The Universal House of Justice
Ridván 2023
To the Bahá’ís of the World
Dearly loved Friends,
Ne ndiejmë hare të jashtëzakonshme që i drejtohemi një bashkësie, fisnikëria dhe vendosmëria e lartë e së cilës i kanë hije thirrjes së saj të lartë. Sa e madhe, sa shumë e madhe është dashuria jonë për ju dhe si fluturojnë lart shpirtrat tanë ndërsa shohim orvatjen tuaj të devotshme për të jetuar jetë të cilave u është dhënë trajtë nga Mësimet e Bahá’u’lláh·ut dhe për t’ia ofruar ujërat jetëdhënëse të Zbulesës së Tij një bote që është tejet e etur. Ndjesia juaj e fortë e qëllimit është e qartë. Zgjerimi dhe përforcimi, veprimet shoqërore dhe pjesëmarrja në bisedat e shoqërisë vazhdojnë shpejt dhe bashkëqëndrimi i natyrshëm i këtyre ndërmarrjeve në shkallën e grupimit po bëhet më i dukshëm. Askund nuk është më e qartë kjo sesa në vende ku numra në rritje po bëhen më të përfshirë në një sërë përpjekjesh - secila një mjet për të lëshuar fuqinë shoqëri-ndërtuese të Besimit.
Në dymbëdhjetë muajt që kanë kaluar nga fillimi i Planit Nëntëvjeçar, jemi gëzuar të shohim sesi kjo ndërmarrje shpirtërore e përbotshme i ka frymëzuar dhe nxitur miqtë dhe u ka dhënë shtysë vijave të veçanta të veprimit. Një përqendrim i menjëhershëm ka qenë vendosja në veprim e planeve për të siguruar që, në çdo vend dhe çdo krahinë, të shfaqet të paktën një grupim ku është kaluar guri i tretë kilometrik: një vend ku numra të lartë njerëzish po punojnë së bashku dhe po kontribuojnë për jetën e një bashkësie të këndellur. Të vetëdijshëm, sidoqoftë, se qëllimi për këtë periudhë njëzetepesëvjeçare është vendosja e një programi të përqendruar të rritjes në çdo grupim në botë, besimtarët, gjithashtu, kanë filluar të hapin grupime të reja ndaj Besimit si edhe t’i përqendrojnë përpjekjet në vende me një program ekzistues të rritjes. Gjendet një ndërgjegjshmëri e lartësuar e mundësisë që të ngrihen pionierë në të gjitha anët e botës - shumë shpirtra të devotshëm po përfillin si mund t’i përgjigjen kësaj mundësie dhe shumë të tjerë tashmë kanë mbushur poste, në mënyrë të dukshme brenda vendit, por gjithnjë e më shumë edhe në fushën ndërkombëtare. Kjo është një nga disa mënyra, në të cilat, siç patëm shpresuar, po shprehet një frymë mbështetjeje të ndërsjellë nga miqtë gjithandej. Bashkësitë forca e të cilave është rritur tashmë, ia kanë kushtuar veten mbështetjes së përparimit që po ndodh diku tjetër - në një tjetër grupim, krahinë, vend ose madje edhe kontinent - dhe janë gjetur mënyra krijuese për të ofruar nxitje nga larg dhe për të mundësuar ndarjen e drejtpërdrejtë të përvojave. Ndërkohë, po ushtrohet gjerësisht qasja themelore e zënies së asaj çka po nxënë në një grupim, në mënyrë që të mund t’i informojë planet e bëra në shkallën vendore dhe tjetërkund. Jemi kënaqur të shohim se po i kushtohet vëmendje e veçantë nxënjes rreth mënyrës sesi të përmirësohet cilësia e përvojës arsimore të ofruar nga instituti. Kur procesi i institutit zë rrënjë në një bashkësi, ndikimet e tij janë të habitshme. Dëshmoni, për shembull, ato qendra veprimtarie të përqendruar ku banorët kanë arritur ta shohin institutin përgatitës si një mjet të fuqishëm që është i tyre: një mjet, për zhvillimin e shëndoshë të të cilit
Qendra Botërore Bahá’í • Kutia Postare 155 • 31001 Haifa, Izrael
Tel: +972 (4) 835 8358 • Adresa elektronike: secretariat@bwc.org
ata kanë marrë përsipër përgjegjësinë kryesore. Duke ditur mirë që dyert e Besimit qëndrojnë gjithnjë të hapura gjerësisht, besimtarët po mësojnë si t’u japin nxitje atyre që janë të gatshëm për të hyrë. Të ecurit me shpirtra të tillë dhe të ndihmuarit që ta kapërcejnë pragun, është një privilegj dhe një hare e veçantë; në çdo kontekst kulturor, ka shumë për të mësuar rreth dinamikave të këtij çasti kumbues njohjeje dhe përkatësie. Dhe nuk mbaron me kaq. Ndërsa në shumë grupime përpjekjet për të kontribuar në shndërrimin shoqëror janë në fazat e tyre më të hershme, Asambletë Shpirtërore Kombëtare, të mbështetura si gjithnjë prej Këshilltarëve në mënyrë të aftë, po kërkojnë në mënyrë vepruese të nxënë me shume rreth mënyrave si këto përpjekje shfaqen nga procesi bashkësi-ndërtues. Nëpër grupime familjesh dhe në bashkësi, po kultivohen bisedime rreth mirëqenies shoqërore dhe lëndore të një populli, ndërsa miqtë gjithashtu po gjejnë mënyra për të marrë pjesë në biseda kuptimplote që po shpalosen në mjedisin e tyre rrethues.
Midis gjithçkaje që ne kemi përshkruar, veprimet e rinisë shkëlqejnë me llamburitje. Larg nga të qenët thjesht përthithës të ndikimeve - qoftë ndikimi i mirë ose i një tjetër soji, ata e kanë dëshmuar veten protagonistë të patrembur dhe mendjemprehtë të Planit. Atje ku bashkësia i ka parë në këtë dritë dhe i ka krijuar kushtet për përparimin e tyre, rinia, e ka justifikuar më së miri besimin që u është treguar. Ata po ua mësojnë Besimin miqve të tyre dhe po e bëjnë shërbimin themelin e miqësive më kuptimplote. Shpesh, një shërbim i tillë merr trajtën e arsimit të atyre më të rinj se vetja e tyre - duke u ofruar jo vetëm arsim moral dhe shpirtëror, por shpesh edhe mbështetje me shkollimin e tyre. Të ngarkuar me një përgjegjësi të shenjtë për ta forcuar procesin e institutit, të rinjtë Bahá’í po i përmbushin shpresat që ne kemi për zemër.
Skena për të gjitha këto përpjekje është një periudhë thellësisht e luhatur. Gjendet pranim i përhapur që strukturat e ditës së sotme të shoqërisë janë të keqpërgatitura për t’i zgjidhur nevojat e njerëzimit në mundin e tij të tanishëm. Shumë gjëra për të cilat gjerësisht merrej si e vërtetë që ishin të sigurta dhe të patundshme po vihen në dyshim dhe tronditja pasuese po zgjon një mall për një vizion bashkues. Kori i zërave të ngritur në mbështetje të njëshmërisë, barazisë dhe drejtësisë tregon sa shumë vetë i ndajnë këto aspirata për shoqëritë e tyre. Sigurisht, nuk është për t’u habitur për një pasues të Bukurisë së Bekuar që zemra të digjen për idealet shpirtërore që Ai parashtroi. Por, megjithatë, na duket mbresëlënëse që, në një vit kur perspektiva e përparimit të përbashkët të njerëzimit rrallëherë janë dukur më të zymta, drita e Besimit shndriti me shkëlqim në më shumë se dhjetë mijë konferenca, ku morën pjesë pothuaj një milion e gjysmë njerëz, të përqendruar në mjetet për përkrahjen e po atyre idealeve. Vizioni i Bahá’u’lláh·ut dhe nxitja e Tij për njerëzimin që të punojë në unitet për përmirësimin e botës, qe qendra rreth së cilës elementët e gjithfarshme të shoqërisë u mblodhën me zell - dhe nuk është për t’u habitur, sepse, siç e shpjegoi Abdu’l-Bahá·i: “Çdo bashkësi në botë gjen në këto Mësime Hyjnore përmbushjen e aspiratave të saj më të larta.” Disa dashamirës të njerëzimit në fillim mund të tërhiqen te bashkësia Bahá’í si një vend strehimi, një strehë nga një botë e polarizuar dhe e gjymtuar. Megjithatë, përtej një strehe, ajo çka ata gjejnë janë shpirtra të ngjashëm që ushtrohen së bashku për ta ndërtuar botën në një trajtë të re.
Shumë mund të shkruhet rreth përhapjes gjeografike të konferencave, shtysës së jashtëzakonshme që i dhuruan Planit të ri, ose shprehjeve të përzemërta të haresë dhe ngazëllimit që u ngjallën tek ata që morën pjesë. Por, në këto pak rreshta kemi dëshirë ta tërheqim vëmendjen drejt asaj që ato nënkuptojnë për zhvillimin e Çështjes. Ato qenë një pasqyrim i një bashkësie Bahá’í që sheh ngjashmëri, jo ndryshime. Kjo mënyrë e të parit e bëri të natyrshme të hulumtohej Plani Nëntëvjeçar në mbledhje te të cilat qenë të mirëpritur të gjithë. Miqtë morën parasysh domethëniet për shoqëritë e tyre në praninë jo vetëm të individëve dhe familjeve, por udhëheqësve vendas dhe personalitete zyrtare gjithashtu. Sjellja së bashku në një vend e kaq shumë njerëzve, krijoi kushtet për një bisedë shndërruese rreth përparimit shpirtëror dhe shoqëror, një që po shpaloset në botën mbarë. Kontributi i veçantë që mund të bëjnë mbledhje të tilla - njëkohësisht të hapura, frymëzuese dhe të qëllimshme - në një model zhvillimi bashkësior që po zgjerohet në një grupim, është një mësim i çmuar për t’u mbajtur parasysh nga institucionet në të ardhmen.
Dhe kështu, grupimimi i besnikëve hyn në vitin e dytë të Planit me një pikëpamje të freskët dhe një rrokje të thellë të domethënies së asaj çka po përpiqen të arrijnë. Sa ndryshe duken veprimet kur shihen në dritën e fuqisë shoqëri-ndërtuese që ata lëshojnë! Kjo perspektivë në zgjerim lejon një veprimtari të qëndrueshme të shihet si shumë më tepër se një vepër e veçuar shërbimi ose thjesht një shifër. Në shumë vende, nismat që po ndiqen zbulojnë një popullsi që po nxë si të marrë përgjegjësi në rritje për ta përshkuar shtegun e zhvillimit të vet. Shndërrimi shpirtëror dhe shoqëror pasues e shfaq veten në jetën e një populli në një shumëllojshmëri mënyrash. Në vargun e mëparshëm të Planit, mund të shihej më së qarti në përhapjen e arsimit shpirtëror dhe adhurimit të përbashkët. Në këtë varg të ri Planesh, i duhet dhënë vëmendje në rritje proceseve të tjera që kërkojnë ta përmirësojnë jetën e një bashkësie për shembull, duke përmirësuar shëndetin botor , duke mbrojtur mjedisin, ose duke vënë në përdorim në mënyrë më të frytshme fuqinë e arteve. Ajo çka nevojitet që të gjitha këto anë plotësuese të mirëqenies së një bashkësie të përparojnë është, sigurisht, aftësia për t’u përfshirë në nxënien sistematike në të gjitha këto zona - aftësi që vë në përdorim rrokjet që burojnë nga Mësimet dhe visaret e mbledhura të dijes njerëzore të përftuara nga hetimi shkencor. Ndërsa rritet kjo aftësi, shumë do të arrihet në dhjetëvjeçarët në vijim.
Ky vizion i zgjeruar, shoqëri-ndërtues ka domethënie me ndikim të gjerë. Çdo bashkësi ndodhet në shtegun e vet drejt sendërtimit të tij. Por, përparimi në një vend shpesh ka veçori të përbashkëta me përparimin në një tjetër. Një veçori është që, ndërsa rritet aftësia dhe shumëfishohen fuqitë e një bashkësie vendore ose kombëtare, atëherë, në kohën e duhur, kushtet e nevojshme për shfaqjen e një Mashriqu’l-Adhkár·i, të shpallura në mesazhin tonë të Riḍván·it 2012, do të përmbushen në fund. Siç përmendëm në mesazhin që ju drejtuam
Riḍván·in e kaluar, ne do të dallojmë në mënyrë periodike vende ku është për t’u ngritur një Tempull Bahá’í. Ne jemi të gëzuar që të thërrasim, në këtë kohë, për vendosjen e Shtëpive vendore të Adhurimit në Kançanpur, Nepal, dhe Muinilunga, Zambia. Përveç kësaj, ne thërrasim për një Shtëpi kombëtare Adhurimi që të ngrihet në Kanada, në afërsinë e Ḥaẓíratu’l-Quds·it Kombëtar të vendosur prej kohësh në Toronto. Këto projekte dhe të tjera që do të nisen në të ardhmen, do të përfitojnë nga mbështetja e dhënë ndaj Fondit të Tempujve nga miqtë në çdo vend.
Të shumta janë bekimet që një Zot dashamirës ka vendosur t’u blatojë të dashurve të Tij. Fisnike është thirrja, madhështore perspektiva. Të ngutshme janë kohët në të cilat ne të gjithë jemi thirrur për të shërbyer. Të flakta, atëherë, janë lutjet me të cilat, në emrin tuaj dhe për përpjekjet tuaja të palodhshme, ne përgjërohemi te Pragu i Bahá’u’lláh·ut.
- The Universal House of Justice