Return   Facebook

The Universal House of Justice

Ridván 2004

To the Bahá’ís of the World

Dearly loved Friends,

Tre vite të Planit Pesë Vjeçar kanë kaluar. Proceset e vëna në lëvizje në Planin Katër Vjeçar, të përforcuara nëpërmjet kujdesit të veçantë për edukimin Bahá'í të fëmijëve gjatë Planit Dymbëdhjetë Mujor, dhe të çuara me tej në mënyrë të palodhur gjatë këtyre viteve të fundit, po përmbushin tashmë shpresat e mëdha me të cilat ato u filluan. Në çdo pjesë të botës tre pjesëmarrësit në Plan - individi, komuniteti dhe institucionet - ku secili luan një rol të dallueshëm, po përforcojnë veprimet e njëri-tjetrit. Aktivitetet bazë të qarqeve të studimit, klasave të fëmijëve dhe takimeve devocionale janë bërë aspekte thelbësore dhe arritje reciprokisht përmirësuese duke i dhënë më shumë vrull dhe sukses të gjithë elementëve të tjerë të jetës komunitare Bahá'í. Burimet njerëzore po shtohen, dhe Asambletë Shpirtërore Lokale po u përgjigjen kërkesave të reja të këtij vitaliteti në rritje.

Kapaciteti i ngritur për edukimin Bahá'í të fëmijëve kudo në botë është jashtëzakonisht mbresëlënës. Përpjekjet fillestare për fuqizimin shpirtëror të paratërinjve po dalin me sukses. Lëvizja e zonave nga një nivel aktiviteti në një tjetër më të lartë është në rrugë të mbarë dhe, në vazhdimësinë e saj, bërthamës së besimtarëve të deklaruar po i shtohet një rreth më i gjerë njerëzish, ende jo Bahá'í, por të përfshirë me entuziazëm në aktivitetet bazë të Planit. Strukturat për administrimin e rritjes intensive po shfaqen tashmë në disa zona të avancuara. Asambletë Kombëtare, ndërkohë që kujdesen për nevojat e të gjitha zonave në vendet e tyre, kanë mësuar vlerën e përqendrimit të vëmendjes së veçantë në disa zona prioritare shumë premtuese, duke i inkurajuar dhe zhvilluar ato derisa burimet njerëzore që ato kanë krijuar nëpërmjet instituteve të trajnimit t'i mundësojnë ato të bëhen qendra të rritjes së shpejtë e të mbështetshme.

Ashtu siç ishte parashikuar, instituti i trajnimit po e tregon veten se është një motorr për rritje. Gjatë vlerësimit të mundësive dhe nevojave të komuniteteve të tyre respektive, shumica dërrmuese e Asambleve Shpirtërore Kombëtare kanë zgjedhur të përshtasin materialet e kursit të hartuara nga Instituti Ruhi, duke i parë ato si më të përshtatshmet për nevojat e Planit. Kjo ka sjellë përfitim të tërthortë sepse të njëjtat materiale janë përkthyer në shumë gjuhë, dhe se kudo që Bahá'í-të udhëtojnë, ata gjejnë miq të tjerë që ndjekin të njëjtën rrugë dhe që janë të familjarizuar me të njëjtat libra dhe metoda.

Një shoqëri ndërkombëtare kaotike, e përçarë nga perceptime dhe interesa konfliktuese, është sulmuar nga një terrorizëm, mungesë ligji dhe korrupsion në rritje, dhe po gërryhet nga dështimi ekonomik, varfëria e sëmundjet. Në mesin e saj komuniteti Bahá'í po bëhet gjithnjë e më i dukshëm, i frymëzuar nga një vizion i reveluar në mënyrë hyjnore, duke ndërtuar mbi themele solide, duke u rritur në forcë nëpërmjet proceseve që janë vënë tashmë në lëvizje, dhe i patrembur nga pengesat në dukje. Një shembull i kapacitetit të botës Bahá'í për t'iu përgjigjur kushteve të papritura u pa një vit më parë, kur rreziqe të shumëfishta bënë që të anulohej Kuvendi Ndërkombëtar Bahá'í; zgjedhja e Shtëpisë Universale të Drejtësisë u bë siç duhej dhe Plani bëri përpara pa humbur asnjë hap. Njëherazi, pavarësisht nga turbullirat dhe kaosi i jetës në Irak, ishte e mundur që të kontaktohej me Bahá'í-të në atë vend dhe të riformoheshin Asambletë e tyre Shpirtërore Lokale. Tani ju bëjmë të ditur me gëzim të madh zgjedhjen, këtë Ridván, të Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Bahá'í-ve të Irakut, e rikrijuar mbas më shumë se tridhjetë vjetësh shtypjeje të padurueshme, që do të zerë vendin që i takon në komunitetin ndërkombëtar Bahá'í.

Ajo që kërkon Plani Hyjnor në këtë fazë është që ne, me besim dhe dinamizëm, të vazhdojmë të ecim në drejtimin e tanishëm, të patundur nga stuhitë që po rrahin botën e njerëzimit. Të jeni të sigurt se Bukuria e Bekuar do t'i udhëheqë hapat tuaj dhe Arradhat e Grupimit Suprem do të përforcojnë çdo përpjekje tuajën për përparimin e Besimit të Tij.

 

Windows / Mac