Return   Facebook

The Universal House of Justice

Ridván 2021

To the Bahá’ís of the World

Dearly loved Friends,

Fjalët përfundimtare në këtë kapitull të paharrueshëm në historinë e Kauzës janë shkruar tashmë dhe, fleta po kthehet. Ky Riḍván shënon përfundimin e një viti të jashtëzakonshmën, e një Plani Pesëvjeçar dhe e një serie të plotë Planesh që nisën në vitin 1996. Një seri e re Planesh bën shenjë që të vijë, me çka premton të jetë një dymbëdhjetëmujor shumë i rëndësishëm, që do të shërbejë si prelud për një përpjekje nëntëvjeçare, e cila pritet të nisë Riḍván·in pasues. Ne shohim para nesh një komunitet, që ka fituar forcë me shpejtësi dhe është i gatshëm të ndërmarrë përpara hapa të mëdhenj. Por, nuk duhet patur asnjë iluzion rreth asaj se sa shumë përpjekje u nevojitën për të arritur në këtë pikë dhe se sa me mund ishin fituar kuptimet e përftuara gjatë rrugës: mësimet e nxëna do t’i japin formë të ardhmes së komunitetit dhe rrëfimi se si u mësuan ato do të hedhë dritë mbi atë që pritet.

Dekadat që çuan deri në vitin 1996, të pasura me përparimet e kuptimet e veta, nuk patën lënë asnjë dyshim se numra të mëdhenj njerëzish në shumë shoqëri do të ishin të gatshëm të hynin nën flamurin e Besimit. Megjithatë, aq inkurajuese sa ishin rastet e deklarimeve në shkallë të gjerë, ato nuk u barazuan me një proces të qëndrueshëm rritjeje që mund të kultivohej në rrethana të larmishme. Komuniteti u përball me pyetje të thella, për të cilat, në atë kohë, ai kishte përvojë të pamjaftueshme për t’iu dhënë përgjigje. Si mundeshin përpjekjet me synim zgjerimin e tij të vijonin krah për krah me procesin e konsolidimit dhe të zgjidhnin sfidën e gjatë, në dukje të pazgjidhshme, të qëndrueshmërisë së rritjes? Si mund të ngriheshin individët, institucionet dhe komunitetet, që të ishin të aftë t’i kthenin në veprim mësimet e Bahá’u’lláh·ut? Dhe si mundeshin ata, që ishin tërhequr prej mësimeve, të bëheshin protagonistë në një sipërmarrje shpirtërore globale?

Kështu ndodhi që, një çerek shekulli më parë, një komunitet Bahá’í, i cili mund të numëronte akoma tri Duar të Kauzës së Perëndisë në krye të radhëve të veta, nisi një Plan Katërvjeçar, të dalluar nga ato që erdhën para tij prej fokusimit në një synim të vetëm: një përparim domethënës në procesin e hyrjes me trupa. Ky synim u bë përkufizues për serinë e Planeve që e pasuan. Komuniteti kishte arritur tashmë të kuptonte që ky proces nuk ishte thjesht hyrja në Besim e grupeve të konsiderueshme, as nuk do të shfaqej spontanisht; ai nënkuptonte zgjerim dhe konsolidim të qëllimshëm, sistematik e të përshpejtuar. Kjo punë do të kërkonte pjesëmarrjen e informuar të shumë shpirtrave dhe, në vitin 1996, bota Bahá’í u thirr të merrte mbi supe sfidën e gjerë edukuese që kjo punë solli. Ajo u thirr të ngrinte një rrjet institutesh trajnimi të fokusuara në krijimin e një rrjedhe në rritje individësh të pajisur me kapacitetet e nevojshme për ta bërë të qëndrueshëm procesin e rritjes.

Miqtë e morën këtë detyrë me vetëdijen se, pavarësisht fitoreve të tyre të mëparshme në fushën e mësimdhënies, ata dukshëm kishin shumë për të mësuar rreth asaj se cilat kapacitete duheshin fituar dhe, thelbësorja, si t’i fitonin ato. Në shumë mënyra, komuniteti do të mësonte duke vepruar dhe, mësimet e nxëna, sapo të ishin distiluar e rafinuar përmes zbatimit në rrethana të larmishme përgjatë kohës, do të përfshiheshin përfundimisht në materialet edukuese. U kuptua se veprimtari të caktuara ishin një përgjigje e natyrshme ndaj nevojave shpirtërore të popullsisë. Qarqet e studimit, klasat e fëmijëve, takimet devocionale dhe, më vonë, grupet e paratërinjve u dukën qartë se ishin të një rëndësie qendrore në lidhje me këtë dhe, kur u ndërthurën bashkë me veprimtari të ndërlidhura, dinamikat e lindura mund t’i jepnin jetë një modeli të gjallë të jetës komunitare. Dhe, ndërsa numri i pjesëmarrësve në këto veprimtari bazë u rrit, qëllimit të tyre origjinal iu shtua një dimension i ri. Ato rezultuan se shërbenin si portale përmes të cilave të rinjtë, të rriturit dhe familje të tëra nga shoqëria e gjerë mund të takoheshin me Revelacionin e Bahá’u’lláh·ut. Gjithashtu, po bëhej e qartë se sa praktike ishte të konsideroheshin strategjitë për punën e ndërtimit të komunitetit brenda kontekstit të “zonës”: një zonë gjeografike e një madhësie të menaxhueshme me tipare të dallueshme shoqërore e ekonomike. Filloi të kultivohej një kapacitet për përgatitjen e planeve të thjeshta në nivel zone dhe, prej këtyre planeve, dolën programe për rritjen e Besimit, të organizuara në ato që më pas do të quheshin cikle veprimtarie tremujore. Herët u shfaq një pikë e rëndësishme qartësimi: lëvizja e individëve përmes një rendi kursesh i jep shtysë dhe mbahet në jetë përmes lëvizjes së zonave përgjatë një vazhdimësie të zhvillimit. Kjo marrëdhënie plotësuese i ndihmoi miqtë kudo t’i vlerësonin dinamikat e rritjes në rrethinat e vetë atyre dhe të hartonin një shteg drejt forcës së rritur. E ndërsa koha kaloi, rezultoi e frytshme të shihej ajo që po ndodhte në një zonë si nga pikëpamja e tri domosdoshmërive edukuese—shërbimi ndaj fëmijëve, paratërinjve dhe të rinjve e të rriturve—ashtu dhe nga pikëpamja e cikleve të veprimarisë, thelbësore për ritmin e rritjes. Pjesërisht brenda përpjekjes 25-vjeçare, shumë nga tiparet më të dukshme të procesit të rritjes, që i shohim sot, po vendoseshin mirë.

Ndërsa u intensifikuan përpjekjet e miqve, parime, koncepte e strategji të larmishme të një rëndësie universale nisën të kristalizohen në një kornizë për veprim, që mund të evoluonte për të mirëpritur elemente të reja. Kjo kornizë provoi se ishte themelore për çlirimin e një gjallërie të pamasë. Ajo i përkrahu miqtë t’i kanalizonin energjitë e tyre në mënyra që, siç e ka treguar përvoja, ishin të favorshme për rritjen e komuniteteve të shëndetshme. Por, një kornizë nuk është një formulë. Duke marrë parasysh elementet e ndryshme të kornizës, ndërsa vlerësohej realiteti i një zone, i një lokaliteti, apo thjesht i një lagjeje, mund të zhvillohej një model veprimtarie, që bazohej në atë çka pjesa tjetër e botës Bahá’í po mësonte, ndërsa ishte akoma një përgjigje ndaj veçantive të atij vendi. Një dyzim mes kërkesave të ngurta nga njëra anë dhe parapëlqimeve personale të pakufizuara nga ana tjetër, i dha udhë një të kuptuari me më shumë nuanca rreth larmisë së mjeteve përmes të cilave individët mund ta mbështesnin procesin që, në zemër të tij, ishte koherent dhë që vazhdimisht po rafinohej, ndërsa përvoja grumbullohej. Le të mos ketë asnjë fije dyshimi rreth përparimit të përfaqësuar nga shfaqja e kësaj kornize: nënkuptimet për harmonizimin dhe bashkimin e përpjekjeve të të gjithë botës Bahá’í dhe për çuarjen përpara të marshimit të saj ishin të një rrjedhoje të madhe.

Ndërsa njëri Plan pasoi tjetrin dhe angazhimi me punën e ndërtimit të komunitetit u bë me bazë më të gjerë, përparimet në nivelin e kulturës u bënë më të theksuara. Për shembull, rëndësia e edukimit të brezave më të rinj mori vlerësim më të gjerë, po aq sa edhe potenciali i jashtëzakonshëm i përfaqësuar nga paratërinjtë në veçanti. Shpirtra që përkrahin e shoqërojnë njëri-tjetrin përgjatë një shtegu të përbashkët, që vazhdimisht e zgjerojnë rrethin e mbështetjes reciproke, u bë modeli ndaj të cilit aspironin të gjitha përpjekjet me synim zhvillimin e kapacitetit për shërbim. Edhe ndërveprimet e miqve mes njëri-tjetrit dhe me ata rreth tyre përjetuan një ndryshim, ndërsa u rrit vetëdija rreth fuqisë së bashkëbisedimeve kuptimplote për të ndezur e nxitur ndjeshmëri shpirtërore. Dhe, në mënyrë domethënëse, komunitetet Bahá’í përvetësuan gjithnjë në rritje një orientim që shihte për nga jashtë. Çdo shpirt, që iu përgjigj vizionit të Besimit, mund të bëhej pjesëmarrës aktiv—madje, edhe përkrahës e lehtësues—i veprimtarive edukuese, takimeve për adhurim dhe elementeve të tjera për punën komunitet-ndërtuese; nga mesi i shpirtrave të tillë, shumë mundën të deklaronin besimin e tyre te Bahá’u’lláh·u. Kështu, u shfaq një konceptim i procesit të hyrjes me trupa, që u bazua më pak në teori e supozime dhe më shumë në përvojën reale se si numra të mëdhenj njerëzish mund ta gjenin Besimin, mund të familjarizoheshin me të, mund të identifikoheshin me synimet e tij, mund të bashkoheshin në veprimtaritë dhe diskutimet e tij dhe, në shumë raste, mund ta përqafonin atë. Në të vërtetë, ndërsa procesi i institutit u forcua rajon pas rajoni, numri i individëve që morën mbi supe një pjesë të punës së Planit, duke u shtrirë edhe tek ata që ishin njohur rishtas me Besimin, u rrit me hapa të mëdhenj. Por, kjo nuk po nxitej thjesht nga një shqetësim për shifra. Një vizion i shndërrimit personal e kolektiv që ndodhte njëkohësisht, i bazuar në studimin e Fjalës së Perëndisë, dhe një vlerësim për kapacitetin e çdo personi për t’u bërë protagonist në një dramë të thellë shpirtërore, kishin çuar në lindjen e një ndjenje përpjekjeje të përbashkët.

Një nga tiparet më të mrekullueshme e më frymëzuese të kësaj periudhe 25-vjeçare ka qenë shërbimi i kryer nga të rinjtë Bahá’í, të cilët, me besim e guxim, kanë zënë vendin që u takon në ballë të përpjekjeve të komunitetit. Si mësues të Kauzës dhe edukatorë të të rinjve, si tutorë të lëvizshëm dhe pionierë në frontin e brendshëm, si koordinatorë zone dhe anëtarë të agjencive Bahá’í, të rinjtë në të pesë kontinentet janë ngritur t’u shërbejnë komuniteteve të tyre me devotshmëri e sakrificë. Pjekuria që ata kanë treguar në shkarkimin e detyrave mbi të cilat varet përparimi i Planit Hyjnor, është shprehëse e gjallërisë së tyre shpirtërore dhe i zotimit të tyre për ta mbrojtur të ardhmen e njerëzimit. Në njohje të kësaj pjekurie gjithnjë e më të dukshme, ne kemi vendosur që, menjëherë pas këtij Riḍván·i, ndërsa mosha në të cilën një besimtar fiton të drejtën për të shërbyer në një Asamble Shpirtërore do të mbetet njëzet e një, mosha në të cilën një besimtar mund të votojë do të ulet në tetëmbëdhjetë. Ne nuk kemi asnjë dyshim se kudo që të rinjtë Bahá’í e kanë arritur moshën, do ta përligjin mirëbesimin tonë në aftësinë e tyre për ta përmbushur me “ndërgjegje e zell” “detyrën e shenjtë” në të cilën thirret çdo zgjedhës Bahá’í.

Ne jemi të ndërgjegjshëm se, natyrisht, realitetet e komuniteteve ndryshojmë shumë. Komunitete kombëtare të ndryshme, si dhe vende të ndryshme brenda atyre komuniteteve, e nisën këtë seri Planesh në pika të ndryshme të zhvillimit; që atëherë, ato janë zhvilluar gjithashtu, me ritme të ndryshme dhe kanë arritur nivele të ndryshme progresi. Kjo, në vetvete, nuk është diçka e re. Ka qenë përherë realiteti që kushtet kanë ndryshuar nëpër vende, ashtu si edhe shkalla e pranueshmërisë që gjendet aty. Por ne perceptojmë, gjithashtu, një baticë në ngritje, përmes së cilës po rriten kapaciteti, vetëbesimi dhe përvoja e grumbulluar e shumicës së komuniteteve, të pjekura nga suksesi i komuniteteve simotra të tyre afër e larg. Si për shembull, ndërsa shpirtrave që u ngritën për të hapur një lokalitet në vitin 1996 nuk u mungonte aspak kuraja, besimi e devotshmëria, sot, të ngjashmit e tyre kudo kombinojnë po të njëjtat cilësi me dije, kuptime e zotësi, që janë grumbulluar në njëzet e pesë vite përpjekje nga e tërë bota Bahá’í, për ta sistematizuar e për ta rafinuar punën e zgjerimit dhe konsolidimit.

Pavarësisht pikënisjes së komunitetit, ai e ka çuar përpara procesin e rritjes, kur ka kombinuar cilësitë e besimit, këmbënguljes dhe zotimit me gatishmërinë për të nxënë. Në fakt, një trashëgimi e dashur e kësaj serie Planesh është pohimi i përhapur se çdo përpjekje për të shkuar përpara fillon me orientim drejt nxënies. Thjeshtësia e këtij parimi e përgënjeshtron domethënien e nënkuptimeve që e pasojnë atë. Ne nuk kemi dyshim se çdo zonë, duke i dhënë kohë, do të bëjë progres përgjatë vazhdimësisë së zhvillimit; komunitetet që kanë përparuar më shpejt, relative ndaj atyre ku rrethanat e mundësitë e të cilave ishin të ngjashme, kanë treguar një aftësi për të ushqyer unitet mendimi dhe për të nxënë rreth veprimit të efektshëm. Dhe ato kanë bërë kështu pa ngurruar për të vepruar.

Zotimi për të nxënë, do të thoshte, gjithashtu, të qënurit të përgatitur për të bërë gabime—dhe, nganjëherë, sigurisht, gabimet sollën parehati. Në mënyrë jo të papritur, metodat dhe qasjet e reja u trajtuan pa mjeshtëri në fillim, për shkak të mungesës së përvojës; me raste, një kapacitet i sapofituar i një lloji u humb, ndërsa një komunitet u përhumb në zhvillimin e një tjetri. Të pasurit e synimeve më të mira nuk është garanci për mosbërjen e hapave të gabuara dhe lënia pas e tyre kërkon si përunjësi, ashtu edhe shkëputje. Kur një komunitet ka qëndruar i vendosur për të treguar durim dhe për të mësuar nga gabimet që ndodhin natyrshëm, progresi nuk ka qenë kurrë i paarritshëm.

Nga mesi i serisë së Planeve, përfshirja e komunitetit në jetën e shoqërisë filloi të bëhej fokusi i vëmendjes më të drejtpërdrejtë. Besimtarët u inkurajuan të mendonin për këtë në termat e dy fushave të ndërlidhura përpjekjesh—veprimi shoqëror dhe pjesëmarrja në diskutimet që mbizotërojnë në shoqëri. Këto, sigurisht, nuk ishin alternativa ndaj punës së zgjerimit dhe konsolidimit, aq më tepër shpërqendrimit prej saj: ato janë të qenësishme brenda saj. Sa më të mëdha të jenë burimet njerëzore të cilave u bënte thirrje një komunitet, aq më i madh bëhej kapaciteti i tij për ta mundësuar urtësinë e përmbajtur në Revelacionin e Bahá’u’lláh·ut për t’i dhënë zgjidhje sfidave të kohës—për t’i kthyer mësimet e Tij në realitet. Dhe punët e trazuara të njerëzimit përgjatë kësaj periudhe dukeshin se nënvizonin se sa e dëshpëruar ishte nevoja e tij për ilaçin e dhënë nga Mjeku Hyjnor. I nënkuptuar në gjithë këtë ishte konceptimi i fesë shumë ndryshe nga ata që kishin ndikim në botë në përgjithësi: një konceptim që e njihte fenë si një forcë të fuqishme që shtyn përpara një qytetërim në përparim të vazhdueshëm. U kuptua se një qytetërim i tillë nuk do të shfaqej, gjithashtu, papritur, me dëshirën e vet—ishte misioni i pasuesve të Bahá’u’lláh·ut për të punuar për ngritjen e tij. Një mision i tillë kërkoi zbatimin e të njëjtit proces të nxënies sistematike ndaj punës së veprimit shoqëror dhe të angazhimit në diskutimin publik.

I parë nga pikëpamja e dy dekadave e gjysëm të fundit, kapaciteti për ndërmarrjen e veprimit shoqëror është rritur dukshëm, duke çuar në lulëzimin e jashtëzakonshëm të veprimtarive. Krahasuar me vitin 1996, kur pothuajse 250 projekte të zhvillimit social dhe ekonomik po bëheshin të qëndrueshme nga viti në vit, tani ka 1500 dhe numri i organizatave të frymëzuara nga Besimi është katërfishuar, duke i kaluar 160. Mbi 70 000 nisma për veprim shoqëror në bazë, me kohëzgjatje të shkurtër, janë duke u ndërmarrë çdo vit, një rritje 50-fish. Ne mezi presim të shohim një rritje të vazhdueshme në të gjitha këto përpjekje, që rezultojnë nga mbështetja e përkushtuar e Organizatës Bahá’í për Zhvillim Ndërkombëtar. Ndërkohë, pjesëmarrja Bahá’í në diskutimet mbizotëruese të shoqërisë është rritur, gjithashtu, në masë. Përveç rasteve të shumta kur miqtë gjejnë mundësinë për të ofruar këndvështrimin Bahá’í në bashkëbisedimet që ndodhin në një kontekst pune apo personal, pjesëmarrja më zyrtare në diskutime ka përparuar në mënyrë domethënëse. Ne kemi në mendje jo vetëm përpjekjet e shumëpërhapura dhe kontributet e sofistikuara në rritje të Komunitetit Ndërkombëtar Bahá’í—i cili, në këtë periudhë i shtoi zyrat në Afrikë, Azi e Evropë—por, gjithashtu, punën e një rrjeti gjerësisht të shtuar e shumë të forcuar të Zyrave kombëtare për Punët e Jashtme, për të cilat kjo fushë përpjekje u bë fokusi kryesor; përveç kësaj, pati kontribute të zgjuara e të shquara, të bëra nga besimtarët individualë në fusha të caktuara. Kjo disi edhe e shpjegon nderimin, vlerësimin dhe admirimin, që udhëheqësit e mendimit dhe të tjera figura të shquara në të gjitha nivelet e shoqërisë kanë shprehur, herë pas here, për Besimin, pasuesit e tij dhe veprimtaritë e tyre.

Në shqyrtimin e tërë periudhës 25-vjeçare, ne jemi të mahnitur nga llojet e shumta të progresit të bërë paralelisht nga bota Bahá’í. Jeta e saj intelektuale ka lulëzuar, siç tregohet jo vetëm nga përparimet e saj në të gjitha fushat e përpjekjes të diskutuara tashmë, por, gjithashtu, nga vëllimi i literaturës me cilësi të lartë, të botuar nga autorë Bahá’í, nga zhvillimi i hapësirave për eksplorimin e disiplinave të caktuara në dritën e mësimeve, si dhe nga ndikimi i seminareve në nivel universitar e pasuniversitar të ofruara sistematikisht nga Instituti për Studime në Mirëqenie Globale, i cili, në bashkëpunim me institucionet e Kauzës, u shërben tashmë të rinjve Bahá’í nga mëse 100 vende. Përpjekjet për të ndërtuar Shtëpi Adhurimi janë përshpejtuar shumë dukshëm. Më i fundit Tempull Mëmë u ngrit në Santiago, Kili dhe nisën projektet për ndërtimin e dy Mashriqu’l-Adhkár·ëve kombëtarë dhe pesë lokalë; Shtëpitë e Adhurimit në Battambang, Kamboxhia dhe në Norte del Cauca, Kolumbi, i kanë hapur dyert e tyre tashmë. Tempujt Bahá’í, qofshin të inauguruar së fundi apo të ngritur prej kohësh, janë duke zënë gjithnjë e më shumë një pozitë në zemrën e jetës komunitare. Mbështetja materiale, e ofruar nga besimtarët e thjeshtë për mijëra përpjekjet e ndërmarra nga miqtë e Perëndisë, ka qenë e pakursyer. E parë thjesht si masë e gjallërisë shpirtërore kolektive, bujaria dhe sakrifica me të cilat, në një kohë trazire të konsiderueshme ekonomike, rrjedha jetësore e fondeve është mbajtur—jo madje, gjallëruar—e tregojnë më së miri. Në arenën e administratës Bahá’í, kapaciteti i Asambleve Shpirtërore Kombëtare për t’i menaxhuar punët e komuniteteve të tyre në të gjithë kompleksin e tyre në rritje, është përforcuar konsiderueshëm. Ato kanë përfituar, në veçanti, nga lartësitë e reja të bashkëpunimit me Këshilltarët, të cilët kanë qenë ndihmues në sistematizimin e mbledhjes së kuptimeve nga baza në të gjithë botën, duke siguruar që ato të përhapen kudo. Kjo ishte, gjithashtu, periudha në të cilën u shfaqën Këshillat Rajonalë Bahá’í si një institucion i Kauzës me role të përcaktuara tërësisht dhe, në 230 rajone tashmë, Këshillat dhe ato institute trajnimi që mbikëqyren prej tyre, e kanë treguar veten si të domosdoshme për përparimin e procesit të rritjes. Për t’i shtrirë në të ardhmen funksionet e të Besuarit të Lartë të Hukukullah·ut, Dorës së Kauzës së Perëndisë, ‘Alí-Muḥammad Varqá, në vitin 2005 u ngrit Bordi Ndërkombëtar i të Besuarve të Hukukullah·ut; sot ai bashkërendon përpjekjet e jo më pak se 33 Bordeve Kombëtare dhe Rajonale të të Besuarve, që tani e mbulojnë globin, të cilët, nga ana e tyre, udhëheqin punën e mbi 1000 Përfaqësuesve. Zhvillimet që ndodhën në Qendrën Botërore Bahá’í gjatë të njëjtës periudhë janë të shumta: u dëshmua përfundimi i Taracave të Mauzoleut të Báb·it dhe i dy ndërtesave mbi Harkun, si dhe nisjen e ndërtimit të Mauzoleut të ‘Abdu’l-Bahá·it, pa lënë pa përmendur një mori projektesh për përforcimin dhe ruajtjen e Vendeve të Shenjta të vyera të Besimit. Mauzoleu i Bahá’u’lláh·ut dhe Mauzoleu i Báb·it u njohën si vende të Trashëgimisë Botërore, vende të një rëndësie të pallogaritshme për njerëzimin. Publiku u dynd në këto vende të shenjta me qindra mijëra, duke iu afruar një milioni e gjysëm njerëz në disa vite, dhe Qendra Botërore mirëpriti rregullisht qindra pelegrinë përnjëherësh, nganjeherë mëse 5000 në vit, përgjatë një numri të ngjashëm vizitorësh Bahá’í; jemi të ngazëllyer po aq nga numri i rritur sa edhe nga njëzetë popuj e kombe të ndryshme, të përfaqësuar nga ata që përfitojnë nga bujaria e pelegrinazhit. Përkthimi, botimi dhe shpërndarja e Teksteve të Shenjta është rritur shumë, gjithashtu, paralelisht me zhvillimin e Bibliotekës së Referencës Bahá’í, një ndër pjesëtaret më të shquara të familjes në rritje të hapësirave në internet të lidhura me Bahai.org, e cila vetë është tashmë e arritshme në dhjetë gjuhë. Një larmi zyrash e agjencish janë ngritur, të ndodhura në Qendrën Botërore dhe në vende të tjera, të ngarkuara me mbështetjen ndaj procesit të nxënies, që po shpaloset ndër zona të shumta në të gjithë botën Bahá’í. E gjithë kjo, o motrat e vëllezërit tanë në besim, është veç një grimcë e rrëfimit që mund të tregojmë nga ato që ka sjellë në dritë devotshmëria juaj ndaj Atij Që ishte i Munduari i Botës. Ne mundemi veç t’i bëjmë jehonë fjalëve prekëse të shprehura dikur nga Mjeshtri i shumëdashur, kur, i mbytur në emocione, Ai thirri: “O Bahá’u’lláh! Çfarë ke bërë?”

Nga panorama e një çerek shekulli thelbësor, ne tani e kthejmë fokusin në Planin më të fundit Pesëvjeçar, një Plan pothuajse i pangjashëm me ndonjërin që ka shkuar më parë në një larmi mënyrash. Në këtë Plan, ne i nxitëm Bahá’í·të e botës të bazohen në gjithçka që kanë mësuar gjatë njëzetë viteve të mëparshme dhe ta vinin atë në veprim të plotë. Jemi të ngazëllyer që shpresat tona, në lidhje me këtë, mëse u përmbushën, por, ndërsa natyrshëm do të prisnim gjëra të mëdha nga pasuesit e Bukurisë së Bekuar, karakteri i asaj që u arrit përmes përpjekjeve të tyre herkuliane ishte me të vërtetë befasuese. Ishte lapidari për nje arritje që kërkoi njëzetë e pesë vite.

Plani ishte veçanërisht i paharrueshëm, sepse u nda në tri pjesë nga dy dyqindvjetorë të shenjtë, ku secili prej tyre i elektrizoi komunitetet lokale në të gjithë botën. Shoqëria e besnikëve tregoi, në një shkallë të padëshmuar më parë dhe me lehtësi relative, kapacitet për t’i angazhuar njerëzit nga të gjithë sektorët e shoqërisë në nderimin e jetës së një Manifestimi të Perëndisë. Ai ishte një tregues i fuqishëm i diçkaje më të gjerë: aftësisë për t’i kanalizuar e për t’i çliruar energjitë shpirtërore të jashtëzakonshme për përparimin e Kauzës. Kaq madhështore ishte përgjigja, sa në shumë vende Besimi u shty jashtë errësirës në nivel kombëtar. Në mjedise ku nuk pritej, madje të pakërkuara, pranueshmëria e shquar ndaj Besimit u bë e dukshme. Me mijëra e mijëra u ngritën peshë prej takimit të tyre me frymën devocionale që është sot karakteristikë e komuniteteve Bahá’í kudo. Vizioni i asaj që bëhet e mundur duke mbajtur një Ditë të Shenjtë Bahá’í u zgjerua pamasë.

Arritjet e Planit, thjesht në terma numerike, i eklipsuan shpejt ato të të gjitha Planeve që i paraprinë atij që prej vitit 1996. Në fillim të Planit, kapaciteti ekzistonte për të zhvilluar pak më shumë se 100 000 aktivitete bazë në një kohë të caktuar, një kapacitet që ishte fryt i njëzetë viteve përpjekje të përbashkët. Tani, 300 000 aktivitete bazë po mbështeten menjëherë. Pjesëmarrësit në ato veprimtari i kanë kaluar dy milionët, që është gjithashtu, një rritje trefishe. Ekzistojnë 329 institute trajnimi kombëtare e rajonale në veprim dhe kapaciteti i tyre provohet nga fakti se tre të katërtat e një milioni njerëzish janë mundësuar të përfundojnë të paktën një libër të rendit; në përgjithësi, numri i kurseve të përfunduara nga individët është tani, gjithashtu, dy milionë—një rritje gati me një të tretën në pesë vite.

Intensiteti i shtuar me të cilin po ndiqen programet e rritjes në mbarë botën, tregon një histori mbresëlënëse të vetën. Në këtë kohëzgjatje pesëvjeçare, ne patëm bërë thirrje që rritja të përshpejtohej në secilën nga 5000 zonat ku kishte nisur. Kjo domosdoshmëri u bë shtysa për përpjekje të zellshme në mbarë botën. Si rezultat, numri i programeve intensive të rritjes u mëse dyfishua dhe tani kap përafërsisht 4000. Vështirësitë e përfshira në hapjen e fshatrave e lagjeve të reja ndaj Besimit në mesin e një krize shëndetësore globale, ose në zgjerimin e veprimtarive që ishin në një fazë të hershme, kur pendemia nisi, e parandaluan arritjen e një totali edhe më të lartë gjatë vitit përfundimtar të Planit. Megjithatë, ka shumë për t’u treguar rreth kësaj. Në fillim të Planit, ne kishim shprehur shpresën që një numër zonash, ku miqtë e kishin kaluar gurin e tretë kilometrik përgjatë vazhdimësisë së rritjes, si rezultat i nxënies se si të mirëpritet një numër i madh në përqafimin e veprimtarive të tyre, do të rriteshin me më shumë se qindra. Ai total, atëherë, qëndronte tek rreth 200, i shpërndarë në rreth 40 vende. Pesë vite më pas, ky numër është rritur mahnitshëm në 1000 në pothuajse 100 vende—një çerek i të gjitha programeve intensive të rritjes në botë dhe një arritje që i tejkaloi pritshmëritë tona. Dhe, megjithëkëtë, edhe këto shifra nuk i zbulojnë majat e larta në të cilat komuniteti është ngritur. Ekzistojnë mëse 30 zona, ku numri i aktiviteteve bazë që po mbështeten i ka kaluar 1000; në vende, totali është disa mijëra, duke përfshirë pjesëmarrjen e më shumë se 20 000 njerëzve në një zonë të vetme. Një numër në rritje Asamblesh Shpirtërore Lokale po e mbikëqyrin tani shpalosjen e programeve edukuese, që përkujdesen për pothuaj të gjithë fëmijët dhe paratërinjtë e një fshati; i njëjti realitet po fillon të shfaqet brenda lagjeve urbane. Angazhimi me Revelacionin e Bahá’u’lláh·ut, në raste të shquara, i ka kapërcyer individët, familjet dhe farefisin e gjerë—ajo që po dëshmohet është lëvizja e popullatave drejt një qendre të përbashkët. Me raste, armiqësi të vjetra ndërmjet grupeve kundërshtare po lihen pas dhe struktura e dinamika të caktuara shoqërore po shndërrohen nën dritën e mësimeve hyjnore.

Ne s’mund të rrimë pa u lumturuar nga përparime kaq mbresëlënëse. Fuqia shoqëri-ndërtuese e Besimit të Bahá’u’lláh·ut po shfaqet me gjithnjë e më shumë qartësi dhe ky është një themel i palëkundur mbi të cilin do të ngrihet Plani Nëntëvjeçar i ardhshëm. Zonat me forcë të shquar, siç qe shpresuar, kanë provuar të jenë rezervuare dijesh e burimesh për fqinjët e tyre. Dhe rajonet ku ekzistojnë më shumë se një zonë e tillë, i kanë zhvilluaar më lehtësisht mjetet për të përshpejtuar rritjen në zonë pas zone. Ne ndiejmë se duhet ta theksojmë sërish, gjithësesi, që progresi ka qenë thuajse universal; ndryshimi në progres ndërmjet një vendi e një tjetri është te shkalla. Të kuptuarit kolektiv të komunitetit rreth procesit të hyrjes me trupa dhe vetëbesimi i tij në të qënurit i aftë për ta stimuluar këtë proces nën çdo grup rrethanash është rritur në nivele që ishin të paimagjinueshme në dekadat e shkuara. Pyetjet e thella që rrinin pezull për kaq kohë të gjatë dhe të cilat erdhën në fokus të mprehtë në vitin 1996, kanë marrë përgjigje bindshëm nga bota Bahá’í. Ekziston një brez besimtarësh, tërë jetët të cilëve mbartin vulën e progresit të komunitetit. Por shkalla e dukshme e asaj që ka ndodhur në ato zona të shumta ku kufijtë e nxënies po zgjerohen, e ka kthyer një përparim domethënës në procesin e hyrjes me trupa në një shumë të rëndësishëm me përmasa historike.

Shumë janë të familjarizuar me mënyrën se si Ruajtësi i ndau Periudhat e Besimit në epoka vijuese; epoka e pestë e Periudhës Formuese nisi në vitin 2001. Më pak i njohur është fakti që Ruajtësi bëri, gjithashtu, referencë specifike se ka epoka të Planit Hyjnor dhe etapa brenda atyre epokave. I mbajtur pezull për dy dekada, ndërkohë që po ngriheshin e po forcoheshin organet lokale e kombëtare të Rendit Administrativ, Plani Hyjnor, i konceptuar nga ‘Abdu’l-Bahá·i, u inaugurua zyrtarisht në vitin 1937 me nisjen e etapës së parë të epokës së parë: Plani Shtatëvjeçar që Ruajtësi ia ngarkoi komunitetit Bahá’í të Amerikës Veriore. Kjo epokë e parë u mbyll pas përfundimit të Kryqëzatës Dhjetëvjeçare në vitin 1963, e cila rezultoi në ngritjen e flamurit të Besimit nëpër botë. Etapa hapëse e epokës së dytë ishte Plani Nëntëvjeçar i parë dhe jo më pak se dhjetë Plane kanë vijuar pas tij, Plane që kanë zgjatur në shtrirje nga dymbëdhjetë muaj në shtatë vite. Në agim të kësaj epoke të dytë, bota Bahá’í ishte duke dëshmuar tashmë fillimet e hershme të asaj hyrjeje me trupa në Besimin, që ishte parashikuar nga Autori i Planit Hyjnor; në dekadat pasuese, brezat e besimtarëve të devotshëm brenda komunitetit të Emrit Më të Madh kanë punuar në Vreshtin Hyjnor për të kultivuar kushtet e nevojshme për rritje të qëndrueshme, në shkallë të gjerë. Në këtë stinë të lavdishme të Riḍván·it, sa të bollshme janë frytet e atyre punëve! Dukuria e numrave të mëdhenj që i zgjerojnë veprimtaritë e komunitetit, që kapin shkëndijën e besimit dhe që ngrihen me shpejtësi për të shërbyer në skajin udhëheqës të Planit, ka ndryshuar nga të qënurit një parashikim i mbështetur nga besimi, në një realitet të përsëritur. Një avancim kaq i shquar e i dukshëm kërkon të shënohet në analet e Kauzës. Me zemra të ngazëllyera, njoftojmë që ka nisur epoka e tretë e Planit Hyjnor të Mjeshtrit. Etapë pas etape, epokë pas epoke do të shpaloset Plani i Tij, derisa drita e Mbretërisë ta ndriçojë çdo zemër.

Miq të shumëdashur, asnjë shqyrtim i sipërmarrjes pesëvjeçare, që e përmbylli epokën e dytë të Planit Hyjnor, nuk do të ishte i plotë pa i bërë referencë të veçantë trazirave që e shoqëruan vitin e saj të fundit dhe që akoma vazhdojnë. Kufizimet ndaj ndërveprimeve personale që u shtuan e u zbehën në shumicën e vendeve gjatë kësaj periudhe mund t’i kishin dhënë një goditetje të fortë përpjekjeve kolektive të komunitetit, ripërtëritja prej së cilës mund të kishte marrë kohë, por ka dy arsye përse nuk ka ndodhur kështu. Njëra ishte vetëdija e përhapur gjerësisht rreth detyrës së Bahá’í·ve për t’i shërbyer njerëzimit, aq më tepër në kohë rreziku e fatkeqësie. Tjetra ishte ngritja e jashtëzakonshme e kapacitetit në botën Bahá’í për t’i dhënë shprehje asaj vetëdijeje. Të mësuar ndër shumë vite për të përvetësuar modele të veprimit sistematik, miqtë e sollën krijimtarinë dhe sensin e qëllimit të tyre për të duruar një krizë të paparashikuar, ndërsa siguroheshin që qasjet e reja që ata i zhvilluan ishin koherente me kornizën që ata kishin punuar ta përsosin në Planet vijuese. Kjo nuk është për të anashkaluar vështirësitë e rënda me të cilat po përballen Bahá’í·të, njësoj si bashkatdhetarët e tyre në çdo vend; megjithatë, përgjatë vështirësive të rënda, besimtarët kanë qëndruar të fokusuar. Burimet janë kanalizuar në komunitetet në nevojë, zgjedhjet u mbajtën kudo që ishte e mundur dhe, nën të gjitha rrethanat, institucionet e Kauzës kanë vijuar me kryerjen e detyrave të tyre. Janë bërë hapa të guximshëm përpara. Asambleja Shpirtërore Kombëtare e São Tomé dhe Príncipe do të ringrihet këtë Riḍván dhe dy shtylla të reja të Shtëpisë Universale të Drejtësisë do të ndërtohen: Asambleja Shpirtërore Kombëtare e Kroacisë, me selinë e saj në Zagreb, si dhe Asambleja Shpirtërore Kombëtare e Timor-Leste, me selinë e saj në Dili.

Dhe kështu, Plani Njëvjeçar nis. Qëllimi dhe kërkesat e tij janë parashtruar tashmë në mesazhin tonë të dërguar në Ditën e Besëlidhjes; ky Plan, megjithëse i shkurtër, do të mjaftojë për ta përgatitur botën Bahá’í për Planin Nëntëvjeçar që do ta pasojë. Një periudhë potenciali të veçantë, që u hap njëqind vite pas revelimit të Tabelave të Planit Hyjnor, do të mbyllet së shpejti me njëqindvjetorin e Ndërrimit Jetë të ‘Abdu’l-Bahá·it, duke shënuar përfundimin e shekullit të parë të Periudhës Formuese dhe fillimin e së dytës. Shoqëria e besnikëve hyn në këtë Plan të ri në një kohë kur njerëzimi, i dëlirur nga ekspozimi i cenueshmërisë së tij, duket më i ndërgjegjshëm ndaj nevojës për bashkëpunim për t’i trajtuar sfidat globale. Gjithësesi, zakone të prapambetura të përplasjes, të interesit vetjak, të paragjykimit e të mendjengushtësisë vazhdojnë ta pengojnë lëvizjen përpara drejt unitetit, pavarësisht numrave në rritje në shoqëri, që po tregojnë me fjalë e vepra se si ata, gjithashtu, kanë etje për një pranim më të madh të njëshmërisë së qenësishme të njerëzimit. Ne lutemi që familja e kombeve të mund t’ia dalë mbanë në lënien mënjanë të dallimeve të saj në interes të së mirës së përbashkët. Pavarësisht pasigurive që mbështjellin muajt e ardhshëm, ne i përgjërohemi Bahá’u’lláh·ut t’i bëjë konfirmimet, që i kanë mbështetur pasuesit e Tij për kaq gjatë, edhe më të bollshme, që ju të mund të çoheni përpara në misionin tuaj, qetësia juaj të mos trazohet nga turbullirat e botës, nevoja e së cilës është gjithnjë e më akute për mesazhin e Tij shërues.

Plani Hyjnor hyn në një epokë të re e në një etapë të re. Fleta u kthye.

 

Windows / Mac