jo, termat "ndikim", "pushtet" dhe "autoritet" nënkuptojnë një pozitë e një kuptim krejt të ndryshëm. Për shembull, shih fuqinë depërtuese të pikave të gjakut të Hysenit që spërkatën tokën. Çfarë pushteti e ndikimi ka ushtruar vetë pluhuri mbi trupat dhe shpirtrat e njerëzve përmes shenjtërisë e fuqisë së atij gjaku! Kaq shumë, saqë ai që kërkonte shpëtim prej sëmundjeve shërohej duke prekur pluhurin e atij vendi të shenjtë, dhe cilido që donte të mbronte pasurinë e vet ruante në shtëpi me besim e bindje të patundur pak prej asaj toke të shenjtë, dhe kështu siguronte të gjitha ato që zotëronte. Këto janë shfaqjet e jashtme të fuqisë së tij. Dhe në qoftë se Ne do të flisnim për virtytet e tij të fshehura, ata me siguri do të thonin: "Ai me të vërtetë ka konsideruar pluhurin si Zot të Zotave dhe ka braktisur krejtësisht Besimin e Perëndisë".
Për më tepër, kujto rrethanat e turpshme që shoqëruan martirizimin e Hysenit. Mendo vetminë e tij, sesi në pamje të jashtme nuk u gjend askush që ta ndihmonte, asnjeri që të merrte trupin e tij për ta varrosur. E megjithatë, shiko sa të shumtë janë tani ata që nga skajet më të largëta të tokës veshin rrobën e pelegrinit dhe shkojnë në vendin e martirizimit të tij, që të mbështesin kokën mbi pragun e varrit të tij! I tillë është ndikimi dhe pushteti i Perëndisë! E tillë është lavdia e sundimit dhe e madhështisë së Tij!
Mos mendo se, meqë këto ndodhën pas martirizimit të Hysenit, gjithë kjo lavdi nuk i solli ndonjë dobi atij. Sepse ai shpirt i shenjtë është i pavdekshëm, jeton jetën e Perëndisë dhe banon brenda strehës së lavdisë qiellore mbi Sadrih-un e ribashkimit qiellor. Këto Thelbe të qenies janë Modele ndriçues të sakrificës. Ata kanë ofruar, dhe do të vazhdojnë të ofrojnë, jetët e tyre, pasurinë e tyre, shpirtrat e tyre, mendjen e tyre, gjithçka që kanë, në shtegun e të Shumëdashurit. Për ta, asnjë pozitë, sado e lartësuar, nuk do të ishte më e dëshiruar se kjo. Sepse të dashuruarit nuk kanë dëshirë tjetër veç kënaqjes së të Shumëdashurit të tyre, dhe nuk kanë qëllim tjetër veç ribashkimit me Të.
Po të dëshironim të të jepnim një pamje kalimthi të mistereve të martirizimit të Hysenit dhe të të revelonim frytet e tyre, këto faqe kurrë nuk do të mjaftonin dhe as do të mund të ezauronin kuptimin e tyre. Shpresa Jonë është që, dashtë Perëndia, të fryjë flladi i mëshirës dhe Pranvera hyjnore ta veshë pemën e qenies me rrobën e një jete të re, në mënyrë që ne të mund të zbulojmë misteret e Urtisë hyjnore dhe, falë kujdesit të Tij, të bëhemi të pavarur nga dija për të gjitha gjërat. Deri tani kemi parë vetëm një grusht shpirtrash, të privuar krejtësisht nga çdo famë, që e kanë arritur këtë pozitë. Le ta zbulojë e ardhmja atë që do të urdhërojë gjykimi i Perëndisë e që do të revelojë Tenda e dekretit të Tij. Kështu Ne të tregojmë mrekullitë e Kauzës së Perëndisë dhe derdhim në veshët tuaj notat e melodisë qiellore, që ti të mund të arrish pozitën e dijes së vërtetë dhe të shijosh frytet e saj. Dije, pra, me siguri se këto Llamba të madhështisë qiellore, edhe pse jetojnë në pluhur, por banesa e tyre e vërtetë është froni i lavdisë në mbretëritë e epërme. Edhe pse të privuar nga çdo pasuri tokësore, ata fluturojnë në zotërime pasurish të pamatura. Dhe ndërsa u nënshtrohen sprovave të rënda nga dora e armikut, ata janë ulur në të djathtë të pushtetit e të sundimit qiellor. Midis errësirës së poshtërimit, mbi ta shkëlqen drita e lavdisë së pashuar, dhe mbi pafuqinë e tyre derdhen shenjat e një sovraniteti të pamposhtur.
Kështu Jesui, i Biri i Maries, ndërsa ishte ulur një ditë dhe fliste për Shpirtin e Shenjtë, tha fjalë të tilla: "O njerëz! Ushqimi im është bari i fushave, me të cilin shuaj urinë. Shtrati im është pluhuri, llamba ime natën është drita e hënës dhe kali im janë këmbët e mia. Shikoni, cili është mbi tokë më i pasur se Unë?" Për drejtësinë e Perëndisë! Mijëra thesare sillen rrotull kësaj varfërie, dhe mijëra mbretëri të lavdisë e dëshirojnë me zjarr një përulje të tillë! Sikur të arrije një pikë të oqeanit të domethënies së brendshme të këtyre fjalëve, ti me siguri do të hiqje dorë nga bota e nga gjithçka ndodhet në të dhe, si feniksi, do ta lije veten të digjet në flakët e Zjarrit të pashuar.
Po kështu, tregojnë se një ditë njëri prej shokëve të Sadikut iu ankua atij për varfërinë e vet. Atëherë Sadiku, kjo mrekulli e pavdekshme, u përgjigj: "Në të vërtetë ti je i pasur dhe ke pirë nektarin e begatisë". I varfri u habit me fjalët që shqiptoi ajo fytyrë e ndritshme dhe tha: "Ku janë pasuritë e mia, që nuk kam as edhe një grosh?" Atëherë Sadiku vërejti: "A nuk ke ti dashurinë tonë?" Ai u përgjigj: "Po, unë e kam atë, o ti stërnip i Profetit të Perëndisë!" Dhe Sadiku e pyeti: "A do ta shkëmbeje ti këtë dashuri për një mijë dinarë?" Ai u përgjigj: "Jo, kurrë nuk do ta shkëmbeja atë edhe sikur të më jepnin botën me gjithçka ka në të!" Atëhere Sadiku vërejti: "Si mund të quhet i varfër ai që zotëron një thesar të tillë?"
Kjo varfëri e këto pasuri, ky poshtërim e kjo lavdi, ky sundim, ky pushtet e të tjera si këto, gjëra mbi të cilat janë mbërthyer sytë dhe zemrat e këtyre shpirtrave të kotë e të marrë, - të gjitha këto zhduken e bëhen hiç i plotë para atij Gjyqi! Siç ka thënë Ai: "O njerëz! Ju s'jeni veçse të varfër e keni nevojë për Allahun; por Allahu është i Pasuri, i Vetëmjaftueshmi".100 Me "pasuri", pra, nënkuptohet pavarësia prej gjithçkaje tjetër veç Perëndisë, ndërsa me "varfëri" mungesa e asaj që është e Perëndisë.
Po kështu, kujto ditën kur hebrenjtë, që kishin rrethuar Jesuin, Birin e Maries, i bënin presion që të pranonte pretendimin e Tij se ishte Mesia e Profet i Perëndisë, në mënyrë që të mund ta shpallnin atë të pabesë e ta dënonin me vdekje. Pastaj e çuan Atë, që ishte Ylli i ditës i qiellit të Revelacionit hyjnor, te Pilati dhe Kaifai, që ishte kryeprifti i asaj periudhe. Të gjithë priftërinjë kryesorë ishin mbledhur në pallat, si dhe një numër i madh njerëzish që ishin grumbulluar për të parë vuajtjet e Tij, për ta tallur dhe për ta fyer Atë. Megjithëse e pyesnin vazhdimisht, duke shpresuar se Ai do ta pranonte pretendimin e Tij, por Jesui ruajti qetësinë dhe nuk foli. Më në fund, një i mallkuar nga Perëndia u ngrit dhe, duke iu afruar Jesuit, e vuri në be duke thënë: "A nuk ke pretenduar ti se je Mesia hyjnor? A nuk ke thënë ti 'Unë jam Mbreti i Mbretërve, Fjala Ime është Fjala e Perëndisë dhe unë jam shkelësi i ditës së Sabathit?'" Atëherë Jesui ngriti kokën dhe tha: "A nuk e sheh ti Birin e njeriut të ulur në krahun e djathtë të pushtetit e të fuqisë?" Këto ishin fjalët e Tij; e megjithatë mendo sesi në dukje të jashtme Ai nuk kishte asnjë pushtet veç atij pushteti të brendshëm që i vinte nga Perëndia dhe që kishte përfshirë çdo gjë në qiell e mbi tokë. Si mund t'i tregoj të gjitha ato që i ndodhën Atij pasi foli këto fjalë? Si mund ta përshkuaj sjelljen e tyre të urryer ndaj Tij? Më në fund ata derdhën mbi Personin e Tij të bekuar vuajtje të tilla, saqë Ai mori rrugën për në Qiellin e katërt.
Gjithashtu në Ungjillin sipas Shën Lukës shkruhet se një ditë Jesui kaloi pranë një hebreu të sëmurë me paralizë që rrinte shtrirë mbi një shtrat. Kur e pa Atë, hebreu e njohu dhe iu lut për ndihmë. Jesui i tha: "Çohu nga shtrati; mëkatet të janë falur". Disa hebrenj që ndodheshin aty pranë, protestuan duke thënë: "Kush mund të falë mëkatet veç Perëndisë?" Por duke i kuptuar menjëherë mendimet e tyre, Jesui u përgjigj kështu: "Si është më lehtë: t'i thuash të sëmurit me paralizë: Çohu, merre shtratin dhe ec; apo t'i thuash: mëkatet të janë falur? Dijeni se Biri i Njeriut ka pushtet mbi tokë për të falur mëkatet".101 Ky është sovraniteti i vërtetë dhe i tillë është pushteti i të Zgjedhurve të Perëndisë! Të gjitha këto gjëra që kemi përmendur vazhdimisht dhe hollësitë që kemi cituar nga burime të ndryshme nuk kanë tjetër qëllim, veçse të të bëjnë të mundur ty të kapësh kuptimin e aluzioneve e të thënieve të të Zgjedhurve të Perëndisë, në mënyrë që disa nga këto thënie të mos i bëjnë këmbët e tua të pengohen dhe zemrën tënde të dëshpërohet.
Mund të ecim kështu me hapa të vendosur në Shtegun e sigurisë, në mënyrë që flladi që fryn prej livadheve të pëlqimit të Perëndisë të mund të përhapë mbi ne aromat e ëmbla të pranimit hyjnor dhe të na lejojë neve, të vdekshëm e jetëshkurtër siç jemi, të arrijmë në Mbretërinë e lavdisë së përjetshme. Atëherë do të kuptosh domethënien e brendshme të fjalës sovranitet e të të tjerave si kjo, që thuhen në hadithet e në shkrimet. Për më tepër, për ty është tashmë e qartë dhe e ditur se ato gjëra të cilave u përmbahen hebrenjtë dhe të krishterët, si dhe yçklat që ata nxorrën për Bukurinë e Muhametit, po këto përkrahen në këto ditë nga pasuesit e Kuranit dhe mund të shihen në akuzat e tyre kundër "Pikës së Bajanit" - u bëfshin fli për Të shpritrat e të gjithë atyre që banojnë në mbretërinë e Revelacionit hyjnor! Shih marrëzinë e tyre: ata thonë të njëjtat fjalë që kanë thënë hebrenjtë e lashtë dhe nuk u dinë këtë! Sa të drejta e të vërteta janë fjalët e Tij lidhur me ta: "Lërini ata të merren me kotësitë e tyre!"102 "Pash jetën tënde, o Muhamet! ata janë rrëmbyer nga tërbimi i fantazive të tyre të kota".103
Kur i Padukshmi, i Përjetshmi, Thelbi hyjnor, bëri që Ylli i ditës i Muhametit të ngrihej mbi horizontin e dijes, midis yçklave që teologët hebrenj nxorën kundër Tij ishte se pas Moisiut Perëndia nuk do të dërgonte asnjë Profet tjetër. Por në shkrimet flitet për një Shpirt i Cili duhet të manifestohet dhe i Cili do ta çojë përpara Besimin e Moisiut e do të përkrahë interesat e pasuesve të Tij, në mënyrë që ligji i Dispensacionit të Moisiut të përhapet në mbarë botën. Kështu u referrohet në Librin e Tij Mbreti i lavdisë së përjetëshme fjalëve të shqiptuara prej atyre që enden në luginën e largësisë e të gabimit: "Dora e Allahut', thonë hebrenjtë, 'është e lidhur me pranga'.Të lidhura me pranga qofshin duart e tyre! Dhe për atë që kanë thënë, ata janë mallkuar. Jo, të dy duart e Tij janë të hapura!"104 "Dora e Allahut është mbi duart e tyre".105
Edhe pse komentuesit e Kuranit i kanë dhënë në versione të ndryshme rrethanat që kanë shoqëruar revelimin e këtij vargu, ti, megjithatë, duhet të përpiqesh ta kuptosh domethënien e tij. Ai thotë: Sa e gabuar është ajo që kanë imagjinuar hebrenjtë! Si mundet dora e Atij Që në të vërtetë është Mbreti, Që bëri të shfaqej shëmbëlltyra e Moisiut dhe i dha Atij rrobën e Profetërisë, - si mundet dora e Një Qenieje të tillë të lidhet me pranga e zinxhirë? Si mund të mendohet Ai i pafuqishëm për të nxitur një Lajmëtar tjetër pas Moisiut? Shiko absurditetin e thënies së tyre; sa i është larguar ajo shtegut të dijes e të të kuptuarit! Shih sesi edhe sot e kësaj dite të gjithë këta njerëz merren me të tilla absurditete të trasha. Për më se njëmijë vjet ata e kanë recituar këtë varg dhe në mënyrë të pavetëdijshme kanë qortuar hebrenjtë, pa e kuptuar se ata vetë, hapur e brenda për brenda, përhapin ndjenjat dhe besimin e hebrenjve! Ti me siguri ke dëgjuar për këmbënguljen e tyre të kotë se të gjitha Revelacionet kanë marrë fund, se portat e mëshirës Hyjnore janë mbyllur, se nga agimet e Shenjtërisë së amshuar nuk do të ngrihet më tjetër Diell, se Oqeani i bujarisë së përjetshme është qetësuar përgjithmonë dhe se nga Tenda e lavdisë së lashtë nuk shfaqen më Lajmëtarë të Perëndisë. Kaq dinë të kuptojnë këta njerëz mendjengushtë e të përçmuar. Këta njerëz kanë imagjinuar se rrjedha e mirësisë gjithpërfshirëse dhe e mëshirës së madhe të Perëndisë, mbarimin e së cilës asnjë mendje s'mund ta konceptojë, është ndalur. Ata janë ngritur nga çdo anë, kanë ngjeshur brezin e tiranisë dhe kanë bërë të gjitha përpjekjet për të shuar me ujërat e hidhura të fantazisë së tyre boshe Drizën e Përflakur të Perëndisë, duke harruar se globi i pushtetit do të ruante brenda kështjellës së vet të fuqishme Llambën e Perëndisë. Por atyre me siguri u mjafton mjerimi i plotë në të cilin kanë rënë njerëzit, sepse janë privuar nga njohja e Qëllimit thelbësor të Kauzës së Perëndisë dhe nga dija për Misterin e Substancën e saj. Sepse favori më i lartë e sublim që u është dhënë njerëzve është favori i "arritjes në Praninë e Perëndisë" dhe i njohjes së Tij, i cili u është premtuar të gjithë njerëzve. Kjo është shkalla më e lartë e favorit që Bujariploti, i Lashti i Kohëve i ka dhuruar njeriut dhe plotësia e zemërgjerësisë së Tij absolute ndaj krijesave të Veta. Asnjë prej tyre nuk ka përfituar nga ky favor e kjo zemërgjerësi.dhe as është nderuar me këtë shquarsi kaq të lartë. Sa vargje të reveluara dëshmojnë qartë për këtë të vërtetë kaq të rëndësishme e për këtë Temë kaq të lartë! E megjithatë, ata e kundërshtuan atë dhe e shtrembëruan kuptimin e saj sipas dëshirës së tyre. Siç e ka reveluar Ai: "Përsa u përket atyre që nuk besojnë në shenjat e Allahut, ose atyre që nuk do ta takojnë ndonjëherë Atë, ata do të dëshpërohen për përdëllimin Tim dhe i pret një ndëshkim i rëndë".106 Ai gjithashtu ka thënë: "Ata që e mendojnë se do të arrijnë në praninë e Zotit të tyre dhe tek Ai do të kthehen".107 Edhe në një rast tjetër Ai thotë: "Ata që mbaheshin të sigurt se do ta takonin Perëndinë, thanë, 'Sa shpesh, me vullnet të Allahut, një ushtri e vogël ka mundur një ushtri të madhe!'"108 Në një rast tjetër Ai sqaron: "Ai që shpreson të arrijë në prani të Zotit të tij le të bëjë një punë të mirë".109 Dhe gjithashtu Ai thotë: "Ai qeveris çdo gjë. Ai i bën të qarta shenjat e Tij, që ju të keni siguri të patundur se do të arrini në praninë e Zotit tuaj".110
Këta njerëz i kanë mohuar të gjitha këto vargje, që dëshmojnë në mënyrë të pagabueshme për realitetin e "arritjes në Praninë Hyjnore". Asnjë temë nuk ka qenë e konfirmuar më me forcë në shkrimet e shenjta. Megjithatë, ata e kanë privuar veten nga ky rang kaq sublim e i lartë, nga kjo pozitë supreme dhe e lavdishme. Disa e kanë kundërshtuar duke thënë se me "arritje në Praninë Hyjnore" nënkuptohet "Revelacioni" i Perëndisë në Ditën e Ringjalljes. Në qoftë se ata do të pohonin se "Revelacioni" i Perëndisë do të thotë një "Revelacion Universal", është e qartë e evidente se një revelacion i tillë ekziston tashmë në të gjitha gjërat. Vërtetësinë e kësaj Ne tashmë e kemi treguar, sepse kemi provuar që të gjitha gjërat janë bartëset e revelueset e shkëlqimeve të Atij mbreti ideal dhe se shenjat e shfaqjes të atij Dielli, Burim i çdo shkëlqmi, ekzistojnë e manifestohen në pasqyrat e qenieve. Jo vetëm kaq, por nëse njeriu do të shikonte me sytë e mendjes hyjnore e shpirtërore, ai do ta pranonte menjëherë se asgjë, çfarëdo qoftë, nuk mund të ekzistojë pa revelimin e shkëlqimit të Perëndisë, të Mbretit ideal. Vështro sesi të gjitha gjërat e krijuara dëshmojnë në mënyrë elokuente për revelimin e asaj Drite qenësore brenda tyre. Shih sesi brenda të gjitha gjërave janë hapur portat e Ridvánit të Perëndisë, që kërkuesit të mund të arrijnë në qytetet e të të kuptuarit e të urtisë dhe të hyjnë në kopshtet e dijes e të fuqisë. Në çdo kopsht ata do të soditin nusen mistike të domethënies intime, të mbyllur në dhomat e fjalës, me hijeshinë më të madhe e me stolisjen më të plotë. Shumica e vargjeve të Kuranit flasin e dëshmojnë për këtë temë shpirtërore. Vargu: "Dhe nuk ka asgjë që të mos i këndojë lavde Atij"111 është dëshmi elokuente për këtë; dhe "Ne kemi shënuar të gjitha gjërat dhe i kemi shkruar ato"112 është një dëshmi besnike e kësaj. Tani, nëse me "arritjen në Prani të Perëndisë" nënkuptohet të arrish dijen e një revelacioni të tillë, është e qartë se të gjithë njerëzit tashmë kanë arritur në praninë e Fytyrës së pandryshueshme të Atij mbreti të pashoq. Përse, pra, ta kufizosh një revelacion të tillë me Ditën e Ringjallljes?
Dhe sikur ata të thonin se me "Prani hyjnore" nënkuptohet "Revelacioni i Veçantë i Perëndisë", i cilësuar nga disa Sufi si "Vërshimi Më i Shenjtë", në qoftë se kjo është në Vetë Thelbin, është e qartë se ka qenë përjetësisht pjesë e Dijes hyjnore. Duke e marrë për të vërtetë këtë hipotezë, është e qartë që në këtë këndvështrim askush nuk ka mundësi të "arrijë në Praninë hyjnore", përderisa ky revelim është i kufizuar në Thelbin më intim, në të cilin asnjeri nuk mund të arrijë. "Rruga është e mbyllur dhe çdo kërkim i ndaluar". Mendjet e të preferuarve të qiellit, sado lart që të fluturojnë, kurrë nuk mund ta arrijnë këtë pozitë, aq më pak mund ta arrijë të kuptuarit e mendjeve të errësuara e të kufizuara.
Dhe po të thonin se me "Prani hyjnore" nënkuptohet "Revelacioni Dytësor i Perëndisë", i interpretuar si "Vërshimi i Shenjtë", është e pranueshme që kjo të përdoret për botën e krijimit, domethënë për mbretërinë e manifestimeve parësore e origjinale të Perëndisë. Një revelacion i tillë është i kufizuar te Profetët e të Zgjedhurit e Tij , duke qenë se asnjë më i fuqishëm se ata nuk ka ardhur për të ekzistuar në botën e qenive. Të gjithë e njohin këtë të vërtetë dhe dëshmojnë për të. Këta Profetë e të Zgjedhur të Perëndisë janë bartësit e reveluesit e të gjitha atributeve dhe emrave të pandryshueshëm të Perëndisë. Ata janë pasqyrat që reflektojnë me vërtetësi e besnikëri dritën e Perëndisë. Çdo gjë e përdorshme për ta është në realitet e përdorshme për Vetë Perëndinë, i Cili është si i Dukshmi dhe i Padukshmi. Dijet për Atë, Që është origjina e të gjitha gjërave, dhe arritja tek Ai janë të pamundura ndryshe, veçse nëpërmjet dijes për këto Qenie të shkëlqyera, që rrjedhin nga Dielli i së Vërtetës, dhe arritjes tek ato. Pra, duke arritur në prani të këtyre Llambave të shenjta është arritur Vetë "Prania e Perëndisë". Nga dija e tyre revelohet dija e Perëndisë, dhe nga drita e fytyrës së tyre bëhet i dukshëm shkëlqimi i fytyrës së Perëndisë. Përmes atributeve të shumta të këtyre Thelbeve të Shkëputjes, Që janë të parët e të fundit, të dukshmit e të fshehurit, evidentohet se Ai, Që është Dielli i së Vërtetës, është " I Pari dhe i Fundit, i Dukshmi dhe i Fshehuri".113 Po kështu edhe me emrat e tjerë të lartë dhe atributet e lavdëruara të Perëndisë. Prandaj cilido qoftë, dhe në cilindo Dispensacion, që ka njohur dhe ka arritur praninë e këtyre Llambave të lavdishme, të ndritshme e kaq të përsosura, ka arritur me të vërtetë Vetë "Praninë e Perëndisë" dhe ka hyrë në qytetin e jetës së amshuar e të pavdekshme. Arritja në një prani të tillë është e mundur vetëm në Ditën e Ringjalljes, që është Dita kur del Vetë Perëndia përmes Revelacionit të Tij gjithëpërfshirës.
Ky është kuptimi i "Ditës së Ringjalljes", për të cilën flitet në të gjitha shkrimet dhe që u është shpallur të gjithë njerëzve. Mendo: a mund të konceptohet një ditë më e çmuar, më e fuqishme e më e lavdishme se kjo, që njeriu të heqë dorë me dëshirë nga favori i saj dhe t'i mohojë vetes dhuratat e saj, që si shirat pranverore bien nga qielli i mëshirës mbi gjithë njerëzimin? Pasi kemi provuar kështu në mënyrë përfundimtare se nuk ka më të madhe se kjo Ditë e më të lavdishëm se ky Revelacion, dhe pasi kemi sjellë të gjitha këto prova të fuqishme e të pagabueshme, të cilat asnjë mendje e arsyeshme nuk mund t'i verë në dyshim dhe asnjë njeri i ditur nuk mund t'i injorojë, si është e mundur që njeriu t'i mohojë vetes një favor të tillë bujar për hir të kundërshtimit të kotë të njerëzve plot dyshime e fantazira.? A nuk kanë dëgjuar ata për hadithin e mirënjohur: "Kur del Kaimi, ajo është Dita e Ringjalljes?" Po kështu, Imamët, këto drita të pashuara të udhërrëfimit hyjnor, kanë interpretuar vargun: "Ç'mund të presin tjetër njerëz të tillë, veç që Perëndia të zbresë tek ata i rrethuar prej resh"114 - një shenjë të cilën e konsideronin padyshim si njërin prej tipareve të Ditës së Ringjalljes - që i referohet Kaimit dhe manifestimit të Tij.
Përpiqu, pra, o vëllai im, të kapësh kuptimin e "Ringjalljes" dhe spastroi veshët nga thëniet e kota të këtyre njerëzve pa vlerë. Po të hyje në mbretërinë e shkëputjes së plotë, ti do të shihje menjëherë se nuk ka më të fuqishme se kjo Ditë dhe se nuk mund të imagjinohet ringjallje më madhështore se kjo. Një vepër e mirë e kryer në këtë Ditë barazohet me të gjitha veprat e virtytshme të kryera nga njerëzit për mijëra shekuj - madje i kërkojmë falje Perëndisë për një krahasim të tillë! Sepse, në të vërtetë, shpërblimi që meriton një vepër e tillë është shumë përtej e mbi vlerësimin e njerëzve. Derisa këta shpirtra pa mend e mjeranë nuk kuptuan dot domethënien e vërtetë të "Ringjalljes" e të "arritjes në Praninë hyjnore", ata kanë mbetur, pra, krejt të privuar prej hirit të saj. Megjithëse qëllimi i vetëm e themelor i çdo diturie, i mundimit e i punës që kjo kërkon është arritja dhe njohja e kësaj pozite, përsëri të gjithë ata janë të zhytur në ndekjen e studimeve të tyre materiale. Ata i mohojnë vetes edhe një çast të vetëm të kohës së lirë dhe injorojnë krejtësisht Atë Që është Thelbi i çdo dije dhe i vetmi Objekt i kërkimit të tyre! Me sa duket, buzët e tyre kurrë nuk e kanë prekur kupën e dijes hyjnore dhe as kanë marrë qoftë edhe një pikë të vetme nga shirat e hirit qiellor.
Mendo, si mundet ai, që në ditën e Revelacionit të Perëndisë, nuk arrin të kapë favorin e "Pranisë Hyjnore" e të njohë Manifestimin e Tij, të quhet me të drejtë i ditur edhe sikur të kishte një përjetësi të tërë në kërkim të dijenive e të kishte arritur gjithë dijen e kufizuar e materiale të njerëzve? Është sigurisht e qartë që ai kurrsesi nuk mund të quhet se zotëron dijen e vërtetë. Ndërsa edhe më i pashkolluari i gjithë njerëzve, në qoftë se nderohet me këtë shquarsi supreme, ai me të vërtetë rradhitet ndër njerëzit me dituri hyjnore, dija e të cilëve vjen nga Perëndia, sepse një njeri i tillë ka arritur kulmin e dijes dhe ka kapur majën më të lartë të diturisë.
Kjo pozitë është gjithashtu një prej shenjave të Ditës së Revelacionit; siç thuhet: "Të përvuajturit midis jush Ai do t'i lartësojë; dhe ata që janë të lartësuar do t'i poshtërojë". Po kështu, Ai ka reveluar në Kuran: "Dhe Ne dëshirojmë t'i lartësojmë ata që mbi tokë janë poshtëruar, dhe t'i bëjmë ata udhëheqës shpirtërorë midis njerëzve, dhe t'i bëjmë ata trashëgimtarët Tanë".115 Sot është vënë re se shumë prej teologëve, për shkak se kanë hedhur poshtë të vërtetën, kanë rënë përgjithmonë në humnerat më të thella të injorancës, dhe emrat e tyre janë fshirë nga lista e të lavdishmëve dhe e të diturve. Dhe sa shumë ndër të paditurit, për shkak se kanë pranuar Besimin, kanë fluturar lart dhe kanë arritur majat e larta të dijes, dhe emrat e tyre janë shkruar nga Penda e Fuqisë në Tabelën e Dijes hyjnore. Kështu, "Atë që dëshiron, Allahu e heq ose e konfirmon: sepse tek Ai është Burimi i Revelacionit".116 Prandaj është thënë: "Të kërkosh fakte kur Prova është vërtetuar s'është veçse një veprim i pahijshëm, dhe të rendësh pas dijes kur Objekti i çdo diturie është arritur, kjo është e qortueshme". Thuaj: O njerëz të tokës! Shikojeni këtë të Ri si flaka, që nxiton përmes thellësive të pakufishme të Shpirtit, duke ju njoftuar lajmin e gëzuar: "Ja: Llamba e Perëndisë po ndriçon", dhe ju fton t'i vini veshin Kauzës së Tij, e cila, edhe pse e fshehur nën perdet e shkëlqimit të lashtë, ndriçon në tokën e Irakut mbi agimin e shenjtërisë së përjetshme.
O miku im, sikur zogu i mendjes sate të eksploronte qiejt e Revelacionit të Kuranit, sikur ai të sodiste mbretërinë e dijes hyjnore të shpalosur atje, ti me siguri do të gjeje të hapura para teje dyer të panumërta dije . Ti me siguri do ta shihje se të gjitha ato gjëra që sot i kanë penguar këta njerëz të arrijnë brigjet e oqeanit të hirit të përjetshëm, janë të njëjtat gjëra që në Dispensacionin Muhamedan i pengonin njerëzit e asaj kohe të njihnin atë Dritë hyjnore e të shihnin të vërtetën e Tij. Ti do të kuptoje gjithashtu misteret e "kthimit" e të "revelacionit" dhe, padyshim, do të qëndroje në banesat më të larta të sigurisë e të besimit.
Dhe ndodhi që një ditë një numër kundërshtarësh të kësaj Bukurie të pashoqe, ata që ishin larguar prej Altarit të pashkatërrueshëm të Perëndisë, i thanë me qesëndi Muhametit këto fjalë: "Me të vërtetë Perëndia ka bërë me ne një besëlidhje që të mos i besojmë asnjë lajmëtari, derisa ai të mos na paraqesë një flijim të cilin ta djegë zjarri që vjen nga qielli".117 Domethënia e këtij vargu është se Perëndia kishte bërë me ta një besëlidhje që të mos i besonin ndonjë lajmëtari, në rast se ai nuk bënte mrekullinë e Abelit e të Kainit, domethënë të ofronte një fli dhe zjarri nga qielli ta digjte atë; ashtu siç e kishin dëgjuar të tregohej në historinë e Abelit, të regjistruar në shkrimet. Në përgjigje të kësaj, Muhameti tha: "Ka pasur Apostuj që kanë ardhur tek ju para meje me dëshmi të sigurta, dhe me atë provë që thoni ju. Përse, pra, i vratë ata? Ma thoni, në qoftë se jeni njerëz të së vërtetës".118 Dhe tani, ji i drejtë: si mundet që këta njerëz që jetonin në ditët e Muhametit të kenë ekzistuar, mijëra vjet më parë, në kohën e Adamit a të Profetëve të tjerë? Përse Muhameti, ky Thelb i vërtetësisë, t'i akuzonte njerëzit e kohës së Tij për vrasjen e Abelit ose të Profetëve të tjerë? Ty nuk të mbetet alternativë tjetër veçse ta konsiderosh Muhametin si mashtrues ose budalla - mos e dhëntë Zoti!- ose të thuash se këta njerëz të ligj ishin vetë ata që në çdo epokë u janë kundërvënë e u kanë rënë në qafë Profetëve e Lajmëtarëve të Perëndisë, derisa më në fund i çuan të gjithë ata në martirizim.
Peshoje këtë në zemrën tënde, që erërat e ëmbla të dijes hyjnore, duke fryrë nga livadhet e mëshirës, të sjellin tek ti aromën e fjalëve të të Shumëdashurit dhe ta bëjnë shpirtin tënd të arrijë Ridvánin e të kuptuarit. Duke qenë se të paqëndrueshmit e çdo epoke nuk arritën të kapin domethënien më të thellë të këtyre fjalëve plot brendi e pjellore, kanë menduar se përgjigja e Profetëve të Perëndisë nuk ka të bëjë me pyetjet që ata u kanë bërë atyre, prandaj i kanë quajtur injorantë e të marrë këto Thelbe të dijes e të të kuptuarit.
Po kështu, Muhameti, në një varg tjetër, shpreh protestën e Tij kundër njerëzve të asaj kohe. Ai thotë: "Megjithëse më parë ata janë lutur për fitore mbi ata që nuk besonin, por kur erdhi tek ata Ai për të Cilin ata kishin dijeni, nuk e besuan Atë. Mallkimi i Perëndisë rëntë mbi të pabesët!"119 Pa mendo sesi ky varg nënkupton gjithashtu se njerëzit që jetonin në ditët e Muhametit ishin po ata që në ditët e Profetëve të lashtë përpiqeshin e luftonin për të çuar përpara Besimin e për të shpjeguar Kauzën e Perëndisë. Por si mundet që gjeneratat që jetonin në kohën e Jesuit e të Moisut, dhe ata që jetonin në ditët e Muhametit, të konsideroheshin vërtet si të njëjtët njerëz? Për më tepër, ata që kishin njohur dikur ishin Moisiu, Reveluesi i Pentateukut, dhe Jesui, Autori i Ungjillit. Përse, pra, Muhameti thotë: "Kur erdhi tek ata Ai për të Cilin ata kishin dijeni" - domethënë Jesui ose Moisiu - "nuk e besuan Atë?" A nuk thirrej Muhameti në pamje të jashtme me një emër të ndryshëm prej tyre? A nuk ishte Ai prej një qyteti tjetër? A nuk fliste Ai një gjuhë tjetër dhe revelonte një Ligj tjetër? Si mund të provohet,pra, e vërteta e këtij vargu, dhe të bëhet i qartë kuptimi i tij?
Përpiqu, pra, të kapësh kuptimin e "kthimit", i cili është reveluar aq qartë në vetë Kuranin dhe të cilin ende askush nuk e ka kuptuar. Ç'thua ti? Në qoftë se thua që Muhameti ishte "kthimi" i Profetëve të lashtë, siç dëshmon ky varg, edhe Shokët e Tij duhet të jenë "kthimi" i Shokëve të asaj kohe, po ashtu si "kthimi" i njerëzve të mëparshëm, që provohet qartë nga teksti i vargjeve të lartpërmendura. Dhe në qoftë se e mohon këtë, ti me siguri ke mohuar të vërtetën e Kuranit, dëshminë më të sigurt të Perëndisë për njerëzit. Po kështu, përpiqu të kuptosh domethënien e "kthimit", të "revelacionit" e të "ringjalljes", siç shihen në ditët e Manifestimeve të Thelbit hyjnor, që të shohësh me sytë e tu "kthimin" e shpirtrave të shenjtë në trupa të shenjtëruar e të ndriçuar dhe të spastrohesh nga pluhuri i injorancës e të dëlirësh me ujërat e mëshirës që rrjedhin nga Gurra e Dijes hyjnore Unin tënd të errësuar; që të mundësh ndoshta, nëpërmjet pushtetit të Perëndisë dhe dritës së udhërrëfimit hyjnor, të dallosh Agimin e shkëlqimit të përjetshëm prej natës së errët të gabimit.
Veç kësaj, për ty është e qartë se Bartësit e besimit të Perëndisë janë manifestuar te popujt e tokës si Përfaqësues të një Kauze të re dhe si Bartës të një Mesazhi të ri. Derisa këta Zogj të Fronit Qiellor janë dërguan të gjithë në tokë nga qielli i Vullnetit të Perëndisë, dhe derisa të gjithë janë ngritur për të shpallur Besimin e Tij të pandalshëm, ata, për rrjedhojë, konsiderohen si një shpirt i vetëm dhe si i njëjti person. Sepse ata të gjithë pinë nga e njëjta Kupë e dashurisë së Perëndisë dhe të gjithë shijojnë frytet e së njëjtës Pemë të Njëshmërisë. Këto Manifestime të Perëndisë kanë secili një pozitë të dyfishtë. Njëra është pozita e abstraksionit të kulluar dhe e unitetit thelbësor. Nga kjo pikëpamje, nëse ti i thërret të gjithë ata me të njëjtin emër, dhe u jep atyre të njëjtat atribute, ti nuk je larguar nga e vërteta. Siç e ka reveluar Ai: "Ne nuk bëjmë dallim midis të Dërguarve të Tij".120 Sepse ata, secili e të gjithë bashkë, i ftojnë njerëzit e tokës të njohin unitetin e Perëndisë dhe u njoftojnë atyre Kautarin e një mirësie e bujarie të pafund. Ata janë të gjithë të veshur me rrobën e profetërisë dhe të nderuar me mantelin e lavdisë. Kështu Muhameti, Pika e Kuranit, ka reveluar: "Unë jam të gjithë Profetët". Po ashtu, ai thotë: "Unë jam Adami i parë, Noji, Moisiu dhe Jesui". Deklarata të ngjashme ka bërë Imam Aliu.121 Thënie të tilla, të cilat tregojnë unitetin thelbësor të këtyre Eksponentëve të Njëshmërisë, kanë dalë gjithashtu nga Rrjedhat e fjalës së pavdekshme të Perëndisë dhe nga Thesaret e margaritarëve të dijes Hyjnore, që përmbahen në shkrimet. Këto Shëmbëlltyra janë bartësit e Urdhërit Hyjnor dhe Agimet e Revelacionit të Tij. Ky Revelacion lartësohet mbi perdet e pluralitetit e mbi kërkesat e numrit. Kështu, Ai thotë: "Kauza Jonë është Një e Vetme".122 Duke qenë se Kauza është një dhe e njëjta, Eksponentët e saj, gjithashtu, duhet të jenë një e i njëjti. Po kështu, Imamët e Besimit Muhamedan, këto llamba të sigurisë, kanë thënë: "Muhameti është i pari ynë, Muhameti është i fundmi ynë, Muhameti është gjithçkaja jonë".
Për ty është e qartë dhe evidente se të gjithë Profetët janë Tempujt e Kauzës së Perëndisë, të Cilët janë paraqitur të veshur me rroba të ndryshme. Në qoftë se do t'i vëzhgosh me sy dallues, do të shohësh se ata të gjithë rrinë në të njëjtën tendë, fluturojnë në të njëjtin qiell, qëndrojnë në të njëjtin fron, thonë të njëjtat fjalë dhe shpallin të njëjtin Besim. I tillë është uniteti i këtyre Thelbeve të Qenies, i këtyre Yjeve me shkëlqim të pafund e të pamatur! Prandaj, sikur ndonjëri prej këtyre Manifestimeve të Shenjtërisë të deklaronte: "Unë jam kthimi i të gjithë Profetëve", Ai në fakt do të thoshte të vërtetën. Po kështu, në çdo Revelacion të mëvonshëm kthimi i Revelacionit të mëparëshëm është një fakt, vërtetësia e të cilit është e patundur. Duke qenë se kthimi i Profetëve të Perëndisë, siç dëshmohet nga vargje e hadithe, është vërtetuar përfundimisht, kthimi i të zgjedhurve të tyre është, pra, gjithashtu i provuar. Ky kthim është tepër i dukshëm në vevvete, prandaj nuk ka nevojë për ndonjë vërtetim apo provë. Për shembull, ki parasysh se midis Profetëve ishte Noji. Kur Ai u vesh me rrobën e Profetërisë dhe u shty nga Fryma e Perëndisë që të ngrihej e të shpallte Kauzën e Tij, kujtdo që besoi tek Ai dhe njohu Besimin e Tij iu dhurua hiri i një jete të re. Për atë mund të thuhej me të vërtetë se kishte rilindur e ishte ringjallur, derisa para se të besonte në Perëndinë e të pranonte Manifestimin e Tij, u ishte përkushtuar gjërave të kësaj bote, si të dhënit pas të mirave tokësore, pas gruas, fëmijëve, ushqimit, pijes e kështu me radhë, aq sa ditë e natë i vetmi shqetësim i tij ishte të grumbullonte pasuri e të siguronte për vete mjete për t'u dëfryer e kënaqur. Veç këtyre gjërave, para se të kishte shijuar ujërat gjallëruese të besimit, ai kishte qënë aq i lidhur me traditat e parardhësve të tij e i përkushtuar me aq pasion pas zbatimit të zakoneve e ligjeve të tyre, sa do të preferonte më mirë të vdiste sesa të ndryshonte qoftë edhe një germë të atyre formaliteteve supersticioze e zakoneve që zbatoheshin midis njerëzve të tij. Siç thonin njerëzit: "Me të vërtetë, ne i kemi gjetur etërit tanë me një fe, dhe me të vërtetë ne ecim në gjurmët e tyre".123
Po këta njerëz, edhe pse të mbështjellë me gjithë këto perde kufizimesh e pavarësisht nga angështia e zakoneve të tilla, sapo pinë nektarin e pavdekshëm të besimit nga kupa e sigurisë, prej dorës së Manifestimit të Lavdiplotit, u transformuan kaq shumë, sa të hiqnin dorë për hir të Tij nga farefisi, pasuria, jeta e tyre, bindjet e tyre, po, nga gjithçka veç Perëndisë! Kaq imponues ishte përgjërimi i tyre për Perëndinë, kaq frymëzues ishte rrëmbimi i tyre nga ekstaza e gëzimit, saqë bota me gjithçka ndodhet në të bëhej një hiç në sytë e tyre. A nuk i kanë provuar këta njerëz me shembuj misteret e "rilindjes" e të "kthimit"? A nuk është vërtetuar se po këta njerëz, para se t'u dhurohej favori i ri e i mrekukllueshëm i Perëndisë, kërkonin të siguronin me çdo mjet mbrojtjen e jetës së tyre nga shkatërrimi? A nuk u shkaktonte atyre tmerr një gjëmb dhe a nuk i bënte t'ia mbathnin me të katra pamja e një dhelpre ? Por, sapo u nderuan me shquarsinë supreme të Perëndisë dhe iu dhurua favori bujar i Tij, ata do të jepnin lirisht, po të mundnin, dhjetë mijë jetë në rrugën e Tij! Madje, shpirtrat e tyre të bekuar, duke mos e duruar kafazin e trupave të tyre, do të dëshironin me zjarr të çliroheshin. Një luftëtar i vetëm i asaj ushtrie do të përballonte e do të luftonte një mizëri! E pra, si do të mund të ishin në gjendje ata të kryenin vepra të tilla, kaq të kundërta me zakonet e njerëzve e kaq të papajtueshme me dëshirat tokësore të tyre, po të mos ishte për transformimin që u bë në jetën e tyre?
Është e qartë se asgjë, veç këtij transformimi mistik, nuk do të mund të bënte që një frymë e një sjellje e tillë, kaq të ndryshme nga zakonet e sjelljet e mëparshme, të shfaqeshin në botën e qenieve. Sepse shqetësimi i tyre u kthye në paqe, dyshimi në siguri, ndrojtja në kurajë. E tillë është fuqia e Eliksirit Hyjnor, i cili, sa të hapësh e të mbyllësh sytë, transformon shpirtrat e njerëzve!
Merr, për shembull, substancën e bakrit. Sikur në minierë të mos lihej të ngurtësohej, brenda shtatëdhjetë vjetësh ai do të bëhej ar. Madje ka disa që thonë se vetë bakri është ar, që duke u ngurtësuar është në një gjendje të sëmurë dhe, pra, nuk ka arritur gjendjen e vet të vërtetë.
Sidoqoftë, eliksiri i vërtetë në një çast do ta bënte substancën e bakrit të arrinte gjendjen e arit dhe do t'i kapërcente fazat shtatëdhjetëvjeçare në një moment të vetëm. A mund të quhej ky ar bakër? A mund të pretendohej se ai nuk e ka arritur gjendjen e arit, kur gurin e provës e ke aty për ta provuar e dalluar nga bakri?
Po kështu, falë fuqisë së Eliksirit Hyjnor, këta shpirtra, sa të hapësh e të mbyllësh sytë, e kapërcejnë botën e pluhurit dhe hyjnë në mbretërinë e shenjtërisë; dhe me një hap e kalojnë tokën e kufizimeve dhe arrijnë zotërimet e së Pakufishmes. Është detyra jote të bësh të gjitha përpjekjet për ta fituar këtë Eliksir, i cili brenda një çasti bën që perëndimi i injorancës të arrijë lindjen e dijes, ndriçon errësirën e natës me shkëlqimin e agimit, udhëheq atë që endet në shkretëtirën e dyshimit drejt burimit të Pranisë hyjnore e Krojit të sigurisë, dhe u dhuron shpirtave të vdekshëm nderin që të pranohen në Ridvánin e pavdekësisë. Pra, sikur ky ar të konsiderohej bakër, edhe këta njerëz po ashtu duhej të konsiderohej se janë po ata që ishin para se të merrnin dhuntinë e besimit.
O vëlla, shih sesi misteret e brendshme të "rilindjes", të "kthimit" e të "ringjalljes", përmes këtyre thënieve të plotmjaftueshme, të pakundërshtueshme e përfundimtare, janë zbuluar e shpalosur para syve të tu. Dhëntë Perëndia që, nëpërmjet ndihmës së Tij mirëdashëse e të padukshme, ti të mund ta zhveshësh trupin dhe shpirtin prej rrobës së vjetër dhe të veshësh rrobën e re e të pavdirë.
Prandaj në çdo Dispensacion pasardhës ata që i kanë paraprirë pjesës tjetër të njerëzimit në përqafimin e Besimit të Perëndisë, që kanë pirë ujërat e kulluara të dijes nga dora e Bukurisë hyjnore dhe që kanë arritur majat më të larta të besimit e të sigurisë, mund të konsiderohen nga emri, nga realiteti, nga veprat, nga fjalët e nga pozita, si "kthimi" i atyre që në Dispensacionin e mëparshëm kishin arriturn shquarsi të ngjashme. Sepse çdo gjë që kanë shfaqur pasuesit e Dispensacionit të mëparshëm është përsëritur edhe nga njerëzit e brezit të mëvonshëm. Shih trëndafilin: lulëzon ai në Lindje apo në Perëndim, është gjithnjë trëndafil. Sepse ajo që ka rëndësi nga kjo pikëpamje, nuk është pamja e jashtme apo forma e trëndafilit, por era dhe aroma që lëshon ai.
Dëlire, pra, shikimin nga të gjitha kufizimet tokësore, që t'i shohësh të gjithë ata si bartës të një Emri të vetëm, si përfaqësues të një Kauze të vetme, si manifestime të një Qenieje të vetme e si revelues të një të Vërtete të vetme, dhe ta kuptosh "kthimin" mistik të Fjalëve të Perëndisë siç shpjegohet në këto thënie. Reflekto për një çast rreth sjelljes së pasuesve të Dispensacionit Muhamedan. Shih sesi, falë frymës gjallëruese të Muhametit, ata u spastruan nga papastërtitë e kotësive tokësore, u çliruan prej dëshirave egoiste dhe u shkëputën nga gjithçka tjetër, veç Atij. Shih sesi ata u paraprinë të gjithë popujve të tokës në arritjen në Praninë e Tij të shenjtë - Praninë e Vetë Perëndisë, - si ata hoqën dorë nga bota e gjithçka ka në të, flijuan me dëshirë e gëzim jetën e vet në këmbët e atij Manifestimi të Lavdiplotit. Dhe tani, vëre "kthimin" e po asaj vendosmërie, të po asaj besnikërie e heqjeje dorë, që janë manifestuar prej shokëve të Pikës së Bajanit.124 Ti e ke parë sesi këta shokë, përmes mrekullive të hirit të Zotit të Zotave, kanë ngritur flamurët e dorëheqjes sublime mbi majat e paarritshme të lavdisë. Këto Drita kanë ardhur nga një Burim i vetëm, dhe këto fryte janë frytet e një Peme të vetme. Midis tyre nuk gjen dot ndonjë ndryshim as dallim. E gjithë kjo vjen nga hiri i Perëndisë! Ai ia dhuron atij që dëshiron hirin e Tij. Dashtë Zoti që ta shmangim tokën e mohimit dhe të hyjmë në oqeanin e pranimit, që të shohim, me sy të dëlirur nga çdo element kontradiktor, botët e unitetit e të diversitetit, të larmisë e të njëshmërisë, të kufizimit e të shkëputjes, dhe të nisim fluturimin për në altarin më të lartë e më intim të kuptimit të thellë të Fjalës së Perëndisë.
Nga këto deklarata bëhet, pra, e qartë e evidente që nëse, në "Fundin që s'ka fund", një Shpirt do të manifestohet dhe do të ngrihet për të shpallur e mbështetur Kauzën që, në "Fillimin që s'ka fillim", një tjetër Shpirt pat shpallur e mbështetur, mund të thuhet me të vërtetë për Atë Që është i Fundit dhe për Atë Që ishte i Pari se ata janë i njëjti, duke qenë se që të dy janë Eksponentë të një Kauze të vetme e të njëjtë. Për këtë arsye, Pika e Bajanit - u flijoftë jeta e të gjithë të tjerëve, veç të Tijës, për Të - i ka krahasuar Manifestimet e Perëndisë me diellin, i cili, megjithëse lind që prej "Fillimit që s'ka fillim" deri në "Fundin që s'njeh fund", është megjithatë po i njëjti diell. Tani, sikur ti të thoje se ky diell është dielli i mëparshëm, ti do të flisje të vërtetën, dhe sikur të thoje se ky diell është "kthimi" i atij dielli, gjithashtu do të flisje të vërtetën. Po kështu, nga kjo deklaratë bëhet e qartë se termi "i fundit" mund të përdoret për të "parin", ndërsa termi "i pari" mund të përdoret për "të fundit;" përderisa si "i pari" dhe "i fundit" janë ngritur për të shpallur një Besim të vetëm e të njëjtë.
Megjithëse kjo çështje është e qartë në sytë e atyre që kanë pirë verën e dijes e të sigurisë, por sa të shumtë janë ata që, duke mos qenë të aftë të kapin domethënien e saj, kanë lejuar që termi "Vulë e Profetëve" të errësojë mendjen e tyre dhe t'i privojë ata nga favori i dhuntive të shumëfishta të Tij! A nuk ka deklaruar Vetë Muhameti: "Unë jam të gjithë Profetët?" A nuk ka thënë Ai, siç e kemi përmendur më lart: "Unë jam Adami, Noji, Moisiu dhe Jesui?" Përse Muhameti, ajo Bukuri e pavdekshme, i Cili ka thënë: "Unë jam Adami i parë" të mos mund të thoshte gjithashtu: "Unë jam Adami i fundit?" Përderisa e ka konsideruar Veten se ishte "i Pari i Profetëve" - domethënë Adami, - po kështu "Vula e Profetëve" është edhe ajo e përshtatshme për atë Bukuri Hyjnore. Është padyshim e qartë se, duke qenë "i Pari i Profetëve", Ai është gjithashtu "Vula" e tyre.
Misteri i kësaj çështjeje ka qenë, në këtë Dispensacion, një provë e vështirë për gjithë njerëzimin. Shih sa të shumtë janë ata që, duke u kapur pas këtyre fjalëve, nuk kanë besuar tek Ai Që është Reveluesi i tyre i vërtetë. Çfarë kuptimi, pyesim Ne, mund të supozonin këta njerëz se kanë termat "i pari" dhe "i fundit", kur i referohen Perëndisë - lëvduar qoftë emri i Tij? Në qoftë se ata thonë që këta terma i referohen këtij universi material, si është e mundur kjo, kur rendi i dukshëm i gjërave ekziston ende haptazi? Jo, në këtë rast "i pari" nuk do të thotë gjë tjetër veçse "i fundit", ndërsa "i fundit"asgjë tjetër veçse "i pari".
Ashtu si në "Fillimin që s'ka fillim", termi "i fundit" është me të vërtetë i përdorshëm për Atë që është Edukatori i së dukshmes dhe i së padukshmes, po kështu termat "i pari" dhe "i fundit" janë të përdorshëm për Manifestimet e Tij. Ata janë në të njëjtën kohë Eksponentë si të "të parit" dhe të "të fundit". Ndërsa rrinë në ndenjësen e "të parit", ata zënë fronin e "të fundit". Një sy i mprehtë do ta shihte menjëherë se Eksponentët e "të parit" dhe "të fundit", të "së dukshmes" dhe të "së fshehurës", të "fillimit" dhe të "vulës", nuk janë tjetër veçse këto Qenie të shenjta, këto Thelbe të Shkëputjes, këta Shpirtra hyjnorë. Dhe sikur ti të fluturoje në mbretërinë e shenjtë të "Ishte vetëm Perëndia, nuk kishte asgjë tjetër veç Tij", në atë Oborr të gjithë këta emra do t'i gjeje krejt mosekzistues e tërësisht të harruar. Atëhere sytë e tu nuk do të errësoheshin më nga këto perde, nga këta terma e këto aluzione. Sa qiellore dhe e lartë është kjo pozitë, të cilën edhe Gavrili kurrë nuk mund ta gjejë pa barí dhe zogu i Qiellit kurrë nuk mund ta arrijë pa ndihmë!
Dhe, tani, përpiqu të kapësh kuptimin e kësaj thënieje të Aliut, Komandantit të Besnikëve: "Të çash perdet e lavdisë pa ndihmë". Ndër këto "perde të lavdisë" janë teologët dhe doktorët që jetonin në ditët e Manifestimit të Perëndisë, të cilët, për arsye se u mungonte mprehtësia dhe për shkak të dëshirës e të zellit të tyre për të komanduar, nuk iu nënshtruan Kauzës së Perëndisë, madje refuzuan të dëgjonin Melodinë hyjnore. "Ata kishin vënë gishtat në veshët".125 Dhe njerëzit, po kështu, duke injoruar tërësisht Perëndinë e duke i konsideruar ata si mësuesit e tyre, e vunë vetevten verbërisht nën autoritetin e këtyre udhëheqësve pompozë e hipokritë, sepse nuk kishin as shikim, as dëgjim, as zemër të tyren për të dalluar të vërtetën nga e rrema.
Me gjithë paralajmërimet me frymëzim hyjnor të të gjithë Profetëve, Shenjtorëve e të Zgjedhurve të Perëndisë, që i urdhëronin njerëzit të shikonin me sytë e vet dhe të dëgjonin me veshët e vet, ata kanë hedhur poshtë me mospërfillje këshillat e tyre dhe verbërisht kanë ndjekur, e do të vazhdojnë të ndjekin, krerët e Besimit të tyre. Sikur një njeri i varfër e i pashkollë, i privuar nga stolitë e dijes të të diturve, t'u drejtohej atyre e t'u thoshte: "O njerëz! Shkoni pas Lajmëtarëve të Perëndisë",126 ata, të habitur shumë nga një deklaratë e tillë, do të përgjigjeshin: "Si! Do të thuash se të gjithë këta teologë, të gjithë këta eksponentë të ditur, me gjithë autoritetin, salltanetin e shkëlqimin e tyre, kanë gabuar dhe nuk kanë arritur të dallojnë të vërtetën nga e rrema? Mos pretendon ti e njerëz si ti, të kuptosh atë që ata nuk e kanë kuptuar?" Në qoftë se numri dhe madhështia e veshjeve do të shiheshin si kriteri i diturisë e i së vërtetës, njerëzit e një epoke të shkuar, të cilëve ata të sotmit kurrë nuk ua kanë kalur për nga numri, madhështia e fuqia, do të konsideroheshin me siguri si njerëz superiorë e më me vlerë sesa ata të tanishmit.
Është e qartë e evidente që, sa herë janë reveluar Manifestimet e Shenjtërisë, teologët e asaj kohe i kanë penguar njerëzit të arrinin rrugën e së vërtetës. Për këtë dëshmojnë tekstet e të gjitha shkrimeve dhe librave të shenjtë. Nuk ka asnjë Profet të Perëndisë që të jetë shfaqur pa rënë viktimë e urrejtjes së pamëshirshme, e akuzave, e mohimit dhe e mallkimit të klerikëve të kohës së Vet! Mallkuar qofshin për paudhësitë që kanë kryer duart e tyre më parë! Mallkuar qofshin për atë që po bëjnë tani! Nuk ka perde lavdie më të rënda sesa këto mishërime të gabimit! Për drejtësinë e Perëndisë! T'i depërtosh perde të tilla është më e fuqishmja e të gjitha veprave, dhe t'i shqyesh ato më e merituara! Zoti na ndihmoftë ne dhe ju ndihmoftë ju, o kohortë e Shpirtit! që në kohën e Manifestimit të Tij të ndihmoheni mirësisht për të kryer vepra të tilla dhe të arrini, në ditët e Tij, në Prani të Perëndisë.
Për më tepër, midis "perdeve të lavdisë" ka terma të tillë si "Vula e Profetëve" e të tjerë si ky, eliminimi i të cilëve është në sytë e këtyre shpirtrave të ulët e mëkatarë një arritje supreme. Për shkak të këtyre thënive misterioze, të këtyre "perdeve të dendura të lavdisë", të gjithë janë penguar të shohin dritën e së vërtetës. A nuk e kanë dëgjuar ata melodinë e atij zogu Qiellor,127 që fliste për këtë mister: "Me njëmijë Fatime jam martuar, të gjitha bija të Muhametit, Birit të Abdullait, 'Vulës së Profetëve'"? Shih, sa shumë mistere mbeten ende të pazgjidhura në tendën e dijes së Perëndisë dhe sa shumë margaritarë të urtisë së Tij mbeten ende të fshehura në thesaret e Tij të paprekshme! Po ta peshoje këtë në zemrën tënde, do ta kuptoje se vepra e Tij nuk njeh as fillim as fund. Fusha e ligjit të tij është tepër e gjerë që të mund ta përshkruajë gjuha e të vdekshmëve, ose që ta përshkojë zogu i mendjes njerëzore; dhe shpërndarja e bekimeve të Tij është tepër misterioze që mendja e njeriut të mund ta kuptojë. Krijimi i Tij kurrë nuk ka pasur fund dhe ka ekzistuar gjithmonë që nga "Fillimi që s'ka fillim"; dhe Manifestimet e Bukurisë së Tij nuk kanë parë fillim e do të vazhdojnë deri në "Fundin që s'njeh fund". Peshoji këto fjalë në zemrën tënde dhe reflekto sesi u përshtaten të gjithë atyre Shpirtrave të shenjtë.
Po kështu, përpiqu të kapësh kuptimin e melodisë së asaj bukurie të përjetshme, Hysenit, të birit të Aliut, i cili, duke iu drejtuar Selmanit, foli fjalë si këto: "Isha me një mijë Adamë, intervali ndërmjet njërit Adam e tjetrit ishte pesëdhjetë mijë vjet, dhe secilit prej tyre i njoftova të drejtën e vazhdimësisë dhënë atit tim". Pastaj tregon disa hollësira, derisa thotë: "Kam luftuar një mijë beteja në shtegun e Perëndisë, më e vogla e më e parëndësishmja e të cilave ishte si beteja e Kajbarit [Khaybár], në të cilën im atë luftoi e u ndesh me të pabesët". Përpiqu tani të kuptosh prej këtyre dy haditheve "fundin", "kthimin" dhe "krijimin pa fillim ose fund".
O i shumëdashuri im! Pamasë e lartësuar është melodia qiellore tej përpjekjeve të veshit njerëzor për ta dëgjuar ose të mendjes së tij për të kuptuar misterin e saj! Si mundet milingona e mjerë të hyjë në oborrin e Lavdiplotit? Kështu, shpirtrat e dobët, duke mos i kuptuar, i hedhin poshtë këto thënie të koklavitura dhe vënë në pikëpyetje të vërtetat e këtyre haditheve. Jo, askush nuk mund t'i kuptojë ato, veç atyre që kanë zemër që kupton. Thuaj: Ai është Fundi për të Cilin asnjë fund në gjithë universin nuk mund të imagjinohet dhe asnjë fillim në botën e krijimit nuk mund të konceptohet. Shih, o turmë e tokës, shkëlqimet e Fundit, të reveluara në Manifestimet e Fillimit!
Çudi! Këta njerëz me njërën dorë mbahen pas këtyre vargjeve të Kuranit dhe pas atyre haditheve të njerëzve të sigurisë, që i kanë gjetur në përputhje me prirjet e interesat e tyre, ndërsa me dorën tjetër flakin ato që janë në kundërshtim me dëshirave e tyre egoiste. "A besoni ju në një pjesë të Librit dhe mohoni pjesën tjetër?"128 Si mund të gjykoni ju për atë që nuk e kuptoni? Kështu edhe Zoti i qenieve, në Librin e Tij të pagabueshëm, pasi flet për "Vulën" në thënien e Tij të lartë: "Muhameti është i Dërguar i Allahut dhe Vula e Profetëve",129 u ka reveluar të gjithëve premtimin e "arritjes në Praninë hyjnore". Për këtë arritje në praninë e Mbretit të pavdekshëm dëshmojnë vargjet e Librit, disa prej të cilave i kemi përmendur. Perëndia i vërtetë, Që është një i vetëm, më është dëshmitar! Asgjë më e lartë ose më e shkoqitur se "arritja në Praninë hyjnore" nuk është reveluar në Kuran. Lum ai që e ka arritur atë, në një kohë që shumica e njerëzve, siç e shihni, janë larguar prej saj.
E megjithatë, për shkak të misterit të vargut të mëparshëm, ata janë larguar prej hirit të premtuar nga ky i fundit, megjithëse "arritja në Praninë hyjnore" në "Ditën e Ringjalljes" pohohet qartë në Libër. Është vërtetuar e përcaktuar përfundimisht, me prova të qarta, se me "Ringjallje" nënkuptohet ardhja e Manifestimit të Perëndisë për të shpallur Kauzën e Tij dhe me "arritje në Praninë hyjnore" nënkuptohet arritja në praninë e Bukurisë së Tij në personin e Manifestimit të Tij. Sepse, me të vërtetë, "Asnjë shikim nuk e kap Atë, por Ai kap të gjitha shikimet".130 Me gjithë këto fakte të padyshimta e këto pohime të qarta, ata janë kapur në mënyrë të marrë pas termit "vulë", duke mbetur krejt të privuar nga njohja e Atij Që është Reveluesi si i Vulës dhe i Fillimit, në ditën e pranisë së Tij. "Sikur Allahu t'i ndëshkonte njerëzit për bëmat e tyre të mbrapshta, ai nuk do të linte mbi tokë asgjë të gjallë! Por Ai i lë ata deri në një afat të caktuar".131 Veç të gjitha këtyre, sikur këta njerëz të kishin pirë një pikë në rrymat e kristalta që rrjedhin nga fjalët: "Perëndia bën gjithçka dëshiron dhe urdhëron çdo gjë që i pëlqen", ata nuk do të kishin nxjerrë kundër Qendrës së Revelacionit të Tij yçkla të padenja si këto. Kauza e Perëndisë, të gjitha veprat dhe fjalët, mbahen në grushtin e fuqisë së Tij. "Të gjitha gjërat janë të burgosura në pëllëmbën e Dorës së Tij të fuqishme; të gjitha gjërat janë të lehta e të mundura për Të". Ai kryen çdo gjë që do dhe bën çdo gjë që dëshiron. "Cilido që thotë 'pse, për ç'arsye' ka thënë një blasfemi!" Sikur këta njerëz të shkundeshin nga gjumi i shkujdesjes dhe të kuptonin ç'kanë bërë duart e tyre, ata me siguri do të vdisnin dhe do të hidheshin me dashje në zjarr, që është fundi e banesa e tyre e vërtetë. A nuk e kanë dëgjuar atë që ka reveluar Ai: "Atij nuk i kërkohet llogari se ç'bën?"132 Në dritën e këtyre thënieve, si mund të guxosh t'i kërkosh llogari Atij dhe të merresh me fjalë të kota?
Zot Mëshirëplotë! Kaq e madhe është marrëzia e mbrapshtia e njerëzve, saqë janë zhytur në mendimet e dëshirat e veta, duke i kthyer shpinën dijes e vullnetit të Perëndisë - shenjtëruar e lëvduar qoftë emri i Tij!
Ji i drejtë: sikur këta njerëz të dinin të vërtetën e këtyre fjalëve të ndritura e aluzioneve të shenjta dhe ta njihnin Perëndinë si "Ai që bën gjithçka dëshiron", si do të mund të vazhdonin ata të kapeshin pas këtyre absurditeteve të dukshme? Jo, madje me gjithë shpirt do të pranonin e do t'i nënshtroheshin çdo gjëje që Ai thotë. Betohem për Perëndi! Po të mos ishte për Ligjin hyjnor e për parashikimet misterioze të Providencës, vetë toka do t'i kishte shkatërruar plotësisht të gjithë këta njerëz! "Ai, sidoqoftë, i lë ata deri në afatin e caktuar të një dite të njohur".
Një mijë e dyqind e tetëdhjetë vjet kanë kaluar që nga agimi i Dispensacionit Muhamedan dhe çdo mëngjes këta njerëz të verbër e të ulët kanë recituar Kuranin e tyre, por megjithatë nuk kanë arritur të kuptojnë asnjë germë të atij Libri! I lexojnë e i rilexojnë këto vargje, që dëshmojnë qartë për realitetin e këtyre çështjeve të shenjta dhe provojnë të vërtetën e Manifestimeve të Lavdisë së përjetshme, por pa e kuptuar ende qëllimin e tyre. Ata madje nuk kanë arritur të kuptojnë, gjatë gjithë kësaj kohe, se në çdo epokë leximi i shkrimeve e i librave të shenjtë nuk ka për qëllim veçse ta bëjë lexuesin të aftë të kuptojë domethënien e tyre dhe të zbulojë misteret e tyre të thella. Ndryshe, të lexosh pa kuptuar, nuk i sjell njeriut ndonjë përfitim të qëndrueshëm.
Dhe një ditë, një njeri nevojtar erdhi ta vizitojë këtë Shpirt, i etur për oqeanin e dijes së Tij. Gjatë bisedës me të, u fol për shenjat e Ditës së Gjykimit, të Ringjalljes, të Rilindjes e të Llogarisë. Ai Na shtyu të shpjegojmë sesi në këtë Dispensacion të mahnitshëm popujt e botës janë të prirur të japin llogari, pa qenë asnjeri i vetëdijshëm për këtë. Atëherë, e vumë në dijeni, në përputhje me masën e aftësisë e të intelektit të Tij, për disa të vërteta të Shkencës e të Urtisë së lashtë. Pastaj e pyetëm: "A nuk e ke lexuar Kuranin dhe a nuk e di vargun e bekuar: 'Atë ditë as njeri as xhind nuk do të pyetet për Mëkatin e tij?'133 A nuk e kupton ti se me 'të pyetur' nuk nënkuptohet të pyeturit me gjuhë apo me fjalë, siç e provon dhe e tregon vetë vargu? Sepse më tej është thënë :'Mëkatarët do të njihen nga shenjat e tyre dhe do t'i tërheqin për flokësh e për këmbësh'"134
Kështu, popujt e botës gjykohen nga fytyra. Në këtë shfaqen mosbesimi, besa dhe padrejtësia e tyre. Është e qartë se edhe sot njerëzit që janë në rrugë të gabuar njihen e dallohen nga fytyra e tyre prej pasuesve të Udhërrëfimit hyjnor. Sikur këta njerëz, vetëm e vetëm për hir të Perëndisë e pa ndonjë dëshirë tjetër veç pëlqimit të tij, t'i peshonin në zemrën e tyre vargjet e librit, me siguri do të gjenin atë që kërkonin. Në vargjet e tij ata do të gjenin të reveluara e të manifestuara të gjitha gjërat, të mëdha a të vogla qofshin, që kanë ndodhur në këtë Dispensacion. Madje do të shihnin në to aluzionet për nisjen e Manifestimeve të emrave e të atributeve të Perëndisë nga vendlindja e tyre, për kundërvënien e arrogancën përbuzëse të qeverisë e të njerëzve dhe për qëndrimin e vendosjen e Manifestimit Universal në një tokë të caktuar e të destinuar posaçërisht. Por askush nuk mund ta marrë vesh këtë veç atij që ka zemër që kupton.
E vulosim temën Tonë me atë që i është reveluar më parë Muhametit, që kjo vulë të lëshojë aromën e myshkut të shenjtë që i çon njerëzit në Ridvánin e shkëlqimit të pashuar. Ai ka thënë, dhe Fjala e Tij është e vërteta: "Dhe Allahu thërret në Banesën e Paqes;135 dhe atë që do e vë në rrugën e drejtë".136 "Për ta ka një Banesë të Paqes pranë Zotit të tyre! Dhe Ai do të jetë Mbrojtësi i tyre për arsye të bëmave të tyre".137 Ai e ka reveluar këtë, që hiri i Tij të përfshijë botën. Lëvduar qoftë Perëndia, Zoti i të gjitha qenieve!
Në raste të ndryshme e në mënyrë të përsëritur kemi treguar domethënien e çdo argumenti, që çdo shpirt, i madh a i vogël qoftë, të mund të marrë, sipas mundësisë e kapacitetit të tij, pjesën e vet. Kështu, po të mos jetë në gjendje të kuptojë një çështje të caktuar, mund ta arrijë qëllimin duke iu drejtuar një tjetri. "Që çfarëdo lloj njerëzish të dinë ku ta shuajnë etjen".
Për Perëndi! Ky Zog i Qiellit, që tani banon në pluhur, veç këtyre melodive mund të këndojë mijëra këngë dhe është në gjendje që veç këtyre thënieve të shpalosë mistere të panumërta. Çdo notë e veçantë e thënieve të tij të pashprehura është pamasë e lartësuar mbi gjithçka të reveluar deri tani dhe pafundësisht e lëvduar tej asaj që ka rrjedhur nga kjo Pendë. Le ta zbulojë e ardhmja orën kur, sipas urdhërit të Vullnetit të Perëndisë, Nuset mistike të domethënies së brendshme do të nxitojnë, pa vello, nga pallatet e tyre mistike dhe do të manifestohen në mbretërinë e lashtë të qenies. Asgjë nuk është e mundur pa lejen e Tij; asnjë pushtet nuk mund të qëndrojë veçse përmes pushtetit të Tij, dhe nuk ka tjetër Perëndi veç Tij. Ai është bota e krijimit dhe e Tij është Kauza e Perëndisë. Gjithçka shpall Revelacionin e Tij dhe gjithçka shpalos misteret e Shpirtit të Tij.
Në faqet e mëparshme kemi caktuar dy pozita për secilën prej Llambave që dalin nga Agimet e Shenjtërisë së përjetshme. Njërën prej këtyre pozitave, pozitën e unitetit thelbësor, e kemi shpjeguar. "Ne nuk bëjmë asnjë dallim midis tyre".138 Pozita tjetër është ajo e dallimit, që i përket botës së krijimit dhe kufizimeve të saj. Nga kjo pikëpamje, çdo Manifestim i Perëndisë ka një individualitet të veçantë, një mision të përcaktuar me saktësi, një Revelacion të paracaktuar dhe kufizime të posaçme. Secili prej tyre njihet me një emër të ndryshëm, karakterizohet nga një atribut i posaçëm, kryen një mision të përcaktuar dhe i është besuar një Revelacion i veçantë. Siç ka thënë Ai: "Kemi bërë që disa prej Apostujve t'ua kalojnë të tjerëve. Me disa ka folur Allahu, disa Ai i ka ngritur e lartësuar. Dhe Isait [Jesuit], të Birit të Merjemes [Marisë], Ne i kemi dhënë shenja të qarta dhe e kemi forcuar me Shpirtin e Shenjtë".139
Pikërisht për shkak të këtij dallimi në pozitën dhe misionin e tyre, fjalët dhe thëniet që rrjedhin nga këto Burime të dijes Hyjnore duken si kontradiktore e të ndryshme. Kurse në sytë e atyre që janë të mësuar me misteret e urtisë Hyjnore, të gjitha thëniet e tyre në realitet s'janë veçse shprehjet e një të Vërtete të vetme. Duke qenë se shumica e njerëzve nuk ka mundur t'i vlerësojë këto pozita, të cilave Ne iu referuam, ata, për këtë arsye, ndihen të hutuar e të shqetësuar përballë thënieve të ndryshme të shqiptuara nga Manifestimet, thënie që në thelb janë të njëjta.
Gjithmonë ka qenë e qartë se të gjitha këto divergjenca në thëniet u duhen atribuar dallimeve në pozitaën e tyre. Kështu, nga pikëpamja e njëshmërisë dhe e shkëputjes sublime, atributet Qenie Supreme, Hyjni, Veçanësi Absolute dhe Thelbi Më i Thellë kanë qenë e janë të aplikueshme për ato Thelbe të qenies, derisa të gjitha rrinë në fronin e Revelacionit hyjnor dhe qëndrojnë në vendin e Fshehjes hyjnore. Përmes shfaqjes së tyre Revelacioni i Perëndisë bëhet i dukshëm dhe nëpërmjet shprehjes së tyre revelohet Bukuria e Perëndisë. Ja përse fjalët e Vetë Perëndisë janë dëgjuar të shqiptuara nga këto Manifestime të Qenies hyjnore.
Të para në dritën e pozitës së tyre të dytë - të pozitës së dallimit e të diferencimit, të kufizimeve të përkohshme, të karakteristikave e të normave tokësore - ato shfaqin nënshtrim absolut, vetmohim të plotë dhe fshirje totale të vetvetes. Pikërisht siç ka thënë Ai: "Unë jam rob i Allahut.140 Unë s'jam veçse një njeri si ju".141
Nga këto demonstrime të pakundërshtueshme e plotësisht të provuara përpiqu të kapësh kuptimin e çështjeve për të cilat ke pyetur, që të mund të bëhesh i palëkundur në Besimin e Perëndisë dhe të mos çorientohesh nga divergjencat në thëniet e Profetëve e të të Zgjedhurve të Tij.
Nëse ndonjëri prej Manifestimeve gjithëpërfshirëse të Perëndisë do të deklaronte: "Unë jam Perëndia!", në fakt ai do të thoshte të vërtetën, për këtë nuk ka asnjë dyshim. Sepse është provuar shumë herë që nëpërmjet Revelacionit të tyre, atributeve dhe emrave të tyre shfaqen në botë Revelacioni i Perëndisë, emri dhe atributet e Tij. Kështu, Ai ka reveluar: "Ato shigjeta i lëshonte Allahu, nuk i lëshoje Ti!"142 Dhe Ai thotë gjithashtu: "Me të vërtetë, ata që të janë zotuar për besnikëri ty, në fakt i janë zotuar për besnikëri Allahut!"143 E në qoftë se ndonjëri prej tyre thotë fjalët: "Unë jam Lajmëtari i Perëndisë", edhe ai thotë të vërtetën, të vërtetën e padyshimtë. Pikërisht siç thotë Ai: "Muhameti nuk është babai i asnjërit prej jush, por është i Dërguari i Allahut".144 Po t'i shohim në këtë dritë, ata të gjithë janë Lajmëtarë të atij Mbreti ideal, të atij Thelbi të pandryshueshëm. E nëse të gjithë do të shpallnin: "Unë jam Vula e Profetëve", ata në fakt do të shprehnin vetëm të vërtetën, pa fije dyshimi. Sepse të gjithë ata janë një njeri i vetëm, një frymë, një shpirt, një qenie, një revelacion. Ata janë të gjithë shfaqje e "Fillimit" dhe e "Mbarimit", e "të Parit" dhe e "të Fundit", e "të Dukshmit" dhe e "të Fshehurit" - e gjithçkaje që i përket Atij Që është më i thelli Shpirt i Shpirtërave dhe Thelbi i Përjetshëm i Thelbeve. Dhe në qoftë se ata do të thonin: "Ne jemi shërbëtorët e Perëndisë", edhe ky është një fakt i qartë e i padiskutueshëm. Sepse ata janë shfaqur në gjendjen më të plotë të nënshtrimit, të një nënshtrimi të tillë që asnjeri nuk mund ta arrijë. Kështu, në çastet kur këto Thelbe të Qenies ishin zhytur thellë nën oqeanet e shenjtërisë së lashtë e të përjetshme, ose kur fluturonin lart deri në majat sublime të mistereve hyjnore, ata rivendikonin se thëniet e tyre janë Zëri i hyjnisë, Thirrja e Vetë Perëndisë. Në qoftë se do të hapej syri i të kuptuarit, ai do të shihte se në vetë këtë gjendje të tyre ata e kanë parë veten krejt të fshirë e të mosqenë para Atij Që është Gjithëdepërtuesi, i Pashkatërrueshmi. Mua më duket se ata e kanë parë veten e tyre si mosqenie të plotë dhe e kanë konsideruar përmendjen e tyre në atë Oborr si një akt blasfemie. Sepse dhe pëshpëritja më e lehtë për vetveten, brenda një Oborri të tillë, do të thotë afirmim i vetvetes dhe pranim i ekzistencës së pavarur. Në sytë e atyre që kanë arritur në atë Oborr, një supozim i tillë është në vetvete një shkelje e rëndë. Por një shkelje shumë më e rëndë do të ishte sikur diçka tjetër të përmendej në atë Prani, sikur zemra e njeriut, gjuha, mendja ose shpirti i tij të merreshin me dikë tjetër që s'është i Shumëdashuri, sikur sytë e tij të soditnin tjetër shëmbëlltyrë e jo bukurinë e Tij, sikur veshi i tij të prirej nga një melodi tjetër e jo nga Zëri i Tij dhe sikur këmbët e tij të ecnin në ndonjë rrugë tjetër që s'është rruga e Tij.
Në këtë ditë fryn flladi i Perëndisë dhe shpirti i Tij përshkon të gjitha gjërat. I tillë është vërshimi i hirit të Tij, sa penda pushon dhe gjuha nuk flet dot.
Për arsye të kësaj pozite ata kanë rivendikuar për veten e tyre Zërin e Hyjnisë e të tjera si kjo, ndërsa për arsye të pozitës së tyre të Lajmëtarisë e kanë shpallur veten Lajmëtarë të Perëndisë. Në çdo rrethanë ata kanë thënë fjalë që u përshtateshin kërkesave të asaj kohe dhe të gjitha këto deklarime - që shtrihen nga mbretëria e Revelacionit hyjnor deri në mbretërinë e krijimit, dhe nga fusha e Hyjnisë në fushën e ekzistencës tokësore - ia kanë atribuar vetes. Kështu, cilado qoftë fjala e tyre, nëse i përket mbretërisë së Hyjnisë, të Sovranitetit, të Profetërisë, të Lajmëtarisë, të Ruajtësisë, të Apostullarisë apo të Nënshtrimit, gjithçka është e vërtetë, pa asnjë fije dyshimi. Prandaj këto thënie që kemi cituar në mbështetje të argumentit Tonë, duhen vlerësuar me kujdes, me qëllim që thëniet kontradiktore të Manifestimeve të të Padukshmit e të Agimeve të Shenjtërisë të mos trazojnë më shpirtin e të vënë në mëdyshje mendjen.
Këto fjalë të thëna nga Llambat e së Vërtetës duhen peshuar, dhe po të mos kuptohet domethënia e tyre, duhet kërkuar sqarim nga Ruajtësit e thesareve të Dijes, që ata të shpjegojnë domethënien e të zbulojnë misterin e tyre. Sepse askujt nuk i lejohet t'i interpretojë fjalët e shenjta sipas kuptimit të vet të mangët, dhe as t'i hedhë poshtë e të mohojë të vërtetën e tyre, kur sheh se ato janë në kundërshtim me prirjet e dëshirat e tij. Sepse i tillë është sot qëndrimi i teologëve e i doktorëve të kohës së sotme, që mbajnë vendet e dijes e të shkollimit, që i kanë vënë emrin dije injorancës dhe e kanë quajtur shtypjen drejtësi. Po të pyesnin Dritën e së Vërtetës lidhur me ato imazhe që ka gdhendur fantazia e tyre e kotë dhe po të mos e gjenin përgjigjen e Tij në përputhje me konceptet e me kuptimin e tyre për Librin, ata me siguri do të akuzonin si mohim të të kuptuarit Atë Që është Miniera e Burimi Kryesor i gjithë Dijes. Gjëra të tilla kanë ndodhur në çdo epokë.
Për shembull, kur Muhametin, Zotin e qenies, e pyetën lidhur me hënat e reja, Ai, me urdhër të Perëndisë, u përgjigj: "Ato janë periudha të caktuara për njeriun".145 Për këtë, ata që e dëgjuan e akuzuan si njeri injorant.
Po kështu, në vargun lidhur me"Shpirtin" Ai thotë: "Dhe ata do të të pyesin Ty për Shpirtin. Thuaj: 'Shpirti vjen me urdhër të Zotit Tim'".146 Sapo Muhameti dha këtë përgjigje, ata të gjithë protestuan me të madhe, duke thënë: "Pa shih! Një injorant që nuk di ç'është Shpirti e quan Veten Revelues të Dijes hyjnore!" Dhe tani shih sesi teologët e kohës së sotme, meqë emri i Tij i nderon dhe duke parë se etërit e tyre e kishin njohur Revelacionin e Tij, i janë nënshtruar verbërisht së vërtetës së Tij. Shiko, sikur këta njerëz të merrnin sot përgjigje të tilla për pyetje si këto, ata pa ngurruar do t'i hidhnin poshtë e do t'i denonconin ato - madje do të nxirrnin përsëri të njëjtat yçkla, siç kanë nxjerrë edhe sot. E të gjitha këto, pa marrë parasysh se ato Thelbe të qenies janë pafundësisht të lartësuara mbi të tilla përfytyrime boshe e pamasë të lavdëruara tej të gjitha këtyre thënieve të kota e mbi intuitën e çdo zemre që kupton. E ashtuquajtura dituri e tyre, e krahasuar me atë Dije, është pavërtetësi e plotë dhe tërë kuptimi i tyre s'është veçse gabim që të vret sytë. Jo: gjithçka del nga këto Miniera të Urtisë hyjnore e Thesare të dijes së përjetshme është e vërtetë dhe asgjë tjetër veç së vërtetës. Thënia: "Dija është një pikë që budallenjtë e kanë shumëfishuar" është një provë e argumentit Tonë dhe hadithi: "Dija është një dritë që Perëndia përçon në zemrën e kujtdo që Ai dëshiron" një konfirmim i tezës Sonë.
Duke mos kuptuar domethënien e Dijes, duke quajtur me këtë emër ato përfytyrime që ka krijuar vetë fantazia e tyre e që janë pjellë e mishërimit të injorancës, ata i kanë bërë Burimit të Dijes ato që ti ke dëgjuar e parë.
Për shembull, një njeri,147 i dëgjuar për diturinë e pozitën e tij, i cili e konsideronte veten si një prej udhëheqësve më të shquar të popullit të vet, në librin e tij kishte akuzuar e poshtëruar të gjithë përfaqësuesit e diturisë së vërtetë. Kjo del krejt e qartë nga thëniet e tij të shkoqura, si dhe nga aluzionet që bënte në librin e tij. Meqë kishim dëgjuar të flitej shpesh për të, vendosëm të lexonim disa prej librave të tij. Edhe pse kurrë nuk kemi qenë të prirur për të konsultuar shkrimet e të tjerëve, por meqë disa njerëz na kishin pyetur lidhur me të, e ndjemë të nevojshme t'u referohemi librave të tij, për të mundur t'u përgjigjemi me kompetencë atyre që Na pyesnin. Por veprat e tij në gjuhën arabe nuk gjendeshin, derisa një ditë dikush Na informoi se një prej punimeve të tij, me titull Ishrádu'l-Avám,148 mund të gjendej në atë qytet. Që nga titulli Na ra erë pretendimesh e mendjemadhësie, përderisa ai e konsideronte veten njeri të ditur dhe pjesën tjetër të njerëzve injorantë. Vlera e tij bëhej në fakt e qartë nga vetë titulli që kishte zgjedhur për librin e tij. Dukej sheshit se autori i tij ndiqte rrugën e egoizmit e të dëshirës dhe kishte humbur në shkretëtirën e injorancës e të marrëzisë. Na duket se ai e ka harruar hadithin e mirënjohur që thotë: "Dija është gjithçka që mund të njihet; fuqia e pushteti janë gjithë krijimi". Megjithatë, dërguam ta marrrin librin dhe e mbajtëm disa ditë. Ndoshta i jemi referuar atij dy herë. Herën e dytë, rastësisht na zuri syri historinë e "Miraxhit" [Mi'ráj]149 të Muhametit, për të Cilin thuhej: "Po të mos ishte për Ty, nuk do t'i kisha krijuar qiejt". Vumë re se ai kishte numëruar nja njëzet a më shumë shkenca, njohjen e të cilave e konsideronte si thelbësore për kuptimin e mistereve të "Miraxhit". Nga argumentat e tij nxorrëm përfundimin që në qoftë se njeriu nuk thellohet në të gjitha këto shkenca, ai nuk do të mund të arrinte kurrë në një kuptim të drejtë të kësaj teme transhendente e të lartësuar. Ndër shkencat e renditura ishin shkenca e abstraksioneve metafizike, e alkimisë dhe magjia natyrore. Njohuri të tilla të kota e të kapërcyera, ky njeri i kosideronte si parakushte për kuptimin e mistereve të shenjta e të përhershme të Dijes hyjnore.
Zot i Mëshirshëm! Kaq ia pret mendja. E megjithatë, shih se çfarë shpifjesh e akuzash ka derdhur mbi këta Mishërime të dijes së pakufishme të Perëndisë! Sa e drejtë dhe e vërtetë është thënia: "Ti derdh shpifje mbi Ata Që Perëndia i vërtetë, Që është një i vetëm, i ka bërë Ruajtësit e thesareve të qiellit të Tij të shtatë?" Asnjë zemër ose mendje që kupton, asnjë ndër të urtët e të diturit nuk i ka vënë re këto thënie absurde. E megjithatë, për çdo zemër që kupton është e qartë dhe e dukshme se kjo e ashtuquajtur dituri është, dhe gjithmonë ka qenë, hedhur poshtë prej Atij Që është i vetmi Perëndi i vërtetë. Si mundet njohja e këtyre shkencave, aq të përbuzura në sytë e dijetarëve të vërtetë, të konsiderohet si thelbësore për kuptimin e mistereve të "Miraxhit", kur Vetë Zoti i "Miraxhit" kurrë nuk është marrë as me ndonjë germë të vetme të këtyre njohurive të kufizuara e të errëta dhe kurrë nuk e ka ndotur zemrën e Tij rrëzëllyese me ndonjë prej këtyre iluzioneve boshe? Sa drejt e ka thënë ai: "Të gjitha arritjet njerëzore lëvizin hipur mbi një gomar të çalë, ndërsa e Vërteta, hipur mbi erën, sulet si shigjetë përmes hapësirës". Për drejtësinë e Perëndisë! Kush dëshiron të thellohet në misterin e këtij "Miraxhi" dhe kërkon një pikë ujë të këtij oqeani, në qoftë se pasqyra e zemrës së tij është errësuar prej pluhurit të këtyre njohurive, duhet ta spastrojë e ta dëlirë atë, në mënyrë që drita e këtij misteri të reflektohet në të.
Në këtë ditë, ata që janë zhytur në oqeanin e Dijes së lashtë dhe banojnë në arkën e urtisë hyjnore ua ndalojnë njerëzve punë të tilla të kota. Shyqyr Zotit, gjokset e tyre të ndritura janë të spastruara nga çdo gjurmë e njohurive të tilla dhe të lartësuara mbi perde të tilla të dendura. Ne, me zjarrin e dashurisë së të Shumëdashurit, kemi djegur më të dendurën e të gjitha perdeve - perden së cilës i referohet thënia: "Më e rënda e të gjitha perdeve është perdja e dijes". Mbi hirin e saj Ne kemi ngritur tendën e dijes hyjnore. Ne, shyqyr Zotit, i kemi djegur "perdet e lavdisë" me zjarrin e bukurisë së të Shumëdashurit. Kemi dëbuar nga zemra njerëzore gjithçka tjetër, veç Atij Që është Dëshira e botës, dhe lëvdohemi. Ne nuk kapemi pas ndonjë dije tjetër, veç Dijes së Tij, dhe nuk ia kemi kushtuar zemrën asgjëje tjetër, veç lavdive të shkëlqyera të dritës së Tij.
U habitëm shumë, kur vumë re se qëllimi i vetëm i tij ishte t'i bënte njerëzit të kuptonin se ai i zotëronte të gjitha këto dije. E pra, betohem për Perëndi se asnjë fllad që fryn nga livadhet e dijes hyjnore nuk ka cekur kurrë shpirtin e tij, dhe as ka shpalosur ai kurrë qoftë edhe një mister të vetëm të urtisë së lashtë. Jo: sikur domethënia e dijes t'i shpjegohej ndonjëherë, atij do t'i mbushej zemra plot ankth dhe gjithë qenia e tij do të tronditej nga themelet. Megjithë deklaratat e tij të ulëta e pa kuptim, shiko deri në ç'shkallë absurditeti kanë arritur pretendimet e tij!
Zot i Mëshirshëm! Sa e madhe është habia Jonë kur shohim sesi njerëzit kanë shkuar pas tij dhe i kanë shprehur besnikëri! Duke u kënaqur me pluhurin e paqëndrueshëm, këta njerëz e kanë kthyer fytyrëm drejt tij dhe kanë hedhur pas shpine Atë Që është Zoti i Zotave. Të kënaqur me krakëllimat e korbit dhe të dashuruar pas pamjes së sorrës, ata kanë hequr dorë nga melodia e bilbilit e nga hijeshia e trëndafilit. Ç'gabime të patregueshme më ka zbuluar leximi i këtij libri pretencioz! Ato janë tepër të padenja që ndonjë pendë t'i përshkruajë dhe tepër të ulëta për t'u kushtuar qoftë edhe një çast vëmendjeje. Por po të gjendej një gur prove, ai do ta shkoqiste menjëherë të vërtetën nga e rrema, dritën nga errësira dhe diellin nga hija.
Ndër shkencat që ky njeri predikonte është edhe alkimia. Shpresojmë që ose ndonjë mbret ose ndonjë njeri me pushtet të madh do ta ftojë atë që ta kalojë këtë shkencë nga sfera e fantazisë në fushën e realitetit dhe nga plani i një pretendimi të thjeshtë në atë të një arritjeje efektive. Sikur të mundej ky shërbëtor i pashkolluar e i përulur, i cili kurrë nuk ka pretenduar për të tilla gjëra dhe as i ka konsideruar ato si kriterin e dijes së vërtetë, t'i përvishej së njëjtës detyrë, në mënyrë që të mund të njihej kështu e vërteta dhe të ndahej ajo nga e rrema. Por ç'dobi do të kishte? Gjithçka që kjo gjeneratë ka mundur të Na ofrojë janë plagët e heshtave të saj dhe e vetmja kupë që afrohet te buzët Tona është kupa e helmit të saj. Në qafë kemi ende shenjat e zinxhirëve dhe në trupin Tonë janë të shtypura dëshmitë e një mizorije të pamëshirshme.
Dhe sa për arritjet e këtij njeriu, injorancën e tij, të kuptuarit dhe besimin e tij, shih se ç'ka reveluar Libri që përmban të gjitha gjërat: "Me të vërtetë, pema e Zakumit [Zaqqúm]150 do të jetë ushqimi i Athimit [Athím]".151 Pastaj vazhdojnë disa vargje, derisa Ai thotë: "Shijoje këtë, sepse ti me të vërtetë je Qerimi [Kárim], i pushtetshmi!"152 Shiko sesa qartë e shkoqitur është përshkruar ai në Librin e pashkatërrueshëm të Perëndisë! Ky njeri, për më tepër, duke u hequr si i përulur, në librin e tij e quan veten "shërbëtori athim": "Athim" në Librin e Perëndisë, i fuqishëm midis tufës së zakonshme, "Qerim" me emër!
Peshoje këtë varg të bekuar, që domethënia e fjalëve: "Nuk ka asgjë të njomë ose të thatë që të mos jetë shkruar në Librin e pagabueshëm"153 të gdhendet në tabelën e zemrës sate. E megjithatë, të shumtë janë ata që e ndjekin atë. Ata kanë hedhur poshtë Moisiun e dijes e të drejtësisë dhe shkojnë pas Sámirí-ut154 të injorancës. E kanë larguar vështrimin prej Yllit të Ditës të së vërtetës, që shkëlqen në qiellin hyjnor e të përjetshëm, dhe e kanë injoruar krejtësisht shkëlqimin e tij.
O vëllai im! Vetëm një Minierë hyjnore mund të japë margaritarët e dijes hyjnore, dhe aroma e Lules mistike mund të nuhatet vetëm në kopshtin ideal, dhe zambakët e urtisë së lashtë s'mund të lulëzojnë asgjëkundi veçse në qytetin e një zemre të papërlyer. "Në një tokë të pasur, bimët rriten me bollëk me lejen e Allahut, ndërsa në një tokë të keqe ato rriten të rralla".155
Duke qenë se është treguar qartë që vetëm ata që janë futur në misteret hyjnore mund t'i kuptojnë meloditë e kënduara nga Zogu i Qiellit, i takon pra gjithsecilit të kërkojë dritë për gjërat e ngatërruara të Besimit të Perëndisë dhe për aluzionet e errëta në thëniet e Agimeve të Shenjtërisë nga ata që kanë zemër të ndriçuar e nga Thesaret e mistereve hyjnore. Kështu këto mistere do të zbulohen, jo me ndihmën e diturisë së fituar, por vetëm nëpërmjet ndihmës së Perëndisë dhe vërshimeve të hirit të Tij. "Kërkoni pra, në qoftë se nuk e dini, prej atyre që kanë kujdestarinë e Shkrimeve".156
O vëllai Im! Kur një kërkues i vërtetë vendos t'i përvishet kërkimit në shtegun që çon te dija e të Lashtit të Kohëve, ai duhet para së gjithash të spastrojë e dëlirë zemrën e tij, që është selia e revelacionit të mistereve të thella të Perëndisë, nga pluhuri errësues i gjithë dijes së fituar më parë dhe nga aluzionet e mishërimeve të fantazisë djallëzore. Ai duhet të pastrojë gjoksin e tij, që është altari ku jeton dashuria e të Shumëdashurit, nga çdo papastërti dhe të dëlirë shpirtin e tij nga gjithçka që i përket ujit e baltës, nga çdo dëshirë iluzore e kalimtare. Ai duhet ta pastrojë zemrën e tij aq sa asnjë gjurmë dashurie ose urrejtjeje të mos mbetet në të, që dashuria të mos e shtyjë atë verbërisht në gabim, ose që urrejtja të mos e largojë nga e vërteta. Siç mund ta shohësh edhe ti, në këtë Ditë shumë njerëz, për shkak të një dashurie e urrejtjeje të tillë, janë privuar nga Fytyra e pavdekshme, kanë humbur rrugën larg Mishërimeve të mistereve Hyjnore dhe, të mbetur pa bari, enden përmes shkretëtirës së harresës e të gabimit. Ai kërkues duhet ta mbështesë në çdo çast besimin e tij te Perëndia, duhet të heqë dorë nga njerëzit e tokës, duhet ta shkëpusë veten nga bota e pluhurit dhe të mbahet pas Atij Që është Zoti i Zotave. Ai kurrë nuk duhet të përpiqet të lartësojë veten mbi këdo qoftë, duhet të fshijë nga tabela e zemrës së tij çdo gjurmë krenarie e mburrjeje, duhet të priret nga durimi e përulësia, të ruajë heshtjen e të shmangë fjalët e kota. Sepse gjuha është thëngjill i mbuluar dhe fjalët e tepërta janë helm vdekjeprurës. Zjarri material djeg trupin, ndërsa zjarri i gjuhës bën shkrumb si zemrën dhe shpirtin. Forca e të parit zgjat për një kohë, kurse efekti i këtij të fundit vazhdon një shekull.
Ai kërkues, gjithashtu, duhet ta shohë përgojosjen si një gabim të rëndë dhe të qëndrojë larg sundimit të saj, sepse përgojosja fik dritën e zemrës dhe shuan jetën e shpirtit. Ai duhet të kënaqet me pak dhe të çlirohet nga çdo dëshirë e shfrenuar. Ai duhet të çmojë si një thesar shoqërinë e atyre që kanë hequr dorë nga bota dhe ta shohë si një të mirë të çmueshme të qëndruarit larg atyre që vetëlëvdohen e që rendin pas gjërave të kësaj bote. Në agim të çdo dite ai duhet të bisedojë me Perëndinë e, me gjithë shpirt, të ngulë këmbë në kërkimin e të Shumëdashurit të tij. Ai duhet të djegë çdo mendim të mbrapshtë me flakën e përmendjes plot dashuri të Emrit të Tij dhe, me shpejtësinë e vetëtimës, të kapërcejë çdo gjë tjetër veç Atij. Ai duhet të ndihmojë të mjerët dhe kurrë të mos ia mohojë kujdesin e tij nevojtarit. Ai duhet të tregohet dashamirës ndaj kafshëve, aq më tepër me të afërmin e tij, që ka dhuntinë e fuqisë së fjalës. Ai nuk duhet të ngurrojë të japë jetën për të Shumëdashurin e tij, dhe as të lejojë që qortimet e njerëzve ta largojnë nga e vërteta. Ai nuk duhet të dëshirojë për të tjerët atë që nuk dëshiron për veten e tij, as të premtojë atë që nuk e përmbush dot. Ai duhet të shmangë me gjithë zemër shoqërinë me keqbërësit dhe të lutet që atyre t'u falen mëkatet. Ai duhet ta falë mëkatarin dhe kurrë të mos e përçmojë gjendjen e tij mjerane, sepse askush nuk e di sesi do të jetë fundi i vet. Sa shpesh ka ndodhur që një mëkatar, në orën e vdekjes, ka arritur thelbin e besimit dhe, duke shijuar flladin e pavdekshëm, ka nisur fluturimin drejt Tubimit qiellor! Dhe sa shpesh ka ndodhur që një besimtar i devotshëm, në orën e ndarjes së shpirtit të tij nga trupi, ka ndryshuar aq shumë sa ka rënë në zjarrin e humnerës! Qëllimi ynë në revelimin e këtyre fjalëve bindëse e të qenësishme është t'i ngulitim kërkuesit se ai duhet të shohë si kalimtare çdo gjë tjetër, veç Perëndisë, dhe të konsiderojë si një hiç të plotë të gjitha gjërat, veç Atij, Që është Objekti i çdo adhurimi.
Këto janë disa nga atributet e njerëzve të denjë dhe përbëjnë tiparin dallues të atyre që kanë mendje të frymëzuar. Ato janë përmendur tashmë lidhur me kërkesat e shtegtarëve që ecin në Shtegun e Dijes Pozitive. Kur shtegtari i çinteresuar e kërkuesi i sinqertë i përmbush këto kushte thelbësore, atëherë e vetëm atëherë mund të quhet ai një kërkues i vërtetë. Saherë që e ka plotësuar kushtin që përmbahet në vargun: "Kushdo që bën përpjekje për Ne",157 ai do të gëzojë bekimet që jepen me fjalët: "Në rrugët Tona me siguri do ta udhëheqim".158
Vetëm kur llamba e kërkimit, e përpjekjeve të zellshme, e dëshirës së etur, e përkushtimit të flaktë, e dashurisë së zjarrtë, e ngazëllimit dhe e ekstazës të jetë ndezur brenda zemrës së kërkuesit dhe flladi i dashamirësisë së Tij t'i jetë përhapur në shpirt, errësira e gabimit do të largohet, mjegullat e dyshimeve e të shqetësimit do të shpërndahen dhe dritat e dijes e të sigurisë do të mbështjellin qenien e tij. Në atë orë Lajmëtari Mistik, që sjell lajmet e gëzuara të shpirtit, do të shkëlqejë nga Qyteti i Perëndisë, i ndritshëm si agimi dhe, nën tingujt e borisë së dijes, do të zgjojë zemrën, shpirtin dhe frymën nga gjumi i shkujdesjes. Pastaj favoret e shumta dhe vërshimi i hirit të Shpirtit të shenjtë e të përjetshëm do t'i japin kërkuesit një jetë aq të re, saqë ai do ta shohë veten të pajisur me një sy të ri, me një vesh të ri, me një mendje e zemër të re. Ai do të soditë shenjat e dukshme të gjithësisë dhe do të depërtojë në misteret e fshehura të shpirtit. Duke parë me syrin e Perëndisë, ai do të shohë në çdo atom një portë që e çon në pozitat e sigurisë absolute. Ai do të zbulojë në të gjitha gjërat misteret e Revelacionit Hyjnor dhe provat e një Manifestimi të përjetshëm.
Betohem për Perëndi! Sikur ai që ecën në shtegun e udhërrëfimit dhe kërkon të ngjitet në lartësitë e ndershmërisë të arrinte këtë pozitë të lavdishme e të lartësuar, ai do të nuhaste nga një largësi prej njëmijë legash aromën e Perëndisë dhe do të shihte agimin e shndritshëm të një udhërrëfimi Hyjnor të ngrihej mbi Agimin e të gjitha gjërave. Çdo gjë, sado e vogël, do të ishte për të një revelim që do ta çonte tek i Shumëdashuri i vet, Objekt i kërkimit të tij. Aq e madhe do të jetë intuita e këtij kërkuesi, saqë ai do të dallojë të vërtetën nga gënjeshtra ashtu siç dallon diellin nga hija. Sikur shijet e ëmbla të Perëndisë të përhapeshin në skajet më të humbura të Lindjes, ai me siguri do ta njihte e do ta nuhaste aromën e tyre edhe po të jetonte në kufijtë më të largët të Perëndimit. Ai do të dallojë, po kështu, qartë të gjitha shenjat e Perëndisë - thëniet e Tij mahnitëse, punët e Tij të mëdha dhe veprat e tij të fuqishme - nga bëmat, fjalët dhe veprimet e njerëzve, ashtu si argjendari dallon margaritarin nga guri, ose ashtu si njeriu dallon pranverën nga vjeshta dhe të nxehtit nga të ftohtit. Kur kanali i shpirtit njerëzor të jetë spastruar prej të gjitha pengesave të lidhjeve tokësore, ai do të ndiejë në mënyrë të pagabueshme frymën e të Shumëdashurit nga largësi të pamatura dhe, i udhëhequr nga parfumi i Tij, do të arrijë Qytetin e Sigurisë e do të hyjë në të. Atje ai do të shohë mrekullitë e Urtisë së Tij të lashtë dhe do të kuptojë të gjitha mësimet e fshehta nga fëshfërima e gjetheve të Pemës që lulëzon në atë qytet. Me veshin e tij të brendshëm e me atë të jashtëm, ai do të dëgjojë të ngrihen nga pluhuri i saj himnet e lavdisë e të lavdërimit që ngjiten te Zoti i Zotave dhe, me syrin e brendshëm, do të zbulojë misteret e "kthimit" e të "ringjalljes". Të lavdishme sa s'thuhet janë shenjat, simbolet, revelacionet dhe shkëlqimet që Ai, Mbreti i Emrave e i Atributeve, ka caktuar për atë Qytet! Arritja e këtij Qyteti shuan etjen pa ujë dhe ndez dashurinë e Perëndisë pa zjarr. Brenda çdo fije bari janë mbyllur misteret e një Urtie të padepërtueshme dhe mbi çdo degë trëndafili mijëra bilbila përhapin, në një ekstazë lumturie, melodinë e tyre. Tulipanët e tij të mahnitshëm shpalosin misterin e Zjarrit të pashuar në Drizën e Përflakur dhe aromat e tij të ëmbla të shenjtërisë përhapin parfumin e Shpirtit Mesianik. Ai jep pasuri pa ar dhe dhuron pavdekësi pa vdekje. Në secilën prej gjetheve të tij ruhen kënaqësi që s'tregohen dhe në çdo kënd fshihen mistere të panumërta.
Ata që punojnë me guxim në kërkim të vullnetit të Perëndisë, me të hequr dorë nga gjithçka veç Tij, do të jenë kaq të lidhur e të bashkuar me atë Qytet, saqë shkëputja edhe për një çast prej tij do të ishte për ta e pakonceptueshme. Ata do të dëgjojnë provat e pagabueshme të Zymbylit të atij kuvendi, dhe do të marrin dëshmitë më të sigurta të bukurisë së Trëndafilit të tij e të melodisë së Bilbilit të tij. Një herë në rreth njëmijë vjet ky Qytet do të rinovohet e do të stoliset përsëri.
Prandaj, o miku im, na takon të bëjmë përpjekjet më të mëdha për të arritur këtë Qytet dhe, me hir të Perëndisë e me dashamirësinë e Tij, të çajmë "perdet e lavdisë"; e kështu, me qëndrueshmëri të patundur, të mund të flijojmë shpirtrat tanë në shtegun e të Shumëdashurit të Ri. Me lot në sy, me zjarr e pareshtur, duhet t'i lutemi Atij të na dhurojë favorin e këtij hiri. Ai qytet s'është tjetër veçse Fjala e Perëndisë, e reveluar në çdo epokë e dispensacion. Në kohën e Moisiut ishte Pentateuku; në kohën e Jesuit - Ungjilli; në kohën e Muhametit, Lajmëtarit të Perëndisë - Kurani; në ditët tona - Bajani; dhe në dispensacionin e Atij që Perëndia do ta shfaqë - Libri i Tij, - Libri, të cilit i referohen të gjithë librat e Dispensacioneve të mëparshme, Libri më i përkryer e suprem midis tyre. Në këto qytete ka me bollëk ushqim shpirtëror dhe janë porositur dëfrime të përjetshme. Ushqimi që ofrojnë është buka e qiellit dhe Fryma që shpërndajnë është bekimi i pavdekshëm i Perëndisë. Shpirtrave të shquar u dhurojnë dhuntinë e Unitetit, pasurojnë të skamurit dhe u ofrojnë kupën e dijes atyre që enden në shkretëtirën e injorancës. Tërë udhëheqja, bekimet, dituria, të kuptuarit, besimi e siguria, që u dhurohen të gjithë atyre që ndodhen në qiell e mbi tokë, janë të fshehura e ruhen në këto Qytete.
Për shembull, Kurani ishte për pasuesit e Muhametit një kështjellë e pamposhtur. Në kohën e tij, kushdo që hynte atje mbrohej nga sulmet djallëzore, nga ushtat kërcënuese, nga dyshimet që gllabërojnë shpirtin dhe nga pëshpërimat blasfemike të armikut. I ishte dhënë gjithashtu një pjesë e fryteve të përjetshme e të mira - e fruyteve të urtisë nga Pema hyjnore. I ishin dhënë të pinte ujërat e pashkatërrueshme të lumit të dijes dhe të shijonte verën e mistereve të Unitetit hyjnor.
Të gjitha gjërat që njerëzit kërkonin lidhur me Revelacionin e Muhametit dhe ligjet e Tij janë të reveluara e shfaqen në atë Ridván të lavdisë së shkëlqyer.
Ai Libër përbën një dëshmi të qëndrueshme për popullin e tij pas Muhametit, sepse dekretet e tij janë të padiskutueshme dhe premtimet e tij të sigurta. Të gjithë janë të urdhëruar t'i ndjekin këshillat e atij Libri deri në "vitin gjashtëdhjetë"159 - vitin e ardhjes së Manifestimit mahnitës të Perëndisë. Ai është Libri që në mënyrë të pagabueshme e çon kërkuesin në Ridvánin e pranisë hyjnore dhe e bën atë që ka braktisur vendin e vet dhe ecën në shtegun e kërkimit të hyjë në Tendën e ribashkimit të përjetshëm. Udhërrëfimi i tij kurrë nuk mund të gabojë, dëshminë e tij asnjë dëshmi tjetër nuk mund ta kapërcejë. Të gjitha hadithet e tjera, të gjithë librat dhe tekstet e tjera nuk e kanë një shquarsi të tillë, sepse si hadithet dhe ata që i kanë thënë ato janë konfirmuar e provuar vetëm nga teksti i atij Libri. Për më tepër, vetë hadithet ndryshojnë shumë nga njëri-tjetri dhe pikat e errëta të tyre janë të shumta.
Vetë Muhameti, kur po afrohej fundi i misionit të Tij, foli këto fjalë: "Me të vërtetë, Unë po lë midis jush dy dëshmitë e Mia të rëndësishme: Librin e Perëndisë dhe Familjen Time". Megjithëse Ky Burim i Profetërisë e Minierë e Udhërrëfimit hyjnor kishte reveluar shumë hadithe, Ai përmendi vetëm atë Libër, duke e përcaktuar kështu atë si mjetin më të fuqishëm e dëshminë më të sigurt për kërkuesit; si udhërrëfm për njerëzit deri në Ditën e Ringjalljes.
Shih me vëmendje, me sy të paanshëm, me zemër të dëlirë e shpirt të pastër atë që Perëndia ka përcaktuar si dëshminë e udhërrëfimit për njerëzit e Tij në Librin e Vet, të cilin e njohin për të vërtetë i madh e i vogël. Kësaj dëshmie duhet t'i përmbahemi ne të dy, ashtu si dhe të gjithë popujt e botës, në mënyrë që përmes dritës së tij të mund ta njohim e të dallojmë të vërtetën nga e rrema, udhëheqjen e drejtë nga gabimi. Duke qenë se Muhameti i ka kufizuar dëshmitë e Veta te Libri i Tij e te familja e Tij dhe duke qenë se kjo e fundit është shuar, dëshmia e Tij e vetme midis njerëzve mbetet Libri i Tij.
Në fillim të Librit të Tij, Ai thotë: "Elif. Lám. Mím. Nuk ka dyshim për këtë Libër: Është një udhërrëfim për ata që i druhen Perëndisë".160 Në germat e shkëputura të Kuranit përmbahen misteret e Thelbit hyjnor, dhe brenda guackave të tyre ruhen margaritarët e Unitetit të Tij. Për mungesë vendi nuk do të ndalemi në to tani. Nga jashtë ato dëshmojnë për Vetë Muhametin, të Cilit Perëndia i drejtohet duke thënë: "O Muhamet, nuk ka dyshim as pasiguri për këtë Libër, që është dërguar nga qielli i Unitetit hyjnor. Ai është udhërrëfim për ata që i druhen Perëndisë". Shih sesi e ka përcaktuar e dekretuar Ai, që pikërisht ky Libër, Kurani, të jetë udhëheqje për të gjithë ata që janë në qiell e mbi tokë. Vetë Ai, Qenia hyjnore dhe Thelbi i panjohshëm, ka dëshmuar se ky Libër është, tej çdo hijeje dyshimi e pasigurie, udhërrëfim për gjithë njerëzimin deri në Ditën e Ringjalljes. Dhe tani, pyesim, a është e drejtë që këta njerëz ta shohin me dyshim e mosbesim këtë Dëshmi kaq të rëndësishme, prejardhjen hyjnore të së cilës Perëndia e ka shpallur dhe e ka quajtur atë mishërim të së vërtetës? A është e drejtë që ata të largohen nga ajo që Ai e ka përcaktuar si Mjetin suprem të udhëheqjes për të arritur majat më të larta të dijes dhe të kërkojnë diçka tjetër në vend të atij Libri? Si mund të lejojnë ata që fjalët absurde e të marra të njerëzve të mbjellin në mendjet farën e mosbesimit? Si mund të vazhdojnë të pohojnë më kot se dikush ka folur kështu apo ashtu ose se diçka nuk ka ndodhur? Në qoftë se, veç Librit të Perëndisë, mund të konceptohej një mjet më i fuqishëm ose një udhëheqje më e sigurt për njerëzimin, a nuk do ta kishte reveluar Ai këtë në atë varg?
Nuk duhet t'i shmangemi urdhrit të parezistueshëm të Perëndisë dhe dekretit të përcaktuar prej Tij, siç janë të reveluara në vargun e lartpërmendur. Duhet t'i pranojmë Shkrimet e shenjta e mahnitëse, sepse duke mos bërë këtë nuk pranojmë të vërtetën e këtij vargu të bekuar. Sepse është e qartë që kush nuk ka pranuar të vërtetën e Kuranit, në realitet nuk ka pranuar të vërtetën e Shkrimeve të mëparshme. Ky është kuptimi i qartë i këtij vargu. Po të parashtronim domethëniet e tij të brendëshme dhe të hapnim misteret e tij të fshehura, nuk do të ishte e mjaftueshme përjetësia për të ezauruar përmbajtjen e tyre dhe as universi nuk do të ishte në gjendje t'i dëgjonte ato! Me të vërtetë Perëndia është dëshmitar për të vërtetën e thënies Sonë!
Në një pasazh tjetër Ai thotë gjithashtu: "Dhe në qoftë se keni dyshime për atë që i kemi dërguar Robit Tonë, atëhere bëni një Súre si ajo dhe thirrni dëshmitarët tuaj, veç Allahut, po qe se jeni të sinqertë".161 Shiko sa e lartë është pozita dhe sa i madh është virtyti i këtyre vargjeve, të cilat Ai deklaron se janë dëshmia e Tij më e sigurt, prova e Tij e pagabueshme, shenjë e fuqisë së Tij mbisunduese dhe një revelim i forcës së vullnetit të Tij. Ai, Mbreti hyjnor, ka shpallur epërsinë e padiskutueshme të vargjeve të librit të Tij mbi të gjitha gjërat që dëshmojnë për të vërtetën e Tij. Sepse të krahasuara me të gjitha provat dhe shenjat e tjera, vargjet e reveluara në mënyrë hyjnore shkëlqejnë si dielli, ndërsa të gjitha të tjerat janë si yje. Për popujt e botës ato janë dëshmia e pavdekshme, prova e pakundërshtueshme, drita e shkëlqyeshme e Mbretit ideal. Përsosuria e tyre është e pashoqe, forcën e tyre asgjë nuk mund ta kapërcejë. Ato janë thesari i margaritarëve hyjnorë dhe bartëset e mistereve hyjnore. Ato përbëjnë Lidhjen e pazgjidhshme, Fillin e pakëputshëm, Urvatul Vutka-në, Dritën e pashuar. Përmes tyre rrjedh lumi i dijes hyjnore dhe shkëlqen zjarri i urtisë së Tij të lashtë e të përkryer. Ky është zjarri që në të njëjtin çast ndez flakën e dashurisë në gjokset e besnikëve dhe fut të ftohtin e shkujdesjes në zemrën e armikut.
O mik! Nuk duhet t'u bëjmë bisht porosive të Perëndisë, por të pranojmë e t'i nënshtrohemi asaj që Ai ka caktuar si Dëshminë e Tij hyjnore. Ky varg është tepër i rëndësishëm e kuptimplotë që ky shpirt kaq i vuajtur të mundë ta demonstrojë e parashtrojë. Perëndia thotë të vërtetën dhe tregon rrugën. Ai është, me të vërtetë, suprem mbi të gjithë njerëzit e Tij; Ai është i Fuqishmi, Mirëbërësi.
Po kështu, Ai thotë: "Të tilla janë vargjet e Allahut: Ne t'i recitojmë ty ato me vërtetësi. Por në çfarë revelacioni do të besojnë ata, në qoftë se hedhin poshtë Allahun dhe vargjet e Tij?"162 Në qoftë se do të kapësh nënkuptimin e këtij vargu, do të njohësh të vërtetën që kurrë nuk është reveluar ndonjë manifestim më i madh sesa Profetët e Perëndisë dhe mbi tokë nuk është shfaqur asnjë dëshmi më e fuqishme se dëshmia e vargjeve të reveluara prej tyre. Jo, asnjë dëshmi tjetër nuk mund t'ia kalojë kësaj dëshmie, veç asaj që Zoti Perëndia yt dëshiron.
Në një pasazh tjetër Ai thotë: "Mjerë mëkatari gënjeshtar, që dëgjon t'i citohen vargjet e Perëndisë dhe pastaj, sikur nuk i ka dëgjuar ato, këmbëngul në një mospërfillje kryelartë! Njoftoji atij dënimin e hidhur".163 Nënkuptimet vetëm të këtij vargu do të mjaftonin për gjithçka që është në qiell e mbi tokë, po qe se njerëzit do t'i peshonin vargjet e Zotit të tyre. Por dëgjo sesi sot njerëzit injorojnë me përçmim vargjet e reveluara në mënyrë hyjnore, sikur të ishin gjërat më meskine. E megjithatë, asgjë më e madhe se këto vargje kurrë nuk është dukur dhe as do të shfaqet ndonjëherë në botë! Thuaju atyre: "O të shkujdesur! Ju përsëritni atë që kanë thënë në të kaluarën etërit tuaj. Frytet që kanë mbledhur ata nga pema e mosbesimit të tyre do të mblidhni edhe ju. Së shpejti ju do të bashkoheni me etërit tuaj dhe bashkë me ta do të banoni në zjarrin e skëterrës. Ç'banesë e kobshme! Banesë e tiranëve".
Dhe në një pasazh tjetër akoma Ai thotë: "Dhe kur është njohur me ndonjë prej vargjeve Tona, fillon t'i verë në lojë ato. Një ndëshkim i turpshëm i pret ata!"164 Njerëzit thonin me tallje: "Bëj një mrekulli tjetër dhe na jep neve një shenjë tjetër!" Ndonjëri thoshte: "Bëj tani që një copë qielli të bjerë mbi ne";165 dhe një tjetër: "Në qoftë se vetë e vërteta vjen prej Teje, bëj që të bien gurë nga qielli".166 Ashtu si në kohën e Moisiut populli i Izraelit e shkëmbeu bukën e qiellit për gjërat e neveritshme të tokës, këta njerëz gjithashtu kanë kërkuar t'i shkëmbejnë vargjet e reveluara në mënyrë hyjnore me dëshirat e tyre të ndyra, të ulta e të kota. Po kështu, ti e sheh që sot, megjithëse ushqimi shpirtëror ka zbritur nga qielli i mëshirës hyjnore dhe ka reshur nga retë e dashamirësisë së Tij dhe megjithëse detet e jetës, me urdhër të Zotit të çdo qenieje, po vërshojnë në Ridvánin e zemrës, megjithatë këta njerëz, të pangopur si qentë, janë mbledhur rreth kërmës dhe kënaqen me ujërat e ndenjura të një liqeni të kripur. Zot i Hirshëm! Ç'sjellje të çuditshme kanë këta njerëz! Bërtasin për udhërrëfim, megjithëse flamurët e Atij që udhëheq të gjitha gjërat janë ngritur tashmë. Kapen pas ndërlikimeve të errëta të dijes, kur Ai Që është Objekti i çdo dije shkëlqen si dielli. E shohin diellin me sytë e vet, e megjithatë i kërkojnë atij Ylli të shndritshëm provën e dritës së tij. I shohin shirat pranverore që bien mbi ta, e përsëri kërkojnë një provë të kësaj bujarie. Prova e diellit është drita e tij, që shkëlqen e mbështjell të gjitha gjërat. Prova e shiut është dhurata bujare e tij, që përtërin botën dhe e vesh atë me mantelin e jetës. Po, i verbëri nuk mund të ndijojë asgjë nga dielli, veç ngrohtësisë së tij, dhe toka shterpë nuk përfiton nga shirat e mëshirës. "Mos u habit, në qoftë se në Kuran mobesimtari nuk sheh asgjë veç formës së germave, sepse te dielli i verbëri nuk ndien asgjë tjetër veç ngrohtësisë".
Në një pasazh tjetër Ai thotë: "Dhe kur atyre u lexohen vargjet Tona të qarta, i vetmi argument i tyre është, 'Na kthe nga ajo botë etërit tanë, në qoftë se thua të vërtetën !'"167 Shih ç'prova të marra kërkojnë nga këto Mishërime të mëshirës së pakufishme! Ata janë tallur me vargjet, një germë e vetme e të cilave është më e madhe se krijimi i qiejve e i tokës dhe ngren të vdekurit e luginës së egoizmit e të dëshirës me shpirtin e besimit; dhe rrapëllijnë duke thënë: "Bëj që etërit tanë të dalin nga varret". E tillë ishte mbrapshtia e kryelartësia e atyre njerëzve. Secili prej këtyre vargjeve është për të gjithë popujt e botës një dëshmi e pagabueshme dhe një provë e lavdishme e së vërtetës së Tij. Secili prej tyre, me të vërtetë, është i mjaftueshëm për gjithë njerëzimin, po të meditosh për vargjet e Perëndisë. Në vetë vargun e mësipërm fshihen margaritarë misteresh. Cilado qoftë e keqja, mjekimi që ofron ai kurrë nuk mund të dështojë.
Mos u vini veshin vërejtjeve të atyre që thonë se Libri dhe vargjet e tij nuk mund të jenë kurrë një dëshmi për njerëzit e rëndomtë, sepse ata nuk mund as të kapin kuptimin dhe as të çmojnë vlerën e tyre. E megjithatë, dëshmia e pagabueshme e Perëndisë si për Lindjen dhe për Perëndimin s'është veçse Kurani. Në qoftë se do të ishte tej kuptimit njerëzor, si do të shpallej ai dëshmi universale për të gjithë njerëzit? Në qoftë se vërejtjet e tyre do të ishin të vërteta, asgjë nuk do t'u kërkohej atyre, as do të ishte e nevojshme që ata të njihnin Perëndinë, sepse dija e Qenies hyjnore e kapërcen dijen e Librit të Tij, dhe njerëzit e rëndomtë nuk do të kishin aftësinë për ta kuptuar atë.
Vërejtje të tilla janë krejt të rrema e të papranueshme. Ato bazohen vetëm në arrogancë e kryelartësi. Qëllimi i tyre është t'i largojnë njerëzit nga Ridváni i pëlqimit hyjnor dhe të shtërngojnë mbi ta frerët e autoritetit të tyre. E megjithatë, në sytë e Perëndisë këta njerëz të rëndomtë janë pafundësisht superiorë e më të mirë se udhëheqësit e tyre fetarë, të cilët janë larguar nga Perëndia i vërtetë Që është një i vetëm. Të kuptuarit e fjalëve të Tij e të thënieve të Zogjve të Qiellit nuk varet kurrsesi nga dituria njerëzore. Ajo varet vetëm nga një zemër e dëlirë, një shpirt i pastër dhe një frymë e lirë. Këtë e vërtetojnë ata që sot, edhe pse nuk njohin as edhe një germë nga normat e pranuara të diturisë, kanë zënë katedrat më të larta të dijes; dhe kopshti i zemrave të tyre është i stolisur, përmes reshjeve të hirit hyjnor, me trëndafilat e urtisë e me tulipanët e të kuptuarit. Lum ata që kanë zemër të sinqertë, sepse marrin pjesë në dritën e një Dite kaq të fuqishme.
Dhe po kështu, Ai thotë: "Sa për ata që nuk besojnë në vargjet e Allahut, ose që nuk duan ta takojnë Atë, këta për mëshirën Time do të dëshpërohen dhe një ndëshkim i hidhur i pret".168 Gjithashtu, "Dhe thonin: 'Mos duhet t'i braktisim perënditë tanë për një poet të krisur?'"169 Nënkuptimi i këtij vargu është i qartë. Shiko se ç'përfundim nxorrën ata pas revelimit të vargjeve. E quajtën Atë poet, u tallën me vargjet e Perëndisë dhe thirrën: "Këto fjalë të tij janë përralla të të Lashtëve!" Me këtë donin të thonin se Muhameti kishte mbledhur e quajtur fjalë të Perëndisë fjalët e thëna nga popujt e lashtë.
"Po kështu, ti ke dëgjuar sot që njerëzit bëjnë akuza të ngjashme kundër këtij Revelacioni, duke thënë: "Ai i ka mbledhur këto fjalë nga fjalët e së kaluarës"; ose "këto fjalë janë të rrema". Të kota e mburravece janë thëniet e tyre, të përçmuara janë pozita e niveli e tyre!
Pas mohimeve e akuzave që ata bënë dhe të cilave u jemi referuar, ata protestuan duke thënë: "Sipas Shkrimeve tona, asnjë Profet i pavarur nuk duhej të dalë pas Moisiut dhe Jesuit për të anuluar Ligjin e Revelacionit hyjnor. Madje ai që do të shfaqet duhet të zbatojë Ligjin". Atëherë u reveluar ky varg, tregues i të gjitha temave hyjnore e që dëshmon për të vërtetën se vërshimi i hirit të Mëshirëplotit kurrë nuk do të shterë: "Dhe Jusufi [Josifi] erdhi te ju në të kaluarën me shenja të qarta, por ju nuk pushuat së dyshuari për mesazhin me të cilin Ai erdhi te ju, derisa, kur Ai vdiq, ju thatë, 'Allahu kurrsesi nuk do të dërgojë më ndonjë Lajmëtar pas Tij'. Kështu Perëndia shmang nga rruga mëkatarin, atë që dyshon".170 Kupto, pra, nga ky varg dhe dije me siguri se në çdo epokë njerëzit, duke u kapur pas një vargu të Librit, kanë thënë të tilla fjalë të kota e absurde, duke pohuar se asnjë Profet nuk do të shfaqet më në botë. Po ashtu si teologët e krishterë, të cilët, duke u mbajtur fort pas vargut të Ungjillit që kemi përmendur më sipër, kanë kërkuar të shpjegojnë se ligji i Ungjillit kurrë nuk do të anulohet dhe se nuk do të shfaqet më asnjë Profet i pavarur që të mos konfirmojë ligjin e Ungjillit. Shumica e njerëzve janë sëmurur nga e njëjta sëmundje shpirtërore.
Siç ke mundur ta konstatosh edhe ti, pasuesit e Kuranit, ashtu si njerëzit e së kaluarës, kanë lejuar që fjalët "Vula e Profetëve" t'u veshin sytë. E megjithatë, ata vetë e pranojnë këtë varg: "Askush nuk e di interpretimin e saj, veç Allahut dhe atyre që kanë themele të shëndosha në dije".171 Dhe, kur Ai që ka baza të shëndosha në të gjitha dijet, Ai që është Nëna, Shpirti, Sekreti dhe Thelbi i saj, revelon atë që është sadopak në kundërshtim me dëshirën e tyre, ata i kundërvihen me egërsi dhe e mohojnë me paturpësi Atë. Këta ti tashmë i ke dëgjuar e parë. Bëma e fjalë të tilla janë nxitur vetëm nga krerët e fesë, nga ata që nuk adhurojnë Perëndinë por dëshirat e veta, që nuk i qëndrojnë besnikë asgjëje veç arit, që janë të mbështjellë në perdet më të dendura të diturisë dhe që, të ngatërruar nga gjërat e errëta të saj, kanë humbur udhën në shkretëtirat e gabimit. Siç e ka thënë shprehimisht Zoti i qenies: "Ç'mendon ti? Atë që ka bërë Zot pasionet e veta, të cilin Allahu e ka larguar enkas nga rruga, veshët dhe zemrën e të cilit Ai i ka vulosur dhe mbi sytë e të cilit ka hedhur një perde - atë kush do ta udhëheqë veç Allahut? A nuk do të ruheni ju, pra?"172
Megjithëse kuptimi i dukshëm i fjalëve "Të cilin Allahu e ka larguar enkas nga rruga" është ai i reveluari, sipas Nesh ai nënkupton teologët e asaj kohe që janë larguar nga Bukuria e Perëndisë dhe që, duke iu përmbajtur diturisë së vet, të modeluar nga fantazia e dëshirat e tyre, kanë akuzuar Mesazhin dhe Revelacionin hyjnor të Perëndisë. "Thuaj: Ky është një Mesazh i madh, të cilit ju i ktheni shpinën!"173 Po kështu, Ai thotë: "Dhe kur vargjet Tona të qarta u lexohen atyre, ata thonë: 'Ky s'është veçse një njeri që kërkon t'ju largojë nga feja e etërve tuaj'. Dhe thonë, 'Ky s'është veçse një mashtrim i kurdisur'".174
Vëri veshin Zërit të shenjtë të Perëndisë dhe dëgjo melodinë e Tij të ëmbël e të pavdekshme. Shih sesi i ka paralajmëruar Ai solemnisht ata që kanë mohuar vargjet e Perëndisë dhe ka hequr dorë nga ata që nuk i pranojnë fjalët e tij të shenjta. Mendo sesa janë larguar njerëzit prej Kautarit të pranisë hyjnore dhe sa të dhimbshme kanë qenë mosbesimi e arroganca e të skamurve shpirtërisht përballë asaj Bukurie të shenjtë. Edhe pse ai Thelb i dashamirësisë e i bujarisë bëri që këto qenie jetëshkurtra të hyjnë në mbretërinë e pavdekësisë dhe i udhëhoqi këta shpirtra të skamur në lumin e shenjtë të pasurisë, megjithatë disa prej tyre e akuzuan Atë si "shpifës të Perëndisë, Zotit të të gjitha krijesave", të tjerë e akuzuan se është "ai që i largon njerëzit nga rruga e fesë dhe e besimit të vërtetë", ndërsa të tjerë akoma e shpallën si "të çmendur" e kështu me radhë.
Po kështu, ti e sheh se me ç'akuza të poshtra ata kanë sulmuar sot këtë Margaritar të Pavdekësisë dhe ç'mëkate të patregueshme i kanë ngarkuar Atij që është Burimi i dëlirësisë. Edhe pse Perëndia në tërë Librin e Tij dhe në Tabelën e Tij të shenjtë e të pavdekshme i ka paralajmëruar ata që i mohojnë e i hedhin poshtë vargjet e reveluara dhe ka shpallur mëshirën e Tij për ata që i pranojnë ato, megjithatë shih sa shumë yçkla kanë nxjerrë ata kundër këtyre vargjeve që janë dërguar nga qielli i shenjtërisë së përjetshme të Perëndisë! Kjo megjithëse asnjë sy nuk ka parë një vërshim të tillë bujarie dhe asnjë vesh nuk ka dëgjuar për një revelim të tillë dashamirësie. U manifestuan një bujari e një revelim i tillë, saqë vargjet e reveluara binin si shira pranverore nga retë e mëshirës së Bujariplotit. Profetët "e pajisur me qëndrueshmëri", fisnikëria e lavdia e të cilëve shkëlqen si dielli, u nderuan secili me një Libër që e kanë parë të gjithë dhe vargjet e të cilit janë konfirmuar si duhet. Por vargjet që kanë reshur nga kjo Re e mëshirës hyjnore kanë qenë kaq të shumta sa ende askush nuk ka qenë në gjendje të vlerësojë numrin e tyre. Tani bëhen ndonja njëzet vëllime. Sa të tjerë mbeten ende të paarritshëm për ne! Sa shumë janë grabitur dhe kanë rënë në duart e armikut, fatin e të cilave askush nuk e di.
O vëlla, duhet të hapim sytë, të mendojmë për Fjalën e Tij dhe të kërkojmë strehë nën hijen e Manifestimeve të Perëndisë, që të mund të përfitojmë nga këshillat e pagabueshme të Librit dhe t'u vemë veshin paralajmërimeve të shënuara në Tabelat e shenjta; që të mos i nxjerrim yçkla Reveluesit të vargjeve, që të mbështetemi tërësisht në Kauzën e Tij dhe të përqafojmë me gjithë zemër ligjin e Tij, që të mund të hyjmë ndoshta në oborrin e mëshirës së Tij. Ai, me të vërtetë, është i mëshirshëm e i dhembshur ndaj shërbëtorëve të Tij.
Dhe po kështu, Ai thotë: "Thuaj, o njerëz të Librit! a nuk na qortoni ju vetëm sepse besojmë në Allahun dhe në atë që Ai na ka dërguar neve, dhe në atë që Ai ka dërguar më parë, dhe sepse shumica prej jush bëjnë punë të liga?"175 Sa mirë e revelon ky varg qëllimin Tonë dhe sa qartë e tregon ai të vërtetën e dëshmisë së vargjeve të Perëndisë! Ky varg është reveluar në një kohë kur Islami sulmohej prej të pabesëve dhe pasuesit e tij akuzoheshin për mosbesim, kur Shokët e Muhametit akuzoheshin se kishin hequr dorë nga Perëndia dhe se ishin pasues të një magjistari mashtrues. Në ditët e tij të hershme, kur Islami në pamje të jashtme ishte ende pa ndonjë autoritet e pushtet, miqtë e Profetit, që e kishin kthyer fytyrën drejt Perëndisë, ngado që shkonin keqtrajtoheshin, përndiqeshin, goditeshin me gurë e shaheshin. Në një kohë të tillë, nga qielli i Revelacionit hyjnor u dërgua ky varg i bekuar. Ai reveloi një provë të pakundërshtueshme dhe solli dritën e një udhëheqjeje të pagabueshme. Ai i mësoi shokët e Muhametit t'u thonin kështu të pabesëve e idhujtarëve: "Ju na shtypni e na përndiqni, e pra ç'gjë tjetër kemi bërë ne, veçse kemi besuar në Perëndinë e në vargjet që na janë dërguar përmes gjuhës së Muhametit, dhe në atë që kemi trashëguar nga Profetët e lashtë?" Me këtë nënkuptohet se faji i tyre i vetëm ishte se ata kishin njohur që vargjet e reja e të mahnitshme të Perëndisë që kishin zbritur te Muhameti, si dhe ato që ishin reveluar prej Profetëve të së kaluarës, vinin të gjitha nga Perëndia dhe se ata kishin njohur e përqafuar të vërtetën e tyre. Kjo është dëshmia që Mbreti hyjnor u ka mësuar shërbëtorëve të Tij.
Duke pasur parasysh këtë, a është e ndershme që këta njerëz të refuzojnë këto vargje të saporeveluara që kanë përfshirë Lindjen e Perëndimin dhe ta konsiderojnë veten si bartësit e besimit të vërtetë? A nuk duhet, përkundrazi, që ata të besojnë tek ai që i ka reveluar këto vargje? Duke marrë parasysh dëshminë që Vetë Ai ka parashtruar, si mund të mos konsideronte Ai besimtarë të vërtetë ata që kishin dëshmuar për të vërtetën e saj? Larg qoftë që Ai të dëbojë nga portat e mëshirës së Tij ata që ishin afruar dhe kishin përqafuar të vërtetën e vargjeve hyjnore, ose që Ai të kërcënojë ata që janë mbajtur fort pas dëshmisë së Tij të sigurt! Ai, me të vërtetë, përcakton të vërtetën me anë të vargjeve të Tij dhe konfirmon Revelacionin e Tij me fjalët e Veta. Ai me të vërtetë është i Pushtetshmi, Ndihma në rrezik, I Gjithëfuqishmi.
Dhe po kështu, Ai thotë: "Edhe sikur Ne të të dërgonim një Libër të shkruar në pergamenë dhe ata ta preknin me duart e tyre, të pabesët me siguri do të thonin 'Kjo s'është veçse magji që duket sheshit'".176 Shumica e vargjeve të Kuranit flasin për këtë temë. Ne, për të mos u zgjatur, kemi përmendur vetëm këto vargje. Pa mendo, a ka gjë tjetër, veç vargjeve, që të jetë parashtruar në gjithë Librin si normë për njohjen e Manifestimeve të Bukurisë së Tij, nga e cila njerëzit të mund të kapeshin dhe të refuzonin Manifestimet e Perëndisë? Përkundrazi, në të gjitha rastet Ai i ka kërcënuar me zjarr ata që hedhin poshtë e venë në lojë vargjet, siç e kemi treguar tashmë.
Prandaj, në qoftë se del një person dhe paraqit mijëra vargje, shtjellime, letra e lutje, asnjëra prej të cilave nuk është fituar përmes shkollimit, ç'arsye e imagjinueshme mund t'i justifikonte ata që i hedhin poshtë ato dhe që e privojnë veten nga forca e hirit të tyre? Ç'përgjigje mund të japin ata kur shpirti i tyre të jetë ngjitur e të jetë ndarë prej tempullit të tij të zymtë? A mund të kërkojnë ata të justifikohen duke thënë: "Ne i jemi përmbajtur një tradite të caktuar dhe meqë nuk e kemi parë përmbushjen fjalë për fjalë të saj, prandaj kemi nxjerrë yçkla të tilla kundër Mishërimeve të Revelacionit hyjnor dhe kemi ndenjur larg Ligjit të Perëndisë?" A nuk ke dëgjuar që ndër shkaqet përse disa Profetë janë caktuar si Profetë "të pajisur me qëndrueshmëri" ishte se atyre u është reveluar një Libër? E pra, si mund të justifikohen këta njerëz që nuk pranojnë Reveluesin e Autorin e kaq shumë vëllimeve me vargje dhe shkojnë pas thënieve të atij që marrëzisht ka mbjellë farën e dyshimit në zemrat e njerëzve dhe që, si Satanai, është ngritur për t'i çuar njerëzit në shtigjet e humbjes e të gabimit? Si mund të lejojnë që gjëra të tilla t'i privojnë ata nga drita e Diellit të bujarisë hyjnore? Veç këtyre gjërave, në qoftë se këta njerëz i shmangen dhe nuk pranojnë një Shpirt kaq hyjnor, një Frymë kaq të shenjtë, te cili, shtrojmë pyetjen, mund të besojnë ata, nga fytyra e kujt veç fytyrës së Tij mund të kthehen ata? Po - "Të gjithë kanë një copë Qielli drejt së cilës kthejnë fytyrën".177 Ne të kemi treguar këto dy rrugë; shko në rrugën që ke zgjedhur. Kjo, në realitet, është e vërteta dhe tej së vërtetës nuk mbetet asgjë veç gabimit.
Midis provave që demonstrojnë të vërtetën e këtij Revelacioni është se në çdo epokë e Dispensacion, sa herë që Thelbi i padukshëm është shfaqur në personin e Manifestimit të Tij, disa shpirtra të përvuajtur e të shkëputur nga çdo lidhje tokësore kanë kërkuar ndriçim nga Dielli i Profetërisë e Hëna e udhërrëfimit Hyjnor dhe kanë arritur në Praninë Hyjnore. Për këtë shkak teologët e asaj kohe dhe ata që kishin pasuri i përbuznin e i tallnin këta njerëz. Ashtu siç e ka reveluar Ai lidhur me ata që gabonin: "Atëherë krerët e njerëzve të Tij, që nuk besonin, thanë: 'Ne shohim tek Ti vetëm një njeri si ne; dhe ne nuk shohim ndonjë që të Të ketë ndjekur pas, veç më të ultëve e më mendjelehtëve midis nesh, as nuk shohim tek ju ndonjë epërsi mbi ne: jo, ne ju mbajmë për gënjeshtarë'".178 Ata u binin në qafë këtyre Manifestimeve të shenjta dhe protestonin duke thënë: "Askush nuk ju ka ndjekur juve veç të fëlliqurve midis nesh, atyre që nuk meritojnë asnjë vëmendje". Qëllimi i tyre ishte të tregonin që askush midis të diturve, të pasurve dhe njerëzve të shquar nuk u besonte atyre. Me këtë e me prova të tjera si kjo, ata kërkonin të provonin pavërtetësinë e Atij që s'thotë gjë tjetër veç së vërtetës.
Megjithatë, në këtë Dispensacion kaq të shkëlqyer, në këtë Sovranitet kaq të fuqishëm, një numër telogësh të ditur, njerëzish me njohuri të përkryera, doktorësh të pajisur me urti e pjekuri, arritën në Oborrin e Tij, pinë Kupën e Pranisë së Tij Hyjnore dhe u veshën me nderet e favorit të Tij më të lartë. Ata, për hir të të Shumëdashurit, hoqën dorë nga bota e nga gjithçka ndodhet në të. Ne do të përmendim emrat e disave prej tyre, se kjo ndoshta mund të forcojë zemrat e frikamanëve dhe të inkurajojë të druajturit.
Ndër ta ishte Mulla Hyseni [Mullá Husayn], që u bë bartësi i lavdisë së shndritshme të Diellit të Revelacionit hyjnor. Po të mos ishte ai, Perëndia nuk do të ishte vendosur në selinë e mëshirës së Tij, as nuk do të ishte ngjitur në fronin e lavdisë së përjetshme. Ndër ta ishte gjithashtu Sijid Jahjai [Siyyid Yahyá], ajo figurë unike dhe e pashoqe e kohës së tij,
Mulla Muhamet Ali Zanxhani [Mullá Muhammad 'Alíy-i-Zanjání]
Mulla Ali Bastamí[Mullá 'Alíy-i-Bastámí]
Mulla Seid Barfurushí [Mullá Sa'íd-i-Bárfurúshí]
Mulla Nimatullah Mazindaraní [Mullá Ni'matu'llah-i-Mázindarání]
Mulla Jusuf Ardibilí [Mullá Yúsuf-i-Ardibílí]
Mulla Mehdi Kuí [Mullá Mihdíy-i-Khu'í]
Sijid Hysen Turshizí [Siyyid Husayn-i-Turshízí]
Mulla Mehdi Kandí [Mullá Mihdíy-i-Kandí]
Mulla Beqir [Mullá Báqir]
Mulla Abdyl Kalik Jazdí [Mullá 'Abdu'l-Kháliq-i-Yazdí]
Mulla Ali Barakaní [Mullá 'Alíy-i-Baraqání]
dhe të tjerë, rreth katërqind, emrat e të cilëve janë të gdhendur të gjithë në "Tabelën e Ruajtur" të Perëndisë.
Ata të gjithë u udhëhoqën nga drita e Diellit e Revelacionit hyjnor, pohuan e njohën të vërtetën e Tij. Besimi që kishin ishte i tillë, saqë shumë prej tyre mohuan kamjen e të afërmit e vet dhe u kapën pas asaj që i pëlqen Lavdiplotit. Ata flijuan jetën e vet për të Shumëdashurin e tyre dhe sakrifikuan gjithçka në shtegun e Tij. Gjoksi i tyre u bë tabelë qitjeje për shigjetat e armikut dhe kokat e tyre stolisën shtizat e të pabesëve. Nuk mbeti tokë pa u njomur me gjakun e këtyre mishërimeve të shkëputjes, nuk mbeti shpatë pa goditur qafën e tyre. Vetëm bëmat e tyre dëshmojnë për të vërtetën e fjalëve të tyre. Nuk u mjafton njerëzve të sotëm dëshmia e këtyre shpirtrave të shenjtë, që në mënyrë aq të lavdishme u ngritën e ofruan jetën e tyre për të Shumëdashurin, saqë mbarë bota u mahnit për mënyrën sesi ata u flijuan? A nuk është kjo dëshmi e mjaftueshme kundër pabesisë së atyre që për hiçgjë tradhtuan besimin e tyre, që këmbyen përjetësinë me atë që është e vdekshme, që hoqën dorë nga Kautari i Pranisë Hyjnore për hir të burimeve të kripura, për ata qëllimi i të cilëve në jetë është të rrëmbejnë pronat e të tjerëve? Siç mund ta shohësh edhe ti vetë, të gjithë ata u janë kushtuar kotësive të botës dhe janë larguar nga Ai që është Zoti, Më i Larti.
Ji i drejtë: A s'është e pranueshme dhe a s'meriton vëmendje dëshmia e atyre, veprat e të cilëve përputhen me fjalët që thonë dhe sjellja e jashtme e të cilëve i përgjigjet jetës së tyre të brendshme? Mendja shtanget nga bëmat e tyre dhe shpirti mrekullohet nga burrëria e qëndresa trupore e tyre. Apo mos është e pranueshme dëshmia e atyre shpirtrave pa besë, që nuk thithin veçse erën e dëshirave egoiste dhe që janë të burgosur brenda kafazit të fantazive të tyre të kota? Si lakuriqët e errësirës, ata nuk e ngrejnë kokën nga shtrati, veçse për të rendur pas gjërave kalimtare të botës, dhe nuk gjejnë prehje natën, veçse kur përpiqen të çojnë më tej synimet e jetës së tyre të ndyrë. Të zhytur në makinacionet e tyre egoiste, ata harrojnë ligjin Hyjnor. Ditën ata përpiqen me të gjitha forcat duke rendur pas përfitimeve tokësore, kurse natën qëllimi i tyre i vetëm është të kënaqin epshet e veta. Me ç'ligj apo normë do të mund të justifikoheshin njerëzit që do të bashkoheshin me refuzimet që kanë bërë këta shpirtra mendjengushtë, duke injoruar besimin e atyre që, për hir të pëlqimit të Perëndisë, kanë hequr dorë nga jeta e tyre, nga kamja, nga fama e lavdia, nga reputacioni e nderimet?
A nuk shikoheshin ndodhitë e jetës së "Princit të Martirëve"179 si më e madhja e të gjitha ngjarjeve, si prova supreme e së vërtetës së tij? A nuk deklaronin njerëzit e së kaluarës se këto ngjarje ishin të papara? A nuk thonin ata se asnjë manifestim i së vërtetës nuk kishte shfaqur ndonjëherë të tillë qëndrueshmëri e një lavdi të tillë të dukshme? E megjithatë, ai episod i jetës së tij nisi në mëngjes dhe mori fund aty nga mesi i po asaj dite, ndërsa këto drita të shenjta kanë duruar heroikisht për tetëmbëdhjetë vjet me radhë rrebeshet e vuajtjeve, që kanë reshur mbi ta nga çdo anë. Me ç'dashuri, ç'devocion, ç'ngazëllim e ekstazë të shenjtë flijuan ata jetën e tyre në shtegun e Lavdiplotit! Të gjithë dëshmojnë për këtë të vërtetë. E, pra, si munden ata të ulin rëndësinë e këtij Revelacioni? A ka qenë ndonjë epokë dëshmitare ngjarjesh kaq të rëndësishme? Në qoftë se këta shokë nuk janë ithtarët e vërtetë të Perëndisë, kush tjetër do të mund të thirrej me këtë emër? A kanë rendur këta shokë pas pushtetit apo lavdisë? A kanë aspiruar ndonjëherë për pasuri? A kanë ushqyer dëshirë tjetër, veç pëlqimit të Perëndisë? Në qoftë se këta shokë, me të gjitha dëshmitë e tyre të mahnitshme e bëmat e mrekullueshme, janë mashtrues, cili atëherë është i denjë të pretendojë për vete të vërtetën? Betohem për Perëndi! Vetë veprat e tyre janë një dëshmi e mjaftueshme dhe një provë e pakundërshtueshme për të gjithë popujt e botës, sikur njerëzit të gjykonin në zemrat e veta për misteret e Revelacionit Hyjnor. "Dhe ata që veprojnë padrejtësisht shpejt do të mësojnë se ç'fat i pret!"180
Për më tepër, në Librin tregohet e përmendet shenja e së vërtetës dhe e së rremes. Me këtë gur prove të përcaktuar në mënyrë hyjnore duhet të provohen të drejtat e pretendimet e të gjithë njerëzve, që i sinqerti të njihet e të dallohet nga mashtruesi. Ky gur prove s'është tjetër veçse ky varg: "Kërkoni vdekjen, po qe se jeni të sinqertë".181 Mendo këta martirë të një sinqeriteti të padiskutueshëm, për çiltërinë e të cilëve dëshmon shprehimisht teksti i Librit, dhe të gjithë ata që, siç e ke parë, kanë sakrifikuan jetën e tyre, kamjen, gratë, fëmijët, gjithçka dhe janë ngjitur në banesat më të larta të Parajsës. A është e drejtë të hedhësh poshtë dëshminë e këtyre qenieve të shkëputura e sublime për vërtetësinë e këtij Revelacioni të lartë e të lavdishëm, dhe të quash të pranueshme akuzat që janë bërë kundër kësaj Drite të shkëlqyeshme nga këta të pabesë, që për flori braktisën besimin dhe që për etjen e tyre për pushtet mohuan Atë Që është Udhëheqësi Numër Një i gjithë njerëzimit? Kështu ka ndodhur, megjithëse karakteri i tyre është zbuluar tashmë para gjithë njerëzve, të cilët i kanë njohur ata si qenie që në asnjë mënyrë nuk heqin dorë, për hir të Besimit të shenjtë të Perëndisë, qoftë edhe një grimë prej pushtetit të tyre tokësor, aq më pak japin jetën e vet, kamjen e tyre e të tjera si këto.
Shih sesi Guri i provës hyjnor, sipas tekstit të qartë të Librit, ndante e dallonte të vërtetën nga e rrema. Megjithatë, ata ende e kanë lënë në harresë këtë të vërtetë dhe, në gjumin e shkujdesjes, rendin pas kotësive të botës, të zhytur në mendimet e një pozite udhëheqëse tokësore të kotë.
"O Bir i Njeriut! Shumë e shumë ditë kanë kaluar mbi ty, ndërsa ti je marrë me fantazitë e imagjinatat e tua të kota. Sa kohë do të vazhdosh të dremitësh në shtratin tënd? Zgjohu e ngreje kokën, sepse Dielli është ngjitur në zenit; që të shkëlqejë ndoshta mbi ty me dritën e bukurisë".
Le të dihet, pra, se asnjëri prej këtyre doktorëve e teologëve që kemi përmendur nuk ishte i veshur me rangun e autoritetin e udhëheqjes. Sepse drejtuesit e mirënjohur e me influencë të fesë, që zënë postet e autoritetit dhe ushtrojnë funksionet e udhëheqjes, kurrsesi nuk mund të shprehin besnikëri ndaj Reveluesit të së vërtetës, veç po të dojë Zoti yt. Por veç pak rasteve, kjo kurrë nuk ka ndodhur. "Dhe pak prej shërbëtorëve të Mi janë mirënjohës".182 Edhe në këtë Dispensacion, asnjë ndër teologët e njohur, në dorën e autoritetit të të cilit kanë qenë frerët që qeverisin njerëzit, nuk e ka përqafuar Besimin. Ata madje i janë kundërvënë atij me aq armiqësi e vendosmëri, që asnjë vesh nuk ka dëgjuar e asnjë sy nuk ka parë diçka të tillë.
Báb-i, Zoti, më i lartësuari - u flijoftë jeta e të gjithëve për Të, - u ka reveluar posaçërisht teologëve të çdo qyteti një Letër, në të cilën ka parashtruar tërësisht karakterin e mohimit e të refuzimit të secilit prej tyre. "Prandaj hapni sytë mirë ju që jeni njerëz me intuitë!"183 Duke iu referuar kundërvënies së tyre, Ai kishte për qëllim të shfuqizonte vërejtjet që njerëzit e Bajanit mund të nxirrnin në ditën e manifestimit të "Mustagatit" [Mustagháth],184 dita e Ringjalljes Më Të Vonshme, duke pretenduar që, ndërsa në Dispensacionin e Bajanit një numër teologësh e kishin përqafuar Besimin, në këtë Revelacion më të vonshëm asnjë prej këtyre nuk e kishte njohur rivendikimin e Tij. Qëllimi i tij ishte t'i paralajmëronte njerëzit që, mos e dhëntë Perëndia, të mos kapeshin pas mendimeve të tilla të marra, duke e privuar veten nga Bukuria hyjnore. Po, këta teologë që kemi përmendur ishin shumica të panjohur dhe, me hir të Perëndisë, të pastruar të gjithë nga kotësitë tokësore e të çliruar nga prangat e komandimit. "E tillë është bujaria e Perëndisë; Ai ua jep atë atyre që dëshiron".
Një tjetër provë e tregues i së vërtetës së këtij Revelacioni, që midis të gjitha provave të tjera shkëlqen si dielli, është qëndrueshmëria e Bukurisë së përjetshme në shpalljen e Besimit të Perëndisë. Edhe pse i ri në moshë e megjithëse Kauza që Ai reveloi i kundërvihej dëshirës së të gjithë njerëzve të tokës, me pozitë a të vegjël, të pasur a të varfër, të lartësuar a të përulur, mbretër a nënshtetas qofshin, Ai u ngrit dhe e shpalli atë pa u lëkundur. Të gjithë e kanë mësuar dhe e kanë dëgjuar këtë. Ai nuk i trembej askujt; nuk u druhej pasojave. A mund të manifestohej një gjë e tillë ndryshe, veçse përmes forcës së një Revelacioni hyjnor e në saje të fuqisë së Vullnetit të pamposhtur të Perëndisë? Për drejtësinë e Zotit! Sikur ndokush të bartëte në zemër një Revelacion kaq të madh, vetëm mendimi për ta shpallur atë do ta trondiste! Sikur zemrat e të gjithë njerëzve të mblidheshin në zemrën e tij, ai përsëri do të ngurronte të ndërmerrte një vepër të tillë aq madhështore. Ai do të mund ta kryente atë vetëm me lejen e Perëndisë, vetëm në qoftë se kanali i zemrës së tij do të ishte i lidhur me Burimin e hirit hyjnor dhe shpirti i tij do të kishte sigurinë e mbështetjes së pagabueshme të Fuqiplotit. Çfarë gjëje, pyesim Ne, ia atribuojnë ata një guxim kaq të madh? Mos e akuzojnë Atë si të marrë, siç kanë akuzuar Profetët e së kaluarës? Apo mendojnë se qëllimi i Tij s'ishte, veçse të merrte në dorë udhëheqjen e të siguronte pasuri tokësore?
Zot i Hirshëm! Në Librin e Tij, të cilin e ka titulluar "Kajumul Esma" [Qayyúmu'l-Asmá], - i pari, më i madhi e më i fuqishmi i gjithë librave - Ai profetizoi martirizimin e Vet. Në të është ky pasazh: "O ti Gjurmë e Perëndisë! Unë kam flijuar veten tërësisht për Ty; kam pranuar mallkime për hirin Tënd; dhe nuk kam dëshiruar gjë tjetër veç martirizimit në shtegun e dashurisë Sate. Dëshmitar i mjaftueshëm për mua është Perëndia, i Lartësuari, Mbrojtësi, i Lashti i Kohëve!"
Po kështu, në interpretimin që i ka bërë germës "Há", Ai ka lakmuar martirizimin, duke thënë: "M'u duk se dëgjova një Zë që më thërriste brenda qenies sime më intime: 'Flijo në shtegun e Perëndisë gjënë që Ti do më shumë, ashtu si Hyseni, paqja qoftë mbi të, që ofroi jetën e tij për hirin Tim'. Dhe po të mos i kushtoja vëmendje këtij misteri të pashmangshëm, për Atë që e ka qenien time në duart e Tij, sikur të gjithë mbretërit e tokës të bashkoheshin, ata do të ishin të pafuqishëm të merrnin nga unë qoftë edhe një thërrime të vetme, aq më pak munden këta shërbëtorë që nuk meritojnë asnjë vëmendje e që në të vërtetë janë mjeranë... Le ta dinë të gjithë shkallën e durimit Tim, nënshtrimin Tim dhe vetëmohimin Tim në shtegun e Perëndisë".
A mund të mendohet që Reveluesi i një thënieje të tillë të ecte në një rrugë të ndryshme nga ajo e Perëndisë dhe të dëshironte tjetër gjë, veç vullnetit hyjnor? Në këtë varg fshihet një frymë shkëputjeje, që po të frynte në mbarë botën, të gjitha qeniet do të hiqnin dorë nga jeta dhe do të flijonin shpirtin e tyre. Mendo për qëndrimin e paturpshëm të kësaj gjenerate dhe shih mosmirënjohjen e saj të habitshme. Shiko sesi i ka mbyllur sytë ndaj gjithë kësaj lavdie dhe shkon përulësisht pas atyre kufomave të ndyra, nga barqet e të cilëve dëgjohet thirrja e pasurisë së besnikëve, që kanë gllabëruar. E veç kësaj, çfarë shpifjesh të paturpshme kanë lëshuar kundër atyre Agimeve të Shenjtërisë? Kështu Ne të tregojmë për atë që kanë bërë duart e të pabesëve, ata që në Ditën e Ringjalljes i kanë kthyer shpinën Pranisë hyjnore dhe që Perëndia i ka munduar me zjarrin e vetë mosbesimit të tyre e për të cilët ai ka përgatitur në botën që do të vijë një dënim që do të gllabërojë trupat dhe shpirtrat e tyre. Sepse këta kanë thënë: "Perëndia është i pafuqishëm dhe dora e Tij e mëshirës është e lidhur".
Qëndrueshmëria në Besim është një dëshmi e sigurt dhe një provë e lavdishme e së vërtetës. Siç ka thënë edhe "Vula e Profetëve": "Dy vargje më kanë plakur Mua". Këto dy vargje tregojnë qëndrueshmërinë në Kauzën e Perëndisë. Siç thotë Ai: "Ji i qëndrueshëm siç të është urdhëruar"185
Dhe tani shih sesi ky Sadrih i Ridvánit të Perëndisë u ngrit në lulen e rinisë për të shpallur Kauzën e Perëndisë. Shih çfarë qëndrueshmërie ka treguar ajo Bukuri e Perëndisë. Gjithë bota u ngrit për ta penguar Atë, por dështoi krejtësisht. Sa më të egra bëheshin përndjekjet kundër atij Sadrihu të Bekimit, aq më shumë rritej zelli i Tij e më i ndritshëm digjej zjarri i dashurisë së Tij. E gjithë kjo është e qartë dhe askush nuk e kundërshton vërtetësinë e kësaj. Më në fund, ai dha Shpirtin e Tij dhe mori fluturimin për në mbretëritë e epërme.
Dhe ndër provat e së vërtetës së manifestimit të Tij ishin ndikimi, fuqia transhendente dhe epërsia që Ai, Reveluesi i qenies dhe Manifestimi i të Adhuruarit, pa ndihmën e askujt e i vetëm, ka reveluar në mbarë botën. Sapo kjo Bukuri e përjetshme e shfaqi Veten në Shiráz, në vitin gjashtëdhjetë, dhe çau perden e fshehjes, shenjat e ndikimit, të fuqisë, të sovranitetit e të pushtetit, që përhapeshin nga ky Thelb i Thelbeve e Det i Deteve, u manifestuan në çdo vend. Aq saqë në çdo qytet u shfaqën shenjat, provat, simbolet, dëshmitë e këtij Ylli hyjnor. Sa zemra të dëlira e të dashura pasqyruan me besnikëri dritën e atij Dielli të përjetshëm dhe sa flurime të shumëllojta të dijes nga Oqeani i urtisë hyjnore përfshinë të gjitha qeniet! Në çdo qytet, të gjithë teologët e ofiqarët u ngritën për t'i penguar e për t'i shtypur ato, dhe vunë në veprim keqdashjen, zilinë e tiraninë për t'i mbytur. Sa shumë nga ata shpirtra të shenjtë, nga ato thelbe të drejtësisë, të akuzuar për tirani, i vranë! Dhe sa shumë mishërime të dëlirësisë, që nuk shprehnin veçse dije të vërtetë e vepra të papërlyera, pësuan një vdekje plot agoni! Megjithatë, secila prej këtyre qenieve të shenjta, deri në çastin e fundit, përmendi Emrin e Perëndisë dhe fluturoi në mbretërinë e nënshtrimit e të përulësisë. Të tilla ishin fuqia dhe ndikimi transformues Që Ai ushtronte mbi ta, saqë ata nuk kishin më asnjë dëshirë veç vullnetit të Tij dhe e martuan shpirtin e tyre me kujtimin e Tij.
Reflekto: Cili në këtë botë mund të manifestojë një pushtet kaq transhendent, një ndikim kaq depërtues? Të gjitha këto zemra të papërlyera e këta shpirtra të shenjtëruar iu përgjigjën me përulësi të plotë thirrjes së dekretit të Tij. Në vend që të ankoheshin, ata falënderonin Perëndinë dhe në mes të errësirës së agonisë nuk shfaqën veçse nënshtrim të gëzueshëm ndaj vullnetit të Tij. Duket sheshit sa e pamëshirshme duhej të ishte urrejtja dhe sa e hidhur keqdashja e armiqësia që ushqenin të gjithë popujt e tokës ndaj këtyre shokëve. Përndjekjen dhe vuajtjet që u shkaktuan këtyre qenieve të shenjta e shpirtërore ata i konsideronin mjete shpëtimi, mirëqenieje e suksesi të vazhdueshëm. A ka parë bota, që nga koha e Adamit, një trazirë të tillë, një tronditje kaq të dhunshme? Veç torturave që pësuan dhe vuajtjeve të panumërta që përballuan, ata u bënë objekt poshtërimi e përbuzjeje të përgjithëshme. Mund të thuhet se durimi u shfaq vetëm në saje të forcës së tyre shpirtërore, dhe vetë besnikëria lindi vetëm nga veprat e tyre.
Peshoi këto ngjarje të rëndësishme në zemrën tënde, që të kuptosh madhështinë e këtij Revelacioni dhe të shohësh lavdinë e saj të mahnitshme. Atëherë fryma e besimit, me hirin e të Mëshirshmit, do të hyjë në qenien tënde dhe ti do të vendosesh e do të qëndrosh përjetë në fronin e sigurisë. Perëndia Që është një Më është dëshmitar! Po të reflektoje pak, do ta kuptoje se veç të gjitha këtyre të vërtetave të provuara dhe fakteve të paraqitura më lart, mohimi, mallkimi dhe përbuzja e shprehur nga njerëzit e tokës janë në vetvete prova më e fuqishme dhe dëshmia më e sigurt e së vërtetës së këtyre heronjve në fushën e nënshtrimit e të shkëputjes. Sa herë të meditosh për yçklat e nxjerra nga të gjithë njerëzit, teologë, të ditur a injorantë qofshin, aq më i vendosur e më i qëndrueshëm do të bëhesh në Besim. Sepse çdo gjë që ka ndodhur është profetizuar nga ata që janë Miniera të dijes hyjnore e bartës të Ligjit të përjetshëm të Perëndisë.
Edhe pse nuk kishim ndërmend të kujtonim hadithet e kohës së kaluar, por për arsye të dashurisë Sonë për ty, do të citojmë disa që janë të zbatueshme në argumentin Tonë, edhe pse nuk e ndiejmë të nevojshme, derisa gjërat që kemi përmendur tashmë janë të mjaftueshme për botën e për gjithçka që ajo përmban. Në fakt, të gjitha Shkrimet dhe misteret e tyre janë përmbledhur në këtë kumtesë të shkurtër. Kaq e vërtetë është kjo, saqë po ta peshonte një person për një çast në zemrën e tij, ai nga të gjitha ato që janë thënë do të zbulonte misteret e Fjalëve të Perëndisë dhe do të kuptonte domethënien e gjithçkaje është manifestuar nga ai Mbret ideal. Duke qenë se njerëzit ndryshojnë nga pikëpamja e të kuptuarit dhe e pozitës së tyre, do të përmendim në përshtatje me këtë disa hadithe, që mund t'u japin qëndrueshmëri shpirtrave të lëkundur e qetësi mendjeve të turbulluara. Atëherë dëshmia e Perëndisë për njerëzit, me pozitë a të vegjël qofshin, do të jetë e plotë dhe e përkryer.
Ndër to është hadithi ku thuhet "Dhe kur të shfaqet Flamuri i së Vërtetës, njerëzit e Lindjes e të Perëndimit do ta mallkojnë atë". Vera e heqjes dorë duhet pirë, duhen arritur majat e larta të shkëputjes dhe duhet zbatuar përsiatja së cilës i referohen fjalët "Një orë reflektim është më e parapëlqyer sesa shtatëdhjetë vjet adhurimi të devotshëm", në mënyrë që të mund të zbulohet sekreti i sjelljes së turpshme të njerëzve, të atyre njerëzve që, megjithëse predikojnë dashurinë e dëshirën e zjarrtë për të gjetur të vërtetën, sapo shfaqet Ai mallkojnë pasuesit e së Vërtetës. Për këtë të vërtetë dëshmon hadithi i mësipërm. Është e qartë se shkaku i një sjelljeje të tillë s'është tjetër veçse anulimi i atyre rregullave, zakoneve, shprehive e riteve të cilave ata u ishin nënshtruar. Përndryshe, sikur Bukuria e të Mëshirshmit të ndiqte ato zakone e rregulla që zbatohen midis njerëzve dhe të sanksiononte praktikat e tyre, ato konflikte e ligësi nuk do të shfaqeshin kurrsesi në botë. Ky hadith i lartësuar provohet e konfirmohet nga këto fjalë që Ai ka reveluar: "Dita kur Thirrësi do të ftojë për një çështje të frikshme".186
Thirrja hyjnore e Lajmëtarit qiellor nga prapa Perdes së Lavdisë, që i fton njerëzit të heqin dorë krejtësisht prej të gjitha gjërave nga të cilat mbahen, është në kundërshtim me dëshirën e tyre; dhe ky është shkaku i sprovave të vështira e i trazirave të dhunshme që kanë ndodhur. Shih sesi veprojnë njerëzit. Ata i injorojnë këto hadithe me baza të shëndosha, të cilat janë përmbushur të gjitha, kapen pas atyre që janë të dyshimta dhe pyesin përse nuk janë plotësuar. E pra, këto gjëra që për ata ishin të pakonceptueshme u shfaqën. Shenjat dhe provat e së vërtetës shkëlqejnë si dielli i mesditës, megjithatë njerëzit enden, në mëdyshje e më kot, në shkretëtirën e injorancës e të marrëzisë. Me gjithë vargjet e Kuranit e hadithet e njohura, që flasin të gjitha për një Besim të ri, për një Ligj të ri e për një Revelacion të ri, kjo gjeneratë qëndron ende në pritje për të parë të Premtuarin që duhej të mbështeste Ligjin e Dispensacionit Muhamedan. Hebrenjtë dhe të krishterët veprojnë në të njëjtën mënyrë.
Midis thënieve që predikojnë një Ligj të ri e një Revelacion të ri janë këto pasazhe të "Lutjes së Nudbih-ut": "Ku është Ai Që është destinuar të përtërijë porositë dhe ligjet? Ku është Ai Që ka kompetencën të transformojë Besimin dhe pasuesit e tij?" Po kështu, Ai ka reveluar në Zijarat [Zíyárat]:187 "Paqja qoftë mbi të Vërtetën e përtëritur". Abú-'Abdi'lláh, i pyetur në lidhje me karakterin e Mihdí-ut, u përgjigj duke thënë: "Ai do të bëjë atë që ka bërë Muhameti, Lajmëtari i Perëndisë, dhe do të rrëzojë çdo gjë që është krijuar para Tij, ashtu si Lajmëtari i Perëndisë rrëzoi zakonet e atyre që kanë qenë para Tij".
Shih sesi, me gjithë këto hadithe e të tjera si këto, ata kundërshtojnë më kot se ligjet e reveluara më parë kurrsesi nuk duhen ndryshuar. E megjithatë, a nuk është synimi i çdo Revelacioni të kryejë një shndërrim në tërë karakterin e njerëzimit, një shndërrim që do të shfaqet si nga brenda dhe nga jashtë e që do të ndikojë si jetën e tij të brendshme dhe kushtet e jashtme? Sepse po të mos ndryshonte karakteri i njerëzimit, atëhere do të dukej sheshit kotësia e Manifestimeve universale të Perëndisë. Në "'Aválim", një libër me peshë e i mirënjohur, shkruhet: "Do të dalë një i Ri nga Baní-Háshim, i Cili do të revelojë një Libër të ri dhe do të shpallë një ligj të ri", pastaj vazhdojnë këto fjalë: "Shumica e armiqve të tij do të jenë teologë". Në një pasazh tjetër tregohet për Sadikun, të birin e Muhametit, se ka thënë kështu: "Do të shfaqet një i Ri nga Baní-Háshim, i Cili do t'i urdhërojë njerëzit t'i shprehin besnikëri Atij. Libri i Tij do të jetë një Libër i ri dhe Ai do t'u bëjë thirrje njerëzve të mbështesin në të besimin e tyre. I ashpër është Revelacioni i Tij për arabët. Po të dëgjoni për Të, nxitoni tek Ai". Sa mirë i kanë ndjekur ata udhëzimet e Imamëve të Besimit e Llambave të sigurisë! Megjithëse është thënë qartë: "Po të dëgjoni se është shfaqur një i Ri nga Báni-Háshim, Që u bën thirrje njerëzve për një Libër të ri Hyjnor dhe për ligje të reja, Hyjnore, nxitoni tek Ai", të gjithë ata e kanë shpallur atë Zot si të pabesë dhe e kanë akuzuar si heretik. Ata nuk nxituan te Drita Háshímite, te ky Manifestim hyjnor, veçse me shpata të zhveshura e me zemra plot ligësi. Veç kësaj, shih sesi në librat është përmendur shprehimisht armiqësia e teologëve. Me gjithë këto hadithe të qarta e domethënëse, me gjithë këto aluzione të pagabushme e të padiskutueshme, njerëzit kanë hedhur poshtë Thelbin e papërlyer të dijes e të thënieve të shenjta dhe kanë shkuar pas eksponentëve të rebelimit e të gabimit. Me gjithë këto hadithe të përjetësuara e fjalë të reveluara, ata përsërisin vetëm atë që u sugjerojnë dëshirat e tyre egoiste. Dhe në qoftë se Thelbi i së Vërtetës do të revelonte atë që është në kundërshtim me prirjet e dëshirat e tyre, ata menjëherë do ta akuzonin Atë si të pabesë e do të protestonin duke thënë: "Kjo është në kundërshtim me thëniet e Imamëve të Besimit e të dritave të shkëlqyeshme. Asgjë e tillë nuk është parashikuar nga Ligji ynë i paprekshëm". Kështu edhe sot janë bërë e bëhen deklarata të tilla të kota nga këta të vdekshëm mjeranë.
Dhe tani, shih këtë hadith tjetër dhe vështro sesi të gjitha këto gjëra janë parathënë. Në "Arbain-in" [Arba'ín] thuhet: "Nga Baní-Háshim do të dalë një i Ri Që do të revelojë ligje të reja. Ai do t'i ftojë njerëzit të shkojnë pas Tij, por askush nuk do t'ia vërë veshin thirrjes së Tij. Shumica e armiqve të Tij do të jenë teologë. Ata nuk do t'i binden urdhërit të Tij, por do të protestojnë duke thënë: 'Kjo është në kundërshtim me atë që na kanë lënë Imamët e Besimit'". Sot të gjithë përsërisin po këto fjalë, pa e ditur fare se ai është ulur në fronin e "Ai bën çdo gjë që dëshiron" dhe është vendosur në selinë e "Ai urdhëron çdo gjë që i pëlqen".
Asnjë mendje nuk mund të kuptojë natyrën e Revelacionit të Tij, as ndonjë dije të përfshijë tërësinë e Besimit të Tij. Të gjitha thëniet varen nga sanksioni i Tij dhe të gjitha gjërat kanë nevojë për Kauzën e Tij. Çdo gjë tjetër, veç Tij, është krijuar me urdhër të Tij dhe lëviz e ekziston me ligjin e Tij. Ai është Reveluesi i mistereve hyjnore dhe Shpjeguesi i urtisë së fshehur e të lashtë. Kështu, në "Biháru'l-Anvár", në "'Aválim" dhe në "Janbu" [Yanbú'] tregohet për Sadikun, të birin e Muhametit, se është shprehur me këto fjalë: "Dija përbëhet prej njëzet e shtatë germash. Të gjitha ato që kanë reveluar Profetët janë vetëm dy germa. Deri tani asnjeri nuk ka njohur më shumë se këto dy germa. Por kur të ngrihet Kaimi, Ai do të bëjë që njëzet e pesë germat e tjera të manifestohen". Mendo: Ai ka thënë se Dija përbëhet prej njëzet e shtatë germash dhe i konsideronte të gjithë Profetët, që nga Adami deri te "Vula", si Shpjegues vetëm të dy germave, me të cilat kanë qenë dërguar. Ai tha gjithashtu se Kaimi do t'i revelojë të gjitha njëzet e pesë germat që mbeten. Shih nga kjo thënie sesa e madhe dhe e lartë është pozita e Tij! Rangu i Tij ia kalon atij të të gjithë Profetëve dhe Revelacioni i Tij i kapërcen kufijt e të kuptuarit e të mendjes së të gjithë të zgjedhurve të tyre. Një Revelacion, për të cilin Profetët e Perëndisë, shenjtorët e të zgjedhurit e Tij as që janë vënë në dijeni, ose të cilin, në zbatim të Dekretit misterioz të Perëndisë, ata nuk e kanë zbuluar, - një Revelacion të tillë këta njerëz të ligj e të korruptuar kanë kërkuar ta matin me mendjet e veta të çala, me diturinë e të kuptuarit e vet të mangët. Po të mos u përshtatet standardeve të tyre, ata menjëherë e hedhin poshtë. "A mendon ti se pjesa më e madhe tyre dëgjojnë ose kuptojnë? Ata janë njëlloj si bagëtia! madje largohen edhe më shumë nga shtegu i drejtë!"188
Ne shtrojmë pyetjen: si e shpjegojnë ata hadithin e lartpërmendur, një hadith që me terma të pagabueshme parashikon revelimin e gjërave të pakapshme dhe zhvillimin e ngjarjeve të reja e të mahnitshme në ditën e Tij? Ngjarje të tilla të mrekullueshme do të ndezin një luftë aq të madhe midis njerëzve, saqë të gjihtë teologët e doktorët do t'i dënojnë me vdekje Atë dhe shokët e Tij dhe të gjithë popujt e botës do të ngrihen kundër Tij. Siç thuhet në "Káfí", në hadithin e Xhabirit [Jábir], në "Tabelën e Fatimes [Fátimih]" lidhur me karakterin e Kaimit: "Ai do të manifestojë përsosurinë e Moisiut, shkëlqimin e Jesuit dhe durimin e Jobit. Të zgjedhurit e Tij do të poshtërohen në kohën e Tij. Kokat e tyre do të ofrohen si dhurata, ashtu si kokat e turqve e të dajlamitëve. Ata do t'i vrasin e do t'i djegin. Do t'i pushtojë tmerri; tronditja e frika do të mbjellin llahtar në zemrat e tyre. Toka do të skuqet nga gjaku i tyre. Gratë e tyre do të rënkojnë e vajtojnë. Këta, me të vërtetë, janë miqtë e mi!" Shih, asnjë germë e vetme e këtij hadithi nuk ka mbetur pa u përmbushur. Në shumicën e vendeve është derdhur gjaku i tyre i bekuar; në çdo qytet ata janë zënë robër, janë shëtitur me poshtërime nëpër krahina dhe disa janë djegur me zjarr. E megjithatë askush nuk është ndalur të reflektojë që, në qoftë se Kaimi i premtuar do të revelonte ligjin e porositë e një Dispensacioni të mëparshëm, atëhere përse duhej që ato hadithe të transmetoheshin dhe përse duhej të ndodhnin luftëra e konflikte deri në atë shkallë saqë njerëzit ta shohin vrasjen e këtyre shokëve si një detyrim që u është imponuar e ta konsiderojnë përndjekjen e këtyre shpirtrave të shenjtë si mjet për arritjen e favoreve më të larta?
Për më tepër, shih sesi gjërat që kanë ndodhur dhe veprimet e kryera janë përmendur të gjitha në hadithe të mëparshme. Siç është thënë në "Raudiu Kafi" [Rawdiy-i-Káfí] lidhur me "Zaura-në" [Zawrá']. Në "Raudiu Kafi" tregohet për Muavinë [Mu'ávíyih], të birin e Vehabit [Vahháb], të cilit Abú-'Abdi'lláh i ka thënë: "A e di ti Zaura-në?" Unë thashë: "U flijoftë jeta ime për ty! Thonë se është Bagdati". "Jo", u përgjigj ai. Pastaj shtoi: "A ke hyrë në qytetin e Rajit [Rayy]?"189, dhe Unë iu përgjegja: "Po, kam hyrë në të". Atëherë ai pyeti: "A ke qenë në pazarin e bagëtive?" "Po", u përgjigja unë. Ai tha: "A e ke parë malin e zi në të djathtë të rrugës? Ai është Zaurá'. Atje tetëdhjetë veta, nga bijtë e disave, do të vriten, të gjithë të denjë të quhen kalifë". "Kush do t'i vrasë?" pyeta Unë. Ai u përgjigj: "Bijtë e Persisë".
Të tilla janë gjendja dhe fati i miqve të tij, të profetizuara në kohët e shkuara. Dhe tani shih sesi, sipas këtij hadithi, Zaurá nuk është vend tjetër veç toka e Rajit. Miqtë e Tij i vranë pas vuajtjesh të mëdha dhe të gjitha këto qenie të shenjta u martirizuan nga dora e persianëve, siç thuhet në atë hadith. Këtë ti e ke dëgjuar dhe të gjithë e dëshmojnë. Përse, pra, këta njerëz që zvarriten si krimbat nuk ndalen për të medituar për këto hadithe, të cilat janë të gjitha të qarta si dielli në lavdinë e mesditës? Për ç'arsye refuzojnë të përqafojnë të Vërtetën dhe lejojnë që disa hadithe, domethënien e të cilave ata nuk e kanë kuptuar dot, t'i pengojnë ata të njohin Revelacionin e Perëndisë dhe Bukurinë e Tij, duke bërë që ata të mbeten në humnerën e ferrit? Gjëra të tilla nuk i atribuohen veçse mosbesimit të teologëve e të doktorëve të kohës së sotme. Për këtë, Sadiku, i biri i Muhametit, ka thënë: "Doktorët e fesë të asaj kohe do të jenë teologët më të ligj nën kubenë e qiellit. Prej tyre ka ardhur e keqja dhe tek ata do të kthehet".
Ne u lutemi njerëzve të ditur të Bajanit të mos i ndjekin në sjellje të tilla, të mos i shkaktojnë, në kohën e Mustagatit, Atij Që është Thelbi hyjnor, Drita qiellore, Përjetësia absolute, Fillimi dhe Fundi i Manifestimeve të të Padukshmit, atë që është kryer në kohën e sotme. Ne u lutemi atyre të mos i përbahen mendjes së tyre, të kuptuarit e diturisë së tyre, as të mos hyjnë në debat me Reveluesin e dijes qiellore e të pafund. E megjithatë, me gjithë këto qortime, shohim një njeri me një sy, prijës njerëzish, të ngrihet me ligësinë më të madhe kundër Nesh. Ne parashikojmë që në çdo qytet njerëzit do të ngrihen për ta shtypur Bukurinë e Bekuar, që shokët e Atij Zoti të qenies, Dëshirë e fundit e të gjithë njerëzve, do t'ia mbathin përballë shtypësit e do të kërkojnë shpëtim në shkretëtirë, ndërsa të tjerë do t'i nënshtrohen fatit dhe, me shkëputje absolute, do të bëjnë fli jetën e tyre në shtegun e Tij. Më duket se shoh një që është i shquar për devotshmëri e besimtari të tillë, saqë njerëzit e konsiderojnë si detyrë t'i binden dhe urdhrit të të cilit e shohin të nevojshme t'i nënshtrohen, që do të ngrihet për të goditur vetë rrënjën e Pemës hyjnore dhe do të përpiqet me të gjitha forcat t'i rezistojë e t'i kundërvihet Atij. Ja sesi veprojnë njerëzit!
Sidoqoftë, duam të shpresojmë që njerëzit e Bajanit do të sqarohen, do të fluturojnë në mbretërinë e shpirtit e të qëndrojnë atje, do të shquajnë të Vërtetën dhe do të dallojnë me syrin e intuitës gënjeshtrën mashtruese. Por sot janë përhapur aroma të tilla xhelozie që, - betohem për Edukatorin e të gjitha qenieve, të dukshme e të padukshme - nga fillimi i themelimit të botës - megjithëse ajo nuk ka fillim - deri në ditët e sotme, kurrë nuk është shfaqur, as do të shfaqet më në të ardhmen , një ligësi, zili e urrejtje e tillë. Sepse një numër njerëzish që kurrë nuk e kanë nuhatur aromën e drejtësisë, kanë ngritur flamurin e rebelimit dhe janë lidhur kundër Nesh. Nga çdo anë shohim kërcënimin e ushtave të tyre dhe nga të gjitha drejtimet shquajmë maja shigjetash. Kjo, megjithëse kurrë nuk jemi mburrur për ndojnë gjë, as kemi kërkuar preferencë mbi këdo qoftë. Për cilindo kemi qenë shoku më i sjellshëm, një mik i duruar e i dashur. Midis të varfërve kemi kërkuar shoqërinë e tyre dhe midis të shquarve e të diturve kemi qenë të përulur e të nënshtruar. Betohem për Perëndi, për Perëndinë e vërtetë që është një! Sado të rënda kanë qenë të këqiat e vuajtjet që Na kanë shkaktuar dora e armikut dhe njerëzit e Librit, por të gjitha ato janë një hiç kur krahasohen me ato që Na kanë shkaktuar duart e atyre që hiqen si miq Tanët.
Ç'gjë tjetër do t'ju themi? Gjithësia, po të shihte me sytë e drejtësisë, nuk do të ishte në gjendje të mbante peshën e këtyre fjalëve! Në ditët e para të arritjes Sonë në këtë vend, kur dalluam shenjat e ngjarjeve që po afroheshin, vendosëm të tërhiqeshim para se ato të ndodhnin. Shkuam në shkretëtirë dhe atje, të izoluar e të vetmuar, për dy vjet bëmë një jetë vetmie të plotë. Nga sytë Tanë ranë lot hidhërimi e në zemrën Tonë të përgjakur u ngrit një oqean dhimbjesh agonie. Për shumë netë trupi ynë nuk njohu prehje. Për Atë që e ka qenien Time në dorën e Vet! Me gjithë ato rrebeshe hidhërimesh e fatkeqësish të pareshtura, shpirti Ynë ishte gjithë gëzim e lumturi dhe tërë qenia Jonë shfaqte një hare të parrëfyshme. Sepse në vetminë Tonë nuk ishim në dijeni as për dëm e as për fitim, as për shëndet e as për sëmundje, të cilitdo shpirti qoftë. Të vetmuar, Ne komunikonim me shpirtin Tonë, duke harruar botën dhe gjithshka gjendet në të. Por Ne nuk e dinim se rrjeta e fatit hyjnor shkon tej konceptimeve të vdekshme më të gjera dhe shtiza e dekretit të Tij kapërcen edhe qëllimin njerëzor më të guximshëm. Askush nuk mund t'u shpëtojë grackave që Ai ngren dhe asnjë shpirt nuk mund të gjejë çlirim veçse duke iu nënshtruar vullnetit të Tij. Për drejtësinë e Perëndisë! Largimi Ynë nuk shihte asnjë kthim dhe ndarja Jonë nuk shpresonte për asnjë ribashkim. I vetmi qëllim i vetmisë Sonë ishte të evitonim që të bëheshim objekt përçarjeje për besimtarët, burim shqetësimi për shokët Tanë, mjet dëmtimi për çdo shpirt ose shkak brenge për çdo zemër. Tej kësaj Ne nuk ushqenim asnjë synim tjetër dhe jashtë kësaj nuk kishim parasysh asnjë qëllim. Megjithatë, secili mendonte sipas qejfit dhe shkonte pas fantazisë së vet boshe, deri në çastin kur nga Burimi Mistik erdhi thirrja që Na urdhëronte të ktheheshim andej nga erdhëm. Duke ia nënshtruar Atij vullnetin Tonë, Ne iu bindëm urdhërit të Tij.
S'ka pendë që të mund të tregojë gjërat që pamë kur u kthyem! Kishin kaluar dy vjet, gjatë të cilëve armiqtë Tanë ishin përpjekur pareshtur e me këmbëngulje të Na zhduknin, siç mund ta shohin të gjithë. Megjithatë, asnjë ndër besnikët nuk kishte dalë për të Na u gjendur, as nuk ishte ndier i prirur të ndihmonte për lirimin Tonë. Jo, në vend që të Na ndihmonin, ç'rrebeshe brengash të vazhdueshme kanë bërë që të bien mbi Shpirtin Tonë fjalët dhe veprat e tyre! Ne qëndrojmë në mes të gjithë atyre, me jetën në pëllëmbë të dorës, krejt të nënshtruar ndaj vullnetit të Tij; që ndoshta, në saje të dashamirësisë e të hirit të Perëndisë, kjo Germë e reveluar dhe e manifestuar të mund të bëjë fli jetën në shtegun e Pikës Parësore, Fjalës më të lartësuar. Për Atë, me urdhër të të Cilit ka folur Shpirti, po të mos kishte qenë për këtë dëshirë të zjarrtë të shpirtit Tonë, Ne nuk do të vononim asnjë çast më tepër në këtë qytet. "Perëndia Më është dëshmitar i mjaftueshëm". E mbyllim argumentin Tonë me këto fjalë: "Nuk ka pushtet as forcë, veçse te Perëndia". "Ne jemi të Perëndisë dhe tek Ai do të kthehemi".
Ata që kanë zemër që kupton, ata që kanë pirë verën e dashurisë, që nuk i kanë kënaqur as edhe për një çast dëshirat e tyre egoiste, do të soditin, si diellin në lavdinë e mesditës, këto shenja, dëshmi e fakte që provojnë të vërtetën e këtij Revelacioni mahnitës, të këtij Besimi të përkryer e hyjnor. Mendo sesi njerëzit kanë hedhur poshtë Bukurinë e Perëndisë dhe janë rrëmbyer pas dëshirave të veta të pangopura. Me gjithë këto vargje të përsosura, këto aluzione të pagabueshme, që janë reveluar në "Revelacionin Më të Fuqishëm", Premtimin e Perëndisë midis njerëzve, dhe me gjithë këto hadithe të qarta, secili më i dukshëm se thëniat më të drejtpërdrejta, njerëzit e kanë injoruar e hedhur poshtë të vërtetën e tyre dhe u janë përmbajtur fjalë për fjalë disa haditheve, të cilat, sipas mendjes të tyre, i kanë gjetur të papajtueshme me atë që ata pritnin dhe domethënien e të cilave ata nuk e kanë kuptuar dot. Kështu, ata kanë humbur çdo shpresë dhe i kanë mohuar vetes verën e pastër të Lavdiplotit dhe ujërat e kulluara e të përjetshme të Bukurisë së pavdekshme.
Mbaj parasysh se në hadithet është përcaktuar edhe viti në të cilin ajo Kuintesencë Drite do të manifestohet, e megjithatë ata qëndrojnë të pavëmendshëm dhe as reshtin, qoftë edhe për një çast, së ndjekuri dëshirat e tyre egoiste. Sipas një hadithi, Mufaddal-i e pyeti Sadikun: "Cila është shenja e manifestimit të Tij, o mësuesi im?" Ai u përgjigj: "Në vitin gjashtëdhjetë Kauza e Tij do të manifestohet dhe do të shpallet Emri i Tij".
Sa e çuditshme! Me gjithë këto referenca të shkoqura e të qarta, këta njerëz i kanë dredhuar së vërtetës. Për shembull, brengat, burgimi e vuajtjet që i janë shkaktuar atij Thelbi të virtytit hyjnor janë përmendur në hadithet e së kaluarës. Në "Bihár" thuhet: "Te Kaimi ynë do të ketë katër shenja nga katër Profetë - Moisiu, Jesui, Josifi dhe Muhameti. Shenja nga Moisiu është frika dhe pritja; nga Jesui ajo që është thënë për Të; nga Josifi burgimi dhe shtirja; nga Muhameti revelimi i një Libri si Kurani". Me gjithë këtë hadith bindës, që me një gjuhë të tillë të pagabueshme ka parashikuar ngjarjet e sotme, askush nuk ia ka vënë veshin profecisë që përmban, dhe më duket se askush nuk do ta bëjë këtë në të ardhmen veç atij që do të dëshirojë Zoti yt. "Me të vërtetë, Perëndia do ta bëjë të dëgjojë atë që dëshiron, por ne nuk do t'i bëjmë të dëgjojnë ata që janë në varr".
Ti e ke të qartë se Zogjtë e Qiellit dhe Pëllumbat e Përjetësisë flasin një gjuhë me dy kuptime. Njëra gjuhë, gjuha e jashtme, nuk ka nënkuptime, nuk është e fshehur dhe e maskuar; në mënyrë që të jetë një llambë udhërrëfyese e një fener ndriçues, me ndihmën e të cilit shtegtarët të mund të arrijnë majat e shenjtërisë dhe kërkuesit të mund të hyjnë në mbretërinë e ribashkimit të amshuar. Të tilla janë hadithet e hapta dhe vargjet e qarta që kemi përmendur tashmë. Gjuha tjetër është e maskuar dhe e fshehur, në mënyrë që çdo gjë që qëndron e mbuluar në zemrën e keqdashësit të mund të dalë sheshit dhe qenia e tyre intime të zbulohet. Sadiku, i biri i Muhametit, ka thënë kështu: "Me të vërtetë, Perëndia do t'i verë në provë e do t'i shoshitë ata". Kjo është norma hyjnore, ky është Guri i Provës i Perëndisë, me të cilin Ai i provon shërbëtorët e Tij. Askush nuk e kupton domethënien e këtyre fjalëve, veç atyre zemrat e të cilëve kanë siguri, shpirtrat e të cilëve kanë gjetur favorin e Perëndisë dhe mendjet e të cilëve janë larguar nga gjithçka tjetër veç Atij. Në thënie të tilla, kuptimi i marrë fjalë për fjalë, siç bëjnë përgjithësisht njerëzit, nuk është ai që kujtojnë ata. Siç është shkruar: "Çdo dije ka shtatëdhjetë kuptime, prej të cilave njerëzit dinë vetëm një. Dhe kur të dalë Kaimi, Ai do t'u revelojë njerëzve të gjitha ato që mbeten". Ai ka thënë gjithashtu: "Ne flasim një fjalë, dhe me të kemi parasysh shtatëdhjetë e një kuptime; secilin prej këtyre kuptimeve ne mund ta shpjegojmë".
Këto gjëra i përmendim vetëm që njerëzit të mos hutohen për shkak të disa haditheve e thënieve, të cilat ende nuk janë përmbushur fjalë për fjalë, që ata përkundrazi t'ia atribuojnë mëdyshjet që kanë mungesës së të kuptuarit nga ana e tyre dhe jo mospërmbushjes së premtimeve që përmbahen në hadithet, përderisa domethënia që nënkuptonin Imamët e Besimit nuk njihet nga këta njerëz, siç e tregojnë vetë hadithet. Njerëzit, pra, nuk duhet të lejojnë që thënie të tilla t'i privojnë ata nga dhuntitë hyjnore, por të kërkojnë ndriçim nga ata që janë Shpjeguesit e njohur të tyre, në mënyrë që misteret e fshehura të mund t'u zbulohen e shfaqen atyre.
Por Ne nuk shohim midis njerëzve të tokës asnjë që, duke dëshiruar sinqerisht e me gjithë shpirt të Vërtetën, të kërkojë udhërrëfim nga Manifestimet hyjnore lidhur me çështjet e errëta të Besimit të tij. Të gjithë banojnë në vendin e harresës dhe të gjithë shkojnë pas njerëzve të ligësisë e të rebelimit. Perëndia me të vërtetë do t'u bëjë atyre atë që ata vetë po bëjnë dhe do t'i harrojë ata ashtu si ata kanë injoruar Praninë e Tij në ditën e Tij. I tillë është dekreti i Tij për ata që e kanë mohuar Atë, dhe i tillë do të jetë për ata që kanë hedhur poshtë shenjat e Tij.
E përfundojmë argumentin Tonë me fjalët e Tij - lartësuar qoftë Ai - "Dhe kujtdo që i largohet të të kujtuarit të Mëshirëplotit, do t'i lidhim një djall që nuk do t'i ndahet kurrë"190 " Dhe kushdo që ia kthen shpinën të kujtuarit Tim, do të ketë me të vërtetë një jetë mjerane".191
Kështu është reveluar në kohët e mëparshme, sikur ta kuptonit.
Reveluar nga "Bá" e nga "Há".192
Paqja qoftë mbi atë që i vë veshin melodisë së Zogut Mistik që thërret nga Sadratu'l-Muntahá!
Lavdi Zotit tonë, më të Lartit!
'Abdu'lláh: I Ati i Profetit. Ishte nga familja Háshim, fisi më fisnik i degës Kureishite të racës arabe, pasardhëse e drejtpërdrejtë e Ishmaelit.
Abdullah Ubaji ['Abdu'lláh-i-Ubayy]: Kundërshtar i shquar i Muhametit; i quajtur "princi i hipokritëve".
Abraham: Shih Zanafilla 11-25; Përgjigje për disa pyetje, f.14-16. Studiuesit e kanë përcaktuar kohën e ekzistencës së tij midis viteve 2100 e 2000 p.K. Çifutët, të krishterët dhe myslimanët e konsideronin si Mikun e Perëndisë, Atin e Besimtarëve.
Abú-Abdi'lláh: Titulli i Imamit të gjashtë, Xhafer Sadikut [Ja'far-i-Sádiq], (i Drejti), stërnip i Imam Hysenit, vdekur në vitin 765 p.K., i helmuar nga kalifi abasid Mansuri.
Abú 'Amir: Një murg, kundërshtar i Muhametit.
Abu Xhal [Abú-Jahl]: Fjalë për fjalë do të thotë "Ati i marrëzisë", i mbiquajtur kështu nga myslimanët. Kundërshtar i papajtueshëm i Profetit Muhamet.
'Alí: Dhëndri i Profetit Muhamet, i pari ndër dymbëdhjetë Imamët.
Alif, Lám, Mím: Këto dhe germa të tjera të shkëputura gjenden në fillim të njëzet e nëntë súreve të Kuranit.
Amalekitët: Të dëbuar në kohë të lashta nga Babilonia, ata u përhapën përmes Arabisë në Palestinë e Siri deri në Egjipt, të cilit i dhanë disa prej faraonëve të tij.
Athím: Mëkatar.
'Aválim: Një përmbledhje hadithesh shiite.
Báb: Fjalë për Fjalë do të thotë "Portë". Kaimi dhe Mihdí-u i Islamit, pararendësi i Bahá'u'lláh-ut, themeluesi i Besimit Bábí. Lindi në Shiraz më 20 tetor 1819 dhe u martirizua në Tabriz më 9 korrik 1850.
Bagdad: Themeluar nga kalifi Mansur në vitin 762 m..K. në vendin e një fshati të krishterë, në bregun perëndimor të lumit Tigër. Ishte për 500 vjet selia e qeverisë abaside.
Bahá: Fjalë për fjalë do të thotë "Lavdi", "Shkëlqim". Titull dhënë Bahá'u'lláh-ut (Mirza Hysen Aliut) qysh para deklarimit të Tij.
Bahá'u'lláh: Themeluesi i Besimit Bahá'í. Titulli Bahá'u'lláh i është dhënë nga Báb-i në Bajanin Persian dhe fjalë për fjalë do të thotë "Lavdia, Drita dhe Shkëlqimi i Perëndisë". Lindi në Teheran më 12 nëntor 1817; ndërroi jetë në Bahxhi (Aka) më 29 maj 1892.
Bajan [Bayán]: Bajani (fjalë për fjalë "Parashtrim") është vepra doktrinare kryesore e Báb-it. Lidhur me të, në Perëndia kalon pranë thuhet: "përmbledhje monumentale e ligjeve dhe e porosive të Dispensacionit të ri dhe thesari që ruan pjesën më të madhe të referimeve e të vlerësimeve, si dhe paralajmërimet e Tij, për 'Atë Që Perëndia do ta shfaqë'...ky Libër, me rreth tetë mijë vargje, që zë një vend qendror në literaturën Bábí, duhet konsideruar kryesisht si një himn për të Premtuarin sesa një kod ligjesh e porosish të destinuara që të jenë një udhërrëfim i përhershëm për brezat e ardhshëm". Báb-i ka shkruar gjithashtu "Bajanin Arab, që është më i shkurtër e më pak i rëndësishëm".
Baní-Háshim: Familja së cilës i përkiste Muhameti.
Bathá: Meka.
Bihár: Shih Biháru'l-Anvár.
Biháru'l-Anvár: Një përmbledhje hadithesh shiite.
Eliksir Hyjnor: Referencë simbolike për Eliksirin e alkimistëve, që mendohej se duhej të shndërronte në ar metalet e ulta.
Faraon: Titulli i mbretërve të Egjiptit. Faraoni i shtypjes, sipas shumicës së studiuesve, mendohet se ka qenë Ramsesi II (rreth 1340 p.K.), ndërsa i biri e pasardhësi i tij, Meneptahu, ishte faraoni i eksodit. Por këto janë krejt të pasigurta, sepse datëlindja e Moisiut mendohet të ketë qenë andej nga viti 1520 p.K.
Fatime [Fátimih]: Vajza e Muhametit dhe e Kadijes [Khadíjih]. U martua me Aliun, kushëririn e Muhametit dhe lindi tre djem. Njëri vdiq foshnjë; nga dy të tjerët, Hasani dhe Hyseni, rrodhën pasardhësit e Profetit që njihen si Sijidët.
Feniks: Zog mitik, për të cilin thuhej se ekzistonte vetëm një ekzemplar që futej vullnetarisht në flakë për të rilindur menjëherë pas kësaj nga vetë hiri i tij.
Gavrili: Engjëlli më i lartë, Shpirti i Shenjtë. Ka për detyrë të shkruajë dekretet e Perëndisë; me anë të tij iu revelua Muhametit Kurani.
Germat e Unitetit: Apostujt e Profetit Muhamet.
Guri filozofik: Substancë e imagjinuar, që alkimistët e dikurshëm e konsideronin si mjet për të shndërruar në ar metalet e ulta.
Há: Germa H, vlefta e së cilës është 5 dhe që ndonjë herë përdoret si simbol i Bahá'u'lláh-ut: shih Katër Luginat, f. 56.
Hadithet: Përmbledhje me autoritet e thënieve dhe e bëmave të frymëzuara të Profetit, që i shtohen revelacionit që përmban Kurani.
Hamzih: "Princ i Martirëve", titull dhënë xhaxhait të Muhametit.
Haxhi Mirza Qerim Han [Hájí Mírzá Karím Khán]: Njeri që pretendonte se zotëron dije të gjera, autor i librit "Udhëheqje për injorantët" ("Irshádu'l-'Avám"), veprat e të cilit u zhdukën bashkë me të.
Herod: Herodi I ("i Madh"). Me origjinë nga Idumea, por i rritur si hebre. U caktua nga Senati roman në vitin 40 p.K. Mbret i Judesë. Rindërtoi Tempullin në Jerusalem.
Hixhaz [(ijáz]: Rajon në Arabinë veriperëndimore, që konsiderohet vendi i shenjtë i myslimanëve, sepse aty ndodhen qytetet e shenjta të Medinës e të Mekës, si dhe vende të tjera që lidhen me historinë e Muhametit. "Gjuha e Hixhazit" është arabishtja.
Húd: Profet i dërguar pranë fisit 'Ad. Ishte ndër pasardhësit e Nojit dhe përmendet në Kuran në súret 7:63-70, 11:52-63 dhe 26:123-129.
Hyseni [(usayn]: Imami i tretë. i biri i Aliut e i Fatimes.
Ibn Surijá [Ibn-i-Súríyá]: Një rabin i ditur i kohës së Muhametit.
Imám 'Alí: Kushëri dhe dishepulli i parë i Muhametit; burri i së bijës së Muhametit, Fatimes; dhe përmes djalit të tij Hysenit, stërgjysh i Sijid Ali Muhametit, Báb-it.
'Imrán: I ati i Moisiut dhe i Aaronit. Shih Kurani, súre 3:30, dhe Bibla, Eksodi 6:20.
Irak: Pjesë e Perandorisë Turke kur u revelua ky libër. Tani republikë arabe e pavarur me kryeqytet Bagdadin.
Jahja [Ya(yá]: Gjon Pagëzori, pararendësi i Jesu Krishtit. Iu pre koka nga Herodi.
Janbú [Yanbú]: Përmbledhje hadithesh shiite.
Jatrib [Yathrib]: Emri i vjetër paraislamik i qytetit që u quajt Medinat un-Nabi, Qyteti i Profetit, ose shkurt Medina.
Josifi: Bir i Jakovit dhe, në Kuran, një profet i frymëzuar.
Kab Ibn Ashraf [Ka'b-Ibn-i-Ashraf]: Komplotoi me kryearmikun e Profetit, Abu Sufjanin, për të kurdisur vdekjen e Muhametit.
Káfí: Një përmbledhje e rëndësishme hadithesh shiite. Pasazhi i cituar në paragrafin 274 të këtij libri jepet nga Xhabiri, nxënës i imamit Xhafer Sadik.
Kaim [Qá'im]: I Premtuari i Islamit shiit.
Kaini dhe Abeli: Bijt e Adamit dhe të Evës. Shih Zanafilla 4 dhe Kurani súre 5.
Kajbar [Khaybar]: Emri i një oaze të famshme në Arabi, pranë Medinës, e banuar në kohën e Muhametit kryesisht nga hebrenj; ku kanë ndodhur ngjarje të rëndësishme të periudhës së misionit të Muhametit.
Kajfa: Kryeprifti çifut, kryetar i gjykatës që gjykoi dhe dënoi Jesu Krishtin.
Kajumul Esma [Qayyúmu'l-Asmá]: Koment për Súren e Josifit në Kuran, reveluar nga Báb-i më 1844 dhe që Bábí-të e shohin në fakt si Kuranin e tyre. Për një përmbledhje të shkurtër të përmbajtjes së këtij dokumenti shih Perëndia kalon pranë, f. 23).
Kalifët: Fjalë për fjalë "pasardhës" ose "mëkëmbës". Shiitët i përmbahen pikëpamjes se pasardhësit e Profetit duhet të jenë pjesëtarët e familjes së Tij, por nuk e përdorin titullin Khalífih apo "Kalif". Sulltani i Turqisë e mori këtë titull në fillim të shekullit të 16-të.
Kautar [Kawthar]: Lumë i Parajsës, nga i cili rrjedhin të gjithë lumenjtë e tjerë. Një pjesë e ujërave të tij derdhen në një liqen të madh, në brigjet e të cilit prehen shpirtrat e besimtarëve që kanë kapërcyer urën e frikshme që përshkon qendrën e Ferrit.
Kerubin: Në Bibël Kerubinët janë të ndryshëm nga engjëjt, që janë lajmëtarët e Jehovajt, ndërsa Kerubinët ndodhen kudo që është i pranishëm vetë Perëndia. Për shembull: "Shkonte (Perëndia) hipur mbi një kerubin" (Psalmet 18-10). Figura kerubinësh ishin punuar në ar dhe ishin vendosur mbi kapakun e Arkës së Dëshmisë në Vendin Më të Shenjtë. Në tradita të mëvonshme, Kerubinët futen midis nëntë urdhërave të engjëjve.
Kibla [Qiblih]: Drejtimi nga duhet kthyer fytyra gjatë lutjes. Kurani, në súren 2:136-145, përcakton Mekën si Kiblën për myslimanët.
Kopt: Koptët ishin me prejardhje të lashtë egjiptiane. Në kohën e Moisiut ishin jobesimtarë. Septët ishin fiset e Izraelit.
Kúfih: Qytet në bregun perëndimor të Eufratit, tani i zhdukur krejtësisht.
Kuintesencë: "Esenca e pestë e qiellit", imagjinare, veç katër elementeve të tokës, pra thelbi i fundit e më i lartë i çdo gjëje.
Kuran: Kurani (arabisht fjalë për fjalë do të thotë "lexim") është Shkrimi i shenjtë i besimit muhamedan, i reveluar nga Muhameti. Vargjet e tij janë të grupuara në kapituj që quhen súre. Përmban 77,974 fjalë dhe është pak më i gjatë sesa Dhiata e Re. U revelua gjatë një periudhe prej 20 vjetësh. Tërë libri u sistemua pas vdekjes së Profetit, por besohet se Ai Vetë i pat ndarë súret dhe i pat dhënë pjesës më të madhe të tyre titujt që kanë sot.
Leviatan: Përbindësh deti i papërcaktuar, që thuhej se kishte formën e një balene ose gjarpri.
Magët: Kastë priftërinjsh e t'urtësh të Persisë së lashtë.
Manifestim: Natyra e Profetit ose Manifestimit të Perëndisë përshkruhet kështu në Qëmtime nga Shkrimet e Bahá'u'lláh-ut (f. 47-48): "...meqenëse nuk mund të ketë lidhje të një komunikimi të drejtpërdrejtë që të bashkojë të vetmin Perëndi të vërtetë me krijesën e Tij, dhe se asnjëlloj ngjashmërie nuk mund të ekzistojë ndërmjet kalimtares e të Përjetshmes, të rastësishmes e Absolutes, Ai ka urdhëruar që në çdo epokë e dispensacion një Shpirt i pastër e i panjollë të manifestohet në mbretëritë e tokës e të qiellit...Këto Thelbe të Shkëputjes, këto Realitete të shndritshme janë kanalet e hirit të Perëndisë që përshkon gjithçka. Të prirë nga drita e udhëheqjes së pagabueshme dhe të veshur me sovranitet suprem, Ato janë ngarkuar të përdorin frymëzimin e fjalëve të Tyre, vërshimet e mirësisë së tyre të pagabueshme dhe flladin shenjtërues të Revelacionit të Tyre, për të pastruar çdo zemër të devotshme e çdo shpirt të hapur nga pluhuri e papastërtitë e shqetësimeve e të kufizimeve tokësore".
Medina: Fjalë për fjalë do të thotë "qyteti", e quajtur kështu sepse i dha strehë Muhametit: emri i mëparshëm është Jatrib [Yathrib]. Vendi i varrimit të Muhametit; vjen i dyti, pas Mekës, për nga shenjtëria.
Meka: Kryeqyteti i Arabisë, , vendlindja e Muhametit, vendndodhja e Qabesë; qyteti më i shenjtë i Islamit.
Madian: Qytet dhe rajon në brigjet e Detit të Kuq, në jug-lindje të malit Sinai, të banuara nga pasardhësit e Madianit, të birit të Abrahamit e të Keturah-ës. Kurani , súre 7:83.
"Miraxh" [Mi'ráj]: Udhëtimi natën i Muhametit me Gavrilin.
Moisiu: Sipas myslimanëve, një nga gjashtë profetët e mëdhenj. Shih Eksodi 4:16, ku Perëndia i thotë Moisiut: "ti do të jesh për të në vend të Perëndisë"; dhe Eksodi 7:1: "Shih, të kam bërë të jesh perëndi për faraonin". Moisiu udhëhoqi largimin nga Egjipti rreth vitit 1440 p.K., siç vlerësohet tani.
Mufaddal: Bashkëkohës i Imam Sadikut, autor i një profecie për "vitin gjashtëdhjetë" (viti 1844 m.K., që i korrespondon vitit 1260 A..H.).
Muhameti: Profeti i Islamit dhe Reveluesi i Kuranit. Lindur në gusht 570 m.K. E shpalli misionin e Tij në vitin 613 m.K. Në vitin 622 u strehua në Medine. Shih Përgjigje për disa pyetje , f. 22-29. Profetizuar nga Moisiu, Deut. 18:15; nga Shën Gjoni Hyjnori, Rev. 11 (shih Përgjigje për disa pyetje, f. 53 ff.).
Mulla Abdyl Kalik Jazdí [Mullá 'Abdu'l-Kháliq-i-Yazdí]: Fillimisht rabin (prift hebre), ai pranoi Islamin, aderoi në shkollën Sheikí [Shaykhí] dhe u kthye në Besimin Bábí nga Mulla Hyseni.
Mulla Ali Barakaní [Mullá 'Alíy-i-Baraqání]: Xhaxha i Tahires, një nga pjesëtarët më të ditur e më të famshëm të komunitetit sheikí [shaykhí]. Pasi u kthye në Besimin Bábí, u bë përhapësi më i zellshëm e më i zoti i Besimit të ri në Teheran.
Mulla Ali Bastamí [Mullá 'Alíy-i-Bastámí]: Një prej "Germave të të Gjallit". I dërguar me mision të posaçëm nga Shirazi prej Báb-it në vitin 1844, u bë martiri i parë që vuajti dhe bëri fli jetën në shtegun e këtij Besimi të ri.
Mulla Beqiri [Mullá Báqir]: Vëlla i Mulla Mehdi Kandit, martirizuar në Tabarsí.
Mulla Hyseni [Mullá (usayn]: I pari që besoi në Báb-in, i pari "Germë e të Gjallit", i quajtur nga Báb-i "Bábu'l-Báb", që do të thotë "Porta e Portës". Lindur më 1813, ishte për nëntë vjet nxënës i Sijid Qazimit, drejtuesit të shkollës Sheikí, dhe për pesë vjet të tjerë pasues i Báb-it. U martirizua në kështjellën e Sheik Tabarsí [Shaykh Tabarsí] më 3 shkurt 1849.
Mulla Mehdi Kuí [Mullá Mihdíy-i-Khu'í]: Shok i Bahá'u'lláh-ut dhe kujdestar i fëmijëve të shtëpisë së Tij. Martirizuar në Tabarsí.
Mulla Muhamet Ali Zanxhaní [Mullá Mu(ammad-'Alíy-i-Zanjání]: I mbiquajtur nga Báb-i Huxhat [Hujjat]. "Një prej mbrojtësve më të zot e më të fuqishëm të Besimit të ri" (shih Perëndia kalon pranë, f. 44), udhëheqësi i Bábí-ve të rrethuar në Zanxhan, ku u martirizua bashkë me 1800 shokë gjatë asaj që Lordi Kurzon e ka quajtur "rrethim i frikshëm e kasapanë e llahtarshme"
Mulla Nimatullah Mazindaraní [Mullá Ni'matu'lláh-i-Mazindarání]: Bábí i martirizuar në Sheik Tabarsí.
Mulla Jusuf Ardibilí [Mullá Yúsuf-i-Ardibílí]: "Germë e të Gjallit", martirizuar në Sheik Tabarsí.
Mustagat [Mustagháth]: Fjalë për fjalë do të thotë "Ai Që thirret". I referohet shfaqjes së Bahá'u'lláh-ut në kohën e njoftuar nga Báb-i.
Nabukodonosor: Mbret i Babilonisë. Në vitin 595 p.K. pushtoi Jerusalemin, në vitin 588 e rrënoi qytetin dhe i detyroi pjesën më të madhe të banorëve të tij të transferohen në Kaldé.
Nadr Ibn Hariz [Nadr-Ibn-i-(árith]: Kundërshtar i Muhametit.
Nimrod: Në komentet muhamedane paraqitet si përndjekës i Abrahamit.
Noji: Profet, të cilin muhamedanët e quajnë "Profet i Perëndisë". Shih Zanafilla 6:10 dhe Kurani, súret 11, 71 lidhur me jetën e tij dhe me Përmbytjen.
Nudbih, Lutja e: "Vajtim" i Imam Aliut.
Parajsa: Kopsht qiellor, gjendje lumturie të plotë. "Bilbili i Parajsës" është Manifestimi i Perëndisë; "fëshfërima e gjetheve të Parajsës" është Revelacioni i Tij; "dashuria e Perëndisë" është vetë Parajsa.
Párán: Vargmal në veri të Sinait e në jug të Seirit; të gjitha këto konsiderohen të shenjta, sepse janë vende revelacioni profetik. Jo larg nga Páráni, në veri-perëndim të Edomit, gjendet Temani. Shih Habakuk 3:3. Vetë Moisiu e përdor emrin Párán për t'iu referuar posaçërisht Muhametit dhe emrin Seir për t'iu referuar Jesu Krishtit: "Ai tha 'Zoti erdhi prej Sinait dhe iu shfaq atyre nga Seiri; Ai shndriti nga Mali Párán dhe erdhi me dhjetë mijë shenjtorë, duke pasur në krah të djathtë një ligj të zjarrtë për ta'". (Deut. 33:2). Këtu Moisiu profetizon ardhjen e tre revelacioneve e të tre profetëve pas atij vetë, i fundit prej të cilëve është Bahá'u'lláh-u. Ishmaeli (Zanafilla 21:21) themeloi në Párán popujt arabë.
Pentateuk: Fjalë për fjalë do të thotë "Pesëlibërshi". Është fjala për pesë librat e parë të Biblës.
Qabeja [Ka'bih]: Fjalë për fjalë do të thotë "kub". Godina në formë kubi në qendër të xhamisë në Mekë, në një mur të së cilës ndodhet Guri i Zi.
Qerbela [Karbilá]: Qytet rreth 55 milje në jug-perëndim të Bagdadit, në brigjet e Eufratit.
Qerim [Karim]: Fjalë për fjalë do të thotë "fisnik". Përdoret si titull vlerësimi: "I nderuar".
Raji [Rayy]: Qytet i lashtë, pranë të cilit u ndërtua Teherani.
Ridván: Emri i ruajtësit të Parajsës. Bahá'u'lláh-u e përdor atë për të treguar vetë Parajsën.
Rikat [Rik'at]: Përulje deri në tokë gjatë lutjeve të besimtarëve myslimanë.
Rúz-bih: Një pers që përqafoi Krishtërimin. Kur dëgjoi që në Arabi po dilte një Profet, shkoi atje dhe, pasi takoi në Koba Muhametin, i Cili po ikte për në Medinë, njohu pozitën e Tij dhe u bë mysliman.
Sadiku [Sádiq]: Imami i gjashtë i shiitëve.
Sadratu'l Muntahá: Emri i një druri që arabët në lashtësi e mbillnin në fund të një rruge karvanësh, që të shërbente si orientim për udhëtarët. I përdorur në mënyrë simbolike, ky term tregon Manifestimin e Perëndisë në ditën e shfaqjes së Tij.
Sadrih: Fjalë për fjalë do të thotë Degë.
Sálih: Profet i lashtë arab që përmendet në Kuran, súre 7:71-77. Disa komentatorë e identifikojnë atë me Salihun e Zanafillës 11:13.
Salsabíl: Fjalë për fjalë do të thotë "që rrjedh ëmbël". Një burim i Parajsës.
Sámirí: Një magjistar që e përdori Faraoni si rival të Moisiut. Sipas myslimanëve, ishte ai, e jo Aaroni, që bëri viçin e artë.
Sinai: Mali ku Perëndia i dha Moisiut Ligjet. (Kurani, súre 7:139 dhe Eksodi 19).
Sirát: Fjalë për fjalë ka kuptimin urë, mbështetje. Simbolikisht tregon fenë e Perëndisë.
Sijid Hysen Turshizí [Siyyid (usayn-i-Turshízí]: Muxhtahid (doktor i ligjit mysliman), një nga Shtatë Martirët e Teheranit.
Sijid Qazim [Siyyid Káẓim]: Nxënësi kryesor i Sheik Ahmetit [Shaykh A(mad] dhe pasardhësi i tij. Hyseni dhe Bábí të tjerë të shquar ishin ndër nxënësit e tij. Vdiq më 31 dhjetor 1843.
Sijid Jahja [Siyyid Ya(yá], i mbiquajtur Vahid: Teolog i shquar e shumë i ditur, i cili u bë Bábí dhe u martirizua pas rrethimit të Najrizit [Nayríz] më 29 qershor 1850, dhjetë ditë para vdekjes së Báb-it.
Súfí: Një urdhër mistikësh muhamedanë.
Súre: Fjalë për fjalë do të thotë "një varg sendesh të radhitura", si tullat e një muri. Termi súre përdoret ekskluzivisht për kapitujt e Kuranit, që janë njëqin e katërmbëdhjetë.
Sheba: Qytet në Arabinë e jugut, që përmendet në Zanafilla 10:28; I Mbretërit 10; II Kronikat 9. Simbolikisht përdoret për vendbanim, banesë.
Sheik Ahmet [Shaykh A(mad]: I pari nga dy pararendësit e Báb-it, lindur në vitin 1753, themelues i Shkollës Sheikí dhe autor i 96 librave. Vdiq më 1831.
Shiit: Çështja e trashëgimit e ndan përgjithësisht Islamin në dy shkolla të mendimit. Sipas njërës pikëpamje, të përfaqësuar kryesisht nga shiitët, regjenca është një çështje shpirtërore e përcaktuar nga Profeti dhe nga pasardhësit e Tij. Sipas pikëpamjes tjetër, asaj të sunitëve, trashëgimia duhet të varet nga zgjedhja popullore. Kalifi i sunitëve është mbrojtësi i hapur e i dukshëm i Besimit. Imami shiit është i emëruar në mënyrë hyjnore dhe është i pajisur me dhunti më të larta sesa urtia e autoriteti njerëzor.
Shoeb: Prift madianit (Eksodi 2:16-21). Mojsiu u martua me të bijën e tij. Në Eksodi 18 përmendet me emrin Jetro.
Shiraz [Shíráz]: Kryeqyteti i Provincës së Farsit në Persi; vendlindja e Báb-it dhe vendi i deklarimit të Tij më 1844.
Shtylla Kërmëz: Aluzion për Fenë e Bahá'u'lláh-ut, të skuqur nga gjaku i martirëve të saj.
Tabelë: Term që tregon një letër të shenjtë e cila përmban një revelacion. Në Kuran përmenden tabelat e Moisiut: "Shkruam për të (Moisiun) në tabela nga një paralajmërim për çdo gjë" (Súre 7:142).
Taff, Toka e: Fusha e Qerbelasë, në afërsi të së cilës u martirizua Imam Hyseni.
Tamud [Thamúd]: Fis i një populli të lashtë hamitik, i vendosur në kufi me Edomin dhe që jetonte në shpella, i shfarosur gati krejtësisht nga Kedorlaomeri, pushtuesi elamit. Ata që mbijetuan, gjetën strehë në malin Seir në kohët e Isakut e të Jakovit.
Urvatul Vutká ['Urvatu'l-Vuthqá]: Fjalë për fjalë do të thotë "dorëza më e fortë". Përdoret si simbol i Besimit të Perëndisë.
Viti Gjashtëdhjetë: Do të thotë viti 1260 A..H. që i korespondon vitit 1844 p.K., vit i Deklarimit të Báb-it.
"Vula e Profetëve": Një nga titujt e Muhametit.
Vullneti Parësor: "Gjëja e parë që buroi nga Perëndia është ai realitet universal... që njerëzit e Bahá-it e quajnë 'Vullneti Parësor'".(Përgjigje për disa pyetje), f.237.
Zakum [Zaqqúm]: Pemë e zonave të Ferrit.
Zijarat [Zíyárat]: Tabelë e Vizitës reveluar nga Imam Aliu.
(Numrat i referohen numrit të paragrafit)
Abel: sakrifica e, si provë e Profetësisë së Muhametit, 148.
Abraham:
si Manifestim pas Hudit, Nojit, Salihut, 10.
si Mik i Perëndisë, 10, 62;
pararendës i, 62-63, 66;
Abu Abdillah: flet për natyrën e Mihdí-ut, 240.
Abu Xhal: i dënuar me mallkim, 121.
Agjërim: 41
Alkimi: 189.
Ali, Imam: Shih Imam Ali.
Alif: 202.
Ar: shndërrimi i bakrit në, 166, 167
Arbain: profeci lidhur me Kaimin, që gjenden në, 272.
Atom: dëshmon për revelimin e Dritës më të madhe, 29, 108
Athím, 190.
'Aválim: profeci lidhur me Kaimin, që gjenden në, 271, 273.
Báb:
fuqia transhendente e, 264, 265
ndikimi përshkues i, 265
pararendësit e, 73, 74
i përndjekur nga teologë e ofiqarë, 264
profeci për martirizimin e vet, 259, 260
qëndrueshmëria e trimëria e, 258
vendosmëria e, 263
vuajtjet e pasuesve të, 265, 266
Bagdad: si "Vendbanim i Paqes", 189
Bahá'u'lláh:
arsyeja e tërheqjes në vetmi në Kurdistan, 279
dëshira e Tij për t'u bërë fli për Báb-in, 280
Bakër: shndërrimi i tij në ar, 166, 167
Baní-Hashim: 271, 272
Biháru'l-Anvár: profeci lidhur me Kaimin, që gjenden në, 273, 283
Biri i Njeriut: shpjegimi i ardhjes së, 67, 75
Bori: domethënia simbolike e, 124
Dielli: domethënia simbolike e, 32, 34, 37, 41, 42, 43, 46, 75
Dije:
buçitja e borisë së Lajmëtarit, 217
çdo gjë që mund të njihet, 204
dritë që Perëndia fut në zemrën e kujtdo që Ai dëshiron, 202
dy lloje të saj: hyjnore e djallëzore, 49, 77
si dhunti qiellore, 3, 49, 203
njerëzore dhe hyjnore, 154, 155, 156
një pikë e shumëfishuar nga të marrët, 202
njëzet e shtatë germat e, 273
pakapshmëria e dijes së Perëndisë, 107
si perdja më e trashë, 206, 238
pika kulminante e, 155
e reveluar në Kuran, 157
shtatëdhjetë kuptimet e, 284
Engjëj: domethënia simbolike e, 87, 88
Faraon:
një i afërm i tij beson te Moisiu, 13
kundërvënia Moisiut, 13, 58
paralajmëruar për ardhjen e Moisiut, 69
referim te (në Kuran), 13
Fatime: Tabela e, 274
Fillimi që nuk ka fillim: 172, 175, 179, 181
Fjala e Perëndisë:
Bajani, Kurani, Pentateuku, Ungjijt si, 220
ndan e bashkon, 119, 120
Fundi që nuk ka fund: 172, 179, 180
Gavril: 109
Gjon Pagëzori:
Jahjai, i biri i Zaharisë, 71
si pararendës i Jesuit, Fjalë e Perëndisë, 71
Gjyqi: Dita e, 119, 122, 123
Hadithet: "thirrësi (Isráfíl) do të ftojë për një detyrë të vështirë", 268
Hamza: "Princ i Martirëve", xhaxha i Muhametit 130
Hebrenjtë:
bindja e tyre se Dora e Perëndisë është e lidhur, 148
kundërvënia e tyre Jesuit, 18
kundërvënia e tyre Muhametit, 147, 148, 149
Hëna: domethënia simbolike e, 32, 34, 37, 39, 41, 42, 43
Hud:
Dispensacioni pas Nojit, 10
referim te (në Kuran), 10
Súreja e, 6
Hyseni: 136
i biri i Aliut, 180
"Isha me një mijë Adamë", 180
martirizimi dhe shenjtëria e, 139, 140, 141
"Princ i Martirëve", 252
Ibn Syrja: 93
Imam Aliu: 179
"kalimi i perdeve të lavdisë pa ndihmë", 176
si Komandant i Besnikëve, 128, 176
thënie e tij për qiellin, ferrin, gjyqin dhe ringjalljen, 128, 129
Imran: ati i Moisiut, 58
Islam: sprovat e ditëve të para të, 243
Izrael: ndëshkimet e tij dhe arsyet e tyre, 18
Janbú: libër hadithesh, 273
Josifi: 237, 283
Jesui:
fuqia e sovraniteti i, 145, 146
interpretimi i gabuar kristian i profecive të, 26, 27
Kaimi, shenjat e, 283
Kauza e Tij, e konfirmuar në Kuran, 21
kundërvënia e Izraelit, 18
dhe Ligji i Kiblës, 56
pararendësi i, 71, 74
pasuria në varfëri, 142
i përforcuar nga Shpirti i Shenjtë, 192
profetizimi she shenjat e kthimit të Tij, 20, 21, 22, 25
i pyetur para Pilatit dhe Kajfas, 145
shpjegimi i profecive të, 29, 30, 31, 32
Ungjilli, Fjalë e Perëndisë, 220
Jetë: e vërtetë, 122, 129
Káfí: 274, 275
Kaimi:
atributet e, 270, 274, 283
do t'ua kalojë të gjithë Profetëve, 273
katër shenjat e Moisiut, Jesuit, Josifit e Muhametit, 283
përndjekja e pasuesve të, 274
do të revelojë njëzet e pesë nga germat e dijes, 273
sovraniteti i, 114, 115
shfaqja e Tij është Dita e Ringjalljes, 153
Kajumul Esma: profetizon martirizimin e Báb-it, 259
Kautari i Pranisë Hyjnore, 240
Kibla:
ligji i saj i pandryshuar nga Manifestimet, 56
përse e ndryshoi Muhameti, 55, 56
Kërkues: atributet dhe shpërblimi i, 3,214, 215, 216, 217, 218
Klerikët:
si mashtrues të njerëzve, 16, 90, 177, 233
si përndjekës të Manifestimeve, 178
Krijimi: uniteti, qëllimi thelbësor i, 29
Krishti: Shih Jesui
Kthimi: domethënia simbolike e, 160, 161, 169, 170, 171
Kuptimi:
i Perëndisë, 3
i Profetëve të Tij, 5
i Súres së Hudit, 6
Kurani:
dëshmi e Perëndisë për lindjen dhe perëndimin, 233
si një nga dy dëshmitë e Muhametit, 224
dija e reveluar në, 157
si Fjalë e Perëndisë, 220
si fortesë e pamposhtur, 221
të gjithë duhet ta ndjekin deri në "vitin gjashtëdhjetë", 222
si konfirmin i Kauzës së Jesuit, 21
mohimi i Manifestimeve nga bashkëkohësit në, 5
prova e besimit në, 9
si udhëheqje deri në ditën e Ringjalljes, 225
udhërrëfim i pagabueshëm, 222
Lám: 225
Lutje:
si element themelor i fesë, 40
ligji i, 40
e Nudbih-ut, 270
simbolizuar si hëna e fesë, 41
Magët: në kërkim të Jesuit, 71
Manifestimet:
arsyet e mohimit të tyre nga krerët sot, 29
fuqia e, 48
gjuha e dyfishtë e, 284
të gjithë jetojnë me veprën dhe vullnetin e, 110
hiri i kudopranishëm i, 15
kanë dhuntinë e qëndrueshmërisë, 246
mohimi i, 4, 5, 14, 15, 16, 200, 201, 237, 241
ndikimi transformues i, 164, 165, 166, 167, 168
ndryshojnë nga intensiteti revelacioneve, 111
nënshtrimi i, 195, 197
njëshmëria e, 162, 163, 192, 193, 199
njohja e tyre si arritje në prani të Perëndisë, 152, 158, 183
përbuzja e teologëve për pasuesit e, 247
pozita e dyfishtë e, 162, 192, 199
sovraniteti i amshuar i, 104, 118, 132, 133
sovraniteti, fuqia dhe dija etyre vijnë nga Perëndia, 107
shërbëtorë të Perëndisë, 197
shfaqin emra e atribute të Perëndisë, 110, 111, 152, 197
vështirësitë dhe përndjekja e, 48
Titulli "Vula e Profetëve" u përshtatet të gjithëve, 197
Maria: dhimbjet e saj në lindjen e Jesuit, 60, 61
Mím: 225
Miraxh: ngjitja e Muhametit, 204, 205
Mohimi: i Manifestimit, 4, 7, 14, 15, 16, 200, 201, 202
Moisiu:
dhe driza e përflakur, 58
ikën në Madian pasi vret një njeri, 58
kundërvënia e faraonit ndaj, 13
madhështia dhe pushteti i, 13
një i afërm i faraonit beson te, 13
pararendësi i, 69, 74
Pentateuku Fjalë e Perëndisë, 220
profeci për ardhjen e, 69
profetëria e, 58
referime te, 13, 58
shenjat e Kaimit, 28
Muhameti:
Dita e Gjyqit dhe e Ringjalljes, 122, 123, 124, 125
dy dëshmitë e, 201
Kaimi, shenja e, 283
katër pararendësit e, 72
kundërvënia e hebrenjve ndaj, 147
kundërvënia e të krishterëve ndaj, 90
Kurani Fjalë e Perëndisë
nënshtrimi i kombeve ndaj Besimit të, 118
ngjitja e, 204, 205 (shih Miraxh)
përndjekja e pasuesve të, 243
sovraniteti i, 119
shenjat e ardhjes së, në qiejt e dukshëm e të padukshëm, 72
shtrembërimi i tekstit të Fjalës së Perëndisë, 83, 94, 95, 96
"Unë jam të gjithë Profetët; Unë jam Adami, Noji e Jesui", 173
"Unë jam Jesui", 21
vuajtjet e, 115, 116
"Vula e Profetëve", 182
Mulla Hyseni: pozita e lartësuar e, 249
Mullatë: lista e atyre që njohën Báb-in, 249
Mustagat:
"Ai Që është thirrur", 257
paralajmërim pasuesve të Bajanit lidhur me, 277
Nimrodi: ëndrra e, 68
Noji:
brengat e, 8
referime (në Kuran) për, 8
i transformuar nga Fryma e Perëndisë, 163
Nudbih: Lutja e, (hadith), 70
Njeri:
hijeshia e madhe që i është dhuruar, 149
mund të shfaqë të gjitha atributet e Perëndisë, 108
Pararendësit:
e Adamit, 68
e Báb-it, 73
e Jesuit, 70, 71
e Moisiut, 69
e Muhametit, 72
e çdo Manifestimi,74
Pentateuku:
si Fjalë e Perëndisë, 220
shtrembërimi i tekstit të, 93, 94, 95, 96
"Perdet e lavdisë": domethënia e, 176, 177, 178, 179
Persët: hadithi se ata do të masakrojnë pasuesit e Kaimit (profeci), 276
Perëndia:
arritja në prani të, 150, 151, 152, 183
besimi te, 3, 214
"Dora e Perëndisë është tani e mbyllur" (hadith hebraik), 148
dëshmia e, gjykuar gabim nga dija njerëzore, 15
emrat e atributet e, shfaqen në të gjithë gjërat,110
fuqia detyruese e Fjalës së, 119
hiri, i pareshtur, i kudopranishëm, 15
Libri i, 4
ndarja e shkaktuar nga Fjala e, 119
njihet përmes Manifestimeve, 107, 111
Thelbi i, nuk mund të njihet, 3, 105, 106
shkaku i mohimit të Profetëve të, 4, 5, 6, 7
vë në provë besën e njerëzve, 59, 61, 62, 63
Përgojosja: shuan dritën e zemrës dhe jetën e shpirtit, 215
Qerim: 210
Qerim Han: 204
Qielli: domethënia simbolike e, 47, 67, 75, 76, 80
Raji: qytet i lashtë pranë Teheranit, 275, 276
Retë: domethënia simbolike e, 80, 81, 82, 83, 84
Revelacion:
dhe arritja në Praninë Hyjnore, 150, 151, 152
forca krijuese e, 65, 66
universal, 150
Ringjallja:
Dita e, 52, 153
domethënia simbolike e, 124, 126, 153, 154, 169, 170, 171, 183
në Kuran, 122, 124
në Ungjijt, 126, 127
Rúz-bih: 72
Sadik: 87, 284
flet për pasurinë e vërtetë, 143
profeci për ligësinë e teologëve, 276
profeci për "vitin gjashtëdhjetë", 282
Sálih:
si Manifestim pas Nojit, 11
referime për, 11
Sámirí: 211
Selman: dishepull i Hysenit, 72, 180
Siguri:
Fjala e Perëndisë, 220
e përtërirë çdo një mijë vjet, 220
qyteti i, 218, 219, 220
Sijid Hysen Turshizí: 249
Sijid Jahja: 249
Simbole: qëllimi i, 54
Shkëputje: 3, 214
Shtypje: domethënia simbolike e, 30, 31
Tabela e Fatimes: 274
Teologë:
interpretimi i librave të shenjtë sipas dëshirave e ngushtësisë së vet, 90, 200
kuptimi i gabuar i Ungjijve nga teologët e krishterë, 89, 237
letra të Báb-it në adresë të, 257
të mbështjellë nga perdet e diturisë, 238
mospranim i Manifestimit, 89, 90, 91, 177, 200
mospranimi i Muhametit nga teologët e krishterë, 89
pak prej tyre e pranojnë Manifestimin, 17, 35, 177, 256
si "perde të lavdisë", 176, 206
pranimi i këtij Dispensacioni nga, 248, 249
profeci e Sadikut për ligësinë e, 271, 276
venë në lojë pasuesit e Manifestimit, 115, 232, 247
Toka: domethënia simbolike e, 49, 50, 51, 52
Tymi: domethënia simbolike e, 85
Ungjijt:
si Fjalë e Perëndisë, 220
përmbajnë profeci për Manifestimin e ardhshëm, 22, 23, 25, 27
teologët e krishterë i keqkuptojnë, 237
Uniteti:
i dhuruar nga Fjala e Perëndisë, 220
si qëllim thelbësor i krijimit, 29
Urtí: 3
Urvatul Vutká: 227
Vendosmëri: 262
Vula e Profetëve:
e aplikuar për të gjitha Manifestimet, 197
e aplikuar për Muhametin, 173, 182
si perde për myslimanët, 238
Xhabir: hadithi për atributet e Kaimit, 274
Yll:
domethënia simbolike e, 34, 36, 39, 75
si lajmëtar i një Dite të re, 67, 68, 69, 70, 71
Zakum: pema e, pemë e Ferrit, 210
Zaurá: qyeti i lashtë i Rajit, 275, 276
Zijarat: Tabelë e Vizitës e reveluar nga Aliu, 270
1 Shoghi Effendi: Nipi i 'Abdu'l-Bahá-it, Ruajtësi i Besimit Bahá'í, vdiq në vitin 1957.
2 Kurani 36:30.
3 Kurani 40:5.
4 Kurani 11:38.
5 Kurani 71:26.
6 Kurani 29:2.
7 Kurani 35:39.
8 Kurani 11:61, 62.
9 Abrahami.
10 Kurani 40:28.
11 Kurani 11:18.
12 Kurani 2:87.
13 Kurani 3:70.
14 Kurani 3:71.
15 Kurani 3:99.
16 Kopt: egjiptian i racës vendase, në dallim nga Sept, banor çifut i Egjiptit. - Shën. i përkth.
17 Kurani 3:7.
18 Mesia Hyjnor: Mbreti Hyjnor, Shëlbuesi i pritur nga hebrenjtë. - Shën. i përkth.
19 Kurani 76:9.
20 Kurani 5:114.
21 Kurani 14:24-25.
22 Fjala greke Thlipsis që është përdorur në këtë rast ka dy kuptime: trysni dhe shtypje.
23 Mateu 24:29-31.
24 Pasazhi është cituar nga Bahá'u'lláh-u në arabisht dhe interpretuar në persisht.
25 Luka 21:33.
26 "Vajtim" që i atribuohet Imamit të Dymbëdhjetë.
27 Kurani 55:5.
28 Kurani 67:12.
29 Kurani 76:5. Sipas disa komentuesve të Kuranit, Káfúr, që do të thotë kamfur, është emri i një burimi të parajsës, të quajtur kështu sepse i përngjan kamfurit nga aroma e bardhësia.
30 Kurani 6:91.
31 Kurani 41:30.
32 Kurani 70:40.
33 Kurani 82:1.
34 Kurani 14:48.
35 Kurani 39-67.
36 Kibla [Qiblih]: drejtimi në të cilin duhet kthyer fytyra gjatë lutjes.
37 Meka.
38 Medina.
39 Kurani 2:144.
40 Rikate [Rik'at]: përkulje në tokë në lutjet e fesë myslimane.
41 Në Mekë.
42 Kurani 2:149.
43 Kurani 2:115.
44 Kurani 2:143.
45 Kurani 74:50.
46 Kurani 28:20.
47 Kurani 24:35.
48 Kurani 26:19.
49 Kurani 19:22.
50 Kurani 19-28.
51 Mateu 2:2.
52 Kurani 3:39.
53 Mateu 3:1-2.
54 Sheiku Ahmet Ahsai [Shaykh Ahmad-i-Ahsá'í] dhe Sijid Qazim Rashti [Siyyid Kázim-i-Rashtí].
55 Kurani 55:29.
56 Kurani 51:22.
57 Kurani 2:282.
58 Kurani 55:56.
59 Kurani 2:87.
60 Kurani 25:25.
61
62 Kurani 25:7.
63 Kurani 2:210.
64 Kurani 44:10-11.
65 Kurani 3:119.
66 Imami i gjashtë i shiitëve.
67 Kurani 25:7.
68 Kurani 4:46.
69 Kurani 2:75.
70 Kurani 2:79.
71 Kurani 24:35.
72 Kurani 9:32.
73 Kurani 29:51.
74 Kurani 2:177.
75 Kurani 6:103.
76 Kurani 3:28.
77 Kurani 41:53.
78 Kurani 51:21.
79 Kurani 59:19.
80 Kurani 2:253.
81 Kurani 7:146.
82 Kurani 6:35.
83 Isaia 65:25.
84 Kurani 7:179.
85 Kurani 11:7.
86 Kurani 13:5.
87 Kurani 50:15.
88 Kurani 50:20-21.
89 Kurani 17:51.
90 Gjoni 3:7.
91 Gjoni 3:5-6.
92 Kurani 7:179.
93 Luka 9:60.
94 Titull i xhaxhait të Muhametit.
95 Kurani 6:122.
96 Në disa raste, dhe konkretisht në numrat 132, 138, 171, 208, 214 e 218, Bahá'u'lláh-u përdor termin "Zot i Zotave". Ç'duhet kuptuar me këtë: kjo shprehje i referohet Perëndisë apo Manifestimeve të Tij, siç është vetë Bahá'u'lláh-u? Në Librin Më të Shenjtë, Qitapi Akdasin, jepet një sqarim i plotë për këtë çështje. Ndër të tjera, atje thuhet:
"Shkrimet Bahá'í përmbajnë mjaft pasazhe që sqarojnë natyrën e Manifestimit dhe raportin e Tij me Perëndinë. Bahá'u'lláh-u e vë theksin te natyra unike e transhendente e Hyjnisë. Ai shpjegon se 'derisa nuk mund të ketë lidhje komunikimi të drejtpërdrejtë që të bashkojë të vetmin Perëndi të vërtetë me krijimin e Tij', Perëndia urdhëron që 'në çdo epokë e dispensacion një Shpirt i dëlirë e i panjollë të shfaqet në mbretëritë e tokës e të qiellit'. Kjo 'Qenie misterioze e eterike', Manifestimi i Perëndisë, ka një natyrë njerëzore që i përket 'botës së materies' dhe një natyrë shpirtërore 'të lindur nga substanca e Vetë Perëndisë'. Ai ka gjithashtu një 'pozitë të dyfishtë':
Pozita e parë, që lidhet me realitetin e Tij më intim, e paraqet Atë si Ai, zëri i të Cilit është zëri i vetë Perëndisë... Pozita e dytë është pozita njerëzore, e cila jepet nga këto vargje: 'Unë s'jam veçse një njeri si ju'. 'Thuaj, lëvduar qoftë Zoti im! A jam Unë më shumë se një njeri, një apostull?'"
Dhe më tej Bahá'u'lláh-u thotë:
"Sikur ndonjëri prej Manifestimeve gjithpërfshirëse të Perëndisë të deklaronte: 'Unë jam Perëndia', Ai, me të vërtetë, thotë të vërtetën, dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim. Sepse është provuar në mënyrë të përsëritur se përmes revelacionit të tyre, atributeve e emrave të tyre, shfaqen në botë Revelacioni i Perëndisë, emrat dhe atributet e Tij..."
"Por ndërsa Manifestimet revelojnë emrat dhe atributet e Perëndisë, me anën e të cilave njerëzimi arrin te dija për Perëndinë dhe Revelacionin e Tij, Shoghi Effendi-u deklaron se Manifestimet'kurrë... nuk duhen njësuar me atë Realitet të padukshëm, me thelbin e vetë Hyjnisë'". - Shën. i përkth.
97 Kurani 37:173.
98 Kurani 9:32.
99 Kurani 11:18.
100 Kurani 35:15.
101 Luka 5:18-26.
102 Kurani 6:91.
103 Kurani 15:72.
104 Kurani 5:64.
105 Kurani 48:10.
106 Kurani 29:23.
107 Kurani 2:46.
108 Kurani 2:249.
109 Kurani 18:110.
110 Kurani 13:2.
111 Kurani 17:44.
112 Kurani 78:29.
113 Kurani 57:3.
114 Kurani 2:210.
115 Kurani 28:5.
116 Kurani 13:39.
117 Kurani 3:183.
118 Kurani 3:183.
119 Kurani 2:89.
120 Kurani 2:285.
121 Imam Aliu: Imami i parë, kushëri dhe dishepulli i parë i Muhametit, martuar me të bijën e Tij Fatimen. - Shën. i red.
122 Kurani 54:50.
123 Kurani 43:22.
124 Báb-it.
125 Kurani 2:19.
126 Kurani 36:20.
127 Imam Aliut.
128 Kurani 2:85.
129 Kurani 33:40.
130 Kurani 6:103.
131 Kurani 16:61.
132 Kurani 21:23.
133 Kurani 55:39.
134 Kurani 55:41.
135 Bagdad.
136 Kurani 10:25.
137 Kurani 6:127.
138 Kurani 2:136.
139 Kuran 2:253.
140 Kurani 19:30.
141 Kurani 18:110.
142 Kurani 8:17.
143 Kurani 48:10.
144 Kurani 33:40.
145 Kurani 2:189.
146 Kurani 17:85.
147 Haxhi Mirza Qerim Han [Hájí Mírzá Karím Khán].
148 Udhëzues për injorantët.
149 Ngjitjes.
150 Pemë e skëterrës.
151 Mëkatar ose i mëkatshëm. Kurani 44:43-44.
152 Fisnik, i nderuar - Kurani 44:49.
153 Kurani 6:59.
154 Një magjistar i kohës së Moisiut.
155 Kurani 7:58.
156 Kurani 16:43.
157 Kurani 29:69.
158 Ibid
159 Viti 1260 A.H., viti i Deklarimit të Báb-it.
160 Kurani 2:1.
161 Kurani 2:23.
162 Kurani 45:6.
163 Kurani 45:7-8.
164 Kurani 45:9.
165 Kurani 26:187.
166 Kurani 8:32.
167 Kurani 45:25.
168 Kurani 29:23.
169 Kurani 37:36.
170 Kurani 40:34.
171 Kurani 3:7.
172 Kurani 45:23.
173 Kurani 38:67-68.
174 Kurani 34:43.
175 Kurani 5:59.
176 Kurani 6:7.
177 Kurani 2:148.
178 Kurani 11:27.
179 Imam Hyseni.
180 Kurani 26:227.
181 Kurani 2:94, 62:6.
182 Kurani 34:13.
183 Kurani 59:2.
184 Ai Që thirret.
185 Kurani 11:113.
186 Kurani 54:6.
187 Tabelë Vizite e reveluar nga Aliu.
188 Kurani 25:44.
189 Qytet i lashtë, afër të cilit është ndërtuar Teherani.
190 Kurani 43:36.
191 Kurani 20:124.
192 B dhe H do të thotë Bahá.