The Universal House of Justice
Ridván 2000
To the Bahá’ís of the World
Dearly loved Friends,
Ne përkulim kokën me mirënjohje ndaj Zotit të Ushtrive, me zemrat tona që gufojnë nga gëzimi, ndërkohë që dëshmojmë se ç'ndryshim të mrekullueshëm kanë sjellë katër vjet që nga dita e fillimit të Planit global që përfundoi në këtë Festival Shkëlqimesh. Kaq i shënuar ishte përparimi që u arrit gjatë kësaj periudhe, saqë komuniteti ynë botëror arriti lartësi të reja prej të cilave mund të shquhen qartë horizonte të reja të shkëlqyeshme për arritje të ardhshme.
Dallimi sasior rezultoi kryesisht nga një dallim më kritik cilësor. Kultura e komunitetit Bahá'í përjetoi një ndryshim. Ky ndryshim është i dukshëm në aftësinë e zgjeruar, format metodike të funksionimit dhe, si rrjedhim, thellësinë e vetëbesimit në të tre pjesëmarrësit përbërës të Planit - individin, institucionet dhe komunitetin lokal. Kjo për shkak se miqtë u angazhuan në mënyrë më të vazhdueshme në thellimin e dijes së tyre rreth Mësimeve hyjnore dhe mësuan mjaft - më sistematikisht se më parë - rreth asaj sesi t'i zbatojnë ato në përhapjen e Kauzës, në administrimin e veprimtarive të tyre individuale dhe kolektive, dhe në punën me fqinjët e tyre. Me një fjalë, ata hynë në një proces nxënieje prej të cilit u ndërmorën veprime me qëllim të caktuar. Shtytësi kryesor i këtij ndryshimi ishte sistemi i instituteve të trajnimit i ngritur kudo në botë me shpejtësi të madhe - një arritje e cila, në fushën e shtrirjes dhe konsolidimit, cilësohet si e vetmja dhuratë më e madhe e Planit Katër Vjeçar.
Në kapacitetin e shtuar të individit në mësimdhënien e Besimit, siç shihet në morinë e nismave individuale; në aftësinë e përmirësuar të Asambleve Shpirtërore, Këshillave dhe komiteteve për të prirë përpjekjet e miqve; në paraqitjen e formave të reja të mendimit e veprimit që ndikuan sjelljen e përbashkët të komuniteteve lokale - në të gjitha këto aspekte sistemi i instituteve të trajnimit demonstroi domosdoshmërinë e tij si një motorr i procesit të hyrjes me trupa. Duke shtrirë veprimin e tyre nëpërmjet qarqeve lokale të studimit, shumë institute zmadhuan kapacitetin e tyre për të mbuluar zona të gjera me programet e tyre. Mongolia, për shembull, ngriti 106 qarqe studimi dhe, si rezultat, regjistroi një rritje të ndjeshme në numrin e besimtarëve të rinj. Njëkohësisht me këto lloj zhvillimesh, anëtarët e komunitetit mbarëbotëror, gjithashtu i kushtuan më shumë vëmendje mbështetjes në fuqinë e lutjes, përsiatjes së Fjalës së shenjtë, dhe marrjes së përfitimeve shpirtërore nëpërmjet pjesëmarrjes në takimet devocionale. Është pikërisht për shkak të veprimit të këtyre elementeve të një transformimi intensiv individual dhe kolektiv, që madhësia e komunitetit po rritet. Megjithëse numri i besimtarëve të rinj deri tani veçse ka kaluar lehtazi atë të këtyre viteve të fundit, kënaqesh jashtë mase të shohësh që kjo rritje tashmë është gjeografikisht e kudogjendur, po kapton segmente gjithnjë e më të mëdha të komunitetit dhe është e suksesshme në integrimin e të deklaruarve të rinj në jetën e Kauzës.
Një gjendje kaq e shëndoshë, kaq premtuese e Besimit gjithashtu i dedikohet shumë, tej mase, ndikimit këshillues, rolit bashkëpunues dhe punës praktike të Institucionit të Këshilltarëve që u amplifikuan me formimin dhe veprimin e instituteve - një amplifikim që reflektoi stimulimin në kohë të përçuar nga një Qendër Ndërkombëtare e Mësimdhënies vibrante dhe gjithnjë syzgjuar.
Tema qendrore e Planit Katër Vjeçar - ajo e avancimit të procesit të hyrjes me trupa - prodhoi një shkallë të lartë integrimi të mendimit dhe veprimit. Ajo e përqendroi vëmendjen në një fazë kryesore të evolucionit të komunitetit Bahá'í që duhet të arrihet gjatë Periudhës Formuese; se përderisa hyrja me trupa të mos mbështetet më gjerësisht, kushtet nuk do të piqen për konvertim masiv, atë ndryshim rrënjësor të premtuar nga Shoghi Effendiu në shkrimet e tij. Fokusi tematik i Planit pati implikimet e veta për të gjitha kategoritë e veprimtarive Bahá'í; ai kërkoi një qartësi kuptimi që bëri të mundur planifikimin sistematik e strategjik si kërkesë paraprake për veprim individual dhe kolektiv. Anëtarët e komunitetit gradualisht arritën të shihnin me sytë e tyre sesi sistematizimi do të lehtësonte procesin e rritjes dhe të zhvillimit. Kjo rritje e vetëdijes ishte një hap vigan që çoi në një përmirësim dhe avancim të aktiviteteve mësimore dhe në një ndryshim në kulturën e komunitetit.
Aspektet integruese të temës ishin të dukshme në përpjekjet në planifikim, në ndërtimin e kapacitetit institucional dhe zhvillimin e burimeve njerëzore. Fijet që i lidhin të gjitha këto mund të ndiqen që nga fillimet e Planit deri në fundin e tij. Konferenca e Dhjetorit 1995 e Trupave Kontinentale të Këshilltarëve në Tokën e Shenjtë shënoi fillimin. Atje Këshilltarët u orientuan me tiparet e Planit. Kjo u pasua nga konsultimet e tyre me Asambletë Shpirtërore Kombëtare në sesionet kombëtare të planifikimit që më pas u çuan në nivel rajonal, duke përfshirë anëtarët e Trupit Ndihmës, Asambletë Shpirtërore Lokale dhe komitetet. Kështu, në të gjitha nivelet, elemente të adminstrimit Bahá'í u përfshinë në procesin e planifikimit dhe kaluan përtej kësaj faze në atë të zbatimit, ku duhej krijuar kapaciteti institucional për të përballuar hyrjen me trupa. Dy hapa kryesorë u ndërmorën në këtë drejtim: njëri qe ngritja e instituteve të trajnimit; tjetri qe ngritja formale dhe paraqitja e gjerë e Këshillave Rajonale Bahá'í si një tipar i administrimit midis niveleve lokale dhe kombëtare për të forcuar kapacitetin administrativ të disa komuniteteve ku ndërlikimi në rritje i çështjeve që duhet të përballin Asambletë Shpirtërore Kombëtare kërkonte këtë zhvillim. Të barazvlefshme për nga rëndësia në integrimin e anëve thelbësore të procesit ishin strategjitë e përcaktuara mirë për punën në zhvillimin social dhe ekonomik, që është një pjesë kritike e konsolidimit, dhe në marrëdhëniet me jashtë, ku është një faktor jetësor në mundësimin e Besimit të mbikqyrë pasojat e daljes së saj nga errësira. Efekti i kombinuar prodhoi rezultate rezonuese, rreshtimi i të cilave do të dilte tepër jashtë kufijve të këtyre faqeve. Megjithatë, ne e ndiejmë se duhet të citojmë disa pika kulmore që ilustrojnë fushëpamjen e arritjeve të Planit.
Në Tokën e Shenjtë, ndërtimi i Tarracave dhe ndërtesave të Harkut eci përpara me të gjitha garancitë për të përfunduar ndërtimin e tyre brenda afatit të caktuar në fund të këtij viti Gregorian. Përveç kësaj, ndërtesa në Haifa së cilës i jemi referuar në mesazhin tonë të fundit të Ridvánit në lidhje me madhësinë e në rritje të grupeve të pelegrinazhit, është gati për përdorim duke filluar nga ky Ridván. Po për këtë çështje, u miratuan planet arkitekturale për ngritjen në Bahji të ndërtesës së shumëkërkuar për pritjen e pelegrinëve dhe vizitorëve Bahá'í dhe jo-Bahá'í.
Përkthimi i Teksteve për volumin e ri që pritet të dalë të Shkrimeve të Bahá'u'lláh-ut është përfunduar dhe përgatitjet janë në udhë e sipër për botimin e tij.
Hapa në shtrirje dhe konsolidim dolën në pah në mënyra të ndryshme nga ato që u përmendën tashmë: në shkuarjen pionierë, shpalljen e Besimit, botimin e literaturës, përdorimin e arteve, formimin e Asambleve Shpirtërore dhe përparimin e shoqatave të studimeve Bahá'í. Rreth 3.300 besimtarë u vendosën si pionierë ndërkombëtarë afatmesëm ose afatgjatë. Fakti që shumë vende që zakonisht presin pionierë, dërguan të tillë jashtë vendit të tyre qe një tregues i mëtejshëm i pjekjes së komuniteteve kombëtare. Besnikë ndaj mandatit caktuar anëtarëve të tyre, komunitetet e Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara tejkaluan në numrin e pionerëve që lanë brigjet e tyre dhe në numrin edhe më të madh të mësuesve udhëtues, përfshi këtu një përfaqësim të rëndësishëm të rinjsh. Veçanërisht për t'u vënë në dukje ishte përgjigjja inkurajuese e besimtarëve me prejardhje Afrikane në Shtetet e Bashkuara ndaj thirrjes që mësuesit Bahá'í të udhëtojnë në Afrikë.
Shpallja e Kauzës përfshiu një larmi veprimtarish që përfshinë sponsorizimin e një brezi të gjerë ngjarjesh - përvjetorësh, datash përkujtimore, grupesh diskutimi, ekspozitash, e të tjera si këto - që bënë të mundur për numra të mëdha njerëzish të njihen me mësimet e Besimit. Shtëpitë e Adhurimit ishin qendra magnetike për vizitorët që hynë në dyert e tyre në numra të shtuar, veçanërisht në Indi, ku rreth pesë milionë njerëz u pritën gjatë vitit të kaluar. Krahas këtyre aktiviteteve ishin përdorimet e shumëfishta të medias për të përçuar mesazhin Bahá'í. Në Shtetet e Bashkuara rreth 60.000 veta iu përgjigjën një fushate në media të hartuar nga Komiteti Kombëtar i Mësimdhënies. Në shkallë botërore, dija për Besimin u përhap nëpërmjet daljes, më shpesh sesa përpara, të artikujve të pavarur e dashamirës në median e shtypur. Një zgjerim i ngjashëm i ekspozimit nëpërmjet gadishmërisë nga ana e stacioneve të radios dhe televizionit për të përfshirë programe të rregullta Bahá'í; kjo u pa në vende të tilla si Republika Demokratike e Kongos dhe Liberia. Këto zhvillime fatmira u kurorëzuan nga zgjedhja e pavarur e mediave ndërkombëtare për të përdorur Mauzoleun e Bab-it dhe Tarracat si vendin për teletransmetimin e segmentit të Tokës së Shenjtë të programit botëror të medias për festimin e ardhjes së vitit 2000.
Përdorimi i artit u bë një tipar i rëndësishëm në shpalljen, mësimdhënien, thellimin dhe aktivitetet devocionale të komunitetit mbarëbotëror. Arti tërhoqi të rinjtë, të cilët i zbatuan ato në aktivitetet e tyre të mësimdhënies dhe thellimit kryesisht nëpërmjet grupeve të shumta teatrale dhe të vallëzimit, që ishin aktive në shumë pjesë të botës. Por dinamika e artit shkoi shumë më tej sesa të kënduarit dhe të vallëzuarit duke përfshirë një mori aktivitetesh plot imagjinatë që i sqaruan mirë njerëzit për Kauzën. Atje ku u përdor arti folklorik, veçanërisht në Afrikë, puna mësimdhënëse u përmirësua ndjeshëm. Për shembull, Gana dhe Liberia secila ndërmorën nga një projekt të quajtur Drita e Unitetit për të mbështetur përdorimin e artit në mësimdhënie. Në Indi, Grupi Harmonia e Përbashkët pati një qëllim të ngjashëm.
Kryesisht me nxitjen e Këshilltarëve dhe me mbështetjen e Fondit Kontinental, iu dha një shtytje përkthimeve dhe botimeve të literaturës Bahá'í, veçanërisht në Afrikë e në Azi. Përveç kësaj, Kitab-i-Aqdas doli në qarkullim me një botim të plotë në Arabisht si dhe në gjuhë të tjera.
Ndërsa kufizimi i formimit të Asambleve Shpirtërore Lokale në ditën e parë të Ridvánit, i cili u vu në zbatim në 1997, solli pakësimin e pritur në numrin e këtyre insituscioneve, rënia nuk qe drastike. Që nga ajo kohë numri i tyre i ka ruajtur pozitat dhe një proces i shëndoshë konsolidimi është në zbatim e sipër. Tetë shtylla të reja të Shtëpisë Universale të Drejtësisë u ngritën, duke e çuar numrin e përgjithshëm të Asambleve Shpirtërore Kombëtare në 181.
Veçanërisht kënaqës, gjatë këtyre katër viteve, ka qenë vrulli që sa vjen e shtohet i aktiviteteve shkollare Bahá'í, të cilat çanë përpara me detyrën jetësore për forcimin e themeleve intelektuale të punëve të Besimit. Dy rezultate të paçmuara kanë qenë pasurimi mbresëlënës i literaturës Bahá'í dhe prodhimi i një trupi disertacionesh që shqyrtojnë probleme të ndryshme bashkëkohore në dritën e parimeve Bahá'í. Rrjeti i Shoqatave të Studimeve Bahá'í, që festoi këtë vit përvjetorin e njëzetepestë të saj, u uroi mirëseardhjen pesë filialeve të reja gjatë Planit. Pasqyrë e larmisë dhe krijimtarisë që po tërheq kjo fushë e shërbimit qenë mbajtja e konferencës së parë të studimeve Bahá'í në Papua Guinea e Re dhe fokusimi i Shoqatës Japoneze mbi origjinën shpirtërore të dijes tradicionale japoneze.
Përparimi në fushën e zhvillimit social dhe ekonomik ishte padyshim cilësor, megjithëse edhe shifrat që tregonin një rritje të projekteve ishin gjithashtu mbresëlënëse. Aktivitete të raportuara vjetore u shtuan nga rreth 1.350 në fillim të Planit në më shumë se 1.800 afër fundit të tij. Lëvizja drejt një proçedimi më sistematik mbeti karakteristika dominuese e punës gjatë kësaj periudhe. Për t'i dhënë shtysë konsultimit dhe veprimit në parimet e zhvillimit social dhe ekonomik, Zyra e Zhvillimit Social dhe Ekonomik në Qendrën Botërore Bahá'í sponsorizoi 13 seminare rajonale në të cilat morën pjesë përafërsisht rreth 700 përfaqësues nga 60 vende. Kjo Zyrë gjithashtu mori pjesë në hartimin e materialeve dhe projekteve pilote të përshtatshme për ndërmarrjen e fushatave të organizuara për të ndihmuar aftësimin e të rinjve dhe shkrim e këndimin, trainim të punonjësve të shëndetit për komunitetin, përparimin e grave dhe edukimin moral. Një shembull ishte programi në Guajana që trajnoi më shumë se 1.500 tutorë për shkrim e këndim; një tjetër ishte përfundimi në Malajzi i 8 moduleve për përparimin e gruas, që u bë baza për sesione trajnimi në Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine. Një plan për të integruar radiostacionet Bahá'í me punën e instituteve të trajnimit filloi në rajonin Guajami të Panamasë. Meqë institutet kanë potencialin për të siguruar trajnimin për zhvillimin social dhe ekonomik, një lëvizje në atë drejtim përfshiu një dyzinë institutesh, të cilët në kohën që flasim po eksperimentojnë me përpjekje të tilla në fusha që përfshijnë shkrim e këndimin, trajnimin e punonjësve shëndetësorë të komunitetit dhe trajnim profesional. Një numër agjencish të sponsorizuara dhe të frymëzuara Bahá'í i kanë kushtuar energjitë e tyre në projekte si ai që përfshiu bashkëpunimin me Organizatën Botërore të Shëndetësisë në luftimin e verbërisë së lumit në Kamerun; më shumë se 30.000 individë kanë marrë mjekimin e duhur nëpërmjet këtij projekti Bahá'í. Një rast tjetër është universiteti privat në Etiopi, Kolegji Uniteti, trupi studentor i të cilit ështe rritur në 8.000. Një tjetër është Akademia Landegg në Zvicër e cila, ndërkohë që zgjeronte dhe konsolidonte programin e saj akamedik, ofroi asistencë shumë të vlefshme në përpjekjen e vazhdueshme për një ndreqje ndaj pasojave të tmerrshme sociale në konfliktin në Ballkan. Përsëri një tjetër është Universiteti Nur në Bolivi, i cili, në një projekt bashkëpunues me Ekuadorin, ofroi trajnim për më shumë se 1.000 mësues shkollash në programin e tij të udhëheqjes morale. Në këtë fushë të zhvillimit social dhe ekonomik, të tilla evidenca të ndërtimit të kapacitetit ishin një përfitim i madh për synimet e Planit.
Të udhëhequr nga strategjia e marrëdhënieve me jashtë komunikuar Asambleve Shpirtërore Kombëtare në 1994, kapaciteti i komunitetit nëfushat e informacionit diplomatik e publik u shtri po ashtu me një ritëm të paparë, duke e vënë komunitetin Bahá'í në një marrëdhënie dinamike me Kombet e Bashkuara, qeveritë, organizatat jo-qeveritare (OJQ-të) dhe median.
Strategjia i fokusoi aktivitetet në nivel ndërkombëtar dhe kombëtar në dy objektiva kryesore: të ndikonte proceset drejt paqes botërore dhe të mbronte Besimin.. Nëpërmjet masave të adoptuara për mbrojtjen e bashkëbesimtarëve tanë të shumëdashur në Iran, Komuniteti Ndërkombëtar Bahá'í fitoi një masë të re respekti dhe mbështetjeje që krijoi mundësi për ndjekjen e qëllimeve të tjera të strategjisë. Për t'i bërë ballë sfidës së situatës kokëfortë në Iran, institucionet tona dhe agjencitë e marrëdhënieve me jashtë hartuan proçedime të reja në aktivizimin e instrumentave të disponueshëm të qeverive dhe të Kombeve të Bashkuara. Rasti i persekutimeve në Iran pushtoi vëmendjen e autoriteteve më të larta të planetit. Vërtet, lajmi që një gjykatë iraniane kishte miratuar rishtazi dënimin me vdekje për dy nga miqtë dhe kishte dhënë një verdikt të ngjashëm për një të tretë, ngjalli një reagim të ashpër nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, i cili i bëri një paralajmërim të qartë Iranit. Si pasojë e ndërhyrjeve të udhëheqësve botërorë dhe të Kombeve të Bashkuara, u ndalua pothuajse krejtësisht ekzekutimi i Bahá'í-ve iranianë dhe u reduktua në mënyrë drastike numri i të dënuarve me burgim afatgjatë.
Ndërkohë qe i kemi mirëpritur ndërhyrje të tilla, ne brohorasim shpirtin e vetësakrificës, qëndrueshmërinë dhe besimin e pathyeshëm të vëllezërve e motrave tona në Iran që i kanë dhënë fuqi këtyre përpjekjeve. Këto cilësi të dukshme të shpirtit i hutojnë bashkatdhetarët e tyre, ashtu si dhe qëndresa me të cilën ata përballojnë sulmet që kaq egërsisht dhe pamëshirshëm lëshohen kundër tyre. Si mund ta shpjegojë ndryshe dikush faktin që një pakicë e tillë ka qenë në gjendje t'i bëjë ballë për kaq gjatë një shumice të tillë? Në ç'mënyrë mund të tërhiqnin ata preokupimin aktiv të botës kur qoftë edhe njëri prej tyre përballet me kërcënimin e vdekjes? Tragjedia e Iranit qëndron në faktin që sulmuesit deri tani kanë dështuar të shohin që parimet hyjnore për të cilat këta të persekutuar kanë sakrifikuar pronat e tyre e madje edhe jetët e tyre, përmbajnë vetë ato zgjidhje që do të kënaqnin mallin e një popullate në orën e saj të pakënaqësisë. Megjithatë, nuk ka pikë dyshimi që tirania sistematike së cilës i janë nënshtruar kaq mizorisht miqtë tanë iranianë, në fund të fundit do të bëjë që Fuqia e të Gjithëfuqishmit t'i udhëheqë zhvillimet e mistershme drejt fatit të tyre të sigurtë me gjithë lavdinë e premtuar.
Përsa i përket objektivit tjetër të strategjisë së marrëdhënieve me jashtë, vijat e veprimit u udhëhoqën nga katër tema - të drejtat e njeriut, statusi i gruas, prosperiteti global dhe zhvillimi moral. Analet tona dëshmojnë për një hap gjigand përpara në punën e të drejtave të njeriut dhe statusit të gruas. Përsa i përket të parës, Zyra e Kombeve të Bashkuara ndoqi një program krijues për edukimin e të drejtave njerëzore i cili, deri tani, ka shërbyer si një mjet për rritjen e kapacitetit në punën diplomatike të jo më pak se 99 Asambleve Shpirtërore Kombëtare. Përsa i përket statusit të gruas, ekzistenca e 52 zyrave kombëtare për përparimin e gruas, kontributet e grave dhe burrave të shumtë Bahá'í në konferenca dhe seminare në të gjitha nivelet, zgjedhja e përfaqësuesve Bahá'í në pozita vendimtare në komitete kyçe OJQ-ësh, përfshi këtu edhe atë që i shërben Fondit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara për Gratë, tregojnë sesi pasuesit e Bahá'u'lláh-ut mbështesin pa u lodhur parimin e Tij për barazinë e burrit me gruan.
Në të njëjtën kohë një sëri iniciativash po përhapin informacion rreth Besimit Bahá'í për publikun e gjerë. Këto përfshijnë sipërmarrje të tilla novatore si hapjen e faqeve informative në internet me emrin "Bota Bahá'í", e cila që tani po arrin mesatarisht 25.000 vizita në muaj; botimi i një shpalljeje të titulluar "Kush po e shkruan të ardhmen?", që po i ndihmon kudo miqtë të flasin për problemet bashkëkohore; lëshimi që Nëntorin e kaluar në internet të "Payam-e-Doost", radioprogramit në gjuhën persiane që transmeton një orë çdo javë në Uashington D.C., zona metropolitane - një program i cili tashmë mund të dëgjohet në çdo kohë kudo në botë nëpërmjet internetit; dhe realizimin e një programi televiziv tejet origjinal, zbatimi i parimeve morale në problemet e përditëshme, i cili ka fituar përkrahjen e ngrohtë të autoriteteve qeveritare në Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Bullgari, Kroaci, Hungari, Rumani, Sloveni dhe ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë.
Një dukuri që ka mbledhur forcë ndërsa shekulli i afrohet fundit është se njerëzit e botës janë çuar për të shprehur aspiratat e tyre nëpërmjet atyre që janë bërë të njohura si "organizatat e shoqërisë civile". Duhet të jetë një burim kënaqësie të madhe për çdo Bahá'í kudo që është që Komuniteti Ndërkombëtar Bahá'í si një OJQ që përfaqëson një ndërthurje të njerëzimit ka fituar një mirëbesim të tillë si një agjent unifikues në diskutime madhore që i japin formë të ardhmes së njerëzimit. Përfaqësuesi ynë kryesor në Kombet e Bashkuara u emërua të bashkë-kryesojë Komitetin e Organizatave Jo-Qeveritare, i cili u themelua nga Këshilli Ekonomik dhe Social - një pozitë që i jep Komunitetit Ndërkombëtar Bahá'í një rol udhëheqës në organizimin e Forumit të Mijëvjeçarit. Ky tubim, i thirrur nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Annan dhe i programuar për t'u mbajtur në Maj, do t'u japë organizatave të shoqërisë civile një mundësi për të formuluar pikëpamje e rekomandime rreth çështjeve globale që do të shqyrtohen në Samitin e mëpasshëm të Mijëvjeçarit në shtator të këtij viti, ku do të marrin pjesë edhe krerët e shteteve dhe qeverive.
Zgjimi i njerëzimit ndaj përmasave shpirtërore të ndryshimeve që po ndodhin në botë ka një kuptim të veçantë për Bahá'í-të. Dialogu ndërfetar është intensifikuar. Gjatë Planit Katër Vjeçar ai përfshiu gjithnjë e më shumë Besimin si një pjesëmarrës të njohur. Parlamenti i Feve Botërore i mbajtur në Kejptaun dhjetorin e kaluar mblodhi bashkë rreth 6.000 pjesëmarrës, midis të cilëve ishte edhe një delegacion i plotë Bahá'í. Bahá'í-të shërbyen si në Trupin Drejtues Afrikanojugor, ashtu edhe në atë Ndërkombëtar që planifikoi këtë ngjarje. Për Bahá'í-të, interesi për ngjarjen erdhi veçanërisht prej faktit që përmendja e parë e Emrit të Bahá'u'lláh-ut në një tubim publik në Perëndim kishte ndodhur në Parlamentin e mbajtur në Çikago në vitin 1893. Dy ngjarje ndërfetare të mbajtura në Jordani nëntorin e kaluar përfshinë edhe Bahá'í-të si pjesëmarrës: një konferencë rreth konfliktit dhe fesë në Lindjen e Mesme, dhe takimi vjetor i Konferencës Botërore mbi Fenë dhe Paqen. Përfaqësuesit Bahá'í morën pjesë në ngjarje në Vatikan dhe Nju Delhi të sponsorizuara nga Kisha Katolike Romane; në takimin e fundit, në prani të Papa Gjon Palit II, Këshilltarja Zena Sorabjee ishte një nga përfaqësueset e feve që iu drejtua tubimit. Në Mbretërinë e Bashkuar, Besimi u vendos në arenën publike kur përfaqësuesit Bahá'í u bashkuan me anëtarët e tetë feve të tjera kryesore për një festim ndërfetar të mijëvjeçarit të ri në Galerinë Mbretërore të Pallatit të Uestminsterit ku, në prani të Familjes Mbretërore, Kryeministrit, Kryepeshkopit të Kanterbërit dhe personave të tjerë të shquar, iu referua takimit të "nëntë feve kryesore të Mbretërisë së Bashkuar". Në Gjermani, për herë të parë Bahá'í-të u përfshinë në një dialog ndërfetar. Kjo përmbysi një qëndrim shumëvjeçar të urdhrave fetare të Krishtera që i ishin shmangur kontaktit me Besimin për shkak të një libri të shkruar nga një shkelës i Besëlidhjes dhe të shpallur nga një shtëpi botuese Luterane në 1981. Kura u gjet me një kundërargument të mirëfilltë 600 faqësh të shkruar nga tre Bahá'í dhe të botuar në 1995 nga një firmë kryesore jo-Bahá'í vitin e kaluar, duke përfaqësuar një fitore të shënuar për komunitetin Gjerman Bahá'í. Një përkthim në anglisht u botua vitin e fundit të Planit. Dialogu ndërfetar mori një formë të pazakontë kur në 1998, në pallatin Lambeth, përfaqësuesit e Bankës Botërore dhe të nëntë feve kryesore mbajtën një takim që çoi në formimin e Dialogut e Zhvillimit të Feve Botërore. Qëllimi i shpallur i Dialogut është të përpiqen të kapërcejnë hendekun midis komuniteteve fetare dhe Bankës Botërore me qëllim që t'i mundësojë ato të punojnë së bashku në mënyrë më efektive për të kapërcyer varfërinë botërore. Shpeshtësia dhe përqafimi i gjerë i takimeve ndërfetare përfaqëson një dukuri të re në lidhjet midis feve. Është e dukshme që komunitetet e ndryshme fetare po përpiqen me të gjitha forcat të arrijnë midis tyre atë shpirt miqësie dhe shoqërimi që Bahá'u'lláh-u i nxiste pasuesit e Tij të tregonin ndaj pasuesve të feve të tjera.
Përpjekjet e përqendruara të komunitetit Bahá'í në këto katër vite ndodhën në një kohë kur mbarë shoqëria përpiqej të kapërcente një rrëke interesash konfliktuese. Në këtë periudhë të shkurtër por intensivisht dinamike, forcat në veprim në komunitetin Bahá'í dhe kudo në botë, përparuan me përshpejtim këmbëngulës. Pas gjurmëve të tyre doli në pah më spikatur se më parë fenomeni social për të cilin aludonte Shoghi Effendiu. Më shumë se gjashtë dekada më parë, ai kishte tërhequr vëmendjen ndaj "proceseve të njëkohshme të ngritjes dhe rënies, të integrimit dhe disintegrimit, të rendit dhe kaosit, me ndërveprimet e vazhdueshme e reciproke të tyre ndaj njëri-tjetrit." Këto procese binjake nuk vazhduan të izoluara prej atyre specifike në komunitetin Bahá'í, por ndonjëherë rrodhën në një mënyrë të tillë sa të ftonin, ashtu siç është dëshmuar tashmë, përfshirjen e drejtpërdrejtë të Besimit. Ato dukeshin sikur ecnin në drejtime të kundërta në të njëjtin korridor kohor. Nga njëra anë, luftëra të nxitura nga konflikte fetare, politike, raciale ose fisnore bënë kërdinë në rreth 40 vende; shkatërrim i menjëhershëm, total i rendit civil paralizoi një numër vendesh; terrorizmi si armë politike u bë epidemik; një valë rrjetesh ndërkombëtare kriminale shtuan alarmin. E megjithatë nga ana tjetër u bënë përpjekje serioze për zbatimin dhe shtjellimin e metodave të sigurisë kolektive, duke të sjellë ndërmend një nga porositë e Bahá'u'lláh-ut për ruajtjen e paqes; një thirrje u ngrit për krijimin e një gjykate ndërkombëtare për krimet, një veprim tjetër që përputhet me pritjet Bahá'í; për ta përqendruar vëmendjen në nevojën imperative për një sistem adekuat për të përballuar çështjet globale, udhëheqësit botërorë kanë rënë dakord të takohen në një Samit Mijëvjeçari; metoda të reja komunikimi kanë hapur rrugën për çdo njeri të komunikojë me këdo në planet. Disintegrimi ekonomik i Azisë kërcënoi të destabilizonte ekonominë botërore, por nxiti përpjekje për ndreqjen e situatës për momentin si dhe gjetjen e rrugëve për të sjellë një ndjenjë drejtësie në tregtinë dhe financat botërore. Këto janë veçse disa shembuj të dy tendencave kontrastuese, por edhe ndërvepruese, që veprojnë në këtë kohë, që konfirmojnë mbledhjen e frymëzuar të Shoghi Effendiut të forcave vepruese në planin më të madh të Perëndisë, "objektivat përfundimtare të të cilave janë uniteti i racës njerëzore dhe paqja e gjithë njerëzimit."
Në përfundimin e këtyre katër viteve të mbushur me ngjarje, ne kemi arritur në një konvergjencë të jashtëzakonshme të fundeve dhe fillimeve sipas kohës Gregoriane dhe asaj Bahá'í. Nga njëra anë, kjo konvergjencë bën të domosdoshme mbylljen e shekullit të njëzetë dhe, nga ana tjetër, hap një fazë të re në shpalosjen e Epokës Formuese. Perspektiva nga këto dy kuadro të kohës na shtyn të reflektojmë ndaj një vizioni prirjesh botë-formuese që kanë sinkronizuar, dhe ta bëjmë këtë gjë në kontekstin e asaj mprehtësie shpirtërore të projektuar në mënyrë kaq grafike nga Shoghi Effendiu në fillimin e Harkut që ai konceptoi. Gjatë rrjedhës së planit, ky vizion mori qartësi brilante ndërkohë që përparuan projektet ndërtuese në Malin Karmel, ndërsa udhëheqësit botërorë ndërmorën hapa të guximshëm drejt ndërtimit të strukturave të një paqeje politike globale, dhe ndërkohë që institucionet lokale dhe kombëtare Bahá'í arritën në nivele të reja në evolimin e tyre. Ne bartim me vete një kujtim të shenjtë e të përhershëm të shekullit të njëzetë që trazon energjitë tona ndërsa cakton rrugën tonë: është ai moment në historinë e njerëzimit kur Qendra e Besëlidhjes së Bahá'u'lláh-ut, gjatë një shërbimi të pashembullt, skicoi arkitekturën e një Rendi të Ri Botëror dhe, kur më pas, gjatë disa nga viteve më shkatërruese, Ruajtësi i Besimit i kushtoi plotësisht energjitë e tij ngritjes së strukturave të një Sistemi Administrativ që, në fundin e shekullit, qëndron para vështrimit të botës në tërësinë e formës së tij thelbësore. Pra ne vijmë në një urë midis kohërave. Kapacitetet e zhvilluara gjatë një shekulli përpjekjesh e sakrificash nga një grusht dashuruesish të dehur të Bahá'u'lláh-ut tani duhet të zbatohet ndaj detyrave të pashmangshme që mbeten në Epokën Formuese, ku periudhat e saj të shumta të një pune të parreshtur do të çojnë në atë Epokë të Artë të Besimit tonë kur Paqja Më e Madhe do të mbështjellë tokën.
Ne fillojmë në këtë Ridván me një Plan Dymbëdhjetë Mujor. Megjithëse është i shkurtër, duhet dhe do të jetë i mjaftueshëm për të përmbushur disa detyra jetësore dhe të shtrojë udhën për shtytjen e mëpasshme njëzet vjeçare në Planin Hyjnor të Mjeshtrit. Ajo që filloi me kaq kujdes katër vjet më parë - fitimi sistematik i dijes, cilësive dhe aftësive për shërbim - duhet të shtohet. Kudo që ato ekzistojnë, institutet kombëtare dhe lokale duhet të aktivizojnë plotësisht programet dhe sistemet që kanë përshtatur. Atje ku janë identifikuar nevoja të tilla, institute të reja duhen krijuar. Hapa më të mëdhenj duhen ndërmarrë për të sistematizuar punën mësimdhënëse të ndërmarrë nëpërmjet iniciativës individuale dhe sponsorizimit institucional. Pjesërisht për këtë qëllim është fakti që në disa zona të çdo kontinenti Këshilltarët dhe Asambletë Shpirtërore kanë krijuar "Programe Rritjeje Zone". Rezultatet do të sigurojnë një trup eksperience për përfitimin e Planeve të ardhshëm. Individi, institucionet dhe komuniteti lokal nxiten të përqendrojnë vëmendjen e tyre në këto detyra thelbësore, me qëllim që të jemi plotësisht të përgatitur për sipërmarrjen pesë vjeçare që fillon në Ridván 2001 - një sipërmarrje që do ta çojë botën Bahá'í në fazën tjetër në avancimin e procesit të hyrjes me trupa.
Por përtej faktit që u duhet kushtuar vëmendje këtyre detyrave, ndodhet një sfidë presuese që nuk pret. Fëmijët tanë duhet të ushqehen shpirtërisht dhe të integrohen në jetën e Kauzës. Ata nuk duhen lënë të rrëshqasin në një botë kaq të mbushur me rreziqe morale. Në gjendjen aktuale në të cilën ndodhet shoqëria, fëmijët përballen me një fat mizor. Miliona e miliona në vend pas vendi janë shoqërisht të zhvendosur. Fëmijët e gjejnë vetveten të jetërsuar me prindërit dhe të rriturit e tjerë, pavarësisht se jetojnë në kushte pasurie apo varfërie. Ky jetërsim i ka rrënjët në egoizmin e lindur nga një materializëm që është në thelb të afetarisë që ka mbërthyer kudo zemrat e njerëzve. Zhvendosja shoqërore e fëmijëve në kohën tonë është një shenjë e sigurt e një shoqërie në perëndim; megjithatë, kjo gjendje nuk është e kufizuar vetëm në ndonjë racë, klasë, komb apo gjendje ekonomike - i prek ato të gjitha. Zemrat tona pikëllohen kur shohim që në kaq shumë pjesë të botës fëmijët merren ushtarë, shfrytëzohen si punëtorë, shiten pothuaj si skllevër, detyrohen të bëjnë prostitucion, bëhen objekte të pornografisë, braktisen nga prindër që mendojnë vetëm për dëshirat e tyre, dhe u nënshtrohen formave të tjera viktimizuese që janë shumë për t'u përmendur. Shumë nga këto tmerre shkaktohen nga vetë prindërit mbi fëmijët e tyre. Dëmi shpirtëror e psikologjik nuk mund të përllogaritet. Komuniteti ynë mbarëbotëror nuk mund t'i shmanget pasojave të këtyre gjendjeve. Ky fakt duhet të na shtyjë të gjithëve në përpjekje urgjente dhe të vazhdueshme për të mirën e fëmijëve dhe të së ardhmes.
Megjithëse aktivitetet për fëmijë kanë qenë pjesë e Planeve të shkuara, këto kanë lënë për të dëshiruar. Edukimi shpirtëror i fëmijëve dhe paratërinjve është i një rëndësie madhore për përparimin e mëtejshëm të komunitetit. Si rrjedhim është e dorës së parë që të ndreqet kjo e metë. Institutet duhet të sigurojnë që të përfshijnë në programet e tyre trajnimin e mësuesve të klasave të fëmijëve, të cilët të mund të ofrojnë shërbimet e tyre komuniteteve lokale. Por, megjithëse sigurimi i edukimit shpirtëror e akademik të fëmijëve është thelbësor, ai përfaqëson vetëm një pjesë të asaj që duhet për zhvillimin e karakterit dhe formimit të personalitetit të tyre. Gjithashtu ekziston nevoja që individët dhe institucionet në të gjitha nivelet, dmth. komuniteti si një i tërë, të mbajë qëndrimin e duhur ndaj fëmijëve dhe të interesohet për mirëqenien e tyre. Një qëndrim i tillë duhet të qëndrojë shumë larg atij të një rendi që po perëndon me shpejtësi.
Fëmijët janë thesari më i çmuar që mund të zotërojë një komunitet, pasi në ta është premtimi dhe garantimi i së ardhmes. Ata bartin farat e karakterit të shoqërisë së ardhshme e cila formohet në shkallë të madhe nga ajo çka të rriturit që përbëjnë komunitetin bëjnë ose dështojnë të bëjnë me fëmijët. Ata janë një përgjegjësi që asnjë komunitet nuk mund ta shpërfillë pa ndëshkim. Dashuria gjithëpërfshirëse për fëmijët, mënyra e trajtimit të tyre, cilësia e vëmendjes që u tregohet, shpirti i sjelljes prej të rrituri ndaj tyre - të gjitha këto janë ndërmjet aspekteve jetësore të një qëndrimi të domosdoshëm. Dashuria kërkon disiplinë, kurajon për t'i mësuar fëmijët me vuajtjen, jo t'u plotësojmë tekat apo t'i lemë ata krejtësisht të bëjnë si t'u thotë mendja. Duhet krijuar e mbajtur një atmosferë në të cilën fëmijët ta ndiejnë që i përkasin komunitetit dhe kanë pjesën e tyre në qëllimin e tij. Në mënyrë të dashur, por këmbëngulëse, ata duhen udhëzuar të jetojnë sipas standardeve Bahá'í, të studiojnë dhe mësojnë Kauzën në mënyra që u përshtaten rrethanave të tyre.
Midis të rinjve në komunitet janë edhe ata që njihen si paratërinj, mosha e të cilëve lëviz, të themi, nga 12 në 15 vjeç. Ata përfaqësojnë një grup të veçantë me nevoja të veçanta, pasi në njëfarë mënyre ata janë diku midis fëmijërisë dhe rinisë, kur mjaft ndryshime po ndodhin brenda tyre. Vëmendje krijuese duhet t'i kushtohet përfshirjes së tyre në programe aktivitetesh që do të angazhojnë interesimin e tyre, të formojnë kapacitetet e tyre për mësimdhënie e shërbim, dhe t'i përfshijnë ata në ndërveprim social me të rinjtë më të mëdhenj në moshë. Përdorimi i artit në forma të ndryshme mund të ketë vlerë të madhe në aktivitete të tilla.
Dhe tani dëshirojmë t'u drejtohemi me disa fjalë prindërve të cilët kanë përgjegjësinë parësore për rritjen e fëmijëve të tyre. U bëjmë apel atyre që t'i kushtojnë vëmendje konstante edukimit shpirtëror të fëmijëve të tyre. Disa prindër, mesa duket, mendojnë se kjo është përgjegjësi ekskluzive e komunitetit; të tjerë besojnë se me qëllim që të ruajnë pavarësinë e fëmijëve të tyre për të hetuar të vërtetën, nuk u duhet mësuar Besimi. Ka edhe të tjerë që e ndiejnë veten të paaftë të marrin përsipër këtë detyrë. Asnjë nga këto nuk është e drejtë. Mjeshtri i shumëdashur ka thënë që "nënës dhe babait i kërkohet, si detyrë, të përpiqen me mish e me shpirt për ta edukuar e përgatitur vajzën dhe djalin," duke shtuar që "në qoftë se ata e shpërfillin këtë çështje, ata do të cilësohen si përgjegjës dhe të denjë për t'u qortuar në praninë e Zotit të rreptë." Pavarësisht nga niveli i tyre i shkollimit, prindërit kanë një pozicion kritik për formimin e zhvillimit shpirtëror të fëmijëve të tyre Ata kurrë nuk duhet të nënvlerësojnë kapacitetin që kanë për t'i dhënë formë karakterit moral të fëmijëve të tyre. Pasi ata ushtrojnë ndikim të pashmangshëm nëpërmjet mjedisit shtëpiak që ata në mënyrë të ndërgjegjshme e krijojnë me dashurinë e tyre për Perëndinë, përpjekjeve të tyre për t'iu përmbajtur ligjeve të Tij, shpirtit të tyre të shërbimit ndaj Kauzës së tij, mungesës së fanatizmit, dhe lirisë nga efektet gërryese të përgojosjes. Çdo prind që është besimtar i Bukurisë së Bekuar ka përgjegjësinë të sillet në një mënyrë të tillë sa të arrijë të fitojë atë bindje spontane ndaj prindërve së cilës Mësimet i veshin një vlerë kaq të lartë. Natyrisht, përveç përpjekjeve të bëra në shtëpi, prindërit duhet të mbështesin klasat e fëmijëve Bahá'í që ofrohen nga komuniteti. Përveç kësaj, duhet patur gjithmonë parasysh që fëmijët jetojnë në një botë që i informon ata për realitetin e vrazhdë nëpërmjet përjetimit të drejtpërdrejtë të tmerreve të sapo përmendura, ose nëpërmjet derdhjes së pashmangshme të masmedias. Shumë prej tyre, pra, janë të detyruar të piqen para kohe, dhe midis tyre janë ata që kërkojnë standarde dhe disiplinë me anë të të cilave të udhëheqin jetët e tyre. Në kontrast me këtë skenë të vrenjtur të një shoqërie dekadente, fëmijët Bahá'í duhet të shkëlqejnë si emblemat e një të ardhmeje më të mirë.
Pritja jonë është e mbushur plot me mendimin që Këshilltarët Kontinentalë do të mblidhen në Tokën e Shenjtë në Janar 2001 në një ngjarje që do të festojë zënien e selisë së përhershme nga ana e Qendrës Ndërkombëtare të Mësimdhënies në Kodrën e Perëndisë. Anëtarët e Trupit Ndihmës nga e gjithë bota do të marrin pjesë së bashku me ta në një takim që padyshim do të jetë një ngjarjet historike të Epokës Formuese. Mbledhja së bashku e një konstelacioni të tillë oficerësh Bahá'í nga vetë natyra e tij duhet të prodhojë përfitime të panumërta për një komunitet i cili përsëri do të jetë afër fundit të një Plani dhe fillimit të një tjetri. Ndërsa sodisim implikimet, ne i kthejmë zemrat me mirënjohje ndaj shumë të dashurve Duar të Kauzës së Përëndisë 'Ali-Akbar-Furutan dhe 'Ali Muhammad Varqa, të cilët me qëndrimin e tyre në Tokën e Shenjtë mbajtën lart pishtarin e shërbimit që Ruajtësi i shumëdashur ndezi në zemrat e tyre.
Me këtë Plan Dymbëdhjetë Mujor ne kalojmë një urë në të cilën nuk do të kthehemi kurrë. Ne e fillojmë këtë Plan në mungesën tokësore të Amatu'l-Bahá Ruhiyyih Khanum. Ajo qëndroi me ne deri afër fundit të shekullit të njëzetë si një rreze drite që ndriçoi gjatë asaj periudhe të pashoqe të historisë së racës njerëzore. Në Tabelat e Planit Hyjnor, Mjeshtri u qa për paaftësinë e Tij për të udhëtuar anëkënd botës për të ngritur thirrjen Hyjnore, dhe në intensitetin e zhgënjimit të Tij Ai shkroi shpresën: "Të lutem Perëndi! Ju të mund ta arrini atë." Amatu'l Bahá u përgjigj me energji të pashtershme, duke shkelur hapësira të gjera të tokës në 185 vendet që patën privilegjin të merrnin dhuratat e saj të përsosura. Shembulli i saj, që do të ruajë përgjithmonë shkëlqimin e tij, ndriçon zemrat e mijëra e mijëra vetëve anekënd planetit. Kundrejt pamjaftueshmërisë sonë për të bërë ndonjë veprim tjetër, a nuk duhet që ne të gjithë t'i përkushtojmë përpjekjet tona të përulura gjatë këtij Plani në kujtim të asaj për të cilën mësimdhënia ishte qëllimi parësor, gëzimi i përsosur i jetës?
- The Universal House of Justice