Return   Facebook

The Universal House of Justice

Ridván 2022

To the Bahá’ís of the World

Dearly loved Friends,

Një vit përgatitjeje dhe reflektimi, si edhe orvatjeje të madhe, ka përfunduar, i shquar nga përpjekjet e miqve në mbarë botën për ta shënuar njëqindvjetorin e Ngjitjes së ‘Abdu’l-Bahá·it, përfshirë duke dërguar përfaqësues për të marrë pjesë në një ngjarje të veçantë për Ta nderuar Atë në Tokën e Shenjtë. Përmes këtyre përpjekjeve, frymëzimi i ofruar nga jeta e ‘Abdu’l-Bahá·it është ndjerë nga shpirtra të panumërt dhe jo vetëm Bahá’í. Interesimi i Tij për çdo anëtar të familjes njerëzore, puna e Tij në mësimdhënie, përkrahja e Tij e ndërmarrjeve për arsim dhe mirëqenie shoqërore, kontributet e Tij të thekshme ndaj bisedave si në Lindje ashtu edhe në Perëndim, nxitja e Tij e përzemërt e shestimeve për ndërtimin e Shtëpive të Adhurimit, dhënia trajtë nga Ai për format e hershme të administratës Bahá’í, kultivimi nga ana e Tij i anëve të ndryshme të jetës bashkësiore - të gjitha këto anë plotësuese të jetës së Tij qenë një pasqyrim i kushtimit të Tij të vijueshëm dhe të plotë ndaj të shërbyerit e Perëndisë dhe të shërbyerit e njerëzimit. Përtej të qenët e një figure vigane autoriteti moral dhe rrokjeje shpirtërore të pakundshoqe, ‘Abdu’l-Bahá·i ishte një kanal i dëlirë, përmes të cilit këto forca që u lëshuan nga Zbulesa e Bahá’u’lláh·ut mund të vepronin mbi botën. Për ta kuptuar fuqinë shoqëri-ndërtuese të zotëruar nga Besimi, nuk ka nevojë të shihet më tej sesa arritjet e ‘Abdu’l-Bahá·it gjatë shërbesës së Tij dhe ndikimeve shndërruese të udhëheqjes që rridhte në mënyrë të pandërprerë nga pena e Tij. Kaq shumë prej përparimeve mahnitëse të bëra nga bashkësia Bahá’í e sotshme - të cilat u trajtuan në mesazhin tonë drejtuar juve në Riḍván·in e fundit - e gjurmojnë zanafillën e tyre te veprat, vendimet dhe udhëzimet e ‘Abdu’l-Bahá·it.

Sa e përshtatshme, atëherë, që vepra e përbashkët e bashkësisë Bahá’í në nder të Shembullit të saj të përkryer të përbëjë paraprirjen për fillimin e saj të një ndërmarrjeje madhore të përqendruar në lëshimin e fuqisë shoqëri-ndërtuese të Besimit në masa gjithnjë e më të mëdha. Fushat e përpjekjes që bien përbrenda fushëveprimit të Planit Nëntëvjeçar dhe të vargut të tanishëm të Planit, janë të drejtuara ndaj përmbushjes së këtij synimi gjithëpërfshirës. Ai është gjithashtu vatra e më shumë se 10’000 konferencave të mbajtura përreth globit për të shënuar nisjen e kësaj ndërmarrjeje të madhe shpirtërore. Këto konferenca, që pritet të mirëpresin numra të padëgjuar pjesëmarrësish, po sjellin së bashku jo vetëm Bahá’í, por shumë dashamirës të njerëzimit, të cilët ndajnë me ta një dëshirim për ta brumosur unitetin dhe për ta përmirësuar botën. Vendosmëria e tyre dhe ndjesia e fortë e qëllimit pasqyrohen në shpirtin e lindur në mbledhjet që kanë ngjarë tashmë, ku pjesëmarrësit janë nxitur po aq nga konsultimet e gjalla, të cilave u kanë kontribuar, sa edhe nga vizioni i përbashkët i hulumtuar në këto ndodhi të hareshme. Ne mbështetemi me pritje të etur në atë çka do të sjellin muajt dhe vitet e ardhshëm.

Që kur i drejtuam mesazhin tonë të 30 dhjetorit 2021 Konferencës së Këshilltarëve, Asambletë Shpirtërore Kombëtare dhe Këshillat Bahá’í Krahinorë kanë qenë duke i vlerësuar me zell mundësitë për të intensifikuar procesin e rritjes në grumbujt e juridiksionit të tyre gjatë Planit Nëntëvjeçar. Ne e ndiejmë se mund të jetë ndihmuese, për qëllimin e matjes së zhvillimit të bërë ndër kohë, për ta parë Planin që shpaloset në dy faza prej kohëzgjatjesh katër- dhe pesëvjeçare dhe Asambletë Kombëtare u ftuan për t’i përfillur përparimet që ata presin të shohin në bashkësitë e tyre përkatëse deri në Riḍván·in e 2026·ës dhe pastaj deri në Riḍván·in e 2031·shit. Ky ushtrim gjithashtu përfshiu një rivlerësim të kufijve të grumbujve dhe përfundimi i këtyre ndryshimeve të vogla është që numri i përgjithshëm i grumbujve në botë tani është rritur me një çerek dhe tashmë qëndron mbi 22’000. Duke gjykuar nga parashikimet e marra, vlerësohet që, deri në fund të Planit, do të ekzistojë një program rritjeje në çfarëdolloj shkalle zhvillimi në rreth 14’000 prej këtyre grumbujve. Ndër këto, numri ku programi i rritjes mund të përfillej si intensiv parashikohet të rritet në 11’000 gjatë së njëjtës periudhe kohore. Dhe, ndër këto, pritet që numri i grumbujve ku është kaluar guri i tretë kilometrik do të rritet mbi 5’000 deri në 2031·shin. Pa dyshim, bërja e përparimeve të tilla do të përfshijë përpjekje vigane përgjatë tërë kohëzgjatjes së Planit. Sidoqoftë, këto na duken si aspirata të denja për të cilat duhet orvatur, sepse ato paraqesin një vlerësim ambicioz, por serioz, të asaj që gjendet brenda mundësive.

Kjo është domethënëse. Synime të tilla nuk do të mund të shqyrtoheshin në mënyrë realiste nëse institucione dhe agjenci administrative nuk do të kishin evoluar dukshëm, duke i pajisur ato me aftësi të ngritura ndjeshëm për të mbarërenduar çështjet e bashkësisë, veprimtaritë e së cilës janë shumëfishuar kaq shpejt, duke përqafuar një numër shumë të gjerë dhe në rritje shpirtrash të ngjashëm. Nuk do të ishte e mundur të aspirohej për rritje të këtillë, nëse një dëshirë për të mësuar - për të vepruar, për të reflektuar, për të zënë rrokje dhe për t’i thithur rrokjet që po shfaqen tjetërkund - nuk do të ishte kultivuar në të gjitha shkallët, duke u shtrirë deri në bazën e bashkësisë. Dhe përpjekjet e nënkuptuara nga parashikimet, vështirë se do të ishin të mundshme nëse nuk do të ishte shfaqur gjithnjë e më shumë një qasje sistematike ndaj punës së mësimdhënies dhe zhvillimit të burimeve njerëzore në botën Bahá’í. Gjithë kjo ka shkaktuar një përparim në ndërgjegjshmërinë e bashkësisë Bahá’í të identitetit dhe qëllimit të vetë. Një vendosmëri për të qenë jashtëpamës në procesin bashkësi-ndërtues qe bërë që më parë një anë e njohur e kulturës në shumë, shumë vende; tashmë ka lulëzuar, në një numër në rritje bashkësish, në një ndjesi të vërtetë përgjegjësie për zhvillimin shpirtëror dhe material për grupe gjithnjë e më të mëdha në shoqëri, shumë përtej anëtarësisë së vetë bashkësisë Bahá’í. Përpjekjet e miqve për të ndërtuar bashkësi, për t’u përfshirë në veprime shoqërore dhe për të kontribuar në bisedat mbizotëruese të shoqërisë janë shkrirë në një ndërmarrje të përbotshme, lidhur së bashku nga një kornizë e përbashkët për veprim, përqendruar në të ndihmuarit e njerëzimit për t’i vendosur çështjet e tij në një themel parimesh shpirtërore. Domethënia e zhvillimeve që kemi përshkruar, duke arritur në këtë pikë njëqind vite pas përurimit të Rendit Administrativ, nuk mund të ngelet pa u vënë re. Në ngritjen e jashtëzakonshme në aftësi që ka ndodhur në dy dhjetëvjeçarët e fundit - dhe që e ka mundësuar botën Bahá’í për t’i parë përpjekjet e saj nga pikëpamja e lëshimit të fuqisë shoqëri-ndërtuese të Besimit - ne shohim dëshmi të pakundërshtueshme që Çështja e Perëndisë ka hyrë në epokën e gjashtë të Periudhës Formuese së saj. Ne lajmëruam Riḍván·in e fundit që dukuria e numrave të mëdhenj që marrin pjesë në veprimtari Bahá’í, duke u ndezur nga besimi dhe duke fituar zotësitë dhe aftësitë për t’i shërbyer bashkësisë dëshmoi që epoka e tretë e Planit Hyjnor të Mjeshtrit kishte filluar; kështu, Plani Njëvjeçar, në zanafillën e tij atëherë dhe në përfundim tani, tashmë shënon një tërësi përparimesh historike të arritura nga grupimi i besnikëve. Dhe në pragun e një ndërmarrjeje të re, të fuqishme, ky trup besimtarësh të bashkuar qëndron i gatshëm për t’i mbërthyer mundësitë e hapura gjerë para tij.

Një veçori e mirënjohur e epokës që përfundon tani qe ngritja e së fundit prej Shtëpive të Adhurimit kontinentale dhe nisja e shestimeve për vendosjen e Shtëpive të Adhurimit në shkallët kombëtare dhe vendore. Shumë është nxënë, nga Bahá'í·të në mbarë botën, rreth konceptit të Mashriqu’l-Adhkár·it dhe bashkimit të adhurimit dhe shërbimit që ai mishëron. Përgjatë epokës së gjashtë të Periudhës Formuese, do të mësohet shumë më tepër rreth shtegut që shpie nga zhvillimi përbrenda një bashkësie të një jete devotshmërie në lulëzim - dhe shërbimi që e frymëzon - te dalja në dritë e një Mashriqu’l-Adhkár·i. Po fillojnë konsultime me Asamble Shpirtërore Kombëtare të ndryshme dhe, ndërsa këto zhvillohen, ne do të lajmërojmë në mënyrë periodike vende ku do të ngrihet një Shtëpi Adhurimi Bahá’í në vitet në vijim.

Hareja jonë, teksa shohim bashkësinë e Emrit më të Madh, duke fituar gjithnjë e më shumë forcë, zbutet nga brenga jonë e thellë tek shohim ngulmin e kushteve dhe konflikteve në botë në botë që shkaktojnë mjerim dhe vuajtje të dëshpëruar - në veçanti, duke vëzhguar rishfaqjen e forcave shkatërrimtare të cilat i kanë çrregulluar çështjet ndërkombëtare ndërsa kanë ngjallur lemeri nëpër popullsi. Ne e dimë mirë dhe jemi të sigurt që, ashtu siç kanë treguar në mënyrë të përsëritur në shumë kontekste të ndryshme, pasuesit e Bahá'u'lláh·ut janë të përkushtuar për të ofruar lehtësim dhe mbështetje për njerëzit përreth tyre, pavarësisht se sa të ngushtuara qofshin rrethanat e vetë tyre. Por, derisa njerëzimi si një i tërë, të ndërmarrë që t’i vendosë çështjet e tij në themelet e drejtësisë dhe të vërtetësisë, është, medet, i paracaktuar të çalojë nga një krizë në një tjetër. Ne lutemi që, nëse shpërthimi i kohëve të fundit i luftës në Europë do të nxjerrë ndonjë mësim për të ardhmen, do të shërbejë si një kujtesë e ngutshme e rrjedhës që duhet të marrë bota nëse do të arrijë paqe të sinqertë dhe të qëndrueshme. Parimet e shqiptuara nga Bahá’u’lláh·u ndaj monarkëve dhe presidentëve të kohës së Tij dhe përgjegjësitë me peshë të cilat u ngarkoi sundimtarëve të së shkuarës dhe të tanishëm, ndoshta janë ende më me vend dhe të domosdoshme sot sesa ishin kur ato u shënuan për herë të parë nga Pena e Tij. Për Bahá’í·të, përparimi i pandalshëm i Planit të Madh të Perëndisë - duke sjellë me vete peripeci dhe trazira, por së fundi duke e shtyrë njerëzimin drejt drejtësisë, paqes dhe unitetit - është konteksti në të cilin shpaloset Plani i Vogël i Perëndisë, me të cilin merren kryesisht besimtarët. Gjendja jofunksionale e shoqërisë së sotshme e bën nevojën për lëshimin e fuqisë shoqëri-ndërtuese të Besimit të qartë dhe të ngutshme në mënyrë të bollshme. Ne nuk mund të presim gjë tjetër, tani për tani, veçse që trazirat dhe shqetësimet do të vazhdojnë ta vrerosin botën; pa dyshim ju do të çmoni, atëherë, pse çdo përgjërim i zellshëm që ne ofrojmë që të gjithë fëmijët e Perëndisë të lehtësohen nga hutimi dhe vështirësitë e hidhura shoqërohet me një lutje po aq të përzemërt për suksesin e shërbimit shumë të nevojshëm që po i bëhet Çështjes së Princit të Paqes.

Në çdo grumbull ku veprimtaritë e Planit po fitojnë vrull, ne shohim zhvillimin e bashkësisë me veçoritë fisnike që përshkruam në mesazhin e 30 dhjetorit 2021. Ndërsa shoqëri përjetojnë trysni të llojeve të ndryshme, pasuesit e Bukurisë Abhá duhet të dallojnë gjithnjë e më shumë për cilësitë e aftësisë për rimëkëmbje dhe arsyetim, për standardin e tyre të sjelljes dhe të arsyetimit, për dhembshurinë, shkëputjen dhe vetëpërmbajtjen që ata tregojnë në kërkim të unitetit. Në mënyrë të përsëritur, veçoritë dalluese dhe qasjet e treguara nga besimtarët në periudha vështirësish të mprehta i kanë nxitur njerëzit të kthehen drejt Bahá’í·ve për shpjegim, këshillim dhe mbështetje, veçanërisht kur jeta e një shoqërie është përmbysur nga rreziku dhe përçarjet e paparashikuara. Në ndarjen e këtyre vëzhgimeve, ne jemi të ndërgjegjshëm që vetë bashkësia Bahá’í gjithashtu përjeton ndikimet e forcave të shpërbërjes në punë sot. Për më tepër, ne jemi të vetëdijshëm që sa më të mëdha të jenë përpjekjet e miqve për ta përkrahur Fjalën e Perëndisë, aq më të forta do të jenë forcat kundërvepruese që ata do të ndeshin, më herët a më vonë, nga anë të ndryshme. Ata duhet t’i përforcojnë mendjet dhe shpirtrat e tyre kundër provave që me siguri do të vijnë, se mos këto dëmtojnë vërtetësinë e përpjekjeve të tyre.

 

Windows / Mac