The Universal House of Justice
Ridván 2013
To the Bahá’ís of the World
Dearly loved Friends,
Me të tilla fjalë të gëzueshme e përshkruan Pena Supreme ardhjen e ditës së bashkimit dhe mbledhjes së toku. Bahá’u’lláh vijon: “Vijini veshin, O miq të Perëndisë, zërit të Atij Që bota e ka keqtrajtuar dhe përmbajuni fort çfarëdo gjëje që do të lartësojë Kauzën e Tij.” Ai më tej i nxit pasuesit e tij: “Me miqësinë më të madhe dhe me frymën e vëllazërisë së përkryer këshillohuni së bashku, dhe kushtojani ditët e çmuara të jetës suaj përmirësimit të botës dhe përkrahjes së Kauzës së Atij Që është Zoti i Lashtë e Sovran i gjithçkaje.”
Të dashur bashkëpunëtorë: Kjo shpallje energjike vjen në mendje e pakërkuar, kur shohim përpjekjet tuaja të shenjta përreth botës në përgjigje të thirrjes së Bahá’u’lláh-ut. Përgjigjja e shkëlqyer kundrejt thirrjes së Tij mund të dëshmohet në çdo anë. Për ata të cilët ndalen për të reflektuar mbi shpalosjen e Planit Hyjnor, bëhet e pamundur të shpërfillin se si fuqia e zotëruar nga Fjala e Perëndisë po sundon në zemrat e grave dhe burrave, fëmijëve dhe të rinjve, në shtet pas shteti, në zonë pas zone.<p>Një komunitet mbarëbotëror po përmirëson aftësinë e tij për të lexuar realitetin e tij të tanishëm, për të analizuar mundësitë e tij dhe për të zbatuar mençurisht metodat dhe instrumentet e Planit Pesëvjeçar. Siç pritej, përvoja po grumbullohet tepër shpejt në zona ku kufijtë e të nxënit po përparohen ndërgjegjësisht. Në vende të këtilla, njihen mirë mjetet për të mundësuar një numër gjithnjë në rritje individësh për të fuqizuar kapacitetin e tyre për të shërbyer. Një institut trajnimi i gjallë vepron si shtylla për përpjekjet e komunitetit për ta përparuar Planin dhe, sa më herët të jetë e mundur, zotësitë dhe aftësitë e zhvilluara përmes pjesëmarrjes në kurset e institutit përdoren në terren. Disa, përmes bashkëveprimeve të tyre të përditshme, ndeshin shpirtra të cilët janë të hapur për të eksploruar çështje shpirtërore, kryer në një larmi mjedisesh; disa janë në gjendje që t’i përgjigjen receptivitetit në një fshat ose lagje, ndoshta duke u zhvendosur te zona. Numra në rritje ngrihen për të marrë përsipër përgjegjësitë, duke zgjeruar radhët e atyre që shërbejnë si tutorë, animatorë dhe mësues të fëmijëve; të cilët administrojnë dhe bashkërendojnë; ose të cilët përpiqen në një mënyrë tjetër në mbështetje të punës. Zotimi i miqve për të nxënë shprehet përmes qëndrueshmërisë në përpjekjet e vetë atyre dhe një dëshire për të shoqëruar të tjerë në të tyren. Për më tepër, ata janë të aftë t’i mbajnë vendosmërisht para tyre dy pikëpamje plotësuese mbi modelin e veprimit që po zhvillohet në zonën: një, cikli tri-mujor i veprimit – pulsi ritmik i programit të rritjes – dhe tjetra, fazat e ndryshme të një procesi edukimor për fëmijë, për paratërinj dhe për të rinj e të rritur. Ndërsa kuptojnë qartësisht marrëdhënien që i lidh këto tri faza, miqtë janë të vetëdijshëm që secila ka dinamikat e veta, kërkesat e veta dhe meritën e vet të qenësishme. Mbi të gjitha, ata janë të vetëdijshëm rreth veprimit të forcave të fuqishme shpirtërore, ndikimet e të cilave mund të dallohen po aq në të dhënat sasiore, të cilat pasqyrojnë zhvillimin e komunitetit, sa edhe në vargun e historive që tregojnë arritjet e tij. Çfarë është sidomos premtuese është që kaq shumë prej këtyre tipareve dalluese e të spikatura, të cilat karakterizojnë zonat e përparuara në shkallë më të larta, janë gjithashtu të dukshme në komunitete në pika shumë më të hershme në zhvillimin e tyre.
Ndërsa përvoja e miqve është thelluar, është rritur kapaciteti për të nxitur në një zonë një model jete të pasur e të ndërlikuar, duke përqafuar qindra ose madje mijëra njerëz. Sa të kënaqur jemi të vërejmë kuptimet e shumta që besimtarët po fitojnë nga përpjekjet e tyre. Ata vlerësojnë, për shembull, që shpalosja shkallë-shkallë e Planit në nivelin e zonës është një proces dinamik, një i cili medoemos është kompleks dhe nuk ia lejon vetes të thjeshtësohet lehtësisht. Ata shohin se si ecën përpara ndërsa rrisin aftësinë e tyre, si për të ngritur burime të reja njerëzore, ashtu edhe për të bashkërenduar e për të organizuar mirë veprimet e atyre që ngrihen. Miqtë kuptojnë që ndërsa këto kapacitete rriten, bëhet e mundur të integrohen një numër më i gjerë nismash. Po ashtu, tashmë kanë kuptuar që kur paraqitet një tipar i ri, kërkon vëmendje të veçantë për ca kohë, por që në asnjë mënyrë nuk pakëson domethënien e aspekteve të tjera të përpjekjeve për ndërtimin e komunitetit. Sepse ata kuptojnë që nëse të nxënit do të jetë mënyra e veprimit të tyre, ata duhet të jenë syçelët për potencialin e ofruar nga çfarëdo mjeti i Planit që dëshmon të jetë veçanërisht i përshtatshëm për një çast në kohë dhe, kur të kërkohet, të shpenzojnë më shumë energji në zhvillimin e tij; nuk do të thotë, megjithatë, që çdo njeri duhet të jetë i zënë me të njëjtin aspekt të Planit. Miqtë kanë mësuar gjithashtu që nuk është e nevojshme që fokusi kryesor i fazës së përhapjes të çdo cikli të një programi rritjeje të drejtohet drejt të njëjtit synim. Kushtet mund të kërkojnë që në një cikël të caktuar, për shembull, vëmendja të drejtohet kryesisht në ftimin e shpirtrave për ta përqafuar Besimin përmes përpjekjeve për mësimdhënie të përqendruara, të ndërmarra nga individë ose në mënyrë kolektive; në një tjetër cikël, fokusi mund të përqëndrohet në shumëfishimin e një veprimtarie bazë të veçantë.
Për më tepër, miqtë janë të vetëdijshëm që puna e Kauzës ecën me shpejtësi të ndryshme në vende të ndryshme dhe për arsye të mira – ajo është, në fund të fundit, një dukuri organike – dhe marrin gëzim e kurajo nga çdo shembull progresi që shohin. Me të vërtetë, ata kuptojnë që dobia që mblidhet nga kontributi i çdo individi për zhvillimin e së tërës dhe rrjedhimisht shërbimi i kryer nga secili, në përputhje me mundësitë e krijuara nga rrethanat e një personi, mirëpritet nga të gjithë. Takimet për reflektim shihen gjithnjë e më shumë si raste ku përpjekjet e komunitetit, në tërësinë e tyre, janë tema e diskutimeve të sinqerta e frymëzuese. Pjesëmarrësit mësojnë çka është arritur në përgjithësi, kuptojnë përpjekjet e veta në atë dritë dhe shtojnë dijen e tyre rreth procesit të rritjes, duke thithur këshillat e institucioneve dhe duke marrë nga përvoja e bashkëbesimtarëve të tyre. Një përvojë e tillë po ndahet gjitashtu në hapësira të tjera të shumta që po shfaqen për konsultimin midis miqve që janë të përfshirë në mënyrë të përqëndruar në përpjekje të veçanta, qoftë duke ndjekur një linjë veprimi të përbashkët ose duke shërbyer në një pjesë të veçantë të zonës. Të gjitha këto kuptime janë të vendosura në një vlerësim më të gjerë, që progresi arrihet më lehtë në një mjedis të mbushur me dashuri – një në të cilin të metave nuk u kushtohet vëmendje e shihen me vetëpërmbajtje, pengesat kalohen me durim dhe qasjet e vërtetuara përqafohen me entuziazëm. Dhe kështu ndodh që, përmes drejtimit të urtë të institucioneve dhe agjencive të Besimit që veprojnë në çdo nivel, përpjekjet e miqve, sado të thjeshta individualisht, bashkohen në një përpjekje të përbashkët për të siguruar që receptiviteti ndaj thirrjes së Bukurisë së Bekuar dallohet shpejt dhe ushqehet në mënyrë të dobishme. Një zonë në këto kushte është qartësisht një e tillë ku marrëdhëniet midis individëve, institucioneve dhe komunitetit – tri personazhet kryesore të Planit – janë duke u zhvilluar në mënyrë të shëndetshme.
Nga ky peizazh veprimtarie në lulëzim, një pamje meriton përmendje të veçantë. Në mesazhin që ju drejtuam tri vite më parë, ne shprehëm shpresën që, në zona me një program intensiv të rritjes në veprim, miqtë do të përpiqeshin të mësonin më shumë rreth mënyrave të ndërtimit të komuniteteve duke zhvilluar qendra veprimtarie të përqendruar në fqinjësi dhe fshatra. Shpresat tona janë tejkaluar, sepse edhe në zona ku programi i rritjes ende nuk ka arritur intensitet, përpjekjet nga disa për të filluar aktivitete bazë midis banorëve të zonave të vogla, shpeshherë kanë treguar efikasitetin e tyre. Në thelb, kjo qasje përqendrohet mbi përgjigen ndaj mësimeve të Bahá’u’lláh-ut nga ana e popullsive të cilat janë të gatshme për shndërrimin shpirtëror që ushqen Revelacioni i Tij. Përmes pjesëmarrjes në procesin edukimor përkrahur nga instituti i trajnimit, ata nxiten që ta flakin plogështinë dhe indiferencën e ngulitur nga forcat e shoqërisë dhe të ndjekin, në vend të kësaj, modelet e veprimit që dëshmojnë të jenë jetë-shndërruese. Aty ku kjo qasje ka përparuar për disa vite në një fqinjësi ose fshat dhe miqtë e kanë mbajtur përqendrimin e tyre, rezultate të shquara po bëhen gradualisht por pagabueshmërisht të dukshme. Të rinjtë fuqizohen për të marrë përgjegjësi për zhvilllimin e atyre rreth tyre të cilët janë më të rinj se vetë ata. Brezat më të moshuar e mirëpresin kontributin e të rinjve për diskutime kuptimplota rreth çështjeve të mbarë komunitetit. Për të rinj e të moshuar njësoj, disiplina e kultivuar përmes procesit edukimor të komunitetit ngren kapacitetin për konsultim dhe shfaqen hapësira të reja për bashkëbisedim kuptimplotë. Sidoqoftë, ndryshimi nuk është i kufizuar vetëm për Bahá’í-të dhe ata të cilët janë të përfshirë në aktivitetet bazë të kërkuara nga Plani, të cilët mund të priten në mënyrë të arsyeshme të përvetësojnë mënyra të reja të të menduarit me kalimin e kohës. Vetë shpirti i vendit ndikohet. Një qëndrim devocional merr formë në një pjesë të gjerë të shoqërisë. Shprehje të barazisë midis burrave dhe grave bëhen më të theksuara. Edukimi i fëmijëve, si djem ashtu edhe vajza, kërkon vëmendje më të madhe. Karakteri i marrëdhënieve përbrenda familjeve – i farkëtuar nga supozime shekullore – ndryshon dukshëm. Një ndjesi detyre kundrejt komunitetit të afërt dhe mjedisit fizik të vetes bëhet mbizotërurese. Madje kamzhiku i paragjykimit, që hedh hijen e tij të dëmshme në çdo shoqëri, fillon t’i dorëzohet forcës detyruese të unitetit. Shkurtimisht, puna e ndërtimit të komuniteteve me të cilën janë përfshirë miqtë, ndikon aspektet e kulturës.
Ndërsa përhapja dhe konsolidimi kanë përparuar vazhdimit gjatë vitit të kaluar, fusha të tjera të rëndësishme veprimtarie kanë përparuar gjthashtu, shpesh në paralel të afërt. Si një shembull parësor, përparimet në nivelin e kulturës që po dëshmohen në disa fshatra dhe fqinjësi janë, në masë jo të vogël, për shak të çka po mësohet nga përfshirja Bahá’í në veprimin shoqëror. Zyra e Zhvillimit Shoqëror dhe Ekonomik e jonë, së fundi përgatiti një dokument që nxjerr tridhjetë vjetë përvoje që është grumbulluar në këtë fushë që kur ajo Zyrë u themelua në Qendrën Botërore Bahá’í. Ndër vëzhgimet që bën është që përpjekjeve për t’u përfshirë në veprim shoqëror u jepet një shtysë jetësore nga instituti i trajnimit. Kjo nuk është thjesht përmes rritjes në burimet njerëzore që ai ushqen. Kuptimet shpirtëore, cilësitë dhe aftësitë që kultivohen nga procesi i institutit kanë dëshmuar të jenë aq vendimtare për pjesëmarrjen në veprim shoqëror sa janë për kontribuimin në procesin e rritjes. Për më tepër, shpjegohet se si sferat e ndryshme të përpjekjes së komunitetit Bahá’í drejtohen nga një kornizë konceptuale, e përbashkët dhe në zhvillim, e përbërë nga elemente që përforcojnë njëri-tjetrin, megjithëse këto shprehen në mënyra të larmishme në fusha të ndryshme veprimi. Dokumenti që kemi përshkruar u nda kohët e fundit me Asambletë Shpirtërore Kombëtare dhe ne i ftojmë ata, në konsultim me Këshilltarët, të marrin parasysh se si konceptet që shqyrton mund të ndihmojnë për të përmirësuar përpjekjet ekzistuese të veprimit shoqëror të ndjekura nën mbikëqyrjen e tyre dhe të ngjallin vetëdije rreth kësaj fushe të përpjekjes Bahá’í. Kjo nuk duhet të interpretohet si një thirrje e përgjithshme për veprimtari të përhapur në këtë fushë – shfaqja e veprimit shoqëror ndodh në mënyrë të natyrshme, kur një komunitet në rritje grumbullon fuqi – por ka ardhur koha që miqtë të reflektojnë më thellësisht mbi domethëniet e përpjekjeve të tyre për shndërrimin e shoqërisë. Vala e madhe e nxënies që po ndodh në këtë fushë vendos kërkesa më të mëdha mbi Zyrën e Zhvillimit Shoqëror dhe Ekonomik dhe po merren hapa për të siguruar që funksionimi i saj zhvillohet në përpjesëtim.
Një tipar veçanërisht i dallueshëm i dymbëdhjetë muajve të fundit ka qenë shpeshtësia me të cilën komunitetit Bahá’í po njëjtësohet, në një shumëllojshmëri të gjerë kontekstesh, me përpjekje që sjellin përmirësimin e shoqërisë në bashkëpunim me njerëz të të njëjtit mendim. Nga fusha ndërkombëtare deri në themelet e jetës së fshatit, udhëheqësit e mendimeve në lloje të larmishme rrethanash kanë shprehur vetëdijen e tyre që Bahá’í-të jo vetëm e mbajnë mirëqenien e njerëzimit në zemër, por ata zotërojnë një kuptim bindës të çka nevojitet të arrihet dhe mjete efikase për realizimin e aspiratave të tyre. Këto shprehje të vlerësimit dhe mbështetjes vijnë edhe nga disa drejtime më parë të papritura. Për shembull, edhe në Djepin e Besimit, pavarësisht pengesave të frikshme të vendosura nga shtypësit në shtegun e tyre, Bahá’í-të po njihen gjithnjë e më shumë për domethëniet e thella që mbart mesazhi i tyre për gjendjen e kombit të tyre dhe po respektohen për vendosmërinë e papërkulshme për të kontribuar drejt zhvillimit të atdheut të tyre.
Vuajtjet e përballuara nga besnikët në Iran, veçanërisht në dekadat pasi filloi vala më e fundit e persekutimeve, i kanë nxitur vëllezërit dhe motrat e tyre në vende të tjera për të ardhur në mbrojtje të tyre. Ndër dhurimet e paçmuara të cilat, si pasojë e asaj qëndrese, në mbarë botën Komuniteti Bahá'í ka fituar, po përmendim një në lidhje me këtë: një rrjet mbresëlënës agjencish të specializuara në nivel kombëtar që ka dëshmuar të jetë i aftë të zhvillojë sistematikisht marrëdhëniet me qeveritë dhe organizatat e shoqërisë civile. Paralelisht me këtë, proceset e Planeve të njëpasnjëshme kanë rafinuar aftësinë e komunitetit për të marrë pjesë në diskutimet bizotëruese në çdo hapësirë ku ato ndodhin – nga bisedat personale e deri në forumet ndërkombëtare. Në rrënjët e komunitet, përfshirja në këtë lloj përpjekjeje ndërtohet natyrshëm, nëpërmjet qasjes së njëjtë organike që karakterizon rritjen e qëndrueshme të angazhimit të miqve në veprim shoqëror, dhe nuk ka nevojë për ndonjë përpjekje të veçantë për ta stimuluar. Në nivel kombëtar, megjithatë, ajo është më shpesh duke u bërë fokusi i vëmendjes së po këtyre agjencive të përkushtuara, që funksionojnë tashmë në dhjetra komunitete kombëtare dhe ajo po ecën sipas modelit të njohur e frytdhënës të veprimit, reflektimit, konsultimit dhe studimit. Për të rritur përpjekjet e tilla, për të lehtësuar nxënien në këtë fushë dhe për të siguruar se hapat e marra janë koherente me përpjekjet e tjera të komunitetit Bahá'í, kohët e fundit në Qendrën Botërore Bahá'í kemi krijuar Zyrën e Diskutimit Publik. Ne do t'i kërkojmë asaj t’i ndihmojë Asambletë Shpirtërore Kombëtare në këtë fushë, duke nxitur e bashkërenduar aktivitetet dhe duke sistematizuar përvojën gradualisht.
Progres inkurajues po ndodh në fusha të tjera gjithashtu. Në Santiago, Kili, ku po ngrihet Tempulli Mëmë i Amerikës së Jugut, puna ndërtuese vazhdon me intensitet. Konstruksioni i betonizuar i themeleve, dyshemesë dhe tunelit të shërbimeve ka përfunduar, siç janë edhe shtyllat që do të mbajnë superstrukturën. Pritja e ethshme e lidhur me këtë projekt është në rritje, dhe një ndjenjë e ngjashme pritjeje po drithëron në shtatë vendet ku do të ngrihen Mashriku’l-Adhkár-ët kombëtarë e lokalë. Në secilin prej tyre, përgatitjet kanë filluar dhe kontributet që besimtarët janë duke bërë për Fondin e tempujve kanë filluar të përdoren; megjithatë, konsideratat praktike, të tilla si vendndodhja, projektimi dhe burimet, paraqesin vetëm një aspekt të punës së ndërmarrë nga miqtë. Thelbësisht, kjo e tyrja është një përpjekje shpirtërore, një në të cilën merr pjesë i gjithë komuniteti. Mjeshtri i referohet Mashriku’l-Adhkár-it si "magneti i konfirmimeve hyjnore", "themeli i fuqishëm i Zotit", dhe "shtylla e palëkundshme e Besimit të Perëndisë". Kudo që ajo ngrihet, ajo natyrisht do të jetë një pjesë integrale e procesit të ndërtimit të komunitetit që e rrethon atë. Tashmë, në ato vende ku do të ngrihet një Shtëpi Adhurimi, vetëdija për këtë realitet po thellohet ndër rangjet e rradhët e besimtarëve, të cilët kuptojnë se jeta e tyre kolektive duhet të reflektojë gjithnjë e më shumë atë bashkim adhurimi e shërbimi që Mashriqu'l-Adhkár-i mishëron.
Në çdo front, pra, ne e shohim komunitetin Bahá’í duke lëvizur vazhdimisht përpara, duke përparuar në të kuptuarit, të etur për të fituar kuptime nga përvoja, të gatshëm për të marrë përsipër detyra të reja kur burimet e mundësojnë, të shkathët në përgjigjen e tij ndaj domosdoshmërive të reja, të vetëdijshëm për nevojën për të siguruar përputhje midis fushave të gjithfarshme të veprimtarisë në të cilat është përfshirë, tërësisht i përkushtuar ndaj përmbushjes së misionit të tij. Entuziazmi dhe devotshmëria i tij janë të dukshëm në nxehtësinë e pamasë të krijuar nga shpallja, rreth dy muaj më parë, e thirrjes së 95 konferencave për të rinj përreth botës. Jemi të kënaqur jo vetëm nga përgjigjja e të rinjve vetë, por edhe nga shprehjet e mbështetjes të treguara nga bashkëbesimtarët e tyre, të cilët e vlerësojnë se si pasuesit më të rinj të Bahá’u’lláh-ut veprojnë si një shtysë jetësore për trupin e tërë të Kauzës.
Jemi të mbushur me shpresë nga dëshmitë e njëpasnjëshme që shohim të përhapjes së mesazhit të Bahá’u’lláh-ut, shtrirjes së ndikimit të tij dhe të vetëdijes në rritje për idealet që ai mbart. Në këtë stinë përvjetorësh, sjellim ndërmend atë “Ditë të lumturisë supreme”, të ndarë nga ky Riḍván nga një shekull e gjysmë, kur Bukuria Abhá ua shpalli së pari Misionin e Tij shoqëruesve të Tij në Kopshtin Najíbíyyih. Nga ai vend i shenjtëruar, Fjala e Perëndisë është përhapur në çdo qytet dhe çdo breg, duke e thirrur njerëzimin për një takim me Zotin e tij. Dhe nga ajo shpurë fillestare dashuruesish të dehur pas Perëndisë, ka lulëzuar një komunitet i larmishëm me qëllim, lule të larmishme në kopshtin që Ai ka krijuar. Me çdo ditë që kalon, numra në rritje shpirtrash të zgjuar rishtas kthehen në përgjërim drejt Mauzoleut të Tij, vendi ku ne, në nder të asaj Dite të bekur dhe në mirënjohje për çdo bekim të dhuruar komunitetit të Emrit më të Madh, përkulim kryet tona në lutje në Pragun e Shenjtë.
- The Universal House of Justice