Return   Facebook

The Universal House of Justice

Ridván 2019

To the Bahá’ís of the World

Dearly loved Friends,

Ndërsa Më i Madhi Kremtim është afruar, ne jemi ngazëllyer prej ndjenjash mirënjohjeje dhe pritjeje - mirënjohje për mrekullitë që Bahá’u’lláh-u i ka mundësuar pasuesit e Tij të arrijnë, pritje të asaj çka përmban e ardhmja e afërt.

Vrulli i lindur nga kremtimet botërore të dyqindvjetorit të Lindjes së Bahá’u’lláh-ut është vetëm rritur që atëherë. Zhvillimi i përshpejtuar i komunitetit Bahá’í, kapaciteti i tij në rritje dhe aftësia e tij për të vënë në përdorim fuqitë e më shumë prej anëtarëve të tij shfaqen gjallërisht nga një përmbledhje e arritjeve të tij të vona të përbotshme. Nga këto, dallon në veçanti një rritje e veprimtarive të tij komunitet-ndërtuese. Plani Pesë Vjeçar i tanishëm pason njëzet vite përpjekjesh nga bota Bahá’í për t’i përsosur dhe shumëfishuar sistematikisht këto veprimtari - por mrekullisht, në të parat dy vite e gjysmë të Planit, madje vetëm numri i veprimtarive bërthamë u rrit me më tepër se gjysmë. Komuniteti botëror ka treguar kapacitetin për të përfshirë, në cilindo çast, mbi një milionë njerëz në veprimtari të tilla, duke i ndihmuar ata të hulumtojnë dhe t’u përgjigjen të vërtetave shpirtërore. Në të njëjtën periudhë të shkurtër, numri i mbledhjeve për lutje gati u dyfishua - një përgjigje e shumëkërkuar ndaj ftohjes në rritje të njerëzimit ndaj Burimit të shpresës dhe bujarisë. Ky zhvillim mban premtim të veçantë, sepse takimet devocionale rrënjosin një frymë të re në jetën e një komuniteti. Ndërthurur me përpjekje edukuese për të gjitha moshat, ato përforcojnë qëllimin fisnik të këtyre përpjekjeve: të brumosin komunitete që shquhen nga adhurimi i tyre për Perëndinë dhe shërbimi i tyre ndaj njerëzimit. Askund nuk është më e dukshme kjo sesa në ato zona ku pjesëmarrja e numrave të mëdhenj në veprimtaritë Bahá’í po mbahet në mënyrë të qëndrueshme dhe miqtë e kanë kaluar gurin kilometrik të tretë në zhvillimin e komunitetit të tyre. Ne jemi të gëzuar tek shohim që numri i zonave ku procesi i rritjes ka përparuar kaq shumë, tashmë është mëse dyfishuar që nga fillimi i Planit dhe tani është rreth pesëqind.

Ky vështrim i përmbledhur nuk mund ta çmojë si duhet shkallën e shndërrimit që është në zhvillim e sipër. Pamja për dy vitet e mbetura të Planit është e ndritur. Shumë është arritur në këtë vitin e fundit nga përhapja e gjerë e mësimeve të përftuara nga programet e rritjes më të forta në zona, të cilat, siç shpresonim, janë bërë rezervuarë dijesh dhe burimesh. Qendra Ndërkombëtare e Mësimdhënies, Këshilltarët dhe ndihmësit e tyre të palodhshëm nuk janë ndalur para asgjëje për t’u siguruar që të garantojnë që miqtë në të gjitha anët e botës të mund të përfitojnë nga ky përshpejtim në përftimin dhe zbatimin e kuptimeve të thella që po fitohen drejt realiteteve të vetë tyre. Ne ngazëllehemi tek shohim që në një numër në rritje zonash dhe në fqinjësi e fshatra përbrenda tyre, është shfaqur një bërthamë miqsh të cilët përmes të vepruarit dhe të përsiaturit po zbulojnë çfarë nevojitet, në një pikë të caktuar, që procesi i rritjes të përparojë në rrethinat e tyre. Ata po vënë në përdorim mjetin e vrundulltë të institutit, përmes të cilit përtërihet kapaciteti për të kontribuar ndaj begatisë shpirtërore dhe materiale të komunitetit dhe, ndërsa veprojnë, po rritet numri i atyre që po u bashkohen. Natyrisht, kushtet ndryshojnë shumë nga vendi ne vend, ashtu si edhe veçoritë e rritjes. Por përmes orvatjeve sistematike, gjithkush mund të japë një kontribut gjithnjë e më të frytshëm ndaj punës që po ndërmerret. Në çdo rrethanë, gjendet hare e vërtetë në përfshirjen e shpirtrave të tjerë në biseda kuptimplota dhe frymëzuese, të cilat çojnë, qoftë shpejt ose dalëngadalë, në zgjimin e ndjeshmërive shpirtërore. Sa më e ndritshme të jetë flaka e ndezur përbrenda zemrës së një besimtari, aq më e madhe do të jetë forca e tërheqjes e ndjerë prej atyre që ndeshen me ngrohtësinë e saj. Dhe për një zemër që është përflakur me dashurinë për Bahá’u’lláh-un, çfarë shërbese më e përshtatshme mund të përfytyrohet sesa të kërkojë të gjejë shpirtra të ngjashëm, t’i nxisë ndërsa ata hyjnë në shtegun e shërbimit, t’i shoqërojë ndërsa ata fitojnë përvojë dhe - ndoshta hareja më e madhe e të gjithave - të shohë shpirtra që mbështeten në besimin e tyre, ngrihen në mënyrë të pavarur dhe ndihmojnë të tjerë në të njëjtin rrugëtim. Këto janë ndër më të vyerat e të gjitha çasteve që kjo jetë kalimtare jep.

Mundësitë për ta përparuar këtë ndërmarrje shpirtërore bëhen ende më drithëruese me afrimin e dyqindvjetorit të Lindjes së Báb-it. Po ashtu si dyqindvjetori që e parapriu, ky përvjetor është një çast pallagoratishmërisht i vyer. Ai u jep të gjithë Bahá’í-ve mundësi të mahnitshme për t’i zgjuar ata përqark tyre ndaj Ditës së Madhe të Perëndisë, ndaj vërshimit të jashtëzakonshëm të hirit qiellor të shënuar nga dalja në dritë e dy Shfaqjeve të Qenies Hyjnore, Ndriçues të njëpasnjëshëm të Cilët e ndritën horizontin e botës. Masa e asaj që mund të jetë e mundshme në dy ciklet e ardhshme është e njohur për të gjithë nga përvoja e dyqindvjetorit para dy vitesh dhe gjithçka që u mësua me atë rast duhet të drejtohet në planet për Ditëlindjet e Shenjta Binjake këtë vit. Ndërsa përvjetori i dyqindtë afrohet, ne do të ofrojmë përgjërime të shpeshta në emrin tuaj në Mauzoletë e Shenjtë, duke u lutur që përpjekjet tuaja për ta nderuar në mënyrë të përshtatshme Báb-in do t’ia dalin mbanë që ta përparojnë Kauzën të cilën Ai paratha.

Mbyllja e shekullit të parë të Periudhës Formuese është veç dy vjet e gjysmë larg. Ajo do të vulosë njëqind vite përpjekjesh të shenjta për ta përforcuar dhe zgjeruar themelin e ngritur me kaq flijim gjatë Periudhës Heroike të Besimit. Në atë kohë, komuniteti Bahá’í do të shënojë gjithashtu njëqindvjetorin e Ngjitjes së ‘Abdu’l-Bahá-it, ai çast kur Mjeshtri i shumëdashur u lirua nga kufizimet e kësaj bote për t’u ribashkuar me Atin e Tij në strehat e lavdisë qiellore. Varrimi i tij, i cili u mbajt ditën vijuese, qe një ndodhi “të ngjashmin e të cilit Palestina nuk e kishte parë kurrë.” Në përfundimin e tij, trupi i Tij i vdekshëm u vu të prihet përbrenda një dhomëze nën Mauzoleun e Báb-it. Sidoqoftë, qe parashikuar prej Shoghi Effendi-ut që kjo do të ishte një masë e përkohshme. Një Mauzole do të duhej të ngrihej, i një natyre që i përshtatej pozitës së pashoqe të ‘Abdu’l-Bahá-it, në kohën e duhur.

Ajo kohë ka ardhur. Botës Bahá’í po i bëhet thirrje të ndërtojë një godinë, e cila do t’i përgushë përgjithnjë ato eshtra të shenjta. Do të ndërtohet në afërsinë e Kopshtit të Riḍván-it, mbi tokë të shenjtëruar nga hapat e Bukurisë së Bekuar; në këtë mënyrë Mauzoleu i ‘Abdu’l-Bahá-it do të qëndrojë në gjysmëhënën që përshkon Mauzolet e Shenjtë në ‘Akká dhe Haifa. Puna mbi planet arkitekturale po përparon dhe më shumë të dhëna do të ndahen në muajt në vijim.

Ndjenja hareje të pakundshoqta tani vërshojnë përbrenda nesh, ndërsa shqyrtojmë vitin e ardhshëm dhe gjithçka që ai premton. Ne mbështetemi te secili prej jush - ata të cilët merren me dhënien e shërbimit ndaj Bahá’u’lláh-ut, duke u përpjekur në çdo komb për Kauzën e paqes - që të përmbushni thirrjen tuaj të lartë.

 

Windows / Mac